Ekonomi

KRIZA / Një mësim i mirë për demagogët

AAEAAQAAAAAAAAI5AAAAJDg3MjJhYTUxLTBhZTctNGMxZC05NTNiLWM4ZjI2NzNkYmYzOQ

Zgjati pesë muaj përballja mes 18 vendeve të Eurozonës dhe Athinës. Me sa duket për t’u rikthyer atje ku ishin. Por negociata e gjatë nuk ishte e kotë: ajo u mësoi demagogëve që, mund të jetë e kollajtë të fitosh zgjedhjet duke premtuar Hënën, por kundërvënia ndaj rregullave të përbashkëta sjell izolimin. Dhe se do të jetë më i vështirë të kërkohet fleksibilitet

Alexis Tsiprasi i fitoi zgjedhjet, duke siguruar se do të ndryshonte një vend, që pas pesë vitesh dhe dy paketash shpëtimi, ishte ende në krizë të plotë. Si lëvizje e parë, deklaroi se nuk do të respektonte marrëveshjet e qeverive të mëparshme, duke rënë ndesh kështu me parimin e Bashkimit Europian, sipas të cilit marrëveshje të tilla angazhojnë që t’i zbatojnë jo vetëm personat që i firmosin (paraardhësit e Tsiprasit), por edhe vendet që përfaqësojnë (në këtë rast, Greqinë).

Nisi kështu periudha e gjatë e tensionit, që zgjati plot pesë muaj, gjatë të cilës kërkesave të qeverisë greke (që e patën kulmin me thirrjen e referendumit), 18 qeveritë e tjera iu përgjigjën në mënyrë të palëkundur, dhe një plan ndihmash edhe më të ashpër se sa paraardhësit: një përzierje reformash dhe shkurtimesh fiskale, që duhej të viheshin në zbatim në një vend në krizë totale, tashmë edhe prej mbylljes së bankave (ndoshta Tsiprasi nuk e kishte përllogaritur deri në fund efektin që kjo do të kishte mbi ekonominë) dhe paqëndrueshmërisë politike në rritje. Në fakt, Kryeministri është i detyruar që të përballet me protestat e krahut më ekstrem të partisë së tij, që nuk ia fal ndryshimin pas rezultatit të referendumit.

Në thelb, tashmë Greqia duhet të fillojë nga fillimi, por me një ekonomi më të brishtë, një qeveri më të dobët dhe kredidhënës ndërkombëtarë mosbesues. Po atëherë, për se kanë shërbyer këta pesë muaj negociatash të vështira? Ka qenë vetëm kohë e humbur? Ndoshta jo, sepse disa mësime mund të nxirren.

Pikësëpari, për lëvizjet populiste. Rasti Tsipras ka treguar se, ndonëse është e kollajtë të fitosh zgjedhjet duke premtuar Hënën (me shpenzimet e të tjerëve), të negociuarit duke shkelur rregullat e pranuara nga të gjithë sjell izolim. Në fakt, 18 shtetet e tjerë krijuan një bllok të pandashëm, teksa kërkonin respektimin e rregullave, të cilat në fund të fundit, shërbejnë edhe për të mbrojtur vendet më të dobët: nuk duhet harruar se një pjesë e ndihmave që i janë dhënë Greqisë për t’i mundësuar pagimin e borxheve të akumuluar për shkak të vitesh të tërë mosrespektimi të rregullave, janë financuar edhe nga shtetet e vegjël (dhe të varfër), si Letonia, të cilët kanë bërë përshtatje edhe më të vështira se sa ato që i kërkohen sot Athinës.

Pikërisht për këtë arsye, paketa e tretë e shpëtimit përfshin masa si forcimi i pavarësisë të institutit kombëtar të statistikës, fajtor se për vite të tërë ka prodhuar të dhëna të trukuara. Që nga fillimi i krizës, asnjë qeveri, përfshirë atë aktuale, nuk kish menduar që t’i jepte fund kësaj shkeljeje të rëndë.

Mësimi i dytë është për ata që vazhdojnë të kërkojnë në Europë një fleksibilitet më të madh të rregullave të buxhetit, si instrument për të rinisur rritjen ekonomike. Në një kontekst besimi të cunguar, edhe për shkak të interpretimeve “shumë fleksibël” të të kaluarës, ky detyrim rrezikon të shkaktojë moskuptime të mëtejshëm. Për të rikthyer besimin, pas këtyre viteve të vështirë, duhet filluar nga reformat. Në qendër të axhendës politike duhet të vendoset konkurueshmëria e ekonomive të shteteve dhe asaj europiane në tërësinë e saj, dhe jo vetëm fleksibiliteti i buxheteve kombëtarë.

Veronica de Romanis – Panorama.it

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button