Analiza

Ideja e Europës, që bashkonte Trockin me Einaudin

I pari në fillim, i dyti në fund të Luftës së Parë Botërore nënvizonin krizën e shtetit-komb, e cila e pati kulmin me luftën. Dhe të dy, ndonëse i pari marksist, i dyti liberaldemokrat, mendonin që zgjidhja ishte krijimi i një federate

Screen Shot 2015-06-29 at 14.07.40

Në fundin e viteve Tetëqind, shtetet e mëdhenj të Europës kishin arritur kulmin e fuqisë së tyre. Revolucioni industrial, që nga Anglia ishte përhapur në të gjithë kontinentin, si dhe kishte shumëfishuar pasurinë e kombeve. Risitë teknologjike, nga ana e tyre, premtonin një zhvillim pa limite. Në pak dekada, qeveritë kishin përqëndruar në duart e tyre një pushtet të paprecedentë mbi njerëzit dhe mbi burimet natyrore, që ishte përkthyer në krijimin e ushtrive gjithnjë e më të forta dhe në pushtime të reja koloniale në cdo kontinent. Europa po e dominonte botën, sic nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Dhe fuqia mund të krijojë iluzione të rrezikshëm. Kur mendohet që ke arritur majën dhe që askush nuk mund të ta rrëmbejë, verbohesh përpara të resë që përparon dhe rrezikon të humbasësh gjithcka, duke u vënë poshtë prej katastrofave të mëdha. Kjo ndodhi me Luftën e Parë Botërore që përfshiu njërën pas tjetrës Perandorinë Austriake, Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe në fund, edhe Shtetet e Bashkuara, fillimisht hezituese por që më vonë u përfshinë në konflikt të detyruar sepse, për herë të parë në historinë e tyre shekullore, vendet europianë nuk kishin qenë të zotë të rindërtonin të vetëm ekuilibrat që kishin garantuar mbijetesën e tyre.

Kriza e sistemit europian të shteteve ishte shkaktuar më shumë prej transformimeve të thellë ekonomike dhe sociale që kishin ndodhur në dy shekujt paraardhës, dhe që nuk kishin gjetur të vetmen përgjigje racionale që do të kishte zgjidhur të gjithë kontradiktat: bashkimin politik të Kontinentit të vjetër. Në fillim të konfliktit, Lev Trocki shkruante: “Në bazë të luftës aktuale është revolta e forcave prodhuese të zhvilluara nga kapitalizmi, kundër formës shtetërore kombëtare të përdorimit të tyre… Shtetet e vjetër kombe… janë lënë pas dhe janë transformuar në zinxhirë pengues për zhvillimin e mëtejshëm të forcave prodhuese. Lufta e 1914 përbën pikësëpari krizën e shtetit komb si zonë ekonomike e vetëpërballueshme… Në këto rrethana historike, zgjidhja për proletariatin europian nuk mund të jetë një mbrojtje e shtetit komb të kapërcyer tashmë, e që është shndërruar në frenuesin kryesor të progresit ekonomik: detyra që na imponohet është që të krijojmë një atdhe të ri, shumë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm, Shtetet e Bashkuara të Europës si fazë tranzitore drejt Shteteve të Bashkuara të Botës”.

Aludimi i Trockit për “forcat produktive të zhvilluara të kapitalizmit” mund të shtyjë të besosh që diagnoza e tij është frut i kulturës marksiste me të cilën ishte mbrujtur. Por në të vërtetë nuk ishte kështu. Luigi Einaudi, që nuk i dinte shkrimet e Trockit dhe që ishte rritur me kultin e liberaldemokracisë, arrinte në konkluzione të ngjashëm. Në një artikull të botuar në gazetën Corriere della Sera në 5 janar 1918 (“Shoqëria e kombeve është një ideal i mundshëm?”) kritikonte ashpër ata që ushqenin iluzionin se mund të vendosnin një paqe të qëndrueshme përmes marrëveshjeve mes shteteve sovranë, dhe i gjente shkaqet e luftës në tentativën e Vilhelmit II për të imponuar me forcën e armëve bashkimin e kontinentit të vjetër. “Lufta aktuale”, shkruante Einaudi, “është dënimi i unitetit europian i imponuar me forcën e një perandorie ambicioze. Por është edhe sforcoja e përgjakshme për krijimin e një forme politike të një rendi superior. Ky duhet të jetë frut i përpjekjeve të njerëzve, të bindur që vetëm gjërat e pamundura arrihen dhe kanë fat. Por duhet të jenë forca që nuk synojnë krijimin e maskave false të të vërtetës, por ideale konkrete, historikisht të mundshëm”. Ndryshe nga Trocki, Einaudi nuk kufizohej që të shprehte një gjykim lapidar mbi katastrofën që po ndodhte, por e shihte federatën – përkundër një Lidhjeve të Kombeve – si asetin politik që do të crrënjoste përgjithmonë luftën nga terreni europian, dhe tek veprimi i ndërgjegjshëm i njerëzve të vendosur për të arritur këtë objektiv shihte premisën e nevojshme për sukses.

Për disa momente u duk se njeriu i duhur mund të ishte Kryeministri francez, Aristide Briand, që kishte për zemër, ashtu si ministri i Jashtëm gjerman, Gustav Stresemann, pajtimin mes dy vendeve, të cilët ishin ende viktima të kundërpozicioneve që paqja e Versajës nuk kishte qenë në gjendje t’i kapërcente. Për veprën e tyre në favor të pajtimit në 1916, dy burrat e shtetit merituan Cmimin Nobel për Paqen. Tre vjet më vonë, Briand thoshte se mund të bëhej një tjetër hap përpara, duke propozuar një lidhje më të ngushtë mes vendeve që i kishin vënë zjarrin Europës.

Në 7 shtator 1929 doli para Lidhjes së Kombeve me një fjalim që, sipas dëshmive të kohës, e preku thellë auditorin. “Në këta vitet e fundit”, thoshte, “jam lidhur me një propagandë në favor të një ideje që është cilësuar si bujare, për të mos u cilësuar si e matur”. Dhe vazhdonte: “Mendoj që mes popujve që janë të grupuar gjeografikisht si Europa, duhet të ekzistojë një lloj lidhjeje federale. Në cdo moment këta popuj duhet të kenë mundësinë që të hyjnë në kontakt, të diskutojnë interesat e tyre, të marrin vendime të përbashkët, të vendosin mes tyre një lidhje solidariteti që lejon t’u bëjnë ballë, në një moment të caktuar, rrethanave të rënda që mund të paraqiten. Dhe unë dua ta vendos këtë lidhje. Natyrisht, bëhet fjalë më shumë në fushën ekonomike sepse ky është problemi më urgjent. Por jam gjithashtu i sigurtë që nga këndvështrimi social, lidhja federale, pa dëmtuar sovranitetin e kombeve që mund të jenë pjesë e kësaj lidhjeje, mund të jetë i dobishëm”.

Megjithatë, sic rezulton e qartë nga vullneti për “të mos dëmtuar sovranitetin e kombeve”, Briand mendonte për një konfederatë dhe jo një “lidhje federale” sic kishte thënë. Nuk e dimë cili do të kish qenë rezultati i projektit të tij. Por dimë që ishte parashtruar pak përpara vdekjes së Stresemann, kolapsit të bursës së Nju Jorkut dhe në prag të ngjitjes së Hitlerit në kancelarinë gjermane. Dhe cdo shpresë u shua.

“Sette” / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button