Analiza

Lee Kuan Yew / “Magjistari” i Singaporit

Screen Shot 2015-03-23 at 2.41.52 PM

Me një sens vizioni dhe një pragmatizëm të paepur, Lee Kuan Yew udhëhoqi Singaporin teksa u transformua nga një ishull i vogël pa burime natyrore, në një sukses ekonomik lulëzues. Ai kanalizoi me sukses energjitë e singaporianëve për të krijuar atë që shpesh e kanë përshkruar si një mrekulli ekonomike, një përzierje e kapitalizmit privat dhe atij shtetëror.

Lee e bëri Singaporin të begatë, modern, eficient dhe praktikisht pa korrupsion – dhe investitorët e huaj rendën drejt vendit të vogël aziatik. Por ndërkohë që admirohej për suksesin ekonomik, shumëkush ka shprehur shqetësime në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.


Lee Kuan yeë ka lindur në 16 shtator 1923 në Singapor, brezi i tretë i imigrantëve kinezë. Teksa rritej ai ka ndjerë ndikimin e fortë britanik dhe i ati e pagëzoi me emrin Harry lee, një emër me të cilin është njohur gjatë të gjithë jetës së hershme. Lee shkoi në një shkollë angleze në Singapor, por arsimimi i tij i mëtejshëm u ndërpre prej pushtimit japonez, që nisi në vitin 1942. Në tre vitet që pasuan, ai u përfshi në tregun e zi, ndërkohë që përdori zotërimin që i bënte anglishtes për të punuar për departamentin japonez të propagandës. Pas luftës, ai shkoi për një kohë të shkurtër në London School of Economics, nisi punë në BBC Home Service e madje shërbeu edhe në fushatën e një miku të tij që garonte për një post në parlament në Devonin rural. Lee, një socialist i devotshëm që në kohën kur ishte student, u rikthye në Singapor, ku do të bëhej një prej avoketërve të spikatur të sindikatave.

Në vitin 1954, ai u bë themelues dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Veprimit Popullor, një post që e mbajti në 40 vitet e ardhshëm. PVP fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet e 1959-ës dhe Singapori kaloi nga kontrolli britanik, në një shtet të vetëqeverisur.

Lee udhëhoqi Singaporin në një bashkim me Malajzinë në vitin 1963, por ky ishte një projekt jetëshkurtër. Tensionet ideologjikë dhe një seri përplasjesh të dhunshme mes grupeve etnikë shkaktuan dëbimin e Singaporit nga federata, duke u bërë kështu tërësisht i pavarur. Ishte një lëvizje e vështirë për Lee, i cili e shihte aleancën me Malajzinë si një mënyrë për të hedhur më në fund tutje të kaluarën koloniale. Ai e vetë e ka përshkruar si një “moment trishtimi”.

Megjithatë, lidhjet tregtare dhe ushtarake me Malajzinë u ruajtën dhe Britania u nxit të mbajë bazën e saj në Singapor, për hir të mbrojtjes së përbashkët të ishullit dhe të Malajzisë.

Lee nisi një program shumë të gjerë reformash, i projektuar që ta transformonte SIngaporin nga një “kënetë pisllëku dhe degradimi”, në një shtet modern të industrializuar.

Ndëshkimi trupor
Për të bërë këtë, ai ruajti kontrollin e fortë mbi cdo aspekt të qytetit-shtet, duke e bërë një prej shoqërive më të rregulluara të botës. Lee ndaloi disa prej kritikëve të tij pa gjyq, kufizoi mediat dhe publikimet e huaja, dhe arrestoi një numër gazetarësh. “Liria e shtypit, liria e medias duhet t’i nënshtrohen nevojave superiore të integritetit të Singaporit”, thoshte ai.
Lee i justifikonte veprimet e tij duke pretenduar se gazetat financoheshin prej interesave armiqësorë jashtë vendit. Lee thoshte se në një vend në zhvillim, disa liri duheshin sakrifikuar. Alternativa ndaj antikomunizmit ishte komunizmi, dhe koncepti perëndimor i demokracisë liberale nuk mund të gjente zbatim.

Megjithatë, disa prej kritikëve të tij argumentonin se mbajtja e të gjithë vendeve në parlament duhej t’i kish dhënë atij sigurinë e mjaftueshme për të shmangur përdorimin e masave të tilla represive. Si një antikomunist i përkushtuar, ai akuzohej se kish adoptuar një regjim të stilit komunist për të cuar përpara politikat e tij, ndonëse ndryshe nga shumë regjime komunistë, populli i Singaporit përfitoi financiarisht prej sundimit të tij. Nga 1960 deri në 1980, GDP u rrit 15-fish.

Izraeli ofronte modelin, i rrethuar sic ishte nga shtete armiqësorë arabë. “Ashtu si Izraeli, ne na u desh t’i shmangemi pjesës tjetër të rajonit, dhe të tërheqim kompanitë shumëkombëshe”, thoshte Lee. Ai e kuptoi rëndësinë e ndërtimit të një marrëdhënieje të mirë me Kinën, dicka që ndihmohej edhe prej miqësisë që ai kishte me udhëheqësin kinez, Ten Hsiaopin. Teni, i cili e vizitoi Singaporin në vitin 1978, kishte shprehur admirimin për politikat ekonomike të Lee-së; ky i fundit ishte i impresionuar prej reformave që Teni vuri në zbatim në Kinë.

Lee vuri në zbatim masa që crrënjosën korrupsionin, i cili kishte qenë endemik në ish koloninë britanike dhe nisi një program strehimi me kosto të ulët, si dhe industrializimi, për të ofruar punësim. Ai punoi gjithashtu për bashkimin e grupeve të ndryshëm etnikë të ishullit, për të krijuar një identitet unik singaporian, të bazuar në multikulturalizmin.

Lee ishte një besimtar i madh në efikasitetin e ndëshkimit trupor, duke qenë se edhe vetë e kishte provuar në shkollë. “Nuk e kam kuptuar asnjëherë përse shumë prej atyre në perëndim janë kundër ndëshkimit trupor. Ai nuk na ka bërë dëm mua dhe shokëve të mi”.

Në kohën kur ai u largua nga detyra, ndëshkimi trupor ishte pjesë e pandashme e sistemit gjyqësor në Singapor. Lee ndërmori hapa edhe për kontrollin e popullsisë në rritje të shpejtë të Singaporit, duke futur një planifikim familjar dhe, përmes regjimit të taksave, duke penalizuar ata që kishin më shumë se dy fëmijë.

Më vonë, Lee u përpoq të nxisë më shumë gra të diplomuara që të martoheshin, duke i përjashtuar ato nga politikat e kontrollit familjar. Singaporianëve u mësohej si të ishin më të edukuar, më pak të zhurmshëm, kur të përdornin ujin në tualet dhe si të mos përtypnin camcakëz. “Ne na quanin një shtet dado”, ka thënë një herë Lee për BBC-në. “Por rezultati është që ne sot kemi sjellje më të mirë dhe jetojmë në një vend më të pranueshëm se sa 30 vjet më parë”.

Megjithatë, pavarësisht standarteve më të lartë të jetesës dhe rritjes së pasurisë, votuesit e rinj e refuzonin Leenë dhe ishin në anën e opozitës. Në janar 1985, ai e rifreskoi kabinetin me teknokratë të rinj dhe pavarësisht se ekonomia po kalonte një kohë të vështirë, partia e Lee vazhdonte të fitonte thellë në votime. Kur Lee u largua në vitin 1990, pasi kishte fituar jo më pak se shtatë palë zgjedhje, ai ishte kryeministri më jetëgjatë në botë.

Lee mbeti aktiv në politikë duke marrë një rol udhëheqës në fushatën për të bindur më shumë singaporianë që të flasin gjuhën mandarine si dhe anglishten. Gjatë kohës që ai ishte në detyrë, Singapori u transformua nga një vend në zhvillim, në një prej fuqitë industriale më të përparuara të Azisë.
Ka nga ata që besojnë se zhvillimi u ble me cmimin e lirisë personale dhe shpesh herë përmendin prirjen e Leesë për të paditur mediat që nuk binin dakord me të. Por Lee e mbrojti deri në fund punën e tij. “Kam bërë disa gjëra të forta e të vështira, me qëllim që të coja Singaporin në rrugën e duhur. Ndoshta njerëzit nuk ishin dakord… por kishte shumë gjëra në lojë dhe unë doja vetëm që ky vend të kishte sukses”, deklaroi ai në një koleksion intervistash në vitin 2011. “Në fund të ditës cfarë kam fituar? Një SIngapor të suksesshëm. Nga cfarë kam hequr dorë? Nga jeta ime.” /BBC/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button