Analiza

Asnjë zgjidhje diplomatike në horizont

Screen Shot 2015-03-16 at 2.03.29 PMNga Majkëll Uilliams

Prej gati 4 vitesh, një luftë shkatërruese ka shpërthyer thuajse në çdo cep të Sirisë, duke shkaktuar qindra-mijëra viktima dhe një numër disafish më të madh refugjatësh. Përveç kasaphanës së Irakut, si pasojë e pushtimit amerikan të vitit 2003, nuk ka pasur tjetër luftë në Lindjen e Mesme, që nga viti 1945, që ka zgjatur kaq shumë kohë ose të jetë karakterizuar nga një egërsi të tillë. Çdo zgjidhje duket se do të marrë një kohë të gjatë, por kur ajo të ndodhë, duhet të përfshijë bashkëpunimin e mëtejshëm perëndimor me Iranin.

Perspektivë e dobët për drejtësi

Për komunitetin ndërkombëtar, fatkeqësia në Siri eklipson edhe makthet boshnjake të mesit të viteve ‘90. Pavarësisht sesa të tmerrshme ishin ato luftëra, në Bosnje dhe më pas në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri duke përdorur forcën ushtarake, dhe më pas përmes miratimit të disa rezolutave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfundimisht arritën që të vendosnin paqen. Kjo e fundit solli gjithashtu drejtësi për viktimat e shumta të konfliktit, nëpërmjet krijimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Është e frikshme të konstatosh se pas 4 vjetësh, lufta në Siri ka perspektiva të pakta për ndërhyrjen ndërkombëtare, dhe nëse duhet të thuhet e gjithë e vërteta, edhe pak shanse për drejtësi ndërkombëtare. Pavarësisht detyrimeve që burojnë nga Konventa Ndërkombëtare e Refugjatëve e vitit 1951, vendet perëndimore, me përjashtim të Suedisë, kanë pritur shumë më pak refugjatë nga lufta siriane, se pothuajse çdo konflikt tjetër në këto 100 vitet e fundit.

Pavarësisht nga numri i tmerrshëm i viktimave tek popullin sirian, lufta gjithashtu ka pasur efekte të mëdha negative në Perëndim dhe mbi komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi. Hija e errët që nga lufta shkatërrimtare në Irak dhe pasojat e tij, janë pjesërisht për t’u fajësuar. Por një humbje e vullnetit është e dukshme në të gjitha kryeqytetet perëndimore, e ndërlikuar më tej nga ngrirja e marrëdhënieve Lindje-Perëndim, që vështirë se është parë që prej Luftës së Ftohtë.

Asadi dhe fitimtarët e ISIS-it

Kush janë fitimtarët dhe humbësit, në një situatë të tillë të zymtë? Në kushtet ku ndodhet aktualisht Siria, nuk është e vështirë të arrihet në përfundimin se nga sot, “fitimtarët” janë Bashar Al-Asadi dhe regjimi i tij, si dhe Kalifati mesjetar i shpallur nga Shteti Islamik. Ata kontrollojnë mes tyre më shumë se dy të tretat e gjithë vendit, dhe të gjitha qytetet e mëdha. Humbësit janë shumica dërrmuese e popullit sirian dhe Këshilli Kombëtar i opozitës siriane.

Shanset që kjo gjendje e zymtë të ndryshojë për mirë janë minimale, duke i bërë ende zhvillimeve të paparashikueshme. Ka ende shpresa se përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, mund të jetë në gjendje të krijojë disa armëpushime lokale, duke lehtësuar disi kushtet e tmerrshme humanitare që konstatohen pothuajse në të gjitha vendet urbane.

Edhe pse kjo gjë është e mirëpritur, lëvizja drejt një dialogu politik kuptimplotë dhe lëshimeve të ndërsjellta është ende një perspektivë e largët. Me mbështetjen e fuqishme ruse dhe iraniane, dhe praninë aktive ushtarake të Hezbollahut, presidenti Asad duket se ka arritur në përfundimin se ka kaluar nëpër syrin e stuhisë, e evidentuar kjo nga ri-shfaqja e tij së fundmi në median perëndimore, me intervista për BBC dhe “Foreign Affair”.

Gjithashtu nuk i ka shpëtuar presidentit sirian, se rritja e shpejtë e ISIS-it në Siri dhe Irak, përbën një kërcënim më të madh për Perëndimin, sesa për regjimin e tij. Nuk ka asnjë dyshim se edhe për vetë Perëndimin, ISIS-i është një e keqe më e madhe, duke marrë shkas edhe nga vrasja në mënyrë brutale e qytetarëve britanikë dhe amerikanë dhe apelet ndaj qeverive perëndimore, si dhe për qytetarët e pakënaqur muslimanë.

Rruga përpara

Cuditërisht, kjo gjendje ofron të vetmen rrugë përpara për diplomacinë ndërkombëtare. De facto, Irani dhe Perëndimi janë aleatë në luftën e përbashkët kundër ISIS-it, me marrëveshjet tashmë të arritura, të ndërmjetësuara nga qeveria e Irakut, për të shmangur aksidentet e mundshme ajrore midis avionëve perëndimorë dhe iranianë. Ky mirëkuptim i heshtur do të mund t’i hapë rrugën një diplomacie të re ndërkombëtare, që përfundon në një takim “Gjeneva III”, një konferencë më përfshirëse se sa dy të parat, dhe që këtë herë do të përfshijë edhe Iranin.

Ekziston një precedent për aleancat e leverdisshme, mes aktorëve gjoja armiqësorë, duke arritur suksese të habitshme në zgjidhjen e konfliktit. Afro 60 vjet më parë në të njëjtin qytet zviceran, SHBA duhej të ulej me Republikën Popullore të Kinës, të cilën asokohe Uashingtoni nuk e njihte zyrtarisht. Anti-komunisti i thekur Xhon Foster Dalles, që atëherë mbante postin e sekretarit të shtetit, refuzoi të shtrëngonte duart me shtetarin komunist kinez Çu En Lai. Megjithatë, ai u ul në të njëjtën tavolinë bisedimesh për negociatat që sollën fundin e luftës së parë në Indokinë. Një shembull domethënës, që ndoshta duhet rikujtuar./“Chatam House”/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button