Bota

Arrestohet “La Tuta”, lordi i drogës dhe kreu i Kalorësve Templarë

Screen Shot 2015-02-28 at 1.14.55 PMPolicia meksikane ka kapur bosin më të kërkuar të drogës në vend, Servando “La Tuta” Gomez. Lideri i kartelit të drogës Kalorësit Templarë u arrestua në Morelia në shtetin Michoacan.
Dikur një mësues i thjeshtë, Gomez u bë një nga udhëheqësit më të mëdhenj të drogës në Meksikë. Arrestimi i tij vjen në kuadër të luftës së ashpër që kreu i shtetit, Enrique Pena Nieto, u ka hapur trafikantëve të drogës.
Sipas policisë, kapja e tij vjen pas muaj të tërë hetimesh të shërbimeve të inteligjencës meskikane, të cilat ishin stacionuar në afërsi të pronave të tij deri në momentin e arrestimit të tij dhe të bashkëpunëtorëve të ngushtë.
I njohur me pseudonimin “La Tuta” dhe “El profe”, Gomez kishte në kontroll të gjithë shtetin e Michoacan si kreu i kartelit të Kalorësve Templarë.
Gomez ka arritur të fshihet për vite me radhë, kurse anëtarë të tjerë të bandës dhe grupimeve të tjera të drogës janë vrarë ose arrestuar.
Para arrestimit, autoritetet meksikane kishin ofruar 2 milionë dollarë për kokën e tij. Në 2013 qeveria federale arriti të marrë kontrollin e shtetit Michoacan nga Kalorësit Templarë dhe Gomez u bë objektiv kryesor i Presidentit Pena Nieto.
Arrestimi i “La Tuta” vjen pas kapjes së famkeqit të drogës Joaquin “Shorty” Guzman, kreu i kartelit Sinaloa.
Ndryshe nga shumë udhëheqës të bandave rivale që fshihen me kujdes, Gomez ka dhënë rregullisht intervista në media dhe rrjete sociale.
Baba i shtatë fëmijëve, Gomez është kërkuar edhe nga autoritetet amerikane në lidhje me vrasjen e 12 oficerëve të policisë federale meksikane në 2009.

Leave a Reply

Back to top button