Histori

NGA SHTETI TEK PRIVATET / “Receta e Thatcherit”, që hapi epokën e globalizmit

Margaret Thatcheri hapi epokën globale të privatizimeve. Në dekadat e mëvonshme, asnjë vend nuk i shpëtoi valës së madhe: India e braktisi sistemin gjysmë socialist; ra komunizmi, Rusia dhe vendet ish satelitë të saj lançuan plane madhorë; në Amerikën e Jugut receta e re u zbatua në shkallë të gjerë. Në të gjithë Europën, privatizimi u shndërrua në një detyrim… Britania e Madhe rifilloi në një farë mënyre që të udhëheqë botën dhe lindi thatcherizmi: janë shumë të paktë politikanët që i japin emrin e tyre një “-izmi” global. As Kohl, as Mitterand, as Delors, as Merkel

THATCHER

Londër, 22 nëntor 1990: një qytet ngjyrë gri dhe në gjendje mosbesimi, sapo kishte mësuar se Margaret Thatcher kishte dhënë dorëheqjen, njëmbëdhjetë vjet e gjysmë pasi kishte hyrë në 10 Downing Street. Konservatorë dhe laburistë, bankierë dhe sindikalistë, tregtarë pakistanezë dhe të rinjtë e biznesit të reklamave: kishin mbetur pa fjalë, edhe ata që e kishin dashur, edhe ata që e kishin urryer. Dikush qante, ata që qeshnin e bënin më shumë nga sikleti. Pak a shumë ashtu siç ndodh kur një gjigand del nga skena në mënyrë të befasishme.

Ose siç ndodh në fundin e një epoke, më saktë një epokë që i kishte dhënë zgjidhjë një herë e mirë rebusit të madh që ishte Britania e Madhe, që kishte shpëtuar Mbretërinë e Bashkuar nga tronditjet dhe rënia postimperiale. Pikërisht në atë moment u kuptua se sa shumë e kishte ndryshuar vendin e saj Zonja e Hekurt: anglezët e ftohtë, të largët, fodullë, po shfaqnin emocione, siç do ta konfirmonin edhe nëj herë shumë vite më vonë, kur vdiq Lady Diana.

Eshtë pikërisht ajo risi, kujtimi më i fortë që la pas baronesha: zbulimi i një Britanie të Madhe që nuk ka më turp nga emocionet, sepse ka dalë nga lufta e vjetër e klasave ku establishmenti nuk derdh lotë dhe ku proletariati është kokëfortë.

Bija e bakallit nga Granthami nuk ishte një ekonomiste. Por nëpërmjet ekonomisë ndryshoi vendin e saj dhe bashkë me të ndryshoi edhe paradigmat që dominonin në botën e asaj kohe. Gjëja që urrente më shumë ishte status quo-ja. Theu rregullat e një kombi të kristalizuar mes elitave dhe sindikatave maksimaliste, një vend i çorientuar, mes të kaluarës së lavdishme dhe të tashmes me të papunë dhe me subvencione.

Kur mori pushtetin, në vitin 1979, Britania e Madhe dilte nga dimri i pakënaqësisë, nga grevat dhe armiqësitë, nga hunjtë, nga bllokimi i shërbimeve. Mbi të gjitha, vendi që mori në dorë të udhëhiqte Zonja e Hekurt nuk shpresonte, nuk kishte ide. Ishte pikërisht përmes ideve që zonja Thatcher ndryshoi termat e kontratës sociale.

Njëri në mënyrë të veçantë: që qytetarët, privatët kanë të drejtën që të jetojnë jetët e tyre dhe të kryejnë biznesin e tyre pa “fundjen e hundëve” nga ana e shtetit. Në një vend ku laburistët kishin futur elementë të socializmit dhe ku konservatorët kishin arritur deri në rregullimin e çmimeve, një gjë e tillë ishte në të vërtetë një revolucion.

Deri në atë moment, në politikën botërore termi privatizim ishte i panjohur. E kishte përdorur ndonjëherë e përjavshmja britanike “The Economist”: me Margaret Thatcherin u shndërrua në një politikë për t’u zbatuar në Britaninë e Madhe, dhe më pas për t’u eksportuar në çdo kontinent.

Gjatë viteve Tetëdhjetë, Zonja e Hekurt privatizoi fillimisht National Freight Corporation (transporti), më pas çelikun e British Steel, gazin e British Gas, British Telecom, ujin, si dhe dhjetëra sipërmarrje të tjera që kontrolloheshin nga shteti u shitën. “Aksioni i artë”, që i jepte qeverisë të drejtën që të ndalonte një operacion industrial u hoq fare në shumicën e rasteve – kështu Jaguar pushoi së qënuri një markë britanike – apo u përdor në raste të veçantë, siç ndodhi në rastin e privatizimit të British Petroleum (BP).

Bëri gabime, nuk i shoqëroi këto lëshime me një liberalizim të tregjeve: por me kalimin e kohës i korrigjoi. Objektivi ishte: “Të tërhiqeshin kufijtë e shtetit”. Britania e Madhe hapi kështu epokën globale të privatizimeve. Në dekadat e mëvonshme, asnjë vend nuk i shpëtoi valës së madhe: India e braktisi sistemin gjysmë socialist; ra komunizmi, Rusia dhe vendet ish satelitë të saj lançuan plane madhorë të lëshimeve të shtetit; në Amerikën e Jugut receta e re u zbatua në shkallë të gjerë. Në të gjithë Europën, privatizimi u shndërrua në një detyrim jo vetëm për të patur shtëpi, por edhe për t’i bërë tregjet dhe kompanitë më efiçente (jo gjithmonë me sukses). Britania e Madhe rifilloi në një farë mënyre që të udhëheqë botën dhe lindi thatcherizmi: janë shumë të paktë politikanët që i japin emrin e tyre një “-izmi” global. As Kohl, as Mitterand, as Delors, as Merkel: statistë të mëdhenj, por më pak të fortë në ideologji.

Përveç privatizimeve, Thatcher theu edhe hegjemoninë e sindikatave të “pamposhtura” të minatorëve, mes grevave dhe dramave që u shndërruan më vonë në pasurinë e kinemasë britanike. Por në të njëjtën kohë nuk subvencionoi më kompanitë. Me rezultatin që industria automobilistike e vendit vërtetë që pushoi së qënuri britanike, por shumë grupe, duke filluar që nga japonezët, hapën impiantet e tyre për të prodhuar makina në Britaninë e Madhe: punësimi në këtë sektor nuk kish qenë asnjëherë kaq i lartë.

Zonjës së Hekurt nuk i interesonte se kush e kishte pronësinë e një kompanie, e rëndësishme ishte që fabrika të mbetej në Mbretërinë e Bashkuar: është fryma e Uimbëlldonit, ku anglezët nuk fitojnë asnjëherë por ajo që ka rëndësi është që ai të mbetet turneu më i madh i tenisit. Shoqëroi Big Bangun e City-t, ku Londra u bë sheshi financiar më ndërkombëtar i botës. U përpoq, ashtu si një amvisë e mirë, që të mos shpenzonte asnjë stërlinë, nëse nuk e kishte në “çantë”. I tha jo euros. Ishin njëmbëdhjetë vite të prishjes së status quo-së, në Londër dhe në ekonominë e botës. Ishte “momenti Thatcher”. Që ecën përpara edhe sot e kësaj dite… /BBC History/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button