Analiza

Nga indiferenca tek histeria: pas Nigerisë, tani Libia

bokoTë mendosh se problemi i takon vetëm një rajoni të largët të Afrikës, me asnjë ndikim në jetën tonë, do të ishte një gabim i pafalshëm, si ai që tashmë është kryer në Libinë e post-Gedafit. Eshtë një emër që ndoshta nuk u thotë asgjë shumicës së njerëzve: Abubakar Shekau. Një person, i cili nuk ka asnjë skrupull kur pohon: “Më pëlqen të vras cilindo që më urdhëron Zoti për ta vrarë”.

Nga Gianni Pitella

Kancelaritë kryesore të Evropës dhe përtej oqeanit, së bashku me shtypin ndërkombëtar duket se e kanë rizbuluar Libinë, pasi kjo e fundit pothuajse ishte harruar pas operacionit ushtarak që solli rënien e regjimit të Gedafit. Ndër rreziqet e theksuara me të drejtë nga kryeministri italian Mateo Renci, për të kaluar nga indiferenca tek histeria, ekziston me siguri ai i minimizimit apo edhe më keq akoma, neglizhencës ndaj rrezikut “Boko Haram” në Nigeri.
Të mendosh se problemi i takon vetëm një rajoni të largët të Afrikës, me asnjë ndikim në jetën tonë, do të ishte një gabim i pafalshëm, si ai që tashmë është kryer në Libinë e post-Gedafit. Eshtë një emër që ndoshta nuk u thotë asgjë shumicës së njerëzve: Abubakar Shekau. Një person, i cili nuk ka asnjë skrupull kur pohon: “Më pëlqen të vras cilindo që më urdhëron Zoti për ta vrarë”.
Ai është njeriu, që duke qeshur, pak muaj më parë njoftoi përmes një videoje rrëmbimin e 200 nxënëseve nigeriane, të gatshme për t’i “shitur ato në emër të Allahut”. Dhe ky person duhet të na interesojë. Pasi është udhëheqësi misterioz dhe karizmatik i grupit terrorist, i lidhur me Kalifatin e ISIS-it, formacioni ushtarak i “Boko Haram” në Nigeri, që tashmë kontrollon një territor po aq të madh sa Belgjika.
Ky njeri, dhe organizata e tij duhet të jenë në ballë të mendimeve tona, sepse ata kanë mjete dhe burime të rëndësishme, një arsenal dhune dhe barbarish të paarritshme dhe ambicie të rëndësishme, të cilat në Afrikën Qendër-Perëndimore, mund të kërcënojnë vendet fqinje si Nigeri, Çadi dhe Kameruni. Ky njeri, me tipare misterioze dhe psikologji të trazuar, gjysmë kriminel dhe gjysmë teolog fondamentalist, nuk është thjesht një kërcënim lokal.
Zgjerimi i ndikimit të “Boko Haram”, tanimë prej 5 vitesh, ka tërhequr zvarrë së paku 3 milionë njerëz në një krizë të rëndë humanitare në veri-lindje të Nigerisë. Por aksionet e tij janë shndërruar në një kërcënim global, që orëve të fundit u duhet shtuar edhe ajo që ka marrë formë në Libi, e lënë prej një kohë të gjatë në mëshirë të grindjeve të brendshme ndërmjet fraksioneve të ndryshme, dhe së fundmi e kërcënuar nga lindja nga luftëtarët e Kalifatit, të cilët tashmë gjendet në pragun e shtëpisë sonë, vetëm 200 milje detare larg.
“Boko Haram” është një organizatë ekuivalente terroriste si Al-Kaeda dhe ISIS-i. Dhe përparimi i saj, përmes masakrave të papërshkrueshme dhe akteve kriminale duhet të vërë nën alarm të gjitha kancelaritë e Evropës dhe më gjerë. Para së të gjithash, sepse “Boko Haram” po vendoset në një nga vendet kryesore të Afrikës, “Nigerinë gjigante”, që po përjeton një zhvillim të fuqishëm ekonomik, ndoshta edhe më shumë se ajo e Afrikës së Jugut. Megjithatë e njëjta Nigeri, për shkak të një dobësie themelore në strukturat e saj institucionale, përfundoi të jetë një terren pjesërisht i pushtuar.
Në muajt e fundit, lufta midis fraksioneve të ndryshme dhe bandave, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme presidenciale dhe legjislative, ka shkaktuar dhjetëra të vdekur, dhe situata është në prag të një degjenerimi të pakthyeshëm. Një luftë, e cila ka dobësuar strukturat institucionale e bashkë me to edhe betejën për të frenuar përparimin e Boko Haram, që nga ana e tij mbart një gjurmë mbresëlënëse të brutalitetit.
Për këtë arsye, Bashkimi Evropian, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, duhet të luftojnë për të bllokuar rritjen dhe parandalimin e fatkeqësive të mëtejshme. Mendoni për një moment, lidhjen mes këtij grupi dhe të tjerëve, që rrezikojnë të “infektojnë” pjesë të tjera të mëdha të Afrikës. Një rrezik praktikisht në pragun tonë. Është pra thelbësore, që zgjedhjet në Nigeri të zhvillohen të qeta, transparente dhe të besueshme. Por pa vonesa të tjera.
Shtyrja e këtyre zgjedhjeve, do na bënte të mendonim, së gjerat do të shkojnë edhe më keq. Ekziston rreziku që kjo të shkaktonte një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës. Nigeria ka nevojë për një qeveri të fortë dhe plotësisht legjitime, për të mundur milicitë e “Boko Haram”. Bashkimi Evropian është duke bërë pjesën e vet. Ka siguruar tashmë, një paketë ndihme prej 35 milionë eurosh, dhe ka dërguar një delegacion vëzhguesish për zgjedhjet. Pasi nuk mund të lëmë një nga vendet më të rëndësishme afrikane, për të luftuar i vetëm një betejë për qytetërimin.
Gabimet, që janë bërë në të shkuarën në raport me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (shihni rastin e Libisë që po vlon këto ditë), nuk duhen përsëritur më. Dëshmi të shumta, na tregojnë se “Boko Haram” është i lidhur me ushtrinë e Shtetit Islamik. Dhe na e përshkruajnë udhëheqësin Abubakar Shekau, duke u falur dhe duke e thirrur Ebu Bekr El-Bagdadin si “Kalif”. Së bashku me qëllimet për përfitime financiare, dhe lidhjet e dobishme me grupe të mëdha xhihadiste në mbarë botës, terroristët e “Boko Haram” kanë burime financiare, arsenale të rënda ushtarake, duke përfshirë edhe ato të depove ushtarake të plaçkitura të Gedafit.
Pra ka një emergjencë në Nigeri dhe Libi, të cilat janë të shenjuara nga i njëjti tipar ogurzie dhe dramaciteti. Duhet patur një vëmendje maksimale, vepruar së bashku si forca evropiane, ndihmuar përpjekjet për demokratizim, dhe të jemi të gatshëm për të vepruar në kuadër të vendimeve që do të marrë bashkësia ndërkombëtare.
* Shënim: Gianni Pitella ish-zv.president i Parlamentit Evropian, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të socialistëve evropianë.

Leave a Reply

Back to top button