Analiza

UKRAINA / Brukseli ofron 11 miliardë, aq sa Rusia. “Lufta e Ftohtë” është ekonomike

Tre muaj më parë, Ukraina ishte një vend në prag të kolapsit. Sot, 3 muaj dhe 100 të vdekur më vonë, përplasja e fortë politiko-diplomatike mes Rusisë nga njëra anë, dhe SHBA e Europës nga ana tjetër, rrezikon të transformohet në luftë ekonomikeUkraina euros

Në nëntor të vitit 2013, Ukraina ishte një vend në prag të kolapsit financiar, por nuk kishte besueshmëri në komunitetin ndërkombëtar. Sot, 3 muaj dhe 100 të vdekur më vonë, jemi duke parë një garë për rimëkëmbjen e këtij vendi. Përplasja e fortë politiko-diplomatike (e ftohtë, për definicion), rrezikon të transformohet në një luftë ekonomike, mes Rusisë nga njëra anë, dhe Shteteve të Bashkuara e Europës nga ana tjetër.

Presidenti i SHBA, Barak Obama ka premtuar hua të garantuara për një miliardë dollarë. Bashkimi Europian do të shtojë 11 miliardë euro në dy vitet e ardhshëm, nëse sot do të jepet drita jeshile nga ana e Këshillit Europian. Në frontin përballë, Vladimir Putini ka firmosur tashmë bono prej 3 miliardë dollarësh, kur donte të joshte ish presidentin, Viktor Janukovic, duke e siguruar se do të arrihej deri në 15 miliardë dollarë, domethënë deri sa të arrihej të mbuloheshin shpenzimet bazë të shtetit ukrainas: si për fillim, pensionet dhe pagat e nëpunësve publikë. Megjithatë, presidentit rus i është dashur ta frenojë disi vrullin e tij, edhe për shkak të vështirësive që ka hasur në tregje.

Por edhe BE, më shumë se sa SHBA, është e shtrënguar që të veprojë në kushte të vështirë. Buxheti komunitar kishte përcaktuar një miliard euro për shtatë vitet e ardhshëm për Ukrainën. Dje, presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Durao Barroso, deklaroi se 600 milionë do të ishin të disponueshëm menjëherë, ndërsa të tjerat për dy vite. Por, me kushtin që, qeveria e Kievit “të kryejë reforma” dhe të gjejë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në nëntor të vitit që kaloi, FMN e drejtuar nga Christine Lagarde kishte bllokuar pikërisht atë hua prej 15 miliardë dollarësh, akorduar nga Putini. Lagarde i kishte imponuar Ukrainës kushte si ato të Greqisë, dhe ndoshta edhe më të ashpër, duke pretenduar mes të tjerash që të reduktoheshin subvencionet e gazit për familjarët. Një zë që vlen sa 7 % e buxhetit shtetëror.

Mëkat që paga mesatare e ukrainasve mezi arrin të mbulojë shpenzimet për ushqime dhe pagesën e qerasë. Disa ditë më parë, Lagarde deklaroi: Për Ukrainën, nuk ka vend për panik. Por, lajmet që vijnë nga juglindja e vendit, që nga Krimea deri në Donetsk, sugjerojnë që Perëndimi duhet të veprojë me shpejtësi. Gjithmonë, nëse nuk do që ta humbasë luftën e ftohtë të ekonomisë.

GIUSEPPE SARCINA

CDS

Leave a Reply

Back to top button