Analiza

OPINION / Putini ka në plan të rindërtojë Bashkimin Sovjetik, në versionin “light”

Ulrich Speck

putin moveNë konfliktin mes Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën, në lojë nuk është vetëm e ardhmja e Krimesë, por është e ardhmja e rendit ndërkombëtar.

Disa javë më parë, Krimea ishte një vend i largët, i njohur për historianët si qendra e luftës në vitet 1850, ndërkohë që njerëzit e zakonshëm mund ta ngatërronin edhe me ndonjë lloj pijeje alkoolike të gazuar. Por, krejt papritur, Krimea është kthyer në një zonë të nxehtë gjeopolitike, në një konflikt mes Rusisë dhe Perëndimit, që duket se vjen drejt e nga librat e Luftës së Ftohtë. Moska e ka ngritur së tepërmi stekën, me një aneksim de facto të këtij rajoni, në të cilin ndodhet një bazë detare shumë e rëndësishme e Rusisë, dhe i cili ka një popullsi në shumicë të orientuar drejt Rusisë (ndërkohë që një pakicë e rëndësishme, mes tyre kozakët, është i lidhur ngushtë me Ukrainën).

Për momentin, është e paqartë nëse Presidenti Vladimir Putin e sheh këtë vetëm si një hap të parë, që mund të pasohet nga një pushtim të pjesëve të tjera të Ukrainës jugore dhe lindore. E qartë është që, Rusia nuk ka ndërmend të largohet së shpejti.

Bashkim Sovjetik, versioni “light”

Taktikat dhe strategjitë e aneksimit de facto janë shfaqur tashmë në rajonet gjeorgjianë të Abkhazisë dhe Oshetisë Jugore, pas luftës ruso-gjeorgjiane të vitit 2008. Gjasat janë që do t’i shohim të përsëriten në Krime. Nën maskën e një gjoja legjitimiteti, rajoni do të kontrollohet tërësisht nga Moska.

Udhëheqja e sotme në Kremlin nuk e ka pranuar asnjëherë që Ukraina, e cila e fitoi pavarësinë në vitin 1991, është një shtet sovran. Ajo e konsideron Ukrainën në sferën e vet të influencës, që do të thotë se për cështje të rëndësishme vendi duhet – në pikëpamjen e Rusisë – të kërkojë lejen e Moskës.

Plani më i gjerë i Putinit është që të krijojë një lloj Bashkimi Sovjetik, versioni “light”, një unazë me shtete nën kontrollin e Moskës, me objektivin që të fuqizojë pozicionin gjeopolitik të Rusisë. Ukraina është guri i themelit të këtij projekti.

Megjithatë, rrëzimi i Presidentit Janukovic dhe triumfi i lëvizjes popullore në sheshin Majdan i kanë sinjalizuar Moskës se po humbet kontrollin mbi Ukrainën, dhe se strategjia e saj e madhe nuk po shkon gjëkundi.

Teksa qeveria e re në Kiev shfaqet e angazhuar për një lidhje më të ngushtë me BE-në dhe teksa Putini ka humbur mjetet indirektë të kontrollit, ai vendosi të përdorë forcat e armatosura për të rifituar Ukrainën – ose të paktën t’i mohojë Perëndimit atë që ai, sipas këndvështrimit të tij, e sheh si një fitore të Perëndimit.

Moska ka qenë këmbëngulëse në konsiderimin e Ukrainës si një vend satelit, por Perëndimi ka injoruar vazhdimisht riskun që Rusia mund të përdorë forcat e armatosura atje.

Po, ka qenë dhe precedenti i luftës në Gjeorgji, por atëherë Moska kishte të paktën disa argumenta për të mbështetur justifikimin e saj të një ndërhyrjeje humanitare, ndërkohë që pala gjeorgjiane humbi qetësinë dhe veproi para kohe. Dhe SHBA, bashkë me BE, ishin të lumtur të pranonin versionin e ngjarjeve sipas Moskën, dhe të vazhdonin të punonin sikur asgjë nuk kish ndodhur.

Situata e Ukrainës është e ndryshme në shumë drejtime. Së pari, nuk ka patur tensione seriozë etnikë që mund të shërbenin si pretekst për ndërhyrjen ruse. Së dyti, Ukraina ndodhet mes BE dhe Rusisë, që do të thotë se Perëndimi thjeshtë nuk mund të injorojë një agresion rus, për shkak të afërsisë gjeografike. Së treti, BE tashmë është e përfshirë në Ukrainë.

Në rastin e Ukrainës, Perëndimi nuk do të pranojë narrativën e Moskës. Eshtë shumë e qartë që ky është rast agresioni – përdorimi i forcës, duke shkelur sovranitetin e Ukrainës. Por, Putini duhet të ketë llogaritur se megjithëkëtë, cmimi i sfidimit të Perëndimit për Ukrainën nuk do të jetë shumë i lartë – që Perëndimi nuk do të bashkohet për një reagim të fuqishëm.

Të cara në Perëndim

A ka të drejtë? Shenjat e mosmarrëveshjeve për përgjigjen e duhur janë të dukshme. Të dielën, Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier shprehu publikisht dyshime në lidhje me propozimin për të përjashtuar Rusinë nga G8-a. Taktika e Berlinit është që të vazhdojë të sillet sikur Rusia të jetë një partner konstruktiv, i cili thjeshtë duhet sjellë në vete përmes dialogut intensiv.

Ndërkohë që Berlini dëshiron të ofrojë karrota për të rifutur Moskën në rrugën e duhur, të tjerë mendojnë se ka ardhur koha për shkopinj. Uashingtoni po përgatit masa për të rritur presionin ekonomik. Por, brenda BE-së, nuk ka unitet për veprimet që duhen ndërmarrë.

Perëndimi është larg një qëndrimi të përbashkët dhe një reagimi të fuqishëm. Më keq akoma, në vend dallimet që kanë t’i mbajnë në prapaskenë, të carat mes perëndimorëve janë bërë shumë të dukshme, gjë që i jep më shumë kurajë Putinit. Madje, mund të themi që reagimi i Perëndimit po i jep formë edhe kursit që po ndjek Putini. Moska i trembet izolimit dhe masave ekonomike. Paratë që i lejojnë udhëheqjes ruse të ndjekë një politikë të jashtme të kushtueshme dhe plot risqe, vijnë në pjesën më të madhe nga Bashkimi Europian, në formën e pagesave për gazin dhe naftën. Dhe një pjesë e madhe e investimeve të elitës ruse janë gjithashtu në BE.

Por, Perëndimi nuk duket se po e përdor këtë avantazh. Dhe kjo maturi mund të bëjë dëm. Ajo mund të nxisë Putinin që të shkojë përtej aneksimit de facto të Krimesë, dhe të përpiqet të shkëpusë më shumë territore nga Ukraina. Politikanët perëndimorë duhet të vetëdijësohen për atë që është në lojë sot. Nëse Rusia shkon përtej Krimesë, atëherë ka rrezik për një luftë të madhe me Ukrainën. Asnjë shtet nuk mund të rrijë e vështrojë, teksa një tjetër shtet pushton territorin e tij.

Sjellje prej perandorie

Përtej Ukrainës, ky konflikt është gjithashtu një moment përcaktues për politikën e jashtme të Rusisë në të ardhmen. Nëse Moska arrin atë që do në Ukrainë, atëherë do të mbërrijë në konkluzionin që mundet të veprojë si një perandori. Një perandori nuk ka kufinj dhe nuk i respekton kufijtë e të tjerëve.

Preteksti i Moskës se po mbron nënshtetas rusë mund të përdoret kundër shumë shteteve. Nëse operacioni në Ukrainë ka sukses, ai do të frikësojë shumë shtete fqinj dhe do i detyrojë të përpiqen të “blejnë” Rusinë.

Kufijtë e sigurtë dhe sovraniteti janë parime në themel të rendit global, të skalitur në Kartën Themeluese të OKB dhe dokumenta të tjerë, shumë prej të cilëve Rusia i ka firmosur. Rusia është një palë në këtë sistem, vendi i saj në Këshillin e Sigurimit të OKB është një element i rëndësishëm që garanton pozitën e saj si një fuqi e madhe.

Eshtë gjithashtu në interesin e Rusisë që të këmbëngulë për paprekshmërinë e kufijve, pasi ajo vetë ka një fqinj edhe më të fuqishëm në jug të saj – Kinën. Moska nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin e të tjerëve, pa rrezikuar sovranitetin e vet.

Boshllëk

Në Ukrainë është në lojë dicka më e gjerë se sa thjeshtë rajoni.

Nëse BE dhe SHBA pranojnë aneksimin e territorit nga Rusia, ata do të dobësojnë themelet e rendit të sotëm botëror, i lindur nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore dhe i skalitur në Aktin Themelues të OKB. Një situatë ku shtete të fuqishëm vënë kushte sipas interesave të tyre, dhe ata më të dobët nuk kanë zgjedhje, përvecse të pranojnë, është pikërisht ajo cfarë synon të shmangë Akt. Nëse një shtet mund të pushtojë një tjetër pa u sulmuar, pa patur një mandat ndërkombëtar dhe një mbështetje të qartë në normat ndërkombëtare (si përgjegjësia për të mbrojtur), atëherë themelet e rendit të sotëm ndërkombëtar do të jenë në rrezik.

Në të kaluarën, ka qenë SHBA që ka nxitur dhe mbrojtur rendin e OKB. Në rolin e një pothuajse sovrani, dhe përballë rreziqeve të mëdhenj, ndonjëherë edhe SHBA e ka shkelur këtë parim. Por këta ishin përjashtime për rolin e përgjithshëm që SHBA kishte si promovuese e një rendi demokratik liberal.

Megjithatë, sot Uashingtoni e ka zbehur këtë rol, teksa taksapaguesit në SHBA nuk janë më të gatshëm të përballojnë pjesën më të madhe të barrës për ruajtjen e këtij rendi.

Kremlini ka nuhatur një boshllëk dhe po përpiqet ta zërë.

Tani Perëndimi duhet të vendosë, nëse duhet të pranojë rregullat e reja që po vendos Rusia në fqinjësinë e saj, apo nëse e ka fuqinë për të mbrojtur një rend që i ka sjellë atij dekada të tëra liri, siguri dhe prosperitet.

  • Ulrich Speck është studiues në think tank-un Carnegie Europe, në Bruksel

Leave a Reply

Back to top button