Home»Ekonomi»“Tribuja” e ekonomistëve është shumë e izoluar

“Tribuja” e ekonomistëve është shumë e izoluar

Banorët e fiseve të Tasmanisë e paguanin shtrenjtë faktin që u izoluan nga pjesa tjetër e botës, dhe mbetën prapa duke mos zhvilluar vegla të reja dhe duke harruar edhe njohuritë që kishin patur dikur. Në shekullin XIX, shumica e tyre u masakruan nga evropianët me teknologji më të përparuar. Nëse “fisi” i ekonomistëve dhe politikanëve vazhdon në këtë rrugë regresive, rezultatet do të jenë gjithashtu katastrofike, jo vetëm për vetë “fisin”, por edhe për botën

Në botën natyrore, qenia njerëzore dallohet për nga kompleksiteti i mjeteve, teknologjive dhe institucioneve që ka zhvilluar. Sipas antropologut Joseph Henrich, këtë sukses ia kemi borxh aftësisë sonë për të grumbulluar dhe transferuar informacione, nga njëri brez në tjetrin. Por, ashtu si të qënit kaq të ndërlidhur, bën të mundur që “truri ynë kolektiv” të zgjerohet, nga ana tjetër izolimi mund ta shtyjë atë të tkurret. Ekonomistët duhet ta marrin parasysh këtë teori. Duke pasur parasysh se inovacioni dhe akumulimi janë procese socio-kulturore, popullsitë më të mëdha në numër dhe më të ndërlidhura, krijojnë mjete gjithnjë e më të sofistikuara.

Për të kuptuar sesi izolimi mund të ndërpresë dhe madje ta përmbysë këtë proces, thjesht merrni rastin e Tasmanisë. Rreth dymbëdhjetë mijë vjet më parë, ishulli u nda nga pjesa tjetër e Australisë kur shkrirja e akujve polarë përmbyti ngushticën e Bassit. Zbulimet arkeologjike sugjerojnë që para kësaj ndarjeje, popullsitë e Tasmanisë dhe pjesës tjetër të Australisë zotëronin të njëjtat aftësi, siç ishte ajo e ndezjes së zjarreve, dhe të njëjtat teknologji, siç ishin bumerangët, shtizat dhe mjetet prej guri të lëmuar. Megjithatë, kur evropianët mbërritën në Tasmani në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë, vendasit përdornin vetëm 24 nga mjetet më të thjeshta, që çdo popullsi njerëzore kishte zhvilluar në atë kohë. Jo vetëm që nuk ishin në gjendje të zhvillonin teknologji të reja, por kishin ndaluar përdorimin edhe të disave, që i kishin zotëruar më parë. Në pak gjenerata, izolimi gjeografik e kishte bërë të humbte një njohuri të rëndësishme kulturore.

Banorët e Tasmanisë nuk e kishin zgjedhur izolimin e tyre. Megjithatë, disa shoqëri dhe grupe sociale e zgjedhin atë. Dhe, ashtu si për Tasmanianët, kjo gjë ka efekte regresive, duke përfshirë humbjen e njohurive të së tashmes dhe aftësinë për të gjeneruar një aftësi të re.

E njëjta gjë mund të ndodhë me grupet profesionale dhe disiplinat akademike. Studiuesit e ekonomisë dhe politikanët janë një shembull tipik. Për dyzet vjet, ky “fis” ka qenë besnik i një dogme specifike. Megjithëse qëllimi i “tribusë” së ekonomistëve është të kuptojë funksionimin e shoqërisë dhe të ndjekë interesat e saj, ai është bërë gjithnjë e më i fokusuar tek vetja, dhe rezistent ndaj ndërveprimeve me të tjerët. Izolimi intelektual jo vetëm që e ka penguar të shkëmbejë dhe gjenerojë ide të ndryshme nga ato të ortodoksisë, por madje e ka shtyrë të refuzojë mjetet e përdorura me sukses në të kaluarën.

Shembulli më domethënës është politika fiskale: “tribuja” e ekonomistëve ka refuzuar në mënyrë të përsëritur ta konsiderojë atë një përgjigje të mundshme për kërkesën në stanjacion, si dhe rënien e investimeve private gjatë krizave ekonomike. Ky qëndrim ishte i dukshëm duke filluar nga kriza financiare e vitit 2008, e cila duhej të ishte një ballafaqim i fortë me realitetin, por nuk arriti të shkundë ekonomistët dhe politikanët nga izolimi i tyre intelektual. Rezultati është që institucionet janë përqendruar pothuajse ekskluzivisht në politikat monetare, duke refuzuar të mbështeten në politikat fiskale. Që prej vitit 2008, bankat qendrore të ekonomive të përparuara kanë shtypur më shumë se njëzet mijë miliardë dollarë, duke ulur normat e interesit. Për më tepër, politikat e lehtësimit të kredisë kanë rritur borxhin global me rreth 57 mijë miliardë dollarë, më shumë se trefishi i PBB-së globale.

Sigurisht, zgjedhja për t’u mbështetur në politikat monetare, më shumë se sa nga një injorancë e teorive ekonomike, buron nga aftësia e sektorit financiar për të ushtruar presion. Por sot edhe një pjesë e financës kërkon politika më dinamike fiskale. Dhe ka të drejtë: rikuperimi, gjithmonë i dobët, ka të ngjarë të ndalë. Me normat e interesit ende në nivele të ulëta apo edhe negative në shumë vende, qeveritë kanë shumë pak mjete për t’iu përgjigjur një ngadalësimi ekonomik, apo një tjetër recesioni. Megjithatë, ato refuzojnë të përdorin instrumente fiskale, dhe veçanërisht të rrisin shpenzimet publike, duke preferuar ende ulje të taksave, të cilat megjithatë nuk i japin hov rikthimit të rritjes ekonomike.

Në këtë kuptim, instrumentet në dispozicion të politikave ekonomike të vendeve janë zvogëluar, ashtu si ndodhi me veglat e Tasmanianëve. Situata aktuale pasqyron një mungesë njohurish për shumëzuesit Kejnesianë, të cilët duhet të orientojnë shpenzimet e qeverive gjatë krizave. Ky besim i verbër në disiplinën dhe konsolidimin fiskal, sot kërcënon stabilitetin e ekonomisë globale.

Banorët e Tasmanisë e paguanin shtrenjtë faktin që mbetën pas. Në shekullin XIX, shumica e tyre u masakruan nga evropianët me teknologji më të përparuar. Nëse “fisi” i ekonomistëve dhe politikanëve vazhdon në këtë rrugë regresive, rezultatet do të jenë gjithashtu katastrofike, jo vetëm për vetë “fisin”, por edhe për botën. Shoqëria jonë është ende në kohë për të shpëtuar veten, duke e shtyrë trurin e saj kolektiv të kapërcejë regresionin e ekonomistëve. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë sukses.

JAYATI GHOSH është ekonomiste indiane. Jep leksione në Universitetin “Javaharlal Nehru”, në Nju Delhi / Në shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *