Të vijosh të jetosh në tranzicion

Nga Albert Rakipi

Drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare

Për këdo që ka vizituar Shqipërinë në komunizëm, ndjesia e parë që mund të ketë pasur, siç dëshmon Karl Kaser i Universitetit të Gracit, ka qenë se “je duke vizituar një një planet tjetër dhe ideja e kthimit prapa për të paktën një gjysmë shekulli[1]”. Në 30 vjet qysh nga rënia e komunizmit, asnjë vend i ish- Lindjes nuk mund të ketë ndryshuar kaq shumë sa Shqipëria

Tridhjetë vjet që nga rënia e Murit të Berlinit dhe valës së ndryshimeve në Bllokun Lindor, Shqipëria duket krejt ndryshe. Në bulevardin kryesor, vetëm pak metra larg parlamentit dhe pikërisht atje ku tridhjetë vjet më parë ishte një statujë e madhe e Stalinit, tani gjendet një flamur i NATO-s, që simbolizon anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior.

Padyshim, Shqipëria dikur një nga vendet më të izoluara të botës, ka pësuar një zhvillim të madh në sajë të një transformimi të jashtëzakonshëm politik, ekonomik dhe shoqëror. Pas tridhjetë vjetësh, shteti gjigant i krijuar nga komunizmi, një shtet që jo vetëm që nuk arriti dot të siguronte të mirat publike dhe politike bazë për qytetarët, por ishte një kërcënim ndaj lirisë, pronës, jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve, u zhduk përgjithmonë. Bashkë me regjimin e ashpër komunist, janë zhdukur edhe ekonomia tejet e centralizuar, si dhe një shoqëri e indoktrinuar.

Nëse tridhjetë vjetë më parë, qoftë edhe arkitektura e qyteteve shqiptare,  ngjyra  e  fasadave,  mënyra  e  veshjes  dhe  e  ecjes  së qytetarëve në rrugë reflektonte një rend social (bazuar tek frika,) një kontratë sociale të imponuar nga regjimi, me siguri kjo nuk mund të thuhet pas tre dekadash tranzicioni. Ajo që reflekton sot pamja e qyteteve shqiptare, arkitektura, deri edhe veshja e mënyra e ecjes në rrugë, është një zhvillim dinamik herë-herë kaotik, por ende jo një rend social i qartë, dhe aq më pak një kontrate e re sociale.[2]

Me zhdukjen e atij shteti shtypës, të krijuar nga komunizmi, me zhdukjen e ekonomisë së centralizuar të stilit bolshevik, të asaj shoqërie të frikës dhe individit të indoktrinuar, a ka përfunduar tranzicioni postkomunist dhe nëse po, çfarë janë sot në Shqipëri shteti, ekonomia dhe shoqëria?

TRANZICIONI PASKOMUNIST – NJË KONTEKST KRAHASUES

Transformimi paskomunist, i   quajtur gjerësisht tranzicion, teorikisht dhe praktikisht është menduar si një përpjekje me dy komponentë themelorë, të lidhur ngushtë  me njëri tjetrin: zëvendësimin regjimeve totalitare/autorkatike me   regjime demokratike,  si  dhe  zëvendësimin  e  ekonomisë  së  centralizuar socialiste, me  një  ekonomi tregu. Të dy këta komponentë kanë përbërë gjithashtu synimet themelore të elitave politike, që erdhën në pushtet pas rënies së komunizmit më 1989 dhe 1991 në Evropën Lindore. [3]

Por nëse qëllimet e tranzicionit ishin të përbashkëta për shumicën e vendeve ish-komuniste, suksesi dhe koha e realizimit të këtyre synimeve u dominua pikësëpari nga trashëgimia e ekonomisë dhe politikës jo vetëm nën komunizëm, por edhe nga tradita shtetërore, nga niveli i zhvillimit ekonomik, shkalla e industrializimit, si dhe nga shkalla e modernizimit të shoqërisë.

Historitë e suksesshme të tranzicionit paskomunist në një numër shtetesh, kryesisht të Evropës Qendrore, janë të lidhura pikësëpari me ekzistencën e shoqërive industriale në këto vende, me ekzistencën e praktikave kapitaliste, përpara se vendet të binin nën dominimin komunist, me ekzistencën e përvojave të mëparshme demokratike, ekzistencën e një tradite shtetërore relativisht të hershme, përfshirë edhe një shkallë të konsiderueshme të modernizimit të shoqërisë.

Në rastin e Shqipërisë, shpjegimi më i mundshëm dhe ndoshta më i plotë i një tranzicioni të gjatë, problematik, me hapa para dhe hapa të fortë mbrapa, të një tranzicioni për fundin e të cilit, ende sot pas tre dekadash nuk mund të flitet me siguri, është i lidhur pikësëpari me një traditë shtetërore relativisht të re. Shkalla shumë e ulët e industrializimit dhe një ekonomi përgjithësisht agrare kushtëzuan përgjithësisht një kohë të gjatë të procesit të ndërtimit të shtetit.

Gjithë historia e shtetit modern shqiptar është e lidhur me zhvillimet e njëqind vjetëve të fundit, ku eksperiencat kapitaliste, liberale dhe aq më pak demokratike, ishin episodike dhe mbetën embrionale, deri në rënien nën dominimin komunist.

Kësisoj, në shqyrtimin e tranzicionit shqiptar duhet para  së gjithash të mbahet parasysh trashëgimia para regjimit komunist. Dhe përveç kësaj trashëgimie, nuk duhet haruar për asnjë moment, siç na kujton Karl Kaser, se Shqipëria hyri në tranzicion në kushte shumë të vështira të brendshme dhe të jashtme. Komunistët u “dorëzuan” forcave demokratike vendin më të varfër në Evropë. Shqipëria është dashur të vuajë nën një nga sistemet më absurde komuniste në botë. Çfarëdo që vendi ka arritur, ose ka dështuar për të arritur, ky fakt nuk duhet harruar. [4]

Së dyti, suksesi dhe koha e nevojshme për tranzicionin nga regjimet totalitare/autokratike u ndikua në një masë të konsiderueshme nga llojet e ndryshme të regjimeve jodemokratike, [5] që morën formë dhe u zhvilluan në ish-Lindjen komuniste. Përkundër regjimeve autoritariste në një sërë vendesh, që gradualisht filluan të lejonin një shkallë të caktuar liberalizmi, komunizmi në Shqipëri mbeti deri në grahmat e fundit të dominimit të vet, një diktaturë e pashembullt staliniste. Fillimisht komunistët instaluan një sistem njëpartiak, kurse në dy dekadat e fundit, Shqipëria përfundoi në një diktaturë personale të Enver Hoxhës, që në thelb nuk ishte më pak se një regjim sulltanati.

Ndryshimi midis formës së diktaturës personale dhe një regjimi njëpartiak është thelbësor për sa u takon marrëdhënieve midis shtetit dhe shoqërisë, pra, të kontratës sociale. Një regjim me sistem njëpartiak lejon qoftë  edhe  minimalisht “një  lloj  negociimi” për kontratën midis shoqërisë dhe shtetit, kurse në rastin e diktaturave personale, siç është edhe rasti i Shqipërisë, as që mund të flitet për një kontratë sociale. [6]

Faktorët e mësipërm, jo vetëm shpjegojnë tranzicionin e stërzgjatur të Shqipërisë paskomuniste, por sugjerojnë edhe domosdoshmërinë e një paradigme të re teorike, për të kuptuar dhe shpjeguar tranzicionin në vende të ngjashme me Shqipërinë. Në një numër të konsiderueshëm vendesh të ish-Lindjes komuniste, tranzicioni paskomunist ishte zëvendësimi i plotë i regjimeve autoritariste me regjime demokratike, si dhe zëvendësimi i ekonomive socialiste të centralizuara, me një ekonomi kapitaliste, [7] kurse në rastin e Shqipërisë, tranzicioni duhet kuptuar dhe shpjeguar së pari si një proces i pastër e i mirëfilltë i ndërtimit të shtetit.

Sugjerimi i Michael Mandelbaum, se paskomunizmi lidhet si me të shkuarën, ashtu edhe me të ardhmen, në pamje të parë mund të jetë i vlefshëm për të gjitha vendet në tranzicion, përfshirë edhe Shqipërinë, për sa i takon bashkëjetesës në një shkallë të ndryshme të të menduarit dhe sjelljes sociale, transformimit ekonomik dhe social politik, por është e vështirë të jetë i vlefshëm për sa i takon shkallës së procesit të ndërtimit të shtetit. Të paktën eksperienca e Shqipërisë në dy dekadat e fundit, tregon se tranzicioni apo paskomunizmi nuk ishte as adaptim e as transformim social politik a ekonomik, por një proces i mirëfilltë i ndërtimit të shtetit.

Nëse Mandelbaum sugjeron idenë e vazhdimësisë, kur thotë se paskomunizmi lidhet në të njëjtën kohë edhe me të shkuarën, edhe me të ardhmen, atëherë rasti i Shqipërisë është i vështirë të përfshihet në këtë kategori, po të mbajmë parasysh se paskomunizmi shqiptar nuk ishte vazhdim i asaj që komunizmi kishte ndërprerë pesë dekada më parë. Shumë komponentë të shtetit, institucione, ligje, dokumente dhe për rrjedhojë, një kontratë sociale midis shoqërisë dhe shtetit, në rastin e Shqipërisë nuk ishin një vazhdim, një adaptim, por një fillim nga e para, pra, një kontratë sociale që duhej “negociuar” për herë të parë.

TË VIJOSH TË JETOSH NË TRANZICION

Po çfarë është Shqipëria, tridhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist? Përgjigja e parë dhe e menjëhershme është se, shteti, ekonomia dhe shoqëria janë në tranzicion. I përdorur shpesh për të përshkruar vitet e para të demokratizimit, termi ‘tranzicion’, gjithsesi, tani është një fjalë e  vogël, në mos jo e gjetur për të eksploruar të tashmen dhe e padobishme për të hedhur dritë mbi të ardhmen që aspirojmë.

Shumë nga karakteristikat e tranzicionit të Shqipërisë nuk mund të quhen më kalimtare. Dobësimi apo dështimi i institucioneve, gërryerja e legjitimitetit të institucioneve politike, mosbesimi ndaj partive politike,  shkalla  e  lartë  e  korrupsionit  dhe  tensionet  e përhershme politike, nuk mund të konsiderohen më deformime të përkohshme, apo simptoma të një tranzicioni drejt demokracisë. Po bëhet gjithnjë e më e dukshme se këto dukuri nuk janë karakteristika të një periudhe tranzicioni, por rrjedhoja të prekshme, që rrezikojnë të bëhen tipare permanente të peizazhit politik shqiptar. Ndaj përdorimi i fjalës “tranzicion”, më shumë mbulon se sa shpjegon, i justifikon problemet e Shqipërisë me një lloj ndjenje pashmangësie ndaj kësaj force të paprekshme të tranzicionit, një proces që nuk mund të kontrollohet, administrohet apo drejtohet.

Nga pikëpamja e funksionimit të shtetit, Shqipëria i ngjan asaj që studiuesit e politikës e quajnë “neo-patrimonial monopoly state”, i varur fuqimisht më shumë nga drejtimi personal, se sa nga institucionet, ligjet, procedurat. Mungesa e shtetit ligjor, përveç të tjerash, është rrjedhojë e ekzistencës së një strukture piramidale të bashkëpunëtorëve të besuar, që vepron brenda strukturës formale të aparatit qeveritar. Ky lloj rregulli – qeverisja me telefon – e ka dobësuar vazhdimisht funksionimin e shtetit. [8]

Demokracia, ende formale dhe jo thelbësore, është mjaft e dëmshme për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe ç’është më e keqja, e cënueshme nga krizat e vështira si ajo e vitit 1997. Tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ende nuk ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve të përcaktuara ndërkombëtare dhe sidomos të pakontestuara nga partitë politike.

Shqipëria tani është vërtet një anëtare e NATO-s dhe ka shprehur qartë aspiratën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, një objektiv që më 1990 dukej shumë i afërt, dhe tani pas tridhjetë vjetësh, gjithmonë e më i largët. Ky është kryesisht një projekt politik për ndërtimin e një shteti dhe demokracie funksionuese. Pas tridhjetë vjet përpjekjesh, gjithësesi rezultati është miks dhe ky projekt mbetet i papërfunduar. Arsyet prapa kësaj situate, duhen kuptuar qartë dhe kërkohet një angazhim për të formësuar të ardhmen.

Para tridhjetë vjetësh, Shqipëria kishte përpara dy sfida të mëdha lidhur me transformimin ekonomik: 1) zhvendosja nga një sistem krejtësisht i centralizuar drejt një ekonomie tregu dhe 2) përshtatja me globalizmin, si një prirje e dukshme ndërkombëtare pas fundit të Luftës së Ftohtë. Nga strategjia e Terapisë së Shock-ut, e ndjekur në fillim të viteve nëntëdhjetë drejt ideve neoliberale të një shteti të vogël, transformimi ekonomik i Shqipërisë, shpesh i diskutueshëm dhe kaotik, ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi lëvizjen e popullsisë brenda dhe jashtë vendit, mbi polarizimin dhe zhvillimin e pabarabartë të rajoneve, etj.

Pas tridhjetë vjetësh, struktura sociale e Shqipërisë ka ndryshuar. Gjithsesi, prania e një shoqërie civile dinamike, si një rezultat përfundimtar i modernizimit të shoqërisë, nuk është materializuar ende. Organizatat e shoqërisë civile kanë kontribuuar pa diskutim në modernizimin e shoqërisë, por ato nuk kanë qenë të imunizuara nga politizimi, humbja e pavarësisë dhe për këtë arsye edhe nga humbja e raison d’être – për të shërbyer si vëzhgues ndaj qeverisë, dhe të mundësojnë kontrollin demokratik e social të shtetit.

Tranzicioni problematik dhe shpesh i diskutueshëm i politikës, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare është pasqyruar nga tranzicioni i medias, deri në fazën e sotme kritike, mosfunksionuese dhe kaotike.

Bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në proceset demokratike dhe transformimet e Shqipërisë. Roli dhe pjesëmarrja e saj, në strukturën e demokracisë në Shqipëri ka evoluar me kohën. Për një periudhë relativisht të gjatë, Shqipëria ishte pa dyshim një demokraci e negociuar, e dominuar nga aktorët e jashtëm, duke ecur përpara  me ngadalë  drejt një strategjie daljeje. Në vend të braktisjes, strategjitë e daljes kërkojnë të kujdesesh për kapacitetet e brendshme, rolin e aktorëve vendas dhe vetëqeverisjen. Pavarësisht nga dukja e jashtme, Shqipëria është ende larg nga ajo pikë dhe ende kultivon një kulturë varësie. Besimi i madh ndaj aktorëve ndërkombëtarë, që shfaqet tek populli shqiptar, tregon krizën serioze të demokracisë dhe legjitimitetit të institucioneve të qeverisjes. Gjatë këtyre tre dekadave, nevoja për debatin mbi rolin e Komunitetit Ndërkombëtar në Shqipëri është e qartë dhe lidhet dukshëm me funksionimin e shtetit dhe demokracinë.

ZHGËNJIME, POR JO NOSTALGJI PËR TË SHKUARËN

Shumëkush ka menduar se mrekullia do të ndodhte sapo të rrëzohej regjimi komunist dhe pak kush ka menduar që tranzicioni do të ishte ky që shqiptarët kanë parë gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. Ideja se demokracia do të vepronte si një deus ex machina ishte mbizotëruese në fillim të viteve nëntëdhjetë. Pritshmëritë e mëdha ishin mbizotëruese në të gjithë ish-Lindjen, por në rastin e Shqipërisë, pritshmëritë nga ajo që do të ndodhte pas rënies së komunizmit, ishin edhe më të mëdha për shkak të izolimit të plotë, dhunës, terrorit komunist dhe varfërisë ektreme.

Udhëheqësit e opozitës së parë jo komuniste në Shqipëri u treguan mjaft dorëlëshuar në premtimet e tyre. Ata thjesht u thanë shqiptarëve, durimi i të cilëve kishte mbërritur në fund prej kohësh, se demokracia është një çek i bardhë, mbi të cilin ne thjesht do të shkruanim nevojat tona. [9]

Tridhjetë vjet më pas, entuziazmi i madh i popullit është shkërmoqur. Shumica e shqiptarëve sot beson se premtimet e bëra nga politikanët tridhjetë vjet më parë, nuk janë realizuar. Dhe në një rast pothuajse unik dhe të pabesueshëm, e njëkohësisht tejet domethenës për kualitetin e demokracisë, janë gati të njëjtët politikanë, tri dekada pas rënies së komunizmit. Është e sigurt që pritshmëritë e mëdha kanë krijuar jo pak zhgënjim te populli shqiptar. Megjithatë, shqiptarët pohojnë se jeta e tyre ka ndryshuar falë sistemit të ri qeverisës.

SHTETI I DOBET I TRANZICIONIT

Nëse ka një problem madhor me të cilin ballafaqohet Shqipëria në fund të një tranzicioni prej tre dekadash, ai është shteti i dobët, mungesa e prezencës së shtetit, të ligjit, shkalla shumë e ulët e zbatimit të ligjit. “Që kur ka hyrë demokracia në Shqipëri nuk ka ligj, nuk ka shtet”, është një refren që e dëgjon shpesh. Shkaku i pakënaqësive të shqiptarëve ndaj shtetit në këta tridhjetë vjet lidhet sa me pritshmëritë e mëdha që ata patën për shtetin pas komunizmit, aq edhe me faktin se tranzicioni shqiptar i tre dekadave, ka prodhuar një shtet relativisht të dobët, në kuptimin e cilësisë së të mirave publike që një shtet supozohet të prodhojë për qytetarët.

Është paradoksale ta mendosh, por qytetarët e lidhin shtetin e dobët me proceset demokratizuese që filluan pas viteve nëntëdhjetë. Ndonëse nuk mund të flitet për nostalgji për shtetin nën komunizëm, gjithsesi qytetarët i njohin shtetit të mëparshëm një sërë cilësish që kanë të bëjnë me rregullin dhe shkallën e zbatimit të ligjit. Në fakt, ka një paradoks që duhet shpjeguar: teorikisht dhe praktikisht shteti është i dobët në komunizëm dhe i fortë në një sistem demokratik funksionues, nëse nuk e definojmë shtetin nga pikëpamja e kapaciteteve shtrënguese, por e kapaciteteve për të prodhuar cilësi të lartë në të mirat publike bazë, sigurinë, rendin dhe ligjin, drejtësinë, shëndetësinë, arsimin, etj. Mendoni sa keq kanë shkuar punët me performancën e shtetit në postkomunizëm, sa aktualisht qytetarët shqiptarë, ndonëse nuk kanë asnjë nostalgji për shtetin në komunizëm, mendojnë se aktualisht në Shqipëri nuk ka shtet, nuk ka ligj, thjesht për të treguar funksionimin e dobët të shtetit.

Me rrëzimin e komunizmit në Shqipëri u rrëzua njëherazi edhe shteti i cili u njehsua me regjimin shtypës komunist. Me rënien e shtetit në fillim të viteve nëntëdhjetë pati të paktën dy implikime serioze: Shqipëria humbi kontrollin mbi kufijtë dhe kontrollin mbi territorin, dy kritere të paneglizhueshme, që e klasifikojnë si shtet një territor te caktuar. Identifikimi i shtetit me regjimin ishte faktori i parë që çoi fillimisht në dobësimin dhe më pas në dështimin e shtetit. Por s’ka dyshim se duhen mbajtur parasysh edhe tradita shtetërore relativisht e re, shkalla shumë e ulët e industrializimit dhe një ekonomi përgjithësisht agrare, që kushtëzuan një kohë të gjatë të procesit të ndërtimit të shtetit. Gjithë historia e shtetit modern shqiptar është e lidhur me zhvillimet e njëqind vjetëve të fundit, ku eksperiencat kapitaliste, liberale dhe aq më pak demokratike, ishin episodike dhe mbetën embrionale, deri në rënien nën dominimin komunist.

Një faktor  tjetër “i jashtëm” për dobësimin e kapaciteteve të funksionimit të shtetit ka të bëjë me triumfin e ideve neoliberale dhe entuziazmin që shoqëroi  fundin e Luftës së Ftohtë. Mbështetja tërësisht te tregu dhe magjia e tij, zvogëlimi i përmasës së shtetit, kompetencave dhe rolit të tij tani është provuar se ka qenë e gabuar edhe për ekonomitë më të konsoliduara kapitaliste. Zvogëlimi i shtetit bazuar në idetë neoliberale në një vend thuajse feudal si Shqipëria, ku kapitalizmi në rastin më të mirë nuk ishte më shumë se sa një fasadë, vetëm sa çoi në dobësimin e mëtejshëm të shtetit. Gjithësesi faktori themelor i dobësimit të shtetit në Shqipëri ka të bëjë me deformimin e sistemit politik. Ka të bëjë me një demokraci të dobët, fasadë dhe jo funksionuese. Duket qartë se kemi hyrë në një rreth vicioz, ku demokracia e dobët ushqen shtetin e dobët dhe ku shteti i dobët riciklon një demokraci të dobët. Cila është rrugëdalja?

Një “Pakt për shtetin” duhet të garantojë ndarjen e shtetit nga partia, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një burokracie shtetërore, e cila nuk bazohet te fryma dhe struktura klienteliste, klanore, fisnore, por te kushtetuta, ligji, procedurat, dokumentet, kontratat, konkurrenca. Një studiues  grek duket se e vë gishtin në plagë kur thotë se Greqia është një vend i botës së parë për sa u takon standardeve të jetesës dhe një vend i botës së tretë, nëse flasim për institucionet dhe infrastrukturën e tyre. Provojeni t’i krahasoni institucionet greke që qenkan të botës së tretë me infrastrukturën e institucioneve në Shqipëri, për të kuptuar situatën reale ku ndodhemi.

Aktualisht korrupsioni ka dobësuar/minuar funksionimin e institucioneve bazë të shtetit,  agjencive të zbatimit të ligjit, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe në dekadën e fundit praktikat korruptuese po shndërrohen në një sistem funksionimi, për sa i takon  arsimit në Shqipëri.

DEMOKRACIA, “LOJA” E VETME NË QYTET, POR CILËSIA SHUMË E DOBËT

Tre dekada që nga rënia e regjimit komunist, duket se në Shqipëri ende nuk është arritur të prodhohet një sistem demokratik funksionues. Ndonëse të gjitha institucionet respektive të një demokracie liberale,  si dhe procedurat ekzistojnë formalisht, shkalla e funksionimit të tyre është ende larg nga një demokraci substanciale, e konsoliduar. Nëse ende pas tridhjetë vjetësh në Shqipëri nuk mund të flitet me siguri për fundin e tranzicionit, arsyeja e parë dhe themelore gjendet te shkalla e funksionimit të demokracisë në vend. Nëse biem dakord me definicionin se në radhë të parë “tranzicioni kompletohet kur është arritur një marrëveshje e mjaftueshme rreth procedurave politike për të krijuar një qeveri të zgjedhur, kur një qeveri vjen në pushtet si rezultat i drejtpërdrejtë i votës popullore dhe kur është realizuar disa herë kalimi i pushtetit nga njëra parti tek tjetra, përmes zgjedhjeve të pakontestuara [10]…”, Shqipëria e vitit 2019 nuk ka mundur ende të dalë nga tranzicioni I zgjedhjeve të kontestuara, pavarësisht përparimeve në përmbushjen e shumicës së standardeve ndërkombëtare, për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Proceset elektorale të kontestuara, kultura e “zero sum game”, mbajtja gjallë e një konflikti politik permanent, si dhe mungesa e konsensusit dhe kompromisit, vijojnë për fat të keq të mbeten karakteristika themelore e Shqipërisë politike në paskomunizëm. Nuk ka dyshim se në Shqipërinë e sotme, demokracia është “loja e vetme në qytet”, por kualiteti i kësaj “loje”, edhe tridhjete vjet pas rënies së diktaturës, është i dobët.

KOHA PËR NJË EKONOMI KAPITALISTE DHE ÇËSHTJA E PËRPARËSIVE

Në vitin 1994, në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë bankë private, ndërsa aktualisht ka një zinxhir bankash perëndimore, por ndonëse numri i bankave për frymë është më i lartë se gati në çdo vend anëtar të BE -së, produktet dhe shërbimet ofrohen me tarifat më të larta në të gjithë rajonin. Kjo duket krejt e pakuptueshme përderisa duhet të ekzistojë konkurrenca midis tyre. Më 1992, pajisja me telefon fiks ishte e mundur vetëm përmes autorizimit të qeverisë, ndërsa tani ka ka tre kompani të telefonisë celulare, por çmimet janë ndër më ta lartat në botë. Përse nuk duket të ketë konkurrencë midis tre kompanive të telefonisë celulare, kur ekonomia shqiptare pretendon të jetë një ekonomi kapitaliste? Këto janë vetëm dy shembuj por pothuajse e njëjta situatë vërehet në mallrat dhe shërbimet e konsumit të gjerë. Përse nuk duket të ketë konkurrencë në ekonominë shqiptare? Në çfarë shkalle ekonomia në Shqipëri funksionon si ekonomi kapitaliste? Çështja e dytë që duhet të shqyrtohet në mënyrë kritike lidhet me hierarkinë e përparësive të zhvillimit ekonomik të vendit. Ku i ka avantazhet ekonomia shqiptare, cilët sektorë duhet të kenë prioritet? Në tridhjete vitet e fundit zhvillimi ekonomik ka qenë thuajse kaotik dhe me një listë të gjatë prioritetesh, çka e bën çdo sektor jo prioritar. Ndonëse duhet të shqyrtohen në mënyrë kritike, gjithësesi ekspertë lokalë dhe jo vetëm këta, mendojnë se dy duhet të jenë sektorët prioriotarë të zhvillimit ekonomik të vendit: 1) Zhvillimi i Turizmit 2) Energjia. Nëse këto janë prioritetet e zhvillimit ekonomik, si janë të lidhura dhe bashkëveprojnë këta sektorë me ambientin, infrastrukturën dhe cilësinë e arsimit profesional në Shqipëri?

POLITIKA E JASHTME DHE MARRËDHËNIET NDËRKOMBËTARE

Nuk ka dyshim se një ndër arritjet më të mëdha të tridhjete vjetëve të tranzicionit shqiptar është politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë paskomuniste. Brenda tre dekadash, ish-vendi më i izoluar në planet është në një bashkëpunim të gjithanshëm me botën.

Roli i politikës së jashtëme dhe suksesi në marrëdhënietndërkombëtare të Shqipërisë nuk duhet parë si një qëllim në vetvete.

I gjithë tranzicioni politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë u mbështet gjerësisht në daljen nga izolimi dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. Anëtarësimi në NATO shënon një pikë kulmore në objektivat e politikës së jashtme, ndërsa vijojnë përpjekjet për përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, integrim që ka shërbyer dhe vijon të shërbejë si një forcë shtytëse e procesit të ndërtimit të shtetit.

Ndërsa është e kuptueshme se për një vend të vogël si Shqipëria kontributet në politikat ndërkombëtare nuk mund të jenë veçse modeste, roli dhe kontributi në nivelin rajonal ka qenë dhe vijon të jetë me rëndësi të madhe. Në këtë kontekst, ashtu siç nënvizon Gabriel Partos, një arritje e madhe është zëvendësimi i armiqësisë së mëparshme ndaj vendeve fqinje me marrëdhëniet e mira e shpesh miqësore. [11]

Përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë s’ka se si të ndodhë pa kontributin e politikës së jashtme dhe përgjithësisht të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndonëse përparimi dhe suksesi në punët e jashtme të Shqipërisë do të varet nga suksesi në punët e brendshme, është e nevojshme rishqyrtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë duke filluar me vendet ballkanike, por jo vetëm rishqyrtimi i marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë Veriore. Në mënyrë të veçantë është i nevojshëm rishqyrtimi i marrëdhënieve me dy fqinjët – shtete kufitare të BE-së, Italinë dhe Greqinë, në mënyrë të veçantë me këtë të fundit.

Shqipëria nuk duket të ketë një politikë ballkanike dhe duket se ka ndrojtje, në mos frikë, ta ketë një politikë të jashtme në Ballkan. Bashkëpunimi rajonal në Ballkan është i dështuar ose së paku nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse më së pari nuk ka marrëdhënieve të shëndosha midis shteteve (në nivelin bilateral). Shqipëria gjithmonë ka pretenduar një rol konstruktiv në Ballkan, çka ka nënkuptuar një mbështetje aktive të politikave perëndimore në Ballkan. Ndjekja e një kursi të kundërt me këtë, më së shumti ka qenë një shqetësim i hamendësuar i Perëndimit, se sa një gjasë reale për të ndodhur. Dhjetë vjetët e ardhshëm do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet ballkanike, duke filluar pikësëpari me Kosovën. Nëse pretendohet të ketë një rol të Shqipërisë në Ballkan, a do të vijojë të jetë ky rol më së shumti i shpikur nga Perëndimi, një rol që  supozon një Ballkan nën frikën e destabilizimeve dhe konflikteve, apo do të jetë një rol që do të mbështesë interesat e Shqipërisë, pa hequr dorë nga angazhimet si anëtare e komunitetit ndërkombëtar (NATO) dhe  një vend aspirant për në BE?

Midis Shqipërisë dhe Greqisë ekzistojnë probleme që duhen zgjidhur bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha dokumentet ndërkombëtare, dhe sigurisht në vlerat europiane. Nëse marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në janë marrëdhënie në tranzicion, se cila do të jetë e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë çështje jo vetëm e shqyrtimeve akademike, por edhe e konsideratave të politikëbërësve dhe vendimmarrësve. Marrëdhëniet e Shqipërisë me rajone të tjera në Lindjen e Mesme dhe përgjithësisht me botën islame, thuajse kanë ngrirë. A është e gatshme Shqipëria dhe sidomos përse duhet të jetë e gatshme për një politikë të jashtme 360 gradë?

Aktualisht politika e jashtme e Shqipërisë është në tranzicion. Transformimi i Shqipërisë pas rënies së komunizmit u mbështet gjerësisht te politika e jashtme. Në fakt, ka pasur një vizion strategjik për ta nxjerrë vendin nga një izolim ekstrem dhe për të ndihmuar rindërtimin e shtetit dhe të ekonomisë. Me një orientim pro-perëndimor të palëkundur, vendi u anëtarësua në NATO dhe bëri hapa të rëndësishme në procesin e integrimit europian.  Një fitore e jastezakonshme  ishte heqja e murit të vizave dhe një mundësi e madhe për të dalë nga izolimi, që në mënyrë paradoksale vijonte edhe në  liri. Këto janë arritje të mëdha, por tani mungojnë idetë e reja. Për me tepër, nuk ka qartësi, nuk ka prioritete, nuk ka hierarki të prioriteteve, ndërsa ka shumë improvizime, ka një qasje në përgjithësi ad hoc dhe shumë propagandë.

Prandaj them se politika e jashtme është në tranzicion. Në nivelin rajonal, pesë-gjashtë vjetët e fundit Shqipëria shpalli si prioritete zero probleme me fqinjët. Ky ishte thjesht një huazim i tezës së Davutoglusë, por e pavend në rastin e Shqipërisë dhe ç’ndodhi? Në mënyrë paradoksale, Shqipëria ka probleme pothuajse me çdo fqinj.

Ndërsa në nivelin ndërkombëtar mungon realizmi dhe modestia. Hera-herës, Shqipëria, një mikro shtet, sillet si një gjigant në punët e jashtme. Ndoshta kjo vjen nga trashëgimia komuniste, nga marrëdhëniet krejtësisht asimetrike (me fuqitë e mëdha apo superfuqitë), kur Shqipëria komuniste sillej si qendra e botës. Tani kemi një duzinë me shtete, ku nuk mungojnë edhe supershtetet, që Shqipëria i shpall partnerë strategjikë.

Zhvillimi i mendimit kritik në debatin dhe vendimmarrjen për çështje të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare do të sjellë  demokratizimin e politikes së jashtme, të procesit vendimmarrës dhe për rrjedhojë edhe ndryshime pozitive.

Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, një politikë e jashtme serioze, realiste, duhet të mbështetet nga një shërbim cilësor dhe kompetent. Shërbimi diplomatik i Shqipërisë, në fakt, si gjithë administrata publike – aparati shtetëror- është ndërtuar dhe funksionon bazuar në nepotizmin politik, klanor e deri dhe familjar dhe jo në dokumente, kushtetutën, ligjet dhe procedurat.

Integrimi europian mbetet themelor për të ardhmen demokratike të vendit. Procesi i integrimit ka qenë forca lëvizëse e rindërtimit të shtetit dhe e modernizimit të shoqërisë. Fakti që nuk po shënohen hapa përpara në këtë proces do të thotë se nuk ka përparime thelbësore në ndërtimin e një shteti dhe ekonomie funksionuese, në ndërtimin e një demokracie funksionuese. Nuk është anëtarësimi i Shqipërisë në BE që e transformon Shqipërinë. E kundërta është e vërtetë: përparimi në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimi i ekonomisë e afron Shqipërinë me BE-në. Integrimi Europian nuk është çështje e politikës së jashtme. / bota.al

 

[1] Shih Karl Kaser, Transition has ended formally, but practically not yet Albania needs a “catharsis period”, Tirana Times, Dhjetor 2010 në www.tiranatimes.com

[2] Albert Rakipi State Society  Relations in post Communist Albania-  In search of a neë contract, paper presented at the International  Conference “ 20 years after Rethinking state and Democracy in Albania, October 202- 23 2010, Albanian Institute for International Studies (www.tiranatimes.com)

[3] Për një numër vendesh, si ish republikat sovjetike, tranzicioni paskomunist përfshinte  edhe  një  objektiv  tjetër:  realizimin  e  sovranitetit  dhe  çlirimin nga dominimi i huaj. Shih Charles Gati If not Democracy,  What? Leaders, Laggards, and Losers in the post Comunist World in Michael Mandelbaum Post-Communism: Four Perspectives. A Council on Foreign Relations Book, 1996, f. 168.

[4]  Karl Kaser, Transition has ended formally, but practically not yet Albania needs a

“catharsis period”, Tirana Times, Dhjetor 2010 në www.tiranatimes.com

[5]  Samuel Huntington vë re se regjimet që lëvizën para dhe drejt demokracisë në valën e tretë, në përgjithësi, futen në tre grupe: sisteme njëpartiake, regjime ushtarake dhe diktatura personale. Shih Samuel P. Huntington, The Third Wave, Democratization in the late twentith century. UOP: Norman, 1993.

[6] Albert Rakipi State Society Relations in Post Communist Albania Unpublished paper  Albanian Institute for International Studies, December 2010.

[7] Kjo nuk do të thotë se elementë të ndërtimit të shtetit kanë munguar në këto vende.

[8] Albert Rakipi Weak States and Security Rethinking the Balkan Post Cold War Security Agenda, Albanian Institute for International Studies, Tirana 2009

[9] Po aty, A. Rakipi. State Society Relations in Post communist Albania.

[10] 11. Juan J. Linz & Alfred Stepan Problems of Democratic Transition and consoli- dation, Southern Europe, South America. And Post Communist Europe. p 23 John Hopkins University Press, 1996. f. 21

 [11] Shih Gabriel Partosh’s Interview at Tirana Times: “Transition… broadly completed, but the process of change still continues”, Dhjetor 2010 në www.tiranatimes.com.


Kjo ese e Z. Albert Rakipi është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *