Home»“Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”»Intervista / Zija Çela: Më falni për pyetjen, po cilin gisht të kthejmë nga vetja?

Intervista / Zija Çela: Më falni për pyetjen, po cilin gisht të kthejmë nga vetja?

Një prej shkrimtarëve më në zë shqiptarë, Zija Çela ka pranuar të flasë për bota.al, duke përmbyllur serinë e refleksioneve mbi tranzicionin e Shqipërisë pas shembjes së Murit të Berlinit. Me krahasimet dhe simbolikat tipike, Çela na ofron një interpretim më shumë se interesant të tridhjetë viteve të tranzicionit, që fillimisht u pa me “dylbitë” , që prej ekzaltimit shfaqnin “shumë afër atë, që në fakt ishte larg. Dhe, çuditërisht, shihnim gjithë ngjyra, sepse edhe lentet e tejqyrës na ktheheshin në qelqe kaleidoskopi”…

Z. Çela, ky vit shënon 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, që gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin me shembjen e barrierës, që ndante Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

S’më kujtohet çfarë po bëja, por më kujtohet lëvizja mendore. Sado paradoksale, për disa çaste u zhvendosa në Kinë. Po mendoja se, në krahasim me Murin e Madh kinez, ndonëse ai berlinezi ishte shumë më i vogël, shembja e tij për nga efekti dhe simbolika po ia kalonte shumëfish.

Në atë kohë kisha shkruar romanin “Gjaku i dallëndyshes” dhe po hidhja shënimet e para për “Gjysmën e Xhokondës”. Në një riprodhim të prerë vertikalisht përgjysmë, njerëzit e zakonshëm nuk e njihnin se cila ishte, as Mona Lizën e famshme. Por edhe vetë banorët e Barabisë, e cila gabimisht njihej edhe si Barbarì, ndiheshin si përgjysmë. Prandaj, gjithë ankth, pyesnin njëri-tjetrin: Ku e kemi gjysmën tjetër? Nuk e kemi pasur asnjëherë, apo e kemi pasur dhe e kemi humbur?

Kam përshtypjen se në këtë gjendje kërkimi e gjeti popullin tonë shembja e murit të Berlinit. E gjeti në izolim politik, në mjerim ekonomik dhe në kërkim të identitetit. Me fjalë të tjera, tenxhere me kapak, sipër kapakut një gur i rëndë, lënda brenda në vlim e sipër.

A mendoni se shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Do të ishte gabim të mendohej ndryshe. Pavarësisht ku ndodhet qendra e një tërmeti, kur është i fortë, vala goditëse përcillet territor më territor. Edhe Historia e zhvillimit të njerëzimit ka krijuar e krijon pllakat e veta tektonike. Përplasjet e tyre janë nganjëherë kontinentale. Mjaft të kujtojmë efektet e Revolucionit francez, atij leninist në Rusi, ardhjen në pushtet të nazifashistëve, etj. Rënia e murit të Berlinit qe më shumë se europiane. Efektet do të bëheshin euro-atlantike, sepse shpejt do të binte edhe e ashtuquajtura Perdja e Hekurt.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, keni patur një rol të rëndësishëm në momente kritike të rrugëtimit politik të Shqipërisë. Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim?

Me gjithë kritikat, ka diçka që kurrë s’mund të harrohet: çlirimi i brendshëm i shoqërisë, kalimi nga totalitarizmi në demokraci. Po ç’rrugë kemi ndjekur? Atë me rrathë koncentrikë në formën e sustës. Nëse teli i saj hapet, për nga gjatësia mbetet po aq, sa kur ishte sustë. Veçse pa ato spërdredhjet e shumta dhe tatëpjetat stërmunduese që marrin kohë, ai lirohet gjithashtu edhe nga tensioni. Çdo shtypje e sustës nga lart ose nga poshtë e rrit tensionin, duke shkaktuar kërcime të papërmbajtura. Të gjithë e kujtojmë (s’po i përmend shkaqet paraprirëse) si na “kërceu damari” në vitin 1997 dhe i shembëm muret me yrysh. Veçse kësaj here pa pikën e lavdisë, sepse shembëm muret e shtëpisë sonë të përbashkët.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Të gjithë u përfshimë nga ekzaltimi, duke marrë në duar dylbitë, për të parë sa më afër atë, që në fakt ishte larg. Dhe, çuditërisht, shihnim gjithë ngjyra, sepse edhe lentet e tejqyrës na ktheheshin në qelqe kaleidoskopi.

Deri në atë vit, unë kisha pasur rast të shihja Budapestin e Pragën. Por kishte të tjerë që kishin parë Perëndimin. Kështu që, sipas përvojës, secili bënte krahasime me Tiranën tonë mizorisht të fshikur. Natyrisht, ishim ëndërrimtarë. Por pa një formim të plotë teorik për sistemin e ardhshëm, mbeteshim disi në kufijtë e empirizmit. Prandaj, tërë shpirti i protestës, energjisë popullore dhe aspiratës së saj, mori një karakter disi të përgjithshëm, duke u koncentruar në parrullën e studentëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Dhe është e pamohueshme se Perëndimi e SHBA-ja u gjetën të gatshme t’i ndihnin këtij shndërrimi epokal.

Pavarësisht entuziazmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndienin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Mbi të gjitha, shkoi mirë përmbysja e tiranisë dhe përqafimi i rrugës së re. Mirëpo kur hodhëm një hap përpara, tjetrën ende e kishim mbrapa. Dhe çfarë ndodhi? Ecëm në fillim, pastaj lëvizja erdhi duke u ngadalësuar, aq sa u duk sikur pushoi. Përfytyrimi më çon sërish te pozicioni statik, ai me njërën këmbë para e tjetrën prapa. Në kuptimin e figurshëm, tranzicioni i gjatë është si një sparkatë e gjatë, e cila rrezikon shqyerje shalësh. Ja çfarë shkoi keq e për dreq, ky trans e ky shans u zvarrit dhe u shkalafit deri në raskapitje.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonë, Shqipëria “ende pret te porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?

Nuk është shpejtësia e trenit, aq sa ngathtësia, padituria, shpesh dhe egoizmi e marrëzia jonë. Ne u ndodhëm në peron në kohën e duhur, madje hypëm në tren. Por me të kaluar stacionet e para, e zgjidhëm vagonin tonë nga karvani i lokomotivës. Pse e zgjidhëm? Sepse na i morën mendtë konfliktet e brendshme, cila parti do të rrinte në krye të vendit dhe cila kastë do të përfitonte më shumë. Kështu, na shkrepi që pjesën tjetër të udhëtimit ta bënim më këmbë. Hop këtu, hop aty, kur arritëm mbas 30 vjetësh, portën e gjetëm të mbyllur.

E bash te porta shënohet dilema e thekshme, që përsëri ngjalli debate: Përse nuk na pranoi as këtë tetor Europa, të cilën shqiptarët e dëshirojnë kaq masivisht? Sa ndodhi për nevoja të reformimit të Unionit dhe sa për fajet tona? Po pranoj se njërin gisht, pikërisht treguesin, mund ta kthejmë edhe nga vendim-marrësit ndërkombëtarë. Por, më falni për pyetjen, cilin gisht na mbetet të kthejmë nga vetja?!..

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që ka kjo periudhë tridekadëshe në historinë e Shqipërisë?

Kur flitet për klasë, të vjen ndër mend edhe klasi. A vijnë protagonistët e saj nga shkollat e politikës moderne? Nuk hyjnë të gjithë në një kallëp. Por, për fat të keq, sot ende kemi më shumë politikanë të pakualifikuar, sesa ngarës të makinave pa patentë.

Pavarësisht nga mënyra si u bë, korruptive, anarkike, rrëmbyese, nepotike, është arritur një kapitalizim në ekonomi. Por kjo nuk do të thotë se kemi edhe kapitalizëm, në kuptimin bashkëkohor të fjalës. Kam parasysh modele të kapitalizmit që bazohet tek interesat e ndërsjellta, fiton punëdhënësi, por fitojnë edhe punëmarrësit. Kurse ne (ka disa shkaqe) kemi shfrytëzim të njëanshëm, shfrytëzim të egër. Prandaj, me gjithë ndërrimin e sistemit, shumëkush e urren kapitalizmin. Nga ana tjetër, prej kujtimit mjeran të së shkuarës dhe nivelit shumë të ulët të jetesës, shumëkush urren edhe aspiratat socialiste, ato të tipit me shpërndarje kaq të paarsyeshme të të ardhurave. Majtas e djathtas dëgjohen dokrra, ndërsa asgjëkundi nuk shihet doktrinë.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Aty ku pushteti është mbi shtetin, ligji gjendet gjithnjë nën shkelmat e qeveritarëve. Çfarë paftash hekuri paskan pasur nën këpucë, o Zot, këta qeveritarët shqiptarë?!

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Po a thua vërtet kemi zbritur me këmbët në tokë?!.. Pse ahere këta realistët, tash që kanë zbritur, thonë shpesh se ndodhen në një tokë (terren politik), që qytetarëve u luan nën këmbë?! Dhe, tekefundit, nga kemi zbritur? Përgjigjja dihet, nga iluzionet e gabuara, që kurrë nuk po kthehen në vetëqortim e vetëkorrigjim. Por përballë zhgënjimit, që ka si burim gënjimin e mashtrimin nga politika, ekziston një mburojë: dyshimi. Dyshimi aktiv dhe i arsyeshëm i hap rrugën së vërtetës, të cilën askush nuk e zotëron si absolute.

Sa për të ardhmen… Patjetër, patjetër, një ditë do të jemi anëtar të Bashkimit Europian.

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë në 2049-ën?

S’di pse, kjo pyetje po më ndërmend Orwell-in. Vërtet profecia e “Vitit 84” nuk u përmbush, sepse kjo nuk është në natyrën e shkrimtarëveve, por vizionet e autorit kanë mbetur të patundura.

Në vitin 2049, jashtë do të ketë më shumë shqiptarë. Ma merr mendja se atje, ku do të ndodhen, shqipja do të dëgjohet gjithnjë e më pak. Ndërkaq, të tërhequr nga klima dhe deti, shumë më tepër turistë do të flasin në Shqipëri gjuhë të huaja. Europa e Bashkuar edhe atëherë do të kërkojë të reformohet, për shkak të rivalitetit të vendeve të mëdha dhe trysnisë nga vendet e vogla, që do ta ndiejnë më tepër bjerrjen e sovranitetit. Por duke qenë ende në fazën e re perandorake, shpresoj se zgjidhjet do të arrihen me paqe.

Vitin e shkuar kam botuar romanin “Djalli komik”. Në rajonin e përçarë ku zhvillohen ngjarjet, ka union, por siç ka kërkesa për exite, ka gjithashtu kërkesa për pranim. Me marrëveshje të përbashkët, merret vendim që ndaj Horketës, qytetit-shtet më të prapambetur dhe nga vërshonin emigrantë, të ngrihen mure. Arkitekt Danieli përgatitet për konkursin ndërkombëtar. Por si e koncepton maketin? Tërë konstrukti i ngjan formës së trupit të njeriut. Dhe ashtu si dy fytyra, ka dy shpina, veçse njërën të kthyer nga Horketa, tjetrën nga Vitistani. Kur e pyesin arkitektin se ku është betoni, ku janë hekurat dhe telat me gjemba, ai përgjigjet se nuk ka barrierë më të fortë, sesa kurrizi i njeriut. Sa herë që dikush ia kthen shpinën tjetrit, ka ngritur në mes një mur.

Me gjasë, për botën njerëzore ky do të mbetet i përjetshëm. Dhe këtu po ndalem, s’po i çoj më tej këto mure, pasi tek ne shoqërohen shpesh edhe me kobure. / bota.al


Kjo intervistë e shkrimtarit Zija Çela është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *