Home»“Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”»Intervista / Zef Preçi: Në 30 vite, nuk ndërtuam dot “urat” midis qytetarit dhe shtetit

Intervista / Zef Preçi: Në 30 vite, nuk ndërtuam dot “urat” midis qytetarit dhe shtetit

Zef Preçi është një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri. Në këtë intervistë për bota.al, në kuadër të serisë së reflektimeve mbi tranzicionin 30-vjeçar të Shqipërisë, Z. Preçi flet për ngjarjet që pasuan shembjen e Murit të Berlinit, ndikimin e tij mbi transformimet e mëdha në Shqipëri, por sidomos për qasjen që ne patëm ndaj shtetndërtimit, gjatë periudhës së tranzicionit.

Me syrin kritik dhe të ftohtë, tipik për një ekonomist, Z. Preçi ofron një panoramë të hollësishme mbi atë çfarë shkoi mirë dhe çfarë shkoi keq gjatë kësaj periudhe kritike të historisë së Shqipërisë.

Z. Preçi, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Duke u kthyer pas në kohë, pozicionin dhe perjetimin tim personal të asaj kohe, po e përshkruaj shkurt si vijon. Unë isha një nëpunës shteti (punonjës kërkimor në ish-Institutin e Studimeve Ekonomike – një agjenci shtetërore në varësi të ish-Komisionit të Planit të Shtetit (sot Ministria e Ekonomisë dhe Financave). Për shkak të punës që bëja, kisha akses në të dhënat makro-ekonomike të vendit si dhe në ecurinë e degëve dhe sektorëve kryesorë të ekonomisë së asaj kohe, por edhe në të dhënat mbi konsumin e familjeve shqiptare.

Duke qenë se kisha qenë i përfshirë në procesin e hartimit të prognozës së zhvillimit ekonomik e shoqëror për planin e fundit pesëvjeçar (1986-1990), kisha patur mundësinë të shihja përmes shifrave rrënimin ekonomik dhe rënien me shpejtësi të saj, në prag të shndërrimeve sistemike të vitit 1990. Edhe disa perpjekje kozmetike që ndërmori regjimi komunist gjatë vitit të fundit (diskutimi i lejimit të investimeve të huaja, mundësia e pagimit të vlerës së investimit të huaj me prodhimin vendas – të gjitha këto vetëm në fjalime politike) mëe dhanë të kuptoj situatën ekonomike gati pa rrugëdalje edhe pse politikisht regjimi shfaqej “i pathyeshem”… Kështu që, rënien e Murit të Berlinit e përjetova me simpati dhe shpresë, dhe e pashë si sinjalin përmes të cilit gota e mbushur plot po derdhej, dhe jo vetem në ish-RDGJ…

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Nuk ka diskutim se shembja e Murit të Berlinit ishte ndër ngjarjet politike më të rëndësishme të gjeneratës së cilës i përkas, dmth i gjeneratës së “booming babies” të pas Luftës së Dytë Botërore. Prej asaj kohe, janë dhënë shumë shpjegime të pafundme dhe janë thurur shumë teori – deri edhe teori konspirative – rreth shkaqeve të shembjes së sistemit të ekonomisë së centralizuar.

Nga këndvështrimi i një ekonomisti dhe studiuesi, në gjendjen në të cilën ishte ekonomia jonë në momentin e rënies së Murit të Berlinit, mund të konfirmoj se nëse në Europën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik sistemi u shua paqësisht, mbasi humbi të gjithë stimujt për të vazhduar më tej garën me ekonominë e tregut, përndryshe me sistemin kapitalist të Perëndimit, rënia e këtij sistemi në vendin tonë ishte një pasqyrim i kësaj situate. Vlen të theksohet se udhëheqja komuniste e kohës, pavarësisht deklaratave propagandistike për gjoja “rrugën e veçantë” që ndiqte Shqipëria në “ndërtimin e plotë të shoqërisë komuniste”, apo deklarimin se “Shqipëria nuk ishte as Lindje dhe as Perëndim”, ka ndjekur me kujdes zhvillimet në kampin Lindor të udhëhequr nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe është përgatitur jo vetëm ideologjikisht dhe politikisht, por ka marrë edhe masa të tilla mbrojtëse për elitën mbështetëse të saj, efektet e të cilave ndjehen edhe sot e kësaj dite…

Kur them ka ndjekur me kujdes zhvillimet politike në Europën Lindore, kam parasysh se jo vetëm një agjenci e specializuar shtetëtore siç ishte Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendor të ish-Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), por edhe Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, etj., deri edhe Instituti i Studimeve Ekonomike pranë Akademisë së Shkencave (në të cilin kam punuar edhe unë për rreth 10 vjet, derisa u mbyll në Shtator 1992), ka qenë përfshirë në ndjekjen e politikave dhe procesve reformuese në këto vende, përmes publikimeve periodike dhe botimeve speciale që merreshin prej tyre përmes ambasadave shqiptare jashtë vendit dhe kryesisht përmes Hungarisë.

Nuk po flas për politika të caktuara ekonomike duke përfshirë edhe zgjerimin e autonomisë së ndërmarrjeve shtetërore në fushën e eksporteve, apo deri edhe tufëzimi famëkeq i bagëtive në familjet fshatare, ishin dhe mbeten imitime të verbëra të politikave të ndjekura më parë nga vendet kryesore të bllokut komunist lindor… Me këtë nuk dua të them se “leksioni” kryesor që mori udhëheqja shqiptare nga rënia e Murit të Berlinit dhe vecçnërisht nga ndëshkimi kapital i Çausheskut, liderit komunist rumun pak javë më vonë, ishte se regjimi komunist shqiptar nuk mund të përballonte valën e ndryshimeve në Europën Lindore dhe ish-BS. Ndërkaq kryerja me vonesë e proceseve transformuese në vendin tonë, mendoj se duhet lexuar si një shans që elita politike komuniste i dha vetes, për të mbijetuar, por ndoshta edhe për të kontrolluar zhvillimet politike dhe ekonomike të këtushme, që pasuan rënien e Murit të Berlinit. Ndër to, mendoj se të një rëndësie të vecçantë mbeten vazhdimësia e PPSH (e vetmja e mbijetuar ndër partitë komuniste të vendeve të Europës Lindore), por me emër të ndryshuar dhe me një program përgjithësisht social-demokrat, por edhe fakti se sipërmarrësit e parë, shumica prej tyre janë të fuqishëm dhe kontrollojnë edhe sot e kësaj dite ekonominë dhe politikën shqiptare, vijnë nga radhët e stafeve të ngushta dhe nga administrata e lartë e atij regjimi… Dmth një lloj tërheqje e përkohshme e elitës së vjetër politike nga drejtimi, për t’u rishfaqur me përfaqësim të ri më vonë, ashtu sikurse edhe ndodhi…

Shkurt, ishte rënia e Murit të Berlinit faktori përcaktues edhe i ndryshimeve politike apo transformimit të kontrolluar sistemik edhe në vendin tonë. Historia e përafërt, për të mos thënë e njëjtë në këto vende të lindjes së partise komuniste, e marrjes së pushtetit prej saj, e ushtrimit gjakatar të tij, e shpronësimit të gjithçkaje private, e kontrollit të dhunshëm të jetës së secilit qytetar të shndërruar përgjatë 45 vjetëve në nënshtetas, etj., nuk mund të mos kishte edhe një fund të ngjashëm…

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim?

Eshtë e vështirë të karakterizosh tri dekadat e fundit në jetën politike, ekonomike e shoqërore të Shqipërisë me pak fjalë. Ajo që mund të thuhet është se gjatë kësaj periudhe janë realizuar ndryshime sistemike të pakthyeshme, në një proces transformimi historik të panjohur më parë, të kalimit nga ekonomia e centralizuar në një ekonomi të tregut. Siç dihet, në periudhën 1945-1990, institucionet ekonomike kanë qenë të mbeshtetura në pronësinë kolektive/shtetërore të mjeteve të prodhimit. Po kështu, planifikimi i ekonomisë kryhej nga qendra e ka qenë i detyrueshëm, si dhe ky planifikim ishte edhe mekanizmi i vetëm koordinues në nivel makro-ekonomik, me një rol në rritje, edhe pse anësor, të institucioneve të tregut. Gjatë kësaj periudhe, sistemi, në një vijë me teorinë e Marksit bazohej mbi premisën demagogjike: “nga secili bazuar në aftësitë e tij/saj, te secili bazuar në nevojat e tij/saj”…

E përmenda këtë të fundit për të thënë se shumica e shoqërisë shqiptare priste nga ndryshimi i sistemit të ekonomisë së centralizuar jo vetëm njohjen kushtetuese dhe respektimin në praktikë të të drejtave themelore të njeriut, të shkelura për dekada me radhë, por edhe një përmirësim të menjëhershëm të mirëqenies së familjeve shqiptare. E për këtë ndoshta kishte ndikuar edhe ngulitja te kjo shumicë e ideve themelore të Revolucionit Francez: “Liri-Barazi-Vëllazërim”.

Për fat të keq, kjo nuk ndodhi dhe përmirësimi i mirëqenies, edhe pse është real – Shqipëria është tranformuar nga një prej vendeve më të varfra të Europës në një vend me të ardhura mesatare të larta – por ky proces u shoqërua me një polarizim të thellë social, që është aktual më shumë se kurrë gjatë kësaj periudhe. Ndërsa burimet natyrore dhe ekonomike të përbashkëta, që u trashëguan nga periudha e ekonomisë së centralizuar kaluan në duart e kompanive të huaja dhe të sipërmarrësve vendas, shumë syresh të ardhur nga administrata e regjimit komunist.

Gjithashtu, gjatë dekadës së fundit, një numër prej tyre janë njohur edhe si oligarkë, dmth si sipërmarrës të fuqizuar falë afiliacionit politik dhe të pasuruar kryesisht nga fondet dhe pasuritë publike, falë klientelizmit qeveritar…

Ndonëse studimet e këtyre tre dekadave të fundit kanë provuar se vendet Perëndimore u gjendën fillimisht disi të papërgatitura për hapjen e vendeve Lindore, në vlerësimin tim ato kanë qenë plotësisht në anën e duhur të historisë, duke e pozicionuar rolin e tyre në nxitjen e proceseve demokratizuese në këto vende, në luftën kundër varfërisë dhe në ndërtimin e procesit integrues të tyre në vetë BE-në.

Sa i takon rrugëtimit të vendit tonë në këtë proces, mendoj se duhet të kemi një kënd-vështrim realist. Dmth nëse krahasojmë gjendjen e sotme të përgjithshme të zhvillimit të ekonomisë, të ndërtimit të institucioneve dhe të transformimit të shoqërisë shqiptare në tërësi, të ndodhur gjatë këtyre tre dekadave, me gjendjen e tyre në fillimet e ndryshimeve sistemike të 1990-tës, progresi i shënuar është i jashtëzakonshëm, transformimet janë të pakthyeshme dhe Shqipëria është një vend demokratik, me ekonomi të tregut të lirë. Në të njëjtën kohë, nëse krahasojmë këto arritje transformuese me mundësitë që janë krijuar gjatë së njëjtës periudhë, mendoj se elita politike dhe intelektuale e vendit nuk i ka shfrytezuar ato sa duhet. Dmth nëse këto mundësi do të ishin shfrytëzuar si dhe sa duhet, vendi ynë mund të kishte një status të zhvillimit social-ekonomik dhe nga pikëpamja e maturisë së funksionimit të institucioneve të ekonomisë së tregut, por edhe të demokracisë, krejt të ndryshëm dhe shumë të avancuar se ky që kemi aktualisht…

Pa dashur të justifikoj dështimet e kësaj periudhe dhe as të glorifikoj arritjet e saj, mendoj se mund dhe duhej të ishte bërë më shumë për të krijuar institucione më të qëndrueshme, që garantojnë një ndarje reale të pushtetit, për rrjedhojë edhe një funksionim më të mirë të tij; mund të ishte evituar apo zgjidhur me kosto shume më të ulet kriza e përgjithshme e vitit 1996-1997: mund të përdoreshin metoda më të suksesshme për futjen në qarkullimin ekonomik të burimeve natyrore e njerëzore të vendit; mund të vendoseshin raporte më të balancuara midis kapitalit vendas dhe atij të huaj në shfrytëzimin e burimeve natyrore: mund të përdorej më mirë kapitali njerëzor i krijuar gjatë kësaj periudhe, etj.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Në periudhën e regjimit komunist, në lëndën e ekonomisë politike, në përpjekje për të promovuar zhvillimin ekonomiko-shoqëror pa kriza gjoja në socializmin tonë të asaj kohe, ndër të tjera studentëve u thuhej edhe se “krizat janë bashkëudhëtare të kapitalizmit”. Mbas tri dekadash jete aktive në një shoqëri demokratike dhe ekonomie të tregut, mund të shtoj se zhvillim pa kriza të natyrave nga më të ndryshmet, nuk mund të ketë as në sistemin e ekonomisë së tregut, por janë pikërisht krizat që krijojnë mundësitë për korrigjimin e politikave ekonomike që ndiqen në kohë të caktuara, si dhe për nxjerrjen e përvojave të nevojshme që mund të përgjithësohen dhe të zbatohen pastaj në vendet e tjera, për të lehtësuar efektet e krizave…

Në kontekstin e mësipërm, duke marrë parasysh edhe arritjet e derisotme sidomos në drejtim të konsolidimit të institucioneve të ekonomisë se tregut dhe te shoqerise demokratike, mund t”i lejoj vetes te hamendesoj se ku do te jete Shqiperia mbas dy apo tri dekadash te tjera. Keshtu, uroj dhe shpresoj qe deri atehere Shqiperia te jete antaresuar plotesisht ne BE; te jete nje vend i stabilizuar nga pikepamja e ndertimit te institucioneve krejtesisht te ngjashme me institucionet homologe ne vendet e BE-se, (dmth te kete marre fund periudha e eksperimenteve dhe diletantizimit ne ndertimin e tyre, sikurse po ndodh sidomos gjate dekades se fundit); qe standardet e sherbimeve publike baze si arsimi dhe shendetesia te jene perafruar me keto vende, dmth qe te jete frenuar braktisja e vendit dhe vendi yne te jete bere i jetueshem, pra nje vend normal Europian…

Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Eshtë e vështirë që të japësh një përgjigje ezauruese për këtë pyetje tuajën. Ajo që mund të thuhet është se kushtet social-ekonomike të tranzicionit shqiptar, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut dhe nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri demokratike, ishin të disfavorshme dhe deri diku përcaktuan shpejtësinë dhe suksesin e këtij procesi.

Kështu eleminimi tërësisht i klasës së mesme dhe të pasur të vendit gjatë regjimit komunist dhe centralizimi ekstrem i vendim-marrjes ekonomike kishte topitur nismën private, por nuk duhej lejuar që të kalohej në privatizimin ekstrem të gjithçkaje të trashëguar shtetërore, sikurse po ndodh… Kjo ka rrezikun tjetër që në kushtet e korruopsionit glopant, sistemit juridik të çalë, institucioneve të dobëta të rregullimit të tregjeve, mund të cojë në kontrollin e ekonomisë nga disa biznese të mëdha, kryesisht lobiste dhe oligarke, por që kufizon dukshem konkurrencën – motorrin e vetëm të ekonomisë së tregut…

Edhe pse është debat disi teorik, nuk mund ta lëmë jashtë diskutimit edhe problemin e raportit midis ndërhyrjes shtetërore dhe lirisë së funksionimit të tregut, të njohur ndryshe edhe si rregullimi përballë derregullimit. Në rastin e vendit tonë, çmontimi i mekanizmave të ekonomisë së centralizuar u bë pa krijuar dhe në mungesë të mekanizmave adekuate të ekonomisë së tregut. Për rrjedhojë, boshllëkun e krijuar e plotësoi menjëherë ekonomia informale dhe ajo kriminale. Këtu mund dhe duhet gjetur edhe shpjegimi bazë për krizën e rëndë të piramidave financiare të vitit 1997. Nuk po them që keq-funksionimi i këtyre institucioneve dhe dobësitë institucionale të agjensive ligj-zbatuese dhe të vetë ekzekutivit sollën edhe zgjerimin e ekonomise kriminale, siç ishte kanabizimi i vendit më 2016-17, pasojat e të cilit do të ndjehen ndoshta edhe një apo dy dekadat e ardhshme në vendin tonë. Dmth procesi i rregullimit shtetëror në tërësi, u shoqërua me dobësi serioze në zbatimin e ligjit dhe në ndërtimin e institucioneve që mundësojnë një ekonomi të tregut të lirë, në kuptimin perëndimor të kësaj fjale.

Apatia e shoqërisë për fatet e përbashkëta, natyra klanore e shoqërisë në tërësi, mungesa e vlerave të komunitetit, etj., bënë që edhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, gjatë tri dekadave të fundit, më shumë të promovohen, se sa të zbatohen. Kështu, të drejtat civile dhe politike, në vlerësimin tim, kanë gjetur disi zbatim, ndërsa të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore janë ende larg pritshmërive apo edhe garancive që ofron Kushtetuta e vendit. Ndoshta këtu duhen kërkuar përgjigjet edhe për shkallën e ulët të aktivizmit civil, për individualizmin që sundon në shoqërinë e sotme shqiptare, etj., dmth për keq-qeverisjen dhe mungesen e “check & balance” në tërësi.

Në mënyrë të drejpërdrejtë, mendoj se arritja më e madhe e kësaj periudhe është dominimi i sektorit privat të ekonomisë sonë kombëtare, çlirimi i potencialeve sipërmarrëse, sidomos në biznesin e vogël dhe të mesëm.

Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Në kohë të ndryshme, jam njohur edhe unë me raporte dhe analiza të tilla, por duke rënë dakord me klasifikimin që i bëhet qasjes së ndjekur nga elita politike drejtuese e vendit tonë, gjatë tri dekadave të fundit, mendoj se proceset transformuese në ekonominë dhe në shoqërinë shqiptare janë mbështetur mbi receta të njohura, të zbatuara më parë në vende të tjera ish socialiste të Lindjes, por që në mjaft raste kanë injoruar si gjendjen e përgjithshme të ekonomisë dhe të shoqërisë në momentin e fillimit të ndryshimeve sistemike të 1990-ës, ashtu edhe trashëgiminë historike, sidmos sa i takon akumulimit të brezave në procesin e shtetformimit. Kështu, varfëria e tejskajshme e trashëguar nga regjimi komunist, për shkak të politikave të gabuara ekonomike dhe sidomos për shkak të mbylljes së vendit ndaj botës, ka bërë që programet e luftës kundër varfërisë që kanë qenë gjatë gjithë kësaj periudhe në themel të mbështetjes së Bankës Botërore dhe të FMN-së, nuk kanë arritur ta çlirojnë shtetin nga karakteri asistencialist. Dmth programet pro rritjes dhe zhvillimit kanë mbetur në plan të dytë, ose nuk kanë arritur plotësisht objektivat e veta në këtë drejtim.

Duhet theksuar se për shkak të kushtëzimit të dukshem të programeve qeveritare nga mbështetja e institucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, dallimet programore midis qeverive të majta dhe të djatha kanë mbetur kryesisht në planin propagandistik, dmth qasja graduale e vendit tonë, nuk duhet parë thjesht dhe vetëm si zgjedhje preferenciale e elitës politike drejtuese të vendit. Ndërsa kriza e përgjithshme e vitit 1997 në Shqipëri shënoi hapa pas në ndërtimin e shtetit të së drejtës, solli dëme të mëdha në funksionimin demokratik të institucioneve te tij, si dhe zbehu vrullin e reformave transformuese drejt anëtarësimit të vendit në BE.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.

Për ata që s’e dinë, po rikujtoj se me 21 shkurt 1991, Parlamenti Evropian ka pas miratuar projekt-rezolutën e paraqitur nga Komisioni Politik për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Komunitetin Evropian. Prej asaj dite negociatat kane qenë të çelura nga ana e BE-së, por problemi mendoj se ka mbetur konstant tek keq-qeverisja dhe mungesa e vullnetit politik të elitës politike shqiptare. Ndërkaq, duhet të jemi realistë dhe bëjmë dallimin e duhur midis detyrave të qeverisë mbi bazën e programit të saj politik të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, dhe vetë integrimit si angazhim i saj që çertifikohet nga institucionet e BE-së. Dmth qytetarët shqiptarë, duke qenë pro BE-së dhe integrimit të vendit në këtë union, nuk duhet të harrojnë se është në përgjegjësitë individuale dhe si komunitet zgjedhja e përfaqësuesve të vet dhe rritja e kontrollit mbi veprimtarinë e tyre. Dmth roli i fuqive të mëdha në raport me shqiptarët ka përfunduar qysh me njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur me 1912 dhe çfarëdo roli tjetër prej asaj kohe është mbështetës dhe në funksion të interesave bilaterale dhe multilaterale të tyre, por kurrësesi nuk mund të zëvendësojë institucionet vendase dhe aq më pak të ushtrojë përgjegjësitë e tyre institucionale. Duhet theksuar se kostot e qeverisjes, problemet sociale që kanë shoqëruar tranzicionin tonë, sjellja e papërgjegjshme e një pjese të mirë të elitës politike drejtuese të vendit, nuk kanë lejuar që të ndërtohen “urat” e nevojshme midis qytetarit dhe shtetit, aq të rëndësishme në vendet demokratike. Kështu, shoqëria shqiptare e dëmtuar nga sundimi komunist, në mungesë të shumicës së lirive indviduale dhe plotësisht të vlerave komunitare e fetare, nuk ka arritur të rikrijojë apo të krijojë rishtazi ato elemente sociale aq të rëndësishme, që mundësojnë kontrollin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së të zgjedhurve politikë dhe të administratës publike në tërësi. Për rrjedhojë, institucionet e shtetit të së drejtës, posaçërisht sistemi juridik i vendit, nuk është akoma pjesë e mentalitetit të qytetareve apo “mindset”-it të tyre, qeverisja mbetet e lidhur ngushtë me rolin e individëve të caktuar të cilët nga ana tyre ishin dhe mbeten gjatë gjithë kësaj periudhe, jashtë çdo kontrolli dhe e personalizojnë ushtrimin e pushtetit deri në rrënimin e plotë të çdo norme demokratike dhe llogaridhënieje në partitë politike prej nga kanë ardhur, apo më keq akoma edhe ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Kështuqë qytetarët shqiptarë kthehen me sytë nga ambasadorët perëndimorë të akredituar në Tiranë dhe besimi publik ndaj BE-së shkon në shifrat që ju përmendni… Dmth shoqërisë shqiptare, për fat të keq, i mungon të menduarit kritik, sepse kjo shkallë besimi ndaj BE-së nuk reflekton njohjen me koshiencë dhe respektimin e sistemit të vlerave humane që përfaqeson ky union, as pranimin e sundimit të ligjit siç ndodh në shoqëritë perëndimore, por thjesht një shpresë për sigurimin e oportuniteteve më të domosdoshme të jetesës, për ata qytetarë shqiptarë që shpresojnë të largohen nga vendi duke përfituar nga lëvizja e lirë mbas anëtarësimit në BE, si dhe për rritjen e kontrollit të burokracisë së Brukselit mbi qeverisjen shqiptare, që vazhdon të perceptohet, jo pa të drejtë, ende si pushtuese e fateve të përbashkëta dhe ushtruese abuzive e pushtetit prej saj.

Sipas mendimit tim, kjo lloj “dashurie” e shqiptarëve ndaj BE-së duket disi e njëanshme dhe shkon kundër perceptimit të qytetarëve perëndimore, shumë herë negativist për sjelljen e bashkatdhetarëve tanë në vendet e tyre, sidomos sa i takon përfshirjes në akte paligjshmërie që sjellin shqetësim për ta. Të mos harrojmë se si zhvillimet e brendshme politike dhe ekonomike në vendin tonë dhe kryesisht ato, por edhe vetë zhvillimet në radhët e BE-së, kanë zgjeruar më tej “gërshërën” e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit tonë në këtë union.

Ecuria e ngadalshme e proceseve reformuese me ndikim në përmirësimin e funksionimit të demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, rritja e ngadalshme ekonomike sidomos gjatë dekadës së fundit, lufta e ashpër politike e motivuar thellësisht nga interesat e mbajtjes me çdo kusht apo marrjes me çdo kusht të pushtetit, mungesa e alternativave zhvillimore, shterrimi i burimeve ekstensive të rritjes ekonomike, rritja e ndikimit të lobistëve dhe oligarkisë mbi vendim-marrjen e qeverisë dhe ligje-bërjen e Kuvendit të Shqipërisë, etj., kanë bërë që besimi i qytetarëve ndaj shtetit të së drejtës të mbetet në nivele të ulëta. Kështu që qytetarët shqiptarë, në mënyrë masive tentojnë të largohen drejt BE-së dhe vendeve të tjera Perëndimore dhe SHBA-ve dhe vitet e fundit edhe një numër në rritje individësh të shkolluar dhe disa syresh sëbashku edhe me kursimet dhe kapitalet e tyre familjare. Për rrjedhojë, Shqipëria ka mbetur në dyert e Europës, por me probleme serioze të qeverisjes së saj.

Nga ana tjetër, edhe vetë BE, gjatë historisë së vet prej fillimit të krijimit të unionit, është transformuar duke respektuar principet e krijimit të saj, vlerat humane, demokratike dhe civilizuese që përfaqëson, por duke i pasuruar ato më tej me kritere dhe standarde që lidhen me të drejtat themelore të njeriut, funksionalitetin e shtetit demokratik dhe adoptimin e ekonomisë së tregut të lirë. Këto të fundit janë bërë më të rëndësishme sidomos mbas valës së parë të zgjerimit të BE-së dhe konflikteve të përgjakshme që shoqëruan shpërbërjen e perandorisë jugosllave në rajonin tonë.

Si rezultat, vetë procesi i integrimit është bërë edhe më kompleks, kërkon pjesëmarrje qytetare aktive dhe në rritje si dhe shtim të llogaridhënies së qeverisë; qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme larg propagandës boshe dhe thjesht justifikuese të dështimeve siç po ndodh aktualisht, e mbi të gjitha ushtrim demokratik dhe legjitim të pushtetit nga ana e qeverise në emër dhe për llogari të qytetarëve të vendit dhe jo thjesht për interesat e një grupi sipërmarrësish, lobistësh dhe oligarkësh klientë të saj. Janë këta dhe të tjerë faktorë politikë, historikë e shoqërorë që kanë sjellë që Shqipëria të jetë “në vagonin e fundit në procesin e integrimit në BE, gjë që bën të domosdoshme jo vetëm njohjen, por edhe kapërcimin hap mbas hapi të këtyre sfidave, si rruga që do të shkurtonte në kohë distancën për finalizimin e këtij procesi.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Mendoj se duhet të jemi realistë dhe të kujdesshëm në gjykimin e rolit të individëve dhe të vetë klasës politike të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit. Sipas mendimit tim, ruajtja e partisë politike të trashëguar nga regjimi komunist dhe deri-diku kontrolli (për të mos thënë ndoshta edhe pilotimi) prej saj i partive politike jo-komuniste apo të spektrit tjetër politik të vendit, ka konservuar jo vetëm format organizative të pjesëmarrjes së qytetarëve në politikë, por edhe raportet e individit me formacionet politike. Për rrjedhojë elita politike në tërësi është formësuar nga inteligjencia e arsimuar dhe e formuar gjatë regjimit komunist, duke mos i lënë vend të mjaftueshëm asaj të periudhës së mëvonshme, ndërsa administrata publike e krijuar nga partitë apo koalicionet fituese gjate tri dekadave të fundit mbetet një shëmbëlltyrë e keqe e partive politike prej nga ka dalë, sidomos përsa i takon politizimit të saj, referimit të individeve dhe jo të ligjit në ushtrimin e funksioneve të saj në ofrimin e shërbimeve publike, mungesës së ekspertizës dhe sundimit të mediokritetit profesional, etj. Kjo situatë që kulmoi me amendimet kushtetuese të Prillit 2008, asgjësoi plotësisht çfarëdo lloj forme të llogaridhënies në parti dhe bëri thjesht formale edhe llogaridhënien e qeverisë, ndërsa parlamentarizmi u shndërua nga të zgjedhur në të emëruar të kryetarit të radhës dhe pa lidhje shpirtërore, apo në këndvështrimin e përgjegjësive që lindin nga përfaqësimi demokratik i zgjedhësve, votuesve apo takspaguesve shqiptarë. Ky evolucion sipas meje negativ i elitës politike në tërësi, nuk mund të mos ndikonte edhe në ridimensionimin e lirive demokratike të shoqërisë në tërësi dhe në rolin e pjesës më të arsimuar dhe të iluminuar të shoqërisë, që për lehtësi shprehjeje po e thërres intelegjencia e vendit. Ndërsa për shoqërinë në tërësi u rrit perceptimi negativ mbi korrupsionin dhe abuzimin nga ana e qeverisë së radhës, pjesa tjetër e shoqërisë u bë edhe më e pandjeshme ndaj interesit publik dhe deri-diku edhe u konformua me këtë situatë. Dmth, inteligjencia e vendit u neutralizua dhe gradualisht humbi rolin e vet transformues në shoqëri, ndërsa grupime politike me emra tërheqës (psh KOP-i apo Rilindja) morën mbi vete fatet e qeverisjes së vendit, posaçërisht burimet natyrore, ekonomike dhe financiare të rritjes dhe të zhvillimit të tij.

Për ta përmbledhur, mbas tri dekadash qe nga transformimet sistemike të 1990-tës, si dhe duke marrë parasysh se dy partitë kryesore politike të të dy krahëve kryesorë politikë e kanë shfaqur veten për një periudhë afërsisht të barabartë në pushtet dhe në opozitë, mund të konkludohet se, për fat të keq, elita politike e vendit nuk ka arritur të ngrihet në lartësinë e detyrave të kohës, të shndërrojë në mundësi për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, mbështetjen dhe vullnetin publik, energjitë pozitive dhe sakrificat e qytetarëve shqiptarë gjatë kësaj periudhe. Pra, vendi mbeti në duart e komunistëve të konvertuar, por me mentalitetin sundues të regjimit të shkuar, si dhe imponoi një inteligjencie konformiste, që përherë e më shumë synon largimin nga vendi, se sa ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të zhvilluar brenda tij. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe roli në rënie i shoqërise civile dhe aktivizmit qytetar në tërësi.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Ndoshta kjo pyetje ka lidhje më shumë me vetë rolin e shtetit. Unë mendoj se në rastin e vendit tonë, kemi një përzierje të trashëgimisë historike (shteti në të shkuarën ka qenë diçka e huaj për qytetarët, thjesht një instrument shtypjeje dhe shfrytëzimi), si dhe të rolit paternalist të shtetit – shteti mori përsipër rolin e “babait” për plotësimin e të gjitha nevojave të individit dhe familjes, mbasi e kishte zhveshur nga çfarëdolloj prone dhe puna ishte më shumë punë e detyruar, në kushtet e pamundesise së lëvizjes së lirë gjatë regjimit të shkuar, pa folur për faktin se vetë shteti ynë nacional është relativisht i ri – vetëm njëshekullor. Si rrjedhojë, sundimi i ligjit ishte i lidhur me pushtimin në periudhën para pavarësisë, u shfaq gjatë periudhes së mbretit Zog me kufizimet e kohës, si dhe nuk ishte koshient gjatë sundimit komunist të Hoxhës.

Gjatë tri dekadave të fundit, për një numër shkaqesh të brendshme dhe të jashtme, mendoj se politikat shtetërore kanë qenë fokusuar më shumë në ndërtimin e infrastrukturës fizike dhe ligjore të ekonomise së tregut, dhe më pak në “ndërtimin” e kapitalit human. Për këtë mjafton të shohim shpenzimet publike gjate tri dekadave të fundit për zhvillimin e sistemin arsimor të vendit, i cili si për ironi të fatit, ka qenë edhe ndër objektivat programore të qeverisë qysh nga fillimet e funksionimit të shtetit shqiptar (viti 1920) si dhe renditjen e universiteteve shqiptare në botën e sotme. Me këtë dua të them se, ashtu siç na mëson historia e vendeve të qytetëruara demokratike Perëndimore, shndërrimi i sundimit të ligjit në pjesë të mentalitetit të përditshëm të “qytetarit mesatar” kushtëzohet dukshëm nga shkalla e zhvillimit të arsimit të vendit, në të gjitha nivelet e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në lidhje me pagimin e taksave nga qytetarët dhe sipërmarjet. Në lidhje me këto të fundit, për fat të keq, edhe mbas tri dekadash nuk kemi arritur ende të ndërtojmë “ura” midis kontributeve në tatime-taksa dhe përfitimeve prej tyre, gjë që është thelbesore për sundimin e ligjit në këtë fushë. Ndoshta këtu është edhe përgjigja pjesore për shkallën e lartë të infomalitetit ekonomik që sundon në vendin tonë.

Shkurt, megjithë përparimin e shënuar, krjimi i një mentaliteti mbizotërues në shoqërinë në tërësi dhe jo vetëm në segmente të caktuara të saj rreth sundimit të ligjit, mbetet një detyrë e vështirë që ndoshta i kalon kufinjtë e një apo dy gjeneratave, dmth mbetet të shpresojmë se kjo do të ndodhë me brezin e ri të Shqipërisë.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Si ekonomist, më pëlqejnë shifrat dhe përpiqem të kuptoj domethënien dhe se çfarë fshihet mbas tyre… E nëse pyetja në fjalë nuk mund të shprehet në mënyrë statistikore, mendoj se e ardhmja për qytetarët shqiptarë rezervon më shumë mundësi për punë të lirë, për njohjen dhe respektimin ligjor dhe shoqëror të pronës private, për lëvizje të lirë në një Europë demokratike, por edhe më shumë konkurrencë, sakrifica dhe taksa për t’u paguar…

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Eshtë vështirë të imagjinosh kaq larg në kohën e ardhshme… Personalisht mendoj se mbas tridhjetë vjetësh Shqipëria do të jetë një vend normal dhe ekonomikisht i zhvilluar, me të paktën 3 milionë banorë shqiptare, që jetojnë në të dhe që gëzojnë frutet e mundit dhe djersës së tyre, dmth një vend i jetueshëm… / bota.al


Kjo intervistë e Z. Zef Preçi është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *