Home»“Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”»INTERVISTA / Dr. Vera Bekteshi: Demokracia jonë, midis humbjes dhe fitores…

INTERVISTA / Dr. Vera Bekteshi: Demokracia jonë, midis humbjes dhe fitores…

Dr. Vera Bekteshi, shkrimtare, ka shumë për të thënë në lidhje me tridhjetë vitet e tranzicionit të Shqipërisë. Pedagogen e Fizikës, e diplomuar në vitin 1969 në Fakultetin e Shkencave, shembja e komunizmit e gjeti të internuar në fshatin Vodëz të Beratit, në një izolim që e pati zanafillën në spastrimet e mëdha të Enver Hoxhës, mbi ushtarakët e lartë, pjesë e të cilëve ishte dhe babai i saj.

Ndjesinë e parë për transformimet e mëdha që pritej të ndodhnin, siç thotë vetë, nuk e pati nga jehona e shembjes së Murit të Berlinit, por nga një tjetër lajm, plot një vit më herët, të cilin e kishte dëgjuar në fshehtësi tek RAI. Një “tronditje”, që e bëri të kuptojë se kish nisur të ndodhte, ajo çfarë priste prej kohësh…

Znj. Bekteshi, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithsecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Isha ende në fshatin Vodëz të rrethit të Beratit, duke dëgjuar lajmet në radio RAI, mbrëmjen e 9 nëntor-it të vitit 1989, kur sapo filloi shembja  e murit të Berlinit. Ishte një lajm shumë gëzuar, por që nuk më habiti. Një vit më parë në të njëjtën orë dhe radio kisha dëgjuar një tjetër lajm shpresëdhënës, veçanërisht për ne që i prisnim ndryshimet me gojë hapur. Ky lajm, në dukje i parëndësishëm, më tronditi shumë. Dhe nga ajo tronditje kuptova se ajo që pritej prej kohësh sapo kish filluar. I got it, pra e kisha lexuar drejt mesazhin e këtij lami, bota jonë do të ndryshonte së shpejti. Po cili qe lajmi në radio RAI?

Anna Larina Buharina, arriti që në fund të 1988-ës, pas 50 vitesh burgje dhe internime, t’i transmetonte Gorbatchev-it, testamentin gojor të të shoqit, që ajo për të mos e harruar, e përsëriste çdo natë si lutje. Ishte gruaja e dytë e një prej drejtuesve kryesorë të Bashkimit Sovjetik dhe një prej kritikuesve të Stalinit për tejkalimet e tij të pushtetit dhe shfarosjet në masë të kryera gjatë atyre viteve. Nikolai Buharini, si krahu i fshehtë i Trockit, u vra prej Stalinit në 1938. Lajmi vazhdonte:

“Mijëra qytetarë rusë vizitojnë të venë e Buharinit, të sapo kthyer nga burgimet dhe internimet e gjata në Siberi, në apartamentin e saj modest në Moskë”.

Kjo e fundit më rrëqethi mishin.

E zgjata këtë histori për të treguar se sa me ankth po i prisnim ndryshimet, ndryshime që nuk mund të ndodhnin pa shembje muresh… dhe asaj kohe vërtet do doja të kisha në duar një copë të atij muri të mallkuar.

Kur vite më pas, në Berlinin e viteve dymijë pashë pjesëza të ruajtura aty këtu sëbashku me foton e dy udhëheqësve që putheshin në buzë (?! ), ato relike muri mu dukën si të gjitha mbetjet e tragjedive, që në fund kthehen në farsë, mbeturina si të gjitha të tjerat, por që deri atëherë kishin qenë burim fatkeqësish të panumërta.

A mendoni që shembja e murit të Berlinit qindra kilometra larg, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillim e ngjarjeve në vendin tonë?

Mendoj se po, shumë madje. Së paku ne ish të dënuarit vërshuam nëpër qytete, kryesisht në Tiranë, duke kërkuar ndonjë strehë për të filluar një jetë të re. Shqipëria ziente, por dukej se jo kudo njësoj.

Në vizitat që bëja herë pas here në Tiranë, takova diku në bulevard, afër Fakultetit të Shkencave të Natyrës, një prej shokëve të mi të kursit, me të cilin pëshpëritnim kritika apo tallje për pushtetin. Ishte korçar nga një familje e vjetër dhe e pasur.

– Ore Neq, çfarë po bën Korça pse nuk po ndihet, pse po vonon?

– Po ja moj shoqe, që mirse na ardhe, të gjithë kishim lepurin në bark, po ai toni paska qëlluar femër dhe me sa duket na polli dhe ca këlyshë. Po kur ta bëjë Korça, do ta bëjë përsëmbari, mos u merakos!

– Po jo bre, jam në merak ku të fus kokën – iu përgjigja.

Pastaj erdhën ditët kur vërshuam të gjithë sëbashku për të rrëzuar simbolet e atij regjimi mizor.

Mendoj se asgjë nuk do të ishte bërë pa shembjen e murit, pa këtë ngjarje me përmasa historike, por që ishte vetëm hapi i fundit i një revolucioni të heshtur, që po zhvillohej prej muajsh në vendet e lindjes komuniste të kohës. Lëvizja e opozitës gjermano – lindore, në pranverën e po atij viti mundësoi lëvizjen e lirë të banorëve përmes Hungarisë, që nga ana e saj qe e para që hapi kufijtë me perëndimin austriak.

Nuk do të kish ndodhur ndryshimi i madh pa lëvizjen polake të Solidarnosc-it dhe sigurisht pa papa Vojtilën e tyre.

Nuk do të kish ndodhur pa një vjeshtë të vonë çeke, që në nëntor të po atij viti solli pa gjakderdhje, fundin e socializmit në Çekosllovaki.

Pastaj, apo më saktë ishte Hungaria, me veçantitë e saj, që e pati filluar luftën shumë herët, që më 1956 -ën, me revolucionin e Imre Nagy-it dhe që sërish para të tjerëve, në vitin 1988, me një manifestim të madh ambjentalist, më i madhi kundër qeverisë komuniste hungareze, ku 50 mijë njerëz të mbledhur në Budapest kundërshtuan ndërtimin e një dige të madhe në Danub. Ky manifestim u bë simbol i përkuljes së pushtetit përballë vullnetit të qytetarëve.

Po ajo që tronditi nga themelet regjimin tonë, ajo që e trembi vërtet atë, qe ngjarja rumune me vrasjen thuajse pa gjyq të çiftit Çaushesku.

Të gjitha këto ngjarje na rritën, na mësuan, na hapën sytë se edhe diktaturat mund të shemben…

Ka pasur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni pasur një rol në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Në ato vite mësuam shumë thënie për demokracinë, që na ngushëllonin paksa për hapat e ngadalshëm me të cilat po ecnim në rrugën e re. Njëra nga to qe ajo e Alexis de Tocqueville, që e krahasonte lëvizjen baticë – zbaticë të valëve të detit, që sipas rastit fiton apo humb terren, me demokracinë,  që noton midis humbjes dhe fitores, me rezultat final këtë të fundit.

Lexonim dhe mësonim, për të kuptuar çfarë po ndodhte, ku po shkonim, edhe pa pasur asnjë rol në ato momente kritike, veçse duke pluguar bahçen tonë, pra duke u përpjekur për të fituar bukën e përditshme, siç thoshte Volteri.  Mu desh të mblidhja veten pas asaj që na pat ndodhur të gjithëve, “Secilit sipas mundësive, secilit sipas nevojave”, siç thuhej atëherë për sistemin që prisnim të ndërtonim me daulle zhurmë mëdha…

Mua dhe shumë të tjerëve na u desh të ri-integroheshim në jetën qytetase, e më pas në atë profesionale, duke shpresuar se një ditë edhe ne do t’i bashkoheshim korit të rrëfimtarëve për atë që na ndodhi dhe pse na ndodhi.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, nga ai vit i largët i 1989?

Ajo që mund të imagjinoja disi para tridhjetë vitesh është goxha larg me atë që shoh sot.

Më kujtohet, kur ishim ende në fshat në vitin e fillimit të fundit, pra në 1989 – ën dhe kur një bashkëvuajtëse, që shkonte shpesh në Tiranë për të marrë pjesë në Refleksionet e famshme,  më pat thënë:

“Tani janë shumë të bashkuar dhe shumë entuziastë, por sapo të fillojë lufta për pushtet do ta hanë njeri tjetrin, si këta që na sollën këtu”

“Kaq egërsisht – i thashë.

“Njësoj, mbase më keq, veç nuk do presin më koka, sepse nuk do munden”.

Më trishtoi pa masë, sepse si romantike e pashpallur, unë shpresoja më shumë, shpresoja tek ai njeriu i ri, që nuk u ndërtua dot për 50 vjet, por që mund të ndërtohej tani me shpejtësi  për shkak motivimesh të fuqishme. Po si? Prej brumit të vjetër do krijohej ky njeri i ri?

Ajo, shoqja ime e dikurshme, që e kuptoi këtë gjë më shpejt se unë, iku që në 1993 –in në Austri, pas të vëllait, dhe sot është përbukuri, sëbashku me gjithë familjen e saj, përbukuri!

Kurse ne zvarritemi me pensione qesharake, me mjekësi private “të lulëzuar”, por të papërballueshme dhe me atë shtetërore me aq shumë mungesa…

Pavarësisht entuziazmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë:

Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve?

Dhe çfarë shkoi keq?

Po e filloj me pasurinë kombëtare, atë që na përkiste të gjithëve dhe që u nda e po ndahet në mënyrën më të keqe të mundshme, praktikisht që u vodh e po vazhdon të vidhet. Pushtetarëve tanë “të rinj” do u mjaftonte të merrnim modelin çek apo atë hungarez, apo ku e di unë se çfarë, do u mjaftonte një model, ai më i thjeshti, për të bërë një inventar kombëtar dhe për ta ndarë ndershmërisht midis popullsisë ekzistuese të atyre viteve. Do duhej veçse një pjesëtim i thjeshtë. Pse nuk e bënë, nuk ditën apo nuk deshën. A nuk i patën këshilltarët e huaj për t’u hapur sytë?

Drejtësia e diktaturës u zëvendësua me një drejtësi të re, që është ajo e përvetësimit (në se duam të shprehemi në mënyrë më etike), sepse nuk ka robëri më të madhe se varfëria, mbasi prona u mor, u tjetërsua dhe të gjitha më pas shkuan zinxhir…

Edukimi në përgjithësi, me shkollat jo vetëm të shkatërruara fizikisht, por me përmbajtje të dobët të kurikulave dhe mësim dhënies, në përgjithësi me mësues të pashkolluar, militantë partie, e gjithfarësoj revanshisti që prapsi qytetarin e ndershëm në favor të njeriut të ri të pangopur…

A e dini se sivjet dega e fizikës në Universitetin shtetëror të Tiranës u mbyll, dega e fizikës për mësues, ajo specialja po e po, ajo që e ndjekin kudo në botë vetëm një pakicë gjimnazistësh të përzgjedhur.

Institutet shkencore aq të rëndësishëm për ekonominë dhe jetën tonë në tërësi u mbyllën ose u rrudhën me buxhete qesharake, duke u strehuar nën emra të mëdhenj si Gjeoshkenca apo ku ta di unë, ku departamente aq të rëndësishëm si ai i klimës, drejtohen nga agronomë apo veterinerë, a thua se u shua bota për një fizikan apo klimatolog të mirë formuar këtu, apo në universitetet e huaja.

Mjekësia, njësoj si drejtësia, me profesionistë të pandërgjegjshëm, që nuk i përmbahen betimit të Hipokratit (kam parë veçse një mjeke të lagjes sime që e mban në mur këtë betim dhe që e zbaton siç duhet, por që për fat, nuk është e vetmja  në klinikën Nr. 5 të lagjes ku banoj), po abuzojnë me shëndetin tonë, me gjënë më të vyer që natyra na dhuron, pas jetës.

Mjedisin, që e gjetëm të handakosur me burime të shfrytëzuara më së keqi, tani jo vetëm po e shfrytëzojmë pa më të voglin kriter, por po e shfarosim. Jam e qartë sikurse të gjithë, se nuk është vetëm faji ynë, se kjo tashmë përbën një çështje globale, por ne nuk po menaxhojmë dot as plehrat që prodhojmë. Dhe kështu me radhë, të gjithë sektorët jetësorë që u ranë në dorë për menaxhim mjeshtërve që polli koha, u katandisën kështu siç e shohim dhe provojmë në lëkurën tonë…

Dhe, iu lutem të dashur gazetarë, njerëz të masmedias, në këtë kuadër, meqenëse po flitet për atë që është bërë tashmë një shqetësim planetar, ju lutem prononcohuni drejt së paku  formalisht, pra thoni dhe shkruani ndryshime klimatike apo të klimës dhe jo klimaterike, kushtojini pak vëmendje drejtshkrimit, sepse gjuha është identiteti, pasaporta e njeriut, thotë Umberto Eco….

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë sot tri dekada më pas, Shqipëria ende pret tek porta. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë të mundur ta humbasim trenin e integrimit gjatë këtyre 30 viteve?

Kjo vonesë me siguri që nuk vjen për shkak të punës së dobët të njerëzve të thjeshtë, të atyre që nuk pyeten për asgjë dhe që ftohen vetëm për t’u marrë votën.

Është një e vërtetë e thjeshtë që e njohim të gjithë, se Evropa nuk na do për sytë e bukur, në se i kemi vërtet të tillë. Asaj i pëlqejnë më shumë të vetët, sepse i ka me ngjyrë. Evropa, për shembull, do preferonte shumë natyrën tonë të virgjër me lumenj të egër, pyje të paprekur, bregdet të pabetonuar, ushqime të pastra dhe territor pa plehra.

Me se tjetër mund të konkurrojmë ne për në Evropën e kulturuar plot lule, përveçse me peizazhin tonë mahnitës?

A mendoni se klasa politike në tërësi, në të gjithë spektrin e saj- ia ka dalë të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësinë që kjo periudhë tri – dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Përgjigja e mësipërme mendoj se vlen për të dyja pyetjet e fundit.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i ligjit. Sa mendoni se e kemi ndërtuar këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar?

Është një e vërtetë e pamohueshme se baballarët e kombit janë përpjekur pa masë gjithë këto vite, por deri tani nuk kanë nxjerrë gjë në krye. Nuk dua të jem as aq entuziaste sa në 1989, por as aq skeptike sa tani, që të shpresoj se më së fundmi reforma në drejtësi do të ndreqi shumëçka.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto tri dekada, na ka zbritur të gjithëve  me këmbë në tokë duke na bërë më realistë për çka duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Duke filluar me një kundërpyetje: A është fjala për  Shqipërinë apo për ne?

Po qe për vendin, ai do mbetet i bukur megjithë shkatërrimet e mëdha të mjedisit, sepse lufta kundër natyrës është gjithnjë e humbur.

Po qe fjala për ne, kjo është drugi mesele, siç shpreheshim dikur. Kur më së fundmi ne si individë apo si popull, do hyjmë në Evropë (në se ajo do qëndrojë në këmbë, pra ajo e bashkuar e kam fjalën), ne me siguri që do jetojmë më mirë, më të mbrojtur nga ligji, më miqësor me mjedisin etj., etj.

Një pyetje e fundit. Ku e shihni Shqipërinë në 2049-ën?

Pse ky vit?

Keni të dhëna për ndonjë kataklizëm apo është një zgjedhje rastësore e vitit?

Ja sërish një kundërpyetje, gjë që, më së paku, tregon se çështja na përket njësoj të dy palëve, pra si intervistuesit edhe të intervistuarit, apo jo?

Dr. Vera Bekteshi

Tiranë, 14.10.2019 / bota.al


Kjo intervistë e Dr. Vera Bekteshi është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *