Home»“Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”»Ermal Hasimja: “Mëkat që e presim ndryshimin nga të tjerët …”

Ermal Hasimja: “Mëkat që e presim ndryshimin nga të tjerët …”

Pedagogu dhe analisti Ermal Hasimja, ka një eksperiencë të spikatur si lektor i shkencave politike, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, dhe më pas si Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës. Ish-zëvendës Rektor i Universitetit Europian të Tiranës, dhe sot Administrator i Shkollës “Ernest Koliqi”, Z. Hasimja mund të konsiderohet një prej ekspertëve të spikatur, veçanërisht në fushën e arsimit dhe edukimit të brezave të rinj, fushë të cilës tashmë i është dedikuar plotësisht.

Në këtë intervistë për bota.al, Hasimja flet pa dorashka mbi ecurinë e tranzicionit shqiptar dhe ato që i konsideron si “plagët” që e kanë shoqëruar këtë periudhë 3-dekadëshe të historisë së Shqipërisë. “Plagë”, pa shërimin e të cilave, e ardhmja e Shqipërisë do të jetë njësoj e vështirë…

Z. Hasimja, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Duke patur parasysh edhe moshën tuaj të re, a mundeni të na thoni nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Besoj se është një pyetje me më tepër vlerë për ata në moshë më të madhe. Unë kam qenë në adoleshencë. Pavarësisht kësaj kuptohej qartë se diçka sillej vërdallë në ajër me aromën e ndryshimit dhe frikën eksituese të së panjohurës. Nga ana tjetër, komunizmi ishte rrënjosur aq thellë në Shqipëri, sa dukej si e pabesueshme se mund të ndryshonte aq shpejt sa ndodhi, ose ashtu si ndodhi.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Natyrisht. Në rradhë të parë frymëzoi njerëzit për të rrëzuar murin e brendshëm psikologjik që i mbante brenda komunizmit. Rrëzimi i Murit të Berlinit u tregoi njerëzve se ndryshimi ishte i mundshëm. Kompleksi i të qenit i fundit në anije, mendoj se i nxiti shqiptarët të shpejtojnë për të dalë. Nga ana tjetër dhe po aq rëndësishëm, shembja e murit u tregoi komunistëve shqiptarë se orteku ishte ngjizur lart në maja. Praktikisht i vendosi përpara dilemës mes qëndresës së dhunshme ndaj ndryshimit dhe tranzicionit të kontrolluar.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim?

Shqipëria është natyrisht shumë më mirë sesa ka qenë. Madje është vështirë ta krahasosh, nisur nga gjendja ku ishim. Ajo që i vret njerëzit nuk është krahasimi i vitit 1989 me 2019, por krahasimi i pritshmërive të tyre me realitetin. Problemi madhor i shqiptarëve është se presin që gjërat të ndodhin vetë nisur nga force majeure, nga fuqitë perëndimore apo thjesht rrjedha e parezistueshme e gjërave. Por e kanë të vështirë ta përfshijnë veten në procesin publik të ndryshimit.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Ishte e lehtë; e përfytyronim si në filmat që shihnim, natyrisht me pjesën e bukur që lidhej mbi të gjitha me mirëqenien ekonomike. Mendoj se shumë më tepër se liria politike shqiptarët i tërhiqte mirëqenia ekonomike. Nëse u plotësohet ky kusht mendoj se shqiptarët mund të përtypin shumë mirë cilindo regjim apo sistem. Ajo që në thelb i ndau nga komunizmi nuk ishte robëria politike, por mjerimi ekonomik.

Sidoqoftë përfytyrimi ishte filmik. Nëse do të na jepej një video e së tashmes, çdo shqiptar do të ishte i lumtur, por duhet të kemi parasysh se nuk ecte vetëm tranzicioni shqiptar, por gjithë bota në përgjithësi. Sot shqiptarët nuk kanë për referencë Italinë e viteve 90, por perceptimin e tyre për Evropën e vitit 2019.

Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Shqiptarët e presin ndryshimin nga të tjerët, jo nga vetja. Shprehja “jemi pis milet” nuk është element kritike konstruktive, por pranimi fatalist dhe përligjie e vullnetit për të mos ndryshuar personalisht. Nga ana ekonomike Shqipëria është rritur, ndërsa në aspektin politik kemi ndryshuar sistemin, por jo qasjen ndaj politikës. Mbetemi oportunistë të çastit, pa aftësinë e vizionit largpamës. Vjedhja është strategji jo vetëm e politikanit, por e shumicës. Problemi që kemi me korrupsionin nuk është me bazë morale, por xhelozie. Jemi kundër vjedhjes e korrupsionit vetëm kur e bën tjetri, por jo në parim. Shqipëria nuk ndryshoi dot kulturën politike, gjë e cila përbën truallin e ndërtimit të institucioneve dhe ligjeve. Në këto kushte Shqipëria kultivon elita hajdute që pasqyrojnë kulturën politike të shumicës së qytetarëve.

Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Shqipëria nuk ka zgjedhur asnjë qasje. Ajo nuk ka lundruar, por thjesht iu lëshua valëve të ndryshimit. Fati ynë është se kemi modele imitime relativisht pozitive. Nëse do gjendeshim diku tjetër do ta kishim më të vështirë. Nga ana tjetër Evropa dhe USA kanë qenë të interesuara për zhvillimin e vendit dhe kjo na ka mbajtur brenda disa kufinjve normaliteti.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.

Dëshira e shqiptarëve për integrim është tërësisht oportuniste dhe ekonomike. Nëse do të ishte filozofike apo etike do të ishim një vend i ndryshëm. Ne duam të përfitojmë nga Evropa, jo të bashkohemi me Evropën. Dhe për të qenë të ndershëm as vetë nuk e besojmë se mund t’i hyjmë në punë Evropës me ndonjë gjë me praninë tonë. Kemi mbetur në dyert e integrimit pikërisht sepse na ndan një hendek i madh kulturor me Evropën. Nëse kemi ecur deri tani e kemi bërë pjesërisht për shkak të përllogaritjeve të Evropës, jo për meritën tonë politike. Nga pikëpamja e kulturës politike jemi po aq të huaj me Francën apo Gjermanisë, sa edhe Vietnami apo Bolivia.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Klasa politike pasqyron nivelin e votuesit. Nuk kemi udhëheqës që do ta tërhiqnin vendin drejt ndryshimit, sepse do të braktiseshin menjëherë nga votuesit. Këtë e ndjen çdo politikan. Shumë reforma të domosdoshme janë zvarritur, deformuar apo harruar, sepse do të ndëshkoheshin me votë. Rrjedhimisht klasa politike ndjek vullnetin e votuesve në linjat kryesore dhe merr prej tij pranimin e vjedhjes duke rishpërndarë plaçkën që shteti bën në kurriz të sipërmarrjes private, i vetmi sektor që është më afër Evropës si praktikë e filozofi.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Ligji nuk është i barabartë për të gjithë, shpesh krijohet mbi interesa specifike jopublikë dhe është zbatuar në mënyrë përzgjedhëse. Shqipëria nuk ka sundim ligji, por përdorim të ligjit për të sunduar sipas interesave.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Shqipëria do të vazhdojë të zvarritet gradualisht duke bartur rrezikun e përhershëm të rrënies në greminë për shkak të arsyetimit të politikanëve mbi baza 1 apo 2 mandatëshe. Duke u zvarritur ajo rrit borxhin që u le fëmijëve. Jo vetëm borxhin ekonomik, por mbi të gjitha borxhin kulturor, institucional e moral.

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Në thelb jam pothuajse i bindur se në 2049 do të jemi duke u ankuar për të njëjtët probleme, përveç atyre që do t’i zgjidhë teknologjia. Nëse lexon publicistikën e fillimshekullit të XX befasohesh nga pandryshimi i problematikës shqiptare. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *