Home»Magazine»Kush do na mësojë, se si të ndjejmë? Kur arti tkurret në përmasat e politikës

Kush do na mësojë, se si të ndjejmë? Kur arti tkurret në përmasat e politikës

Nga David Brooks

Kolegët e mi në “t Magazine” kishin një ide shumë të mirë. Ata mblodhën disa artistë dhe kuratorë muzeumesh dhe i pyetën që të japin emrat e veprave të artit, që janë përcaktuese të epokës bashkëkohore – vepra të krijuara kudo në botë, që nga viti 1970.

Nuk ndalem dot së menduari për rezultatet. E para gjë që bie në sy është se, nga 25 vepra që zgjodhën, shumë pak janë piktura apo skulptura.

Pjesa më e madhe e veprave të përzgjedhura janë koncepte intelektuale apo sjellje politike, të shprehura përmes videove, fotografive, instalacioneve apo fjalëve. Në vitin 1982, për shembull, Jenny Holzer vendosi fjalët “Abuzimi me Pushtetin nuk është Surprizë” në një tabelë digjitale në Times Square. Në vitin 1985, Barbara Kruger mori maketin e një personi nga ata që flasin gojëmbyllur (nga barku) dhe printoi fjalët “Kur dëgjoj fjalën kulturë, unë nxjerr bllokun e çeqeve”.

Nga 27 artistët e përzgjedhur, 20 kishin lindur në SHBA.

Gjëja tjetër që vë re, është se këta artistë nuk kanë mbërthyer aspak vëmendjen apo admirimin e audiencave masive. Nëse do të na kërkohej që të rendisnim artistët që shenjuan epokën e 49 viteve, para 1970-ës, shumë prej nesh do të emërtonim artistë të famshëm: Pablo Picasso, Jackson Pollock, Georgia O’Keeffe, Mark Rothko, Alexander Calder, Eduard Hopper, Diego Rivera, Frida Kahlo etj. Artistët e renditur këtu, në 49 vitet pas 1970-ës janë përgjithësisht jo të mirënjohur jashtë botës së artit: për shembull, Gordon Matta-Clark, Lutz Bacher dhe Michael Asher.

Shumica e tyre kanë përshtatur për veten një qëndrim të ngjashëm: provokator politik. Veprat janë më pak krijesa të bukura për t’u përjetuar dhe më shumë deklarata politike që duhen çkoduar. Në vitin 1989, për shembull, Cady Noland bëri një ekran prej mëndafshi të fotografisë së famshme të Lee Harvey Osvald, teksa qëllohej për vdekje. Janë tetë vrima të mëdha plumbash në trupin e tij, dhe një flamur amerikan i futur në gojë.

Veprat më provokuese i përkasin politikës seksuale, ku bota e artit ka patur ndikimin më të madh. Jeff Koons njihet këtu për “Ilona sipër meje”, një pikturë që tregon atë vetë duke bërë seks me yllin e pornos, e cila më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij.

Shumë vepra sjellin një ripërcaktim të fuqisë femërore. Në vitin 1974, artistja Lynda Benglis pozoi lakuriq me një objekt seksual mes këmbëve. Në vitin 1972, Judy Chicago, Miriam Schapiro dhe të tjerë krijuan “Shtëpinë e femrës”, një manifest i gjallë feminist.

Në vitin 1993, Catherine Opie krijoi “Autoportret/Prerja”, ku dikush ka futur dy figura shkopinjsh dhe një shtëpi në shpinën e saj, me një thikë. Figurat përshkruajnë një ëndërr shtëpiake idilike, që për lezbiket ishte e vështirë të kuptohej në atë kohë.

Qasja e përgjithshme është: ta godasim padrejtësinë me çekan. Ajo që sheh kur të gjithë këto vepra bëhen bashkë, është se si estetikja i ka lënë vend politikes, se si jeta e brendshme shpirtërore i ka lënë vend gjesteve të protestës.

Artistët kanë mbajtur gjithmonë qëndrime politike, por në disa epoka ka patur një bindje se bukuria nxjerr në shesh të vërteta më të mëdha mbi gjendjen njerëzore, që nuk janë të aksesueshme vetëm përmes politikës – dhe këto janë të vërteta që na mbajnë të shëndetshëm mendërisht. Askush nuk arrin ta kuptojë se jo vetëm që personalja është politike, por edhe se politikja e ka eklipsuar personalen. Ajo që mungon në shumicën e këtyre veprave, është kontakti njerëzor dhe përmasa emocionale.

Ndër 25 veprat, 20 prej tyre janë jopersonale dhe të lejojnë të shohësh vetëm se si është jeta për një tjetër qenie njerëzore, duke përfshirë edhe veprat e Nan Goldin dhe Judy Chicago. Vetëm pak prej tyre eksplorojnë marëdhëniet dhe lidhjet emocionale. Duket sikur sot është tabu të kapësh gjendjet e tilla si gëzimi, tundimi, mirënjohja, ekzaltimi, tradhëtia, falja, dëshirimi.

Mungesa e kësaj hapësire emocionale të sjell në mendje faktin që, një prej gjërave që ka bërë tradicionalisht arti, është edukimi i emocioneve. Lisa Feldman Barrett dhe të tjerë neuroshkencëtarë argumentojnë se emocionet nuk piqen në natyrën tonë, ashtu si gjithë gjërat e tjera që ndajnë qeniet njerëzore. Ato ndërtohen prej kulturës – artit e muzikës, dhe marrëdhënieve.

Kur ne shohim thellësinë e shprehjes psikologjike në një portret të Rembrandtit, apo përjetojmë intimitetin e një nëne dhe bije në një vepër të Mary Cassatt, ne nuk jemi duke përftuar një fakt të ri, por jemi duke përjetuar një emocion të ri. Po zgjerojmë repertorin e mënyrave se si mund të ndjejmë dhe si mund t’ua komunikojmë ndjenjat tona, të tjerëve.

Barrett përdor termin “grimcimi emocional”, për të rrokur realitetin se disa njerëz – dhe disa epoka – përjetojnë një gamë më të gjerë dhe hollësi më të mëdha emocionesh, se sa të tjerat. Njerëz me një edukim të lartë të emocioneve mund të befasohen prej kompleksitetit të njerëzve të tjerë, pa ndjerë nevojën t’i gjykojnë ata si të mirë a të këqinj, sipas një logjike politike.

Kjo listë më intrigon sepse vjen në një moment kur gjithçka është politike – dhe politika jonë e ka brutalizuar jetën emocionale të kombit.

Një prej veprave që spikat është videomesazhi i vitit 2016 i Arthur Jafas: “Dashuria është mesazhi, mesazhi është vdekja”. Eshtë një përmbledhje intensive e eksperiencës afro-amerikane – dashuri, festime, vrasje policore, ethe fetare, racizëm, vallëzim, luftë”.

Ka kaq shumë emocione të fuqishme në një filmim të shkurtër, një mbingarkesë marrëdhëniesh. Eshtë një vepër politike që shkon përtej politikës dhe na kujton: Kështu duket jeta, nëse lejon brenda saj veçantinë njerëzore.

New York Times – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *