Home»Histori»Presidenti i famshëm amerikan, Abrahami Linkoln, ishte thuajse një marksist

Presidenti i famshëm amerikan, Abrahami Linkoln, ishte thuajse një marksist

Seria: Faktet e lëna në harresë nga historia

Partia Republikane, ka qenë tradicionalisht pro biznesit, dhe republikanët kanë qenë zakonisht aleatë të besueshëm të punëdhënësve, në përballjet e tyre me sindikatat dhe punonjësit. Por për çudi, presidenti i parë i kësaj partie, kishte disa pikëpamje që mund ta kualifikonin atë si një marksist.

Në fjalimin e tij të parë si ligjvënës i shtetit të Ilinoisit në vitin 1837, Abraham Linkoln deklaroi: “Këta kapitalistët, veprojnë në përgjithësi në mënyrë harmonike dhe në harmoni me njëri-tjetrin, për të zhvatur njerëzit”. Në fjalimin e tij të parë vjetor në Kongres si president më 3 dhjetor 1861, ai tha: ”Puna është parësore, dhe e pavarur nga kapitali. Kapitali është vetëm fryt i punës, dhe nuk mund të ekzistonte kurrë, nëse nuk do të kishte ekzistuar më parë puna”.

Pikëpamjet marksiste të Linkolnit, vinin kryesisht prej vetë Karl Marksit. Autori i “Manifestit Komunist” dhe “Kapitalit”, ishte një bashkëpunëtor i gazetës “Neë York Daily Tribune”, e përditshmja më me ndikim e republikanëve në vitet 1850, kur u themelua GOP (Great Old Party).

Në 1848, botuesi i gazetës e ftoi Marksin të bëhej korrespondent, dhe gjatë dekadës që pasoi, Marksi, ndonjëherë edhe me ndihmën e Friedrih Engelsit, shkroi mbi 500 artikuj për gazetën republikane. Çuditërisht, duke pasur parasysh se sa fort Marksi refuzoi shfrytëzimin e punëtorëve, ai u bë një fans i madh i Linkolnit, dhe e përshëndeti atë kur shfuqizoi skllavërinë, sistemin më shfrytëzues të krahut të punës në histori.

Në vitin 1864, Marksi i shkroi një letër në emër të Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve, për ta përgëzuar Linkolnin për rizgjedhjen e tij në detyrë, dhe për t’i uruar një sukses përfundimtar në luftë. Lincoln e udhëzoi ambasadorin amerikan në Britaninë e Madhe, ku jetonte aso kohe  Marksi, që ta falënderonte këtë të fundit, dhe ta siguronte se Shtetet e Bashkuara “inkurajojnë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të Evropës”. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *