Home»Histori»1949: Kur u ngrit një ushtri sekrete, që do të rezistonte ndaj një sulmi komunist nga lindja

1949: Kur u ngrit një ushtri sekrete, që do të rezistonte ndaj një sulmi komunist nga lindja

Nga Klaus Vigrefe

Për gati gjashtë dekada, dosja prej 321 faqesh ishte dergjur pa u vënë re nëpër sirtarët e arkivave të BND-së, agjencisë së jashtme të inteligjencës gjermane. Por, tashmë përmbajtja e saj ka zbuluar një kapitull të ri të historisë gjermane të pasluftës, që është sa spektakolare, po aq sa edhe misterioze.

Dokumentet zbulojnë ekzistencën e një koalicioni prej rreth 2.000 ish-oficerësh nazistë – veteranë të Vehrmahtit dhe trupave SS – të cilët vendosën të krijojnë në fshehtësi një ushtri, në Gjermaninë e pasluftës në vitin 1949. Ata nisën përgatitjet e tyre pa lejen e qeverisë gjermane, pa dijeninë e parlamentit, dhe siç e dëshmojnë dokumentet, edhe pa dijeninë e forcat pushtuese aleate.

Synimi i oficerëve në pension: të mbronin Gjermaninë Perëndimore që po lindte, kundër agresionit që vinte nga lindja në fazat e hershme të Luftës së Ftohtë, dhe në frontin e brendshëm, të vendoset kundër komunistëve në rastin e një lufte civile. Ata mblodhën informacione për politikanët e krahut të majtë, si për shembull mbi socialdemokratin Fric Erler, një lojtar kyç në reformimin e kësaj partie pas Luftës së Dytë Botërore, dhe spiunoi studentë si Joakim Pekert, që u bë më vonë një zyrtar i lartë në ambasadën e Gjermanisë Perëndimore në Moskë gjatë viteve 1970.

Zbulimi i ri ndodhi rastësisht. Dokumentet u zbuluan nga historiani Agilolf Keselring, ndërsa po punonte për një Komision Historik të Pavarur, të angazhuar nga BND për të hetuar historinë e saj të hershme. Dosja nuk është e plotë, dhe prandaj duhet marrë në konsideratë me disa kufizime. Megjithatë, përmbajtja e saj dëshmon lehtësinë me të cilën standardet demokratike dhe kushtetuese, mund të dëmtoheshin në vitet e para të ekzistencës së Gjermanisë Perëndimore.

Sipas të dhënave të zbuluara, kancelari gjerman Konrad Adenauer, nuk kishte asnjë dijeni rreth ekzistencës së grupit paraushtarak deri në vitin 1951, dhe as në atë moment nuk vendosi shpërbërjen e tij.

Në dokumente pretendohet se në rastin e një lufte, ushtria sekrete do të përfshinte 40.000 trupa. Ndër aktorët më të rëndësishëm ishte Albert Shnez. Ai lindi në vitin 1911, dhe në Luftën e Dytë Botërore ishte kononel, përpara se të ngjitej në radhët e Bundesvehrit, që u themelua në vitin 1955.

Në fund të viteve 1950, ai ishte pjesë e rrethit të Ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes Franz Josef Shtraus (CDU), dhe më vonë shërbeu si shefi i shtabit të ushtrisë gjermane, nën kancelarin Vili Brand dhe ministrit të Mbrojtjes Helmut Shmidt (të dy nga radhët e SPD).

Projekti për ndërtimin e një ushtrie klandestine, u mbështet edhe nga Hans Shpidel, që më 1957, do të bëhet komandant suprem i Ushtrisë Aleate të NATO-s  në Evropën Qendrore – dhe Adolf Hojsinger, inspektori i parë i përgjithshëm i Bundesvehrit. Projekti filloi në periudhën e pasluftës në Shvabi, një rajoni pranë Shtutgartit, ku 40 vjeçari Shnez tregtonte dru, tekstile dhe sende shtëpiake, dhe në anën tjetër organizonte mbrëmje shoqërore, për veteranët e Divizionit të 25-të të Këmbësorisë, në të cilën ai kishte shërbyer.

Ata ndihmonin njëri-tjetrin, mbështetën vejushat dhe jetimët e kolegëve, dhe flisnin për kohët e vjetra dhe të reja. Por, diskutimet e tyre fukusoheshin gjithnjë e më shumë tek e njëjta pyetje: Ç’duhet bërë nëse rusët apo aleatët e tyre të Evropës Lindore pushtojnë vendin? Gjermania Perëndimore, ishte në atë kohë ende pa ushtri.

Në rastin e një sulmi të papritur nga Lindja, një punonjës i Organizatën Gehlen do të shkruante më vonë se Shnez do të tërhiqej me trupat e tij jashtë Gjermanisë. Dhe pastaj nga jashtë do të nisnin rioaganizimin e qendresës. Për të përgatitur reagimin ndaj kërcënimit të mundshëm, Shnez kërkoi të themelonte një ushtri.

Edhe pse shkelte ligjin e aleatëve, shumë shpejt kjo ide fitoi shumë mbështetje. Ushtria filloi të merrte formë në vitin 1950. Shnez mori donacione nga biznesmenë dhe ish-oficerë që kishin të njëjtën ide, kontaktoi veteranët e grupeve të divizioneve të tjera, u kërkoi kompanive të transportit nëse mund t’u siguronin automjete në skenarin më të keq, dhe punuan për hartimin e një plani emergjent.

Anton Graser, ish-gjeneral i këmbësorisë që dikur kishte punuar me Shnez, u kujdes për sigurimin e armëve. Në vitin 1950, ai e filloi karrierën e tij në Ministrinë e Brendshme Federale në Bon, ku u bë inspektori i përgjithshëm, dhe merrej me koordinimin e njësive taktike të policisë gjermane në landet gjermane, në rastin e emergjencës së luftës.

Ai donte të përdorte mjetet e tyre, e tyre për të pajisur trupat në rast emergjence. Nuk ka asnjë shenjë se ministri i Brendshëm, Robert Lehr, ishte njoftuar për këto plane. Sipas listave që përmbanin dokumentet, burrat ishin të gjithë të punësuar: Ata përfshinin biznesmenë, tregtarë, avokatë, madje edhe kryetarë bashkie. Ata ishin të gjithë antikomunistë, dhe në disa raste, ishin të motivuar nga dëshira për aventura.

Për shembull, dokumentet pohojnë se gjeneral-lejtnanti në pension Hermann Holter “nuk ndihej i lumtur duke punuar vetëm në një zyrë”. Shumica e anëtarëve të ushtrisë sekrete, jetonte në Gjermaninë jugore. Dokumentet e Shnez pohojnë se ushtria përfshinte 10.000 emra, të mjaftueshëm për të përbërë personelin kryesor të tre divizioneve.

Për arsye të sekretit, lista përmbante vetëm emrat e 2.000 oficerëve. Sidoqoftë, Shnez nuk kishte asnjë dyshim se edhe pjesa tjetër do t’i bashkohej kësaj ushtrie. Ai negocioi me disa kantone zvicerane, por reagimet e këtyre të fundit ishin “shumë të përmbajtura”.

Dokumentet pretendojnë se ai më vonë planifikoi një zhvendosje të mundshme në Spanjë, për ta përdorur si bazë për të luftuar në krah të amerikanëve. Bashkëkohësit e përshkruanin Shnezin si një organizator energjik, dhe plot me vetë-besim. Ai mbante kontakte me Lidhjen e Rinisë Gjermane, dhe organizatën e saj të specializuar, Technischer Dienst (Shërbimi Teknik), që u përgatitën për një luftë partizane kundër sovjetikëve.

Të dyja grupet, të financuara fshehurazi nga Shtetet e Bashkuara, përfshinin ish-oficerë nazistë, dhe u ndaluan zyrtarisht nga qeveria federale e Gjermanisë Perëndimore në vitin 1953, si organizata të së djathtës ekstreme. Mesa duket, Shnez nuk e kishte problem të shoqërohej me ish-nazistët.

Dokumentet e arkivave amerikane, të shqyrtuara nga “Der Spiegel’, tregojnë se Shnez negocioi me ish-obershturmbanfyhrerin Oto Skorzeni. Ushtari SS, u shpall hero gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi kreu një mision të suksesshëm për të liruar nga burgu diktatorin italian të rrëzuar, Benito Musolini, që ishte arrestuar nga mbreti italian. Në shkurtin e vitit 1951, të dy ranë dakord të “bashkëpunonin menjëherë në rajonin e Shvabisë”.

Ende sot, nuk dihet se çfarë ndodhi me atë marrëveshje. Dokumentet gjithashtu tregojnë se shërbimi sekret gjerman, mësoi mbi ekzistencën e ushtrisë klandestine gjatë pranverës së vitit 1951. Por, kancelari Adenauer vendosi të mos ndërmarrë asnjë veprim kundër organizatës së Shnez, ç`ka ngre ngre disa pyetje: A shmangu ai një konflikt me veteranët e Vehrmahtitr dhe ata SS? Nuk dihet se kur u shpërbë kjo ushtri sekrete. Shnez vdiq në vitin 2007, pa thënë ndonjëherë ndonjë gjë publikisht në lidhje me ato ngjarje.

“Der Spiegel International” – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *