Home»Histori»Pse sovjetikët e humbën garën për “pushtimin” e Hënës

Pse sovjetikët e humbën garën për “pushtimin” e Hënës

Nga Asif Siddiqi

Rreth dy javë përpara se “Apollo 11” të nisej për misionin e tij në Hënë, astronauti i “Apollo 8” Frank Borman, ndodhej në Moskë në një vizitë kortezie në emër të NASA-s. Vizita ishte planifikuar prej muajsh, por koha nuk mund të ishte më e keqe sesa ai moment.

Astronautët amerikanë, po bëheshin gati të uleshin në Hënë, ndërsa dukej sikur sovjetikët e kishin braktisur garën. Mbrëmjen e 4 korrikut 1969, Borman ndodhej në kompleksin e ambasadës amerikane në Moskë, i rrethuar nga disa kozmonautë veteranë sovjetikë, që dukeshin në siklet.

Të nesërmen, Borman vizitoi Qendrën e Trajnimit të Kosmonautëve, ku u takua me koordinatorin e kozmonautëve Nikolai Kamanin. Një nga menaxherët e paktë të programeve hapësinore sovjetike me një profil publik, Kamanin, ishte gjithashtu një hero kombëtar, që ishte bërë i njohur që në vitet 1930, kur drejtoi një operacion të guximshëm shpëtimi në Arktik. Tani edhe ai ishte si i mpirë.

Kur një gazetar e pyeti nëse Bashkimi Sovjetik, do të niste një mision në Hënë për t’ja kaluar “Apollo 11”, Kamanin dhe kozmonautët sovjetikë as nuk e konfirmuan, dhe as nuk e mohuan atë. Megjithatë, Kamanin dinte diçka për të cilën nuk ishin në dijeni as Borman dhe as gazetarët:Gara se kush do të ulej i pari një Hënë, ishte e humbur.

Më datën 3 korrik, raketa sekrete e njohur si N-1, kishte shpërthyer në flakë në stacionin e largët të lëshimit në Bajkonur të Kazakistanit, duke shkatërruar një nga dy platformat e lëshimit. Në ditarin e tij privat atë natë, Kamanin do të shkruante i dëshpëruar:”Ne jemi të dëshpëruar për një sukses, veçanërisht tani kur astronauti amerikan Frank Borman është këtu si mysafiri ynë. Por të gjitha shpresat, na u shuan nga shpërthimi i fuqishëm i raketës 5 sekonda pas nisjes… Ky aksident na ka kthyer pas 1 apo 1 vit e gjysmë… “.

Në Shtetet e Bashkuara, CIA kishte përgatitur një raport si pjesë e “Përmbledhjes Ditore” për presidentin Riçard Nikson për datën 5 korrik, që fillonte kështu:”Një testim i madh në kuadër të garës hapësinore nga ana e sovjetike, përfundoi më 3 korrik me dështim, si pasojë e një shpërthimi”.

Dëshmi të forta do të vinin më vonë. Në gusht, sateliti amerikan i spiunazhit “CORONA”, ofroi imazhe të detajuara të zonës. Në Bashkimin Sovjetik, nuk u tha asnjë në publik për atë dështim. Dhe në fakt sekreti i hekurt që kishte fshehur programin e hershëm sovjetik të hapësirës, ​​rezultoi i dobishëm, pasi sukseset fillestare u eklipsuan më vonë nga një seri katastrofash.

Por përse e humbën këtë garë sovjetikët? Epërsia e tyre ndaj amerikanëve në fillimet e Epokës së Hapësirës, ishte dukur gati e parikuperueshme. Duke nisur me “Sputnik 1”, sateliti i parë artificial në orbitë në vitin 1957, ata korrën një sërë suksesesh:njeriu i parë në hapësirë, ulja e parë e butë e një anijeje në Hënë.

Këto arritje kërkonin njerëz të zgjuar, projekte të mira, si dhe aftësinë për të organizuar ekipe të teknologjisë së lartë për detyra të veçanta. Nëse Bashkimi Sovjetik mund t’i kishte këto, pse nuk dërgoi dot para SHBA-së një kozmonaut në Hënë? Ashtu si me çdo ngjarje të madhe historike, arsyet janë komplekse, dhe nuk mund të shpjegohen thjeshtë.

Megjithatë, dallohen disa faktorë kryesorë. Së pari, sovjetikët hynë më vonesë në garën, se kush do të mbërrinte i pari në Hënë, më shumë se 3 vjet pas deklaratës së presidentit amerikan Xhon Kenedi në majin e vitit 1961. Në vitin 1960, krye-projektuesi sovjetik Sergei Korolev, që drejtonte kompaninë më të madhe raketore dhe hapësinore të vendit, mori miratimin për ndërtimin e një sërë raketash të rënda të quajtura “N” deri në vitin 1967(nga nosityel ose “mbajtëse” në rusisht), me aftësinë për të mbajtur rreth 80 tonë ngarkesë në orbitën e Tokës.

Synimi për ndërtimin e tyre ishte i paqartë:një shumëllojshmëri qëllimesh ushtarake, një stacion i madh hapësinor, dhe ndoshta nisja e misioneve njerëzore në planetin Mars.

Në shtatorin e vitit 1962, filloi puna për ndërtimin e tyre. Por ndryshe nga Saturn V i NASA-s në SHBA, nuk kishte asnjë mision për ndërtimin e ndonjë rakete tjetër që të ishte gati për vitin

që vinte. Në korrikun e vitit 1963, Korolev vendosi për herë të parë si prioritet uljen e një kozmonauti në Hënë, dhe i kërkoi inxhinierëve të tij të zhvillonin një plan gjithëpërfshirës.

Por ishte ndërtimi i raketës Saturn I në bazën e NASA në majin e vitit 1964, ai që alarmoi më shumë inxhinierët sovjetikë. Dy muaj më vonë, Korolev organizoi një takim me udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov në Kremlin, dhe e bindi atë të miratonte një projekt që mund të mposhte Apollon, në garën se cili do të ulej më parë në sipërfaqen e hënës. Hrushovi, e firmosi planin më 3 gusht 1964.

Por fillimi i vonuar i projektit, nuk ishte problemi i vetëm apo edhe më i rëndësishëm. Industria sovjetike e mbrojtjes, ishte kaotike në menaxhim, në kundërshtim me atë që mund ta imagjinonim tek një ekonomi socialiste. Ndërsa NASA ishte një sistem i centralizuar, me drejtim nga lart-poshtë nga qeveria federale, programi sovjetik i hapësirës, operonte më shumë si një version socialist i një tregu konkurrues.

Prandaj rregullat u ndoqën vetëm në gjysmën e kohës, dhe programi u mbajt peng nga bllokimet burokratike, dhe tekat e individëve të fuqishëm. Për më tepër Korolev pati një rivalitet të ashpër me ekspertin tjetër sovjetik, Valentin Glushko, kompania e të cilit prodhonte motorë resaktivë me performancë të lartë, dhe që punonin me karburant të lëngshëm.

Glushko kishte miq me ndikim në Partinë Komuniste, dhe aleatë në programin hapësinor. Ai bashkëpunoi me një inxhinier tjetër, Vladimir Çelomei, që drejtonte një konglomerat gjigand kompanish, që prodhonin raketa balkstike dhe silurë. Në vitin 1967, kur programi N-1 i Korolev po ecte me shpejtësi përpara, Glushko dhe Çelomei arritën të siguronin miratimin nga Politbyrioja për të ngritur një projekt paralel, të njohur si UR-700, dhe për të konkurruar me raketën hënore të Korolev.

Megjithëse UR-700 u anullua shumë shpejt, ky konflikt shpërndau për disa muaj burime shumë jetike. Përfundimisht, Korolev dhe Çelomei ranë dakord të bashkëpunonin në një program të njohur si L-1, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të dërgonte një ekuipazh prej 2 kozmonautësh rreth Hënës, dhe t’i kthente ata sërish në Tokë.

Projekti dështoi, pasi raketa ”Proton” e Chelomeit, dështoi 3 herë të arrinte orbitën e Tokës në vitet 1967-1968. Deri në mesin e vitit 1968, kishte një shans real që sovjetikët mund t’i kishin paraprirë misionin historik të NASA-s. Por 2 fluturimet e ardhshme të raketave Zond-5 dhe Zond-6 në nëntor 1968, arritën në orbitën e Hënës, por më pas pësuan difekt dhe nuk u kthyen dot në Tokë.

Por programi sovjetik, vuajti edhe nga një problem i tretë:mungesa e parave. Investime të mëdha u larguan nga programi hapësinor, për raketat e reja balistike ndër-kontinentale dhe armët bërthamore, në mënyrë që ushtria sovjetike të mund të arrinte barazinë strategjike me Shtetet e Bashkuara.

Marrë me shkurtime nga AirSpace Mag – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *