Home»Bota»Intervista/Sulmet në Sri Lanka, përbëjnë strategjinë e terrorizmit në të ardhmen

Intervista/Sulmet në Sri Lanka, përbëjnë strategjinë e terrorizmit në të ardhmen

Në mesin e atyre, që u habitën më pak nga të gjithë nga përgjegjësia që Shteti Islamik mori për shpërthimet kamikaze të së dielës së Pashkës në Sri Lanka, të cilat shkaktuan të paktën 321 të vdekur në kisha dhe hotele, ishte Ana Spekhard, drejtuesja e Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.

Gjatë karrierës së saj, Spekhard ka intervistuar më shumë se 600 terroristë dhe bashkëpunëtorë të tyre, duke përfshirë dhjetëra ish-luftëtarë të ISIS. Në një intervistë për “Foreign Policy”, Spekhard thotë se ndërsa kalifati mund të jetë mposhtur, ideologjia e Shtetit Islamik mbetet e rrezikshme.

Kryeministri i Sri Lankës, ka sugjeruar se disa nga sulmuesit, kanë udhëtuar jashtë vendit përpara shpërthimeve. Çfarë do të thotë kjo, a ishin të përfshirë në to të rikthyerit nga ISIS?

Gjëja e parë që bëjnë me burrat që i bashkohen ISIS-it, është njohja me ligjet e Sheriatit, dhe trajnimi mbi përdorimin e armëve. Pra, këta janë njerëz, që ndoshta ishin tashmë të ideologjizuar me një ideologji radikale kur udhëtuan drejt ISIS, por ideologjia e tyre vetëm  sa u forcua. Kjo nuk ndodh tek të gjithë, disa prej tyre zhgënjehen. Por ata që rikthehen në vendet e tyre, vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Ju keni thënë se 45.000 njerëz udhëtuan nga e gjithë bota, për t’ju bashkuar Shtetit Islamik. Sa prej tyre ekzistojnë tani në nivel global?

Më shumë se gjysma janë rikthyer në shtëpitë e tyre. Në fillim, shumica e vendeve ishin jashtëzakonisht të butë ndaj grave, ndaj shumica e tyre nuk u akuzuan për ndonjë gjë. Ka pasur një rast në Kosovë, ku një ish-luftëtar i ISIS-it, të cilin e intervistova në burg, dhe ishte dënuar më duket me 4 vjet burg, u shpreh në intervistën tonë të dytë:”Shpresoj që juve t’ua presë kokën Xhihadisti Xhon!”.

Dënimi i tij me burg, përkonte me fillimin e një programi rehabilitimi, me të cilin ai tallej. Por gruaja e tij, që thuhet se është edhe më ekstremiste se ai, nuk u akuzua asnjëherë për ndonjë gjë. Ajo nuk ishte një luftëtare, por shkoi me të në Siri. Ai tha se u radikalizua më tej në burg. Kush na garanton që ai nuk do t’i thotë një ditë gruas së tij:”E dashur, mendoj se duhet të veshësh jelekun me bomba, dhe të dalësh të hidhesh në erë në një vend publik!”.

Dhe kur ai ishte në burg, ajo mbante kontakte me njerëzit e ISIS. Tani autoritetet evropiane, po fillojnë t’i marrin gratë shumë më seriozisht. Evropianët u japin dënime të vogla, për shkak se është e vështirë të provohet fajësia e tyre.

A prisni që ISIS të synojë tashmë objektiva më të butë, vende si Sri Lanka që nuk kanë një ndonjë histori të kohëve të fundit të terrorizmit radikal islamik, dhe në këtë mënyrë mund të mos jenë nën vëzhgim?

Unë mendoj se kjo është vala e sulmeve të së ardhmes. Ajo që duhet të kuptojnë sistemet tona të sigurisë, është se edhe ka grupe të vogla, ato mund të mobilizohen shpejt në ditët e sotme. Është një botë shumë e ndërlidhur, dhe pasi dikush e merr helmin, ai është shumë virulent. Sepse njerëzit që janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre, janë jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Dhe ata janë të rrezikshëm në mënyra të ndryshme, në vende të ndryshme. Ashtu si në SHBA, ajo që më shqetëson gjithmonë është se sa të gjendshme janë armët. FBI-ja jonë është fantastike. Ne jemi me fat qe e kemi. Ajo sinjalizon gjatë gjithë kohës edhe vendet e tjera, mbi rreziqet e sulmeve terroriste. Por jo çdo vend, ka një FBI të fuqishme si ne.

Kur flisni me njerëz në komunitetin e inteligjencës dhe FBI, a ndihen ata sikur Shteti Islamik ka marrë tashmë fund njëherë e mirë?

Jo, kur flas me njerëz në Departamentin e Mbrojtjes, ata thonë se ISIS-i do të rikthehet sërish. Se do të rikthehet më fuqishëm në Siri. Ata thonë:Ne kemi ikur për pak kohë, por ne do të kthehemi pas disa vitesh, në mos më shpejt.

Cila është mënyra e duhur për ta luftuar terrorizimin?

Unë mendoj që ne duhet të jemi po aq të zgjuara sa ata. Ata përdorin imazhe shumë emocionale. Ju shihni një fëmijë të rrethuar nga mizat dhe mushkonjat në mes të mjerimit, ju prek shumë dhe dërgoni para. Ndërkohë xhihadistët ju tregojnë mizoritë e kryera ndaj myslimanëve, dhe ju nuk mund të duroni dot, tërboheni fare.

Pra ata janë vërtetë të aftë me përdorimin e tyre. Pastaj imazhe të tilla i lidhin me kolona zanore prekëse, me shkrimet e shenjta – i shtrembërojnë këto të fundit, në një mënyrë të tillë që as nuk i ngjajnë Islamit tradicional. Pra ata përdorin gjëra që ju i vlerësoni, që janë të shenjta dhe të rëndësishme për ju. Në këtë mënyrë, ata luajnë me vlerat dhe emocionet tuaja.

Dhe në vend se të jepni para, ju sakrifikoni veten tuaj. Është një lëvizje shumë e zgjuar, dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë:Ne duhet t’i kundërpërgjigjemi me gjëra, që janë sa racionale aq edhe emocionale. Kjo është ajo që bëjmë, kur bisedojmë edhe me një ish-luftëtar të ISIS.

Ne e kuptojmë se është dikush që ata duan ta dëgjojnë, dhe krijojmë një sfond emocional, dhe përdorim videot e tyre për të treguar skena. Por në një kuadër tërësisht të ndryshëm, duke futur një person që e denoncon ISIS. Dhe ashtu si ata, ne duhet të jemi shumë aktivë në internet.

“Foreign Policy” – bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *