Home»Horizonti.al»Pastrimi i rrugëve: Historia e një zakoni të dekadave të fundit

Pastrimi i rrugëve: Historia e një zakoni të dekadave të fundit

Kur mediat shfaqin imazhet e një rruge të pushtuar nga plehrat, reagimi ynë i natyrshëm është  bezdia. Ideja e një qyteti të pistë, nuk na lë indiferentë, dhe ka edhe ata që e shohin pastrimin e trotuareve, si një tregues të qeverisjes së mirë:nëse pisllëku përmbyt trotuaret, atëherë diçka në qeverisje çalon.

Por a ka qenë gjithmonë kështu? Pse i kushtojmë shumë vëmendje pastrimit të rrugëve? Dhe që kur? Historianët besojnë se ideja e pastrimit të rrugëve, ka lindur rastësisht, dhe efektet e tij të dobishme nuk ishin parashikuar. Në fakt, deri në përhapjen e Murtajsës (viti 1348), ishte e zakonshme hedhja jo vetëm e mbeturinave, por edhe jashtëqitjes në rrugë.

Rrugët qenë sigurisht shumë ndryshe nga ato që janë sot, dhe u ngjann më shumë rrugëve në fshat, ku burrat dhe kafshët jetonin sbashku, duke pritur që shiu apo vetë kafshët, sidomos derrat, të pastronin mbeturinat.

Një zakon i nisur në shekullin XIV

Vala e parë e dëshirës për pastërti daton në vitet 1300. Në fillim të shekullit, në Siena të Italisë, u shpall një garë publike për mbledhësin e “të gjitha mbeturinave, plehut organik dhe gurëve në sheshin Kampo, dhe rrugët aty pranë’. Dimë gjithashtu se në vitin 1349  mbreti Eduardi III i Anglisë, i shkroi një letër kryebashkiakut të Londrës, duke u ankuar se rrugët ishin shumë të pista, duke besuar se era e jashtëqitjeve njerëzore, ndikonte në përhapjen e Murtajës.

Pra, për herë të parë në Angli u vendos një dënim për këdo që kapej duke hedhur jashtëqitjet njerëzore në rrugë, dhe kjo i detyroi njerëzit të hiqnin të paktën mbeturinat e tyre nga rrugët. Sipas disa historianëve, ishte murtaja ajo që i nxiti paraardhësit tanë të fillonin pastrimin e rrugëve. Por për të parë rrugë vërtet të pastra, do të duhej të kalonin disa shekuj.

Nju Jork, Nju Jork

Për më tepër, jo e gjithë bota zbuloi në të njëjtën kohë praktikat e higjienës publike. Në SHBA, ku sot rrezikoni të gjobiteni rëndë, edhe nëse hidhni përtokë një bisht cigareje, ideja e pastrimit të rrugëve është e kohëve të fundit. Dejvid Rozner, profesor i historisë dhe shëndetit publik dhe mjekësisë në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbia, shkruan në portretin e tij mbi Nju Jorkun e vitit 1800:

”Qyteti i Nju Jorkut, ishte personifikimi i një qyteti në krizë gjatë shekullit XIX-të. Nga një qytet i vogël prej rreth 30 mijë banorësh në vitin 1800, Nju Jorku nisi ta dyfishojë madhësinë e tij çdo 10 vjet. Në fillim të shekullit XX-të, popullsia arriti në 4 milionë. Kjo mbingarkesë e pabesueshme njerëzore, e kombinuar me një infrastrukturë primitive, krijoi kushtet ideale për një rritje dramatike të sëmundjeve epidemike. Qyteti relativisht i shëndetshëm i vitit 1800, përjetoi një sulm të sëmundjeve infektive, si kolera, ethet tifoide, tifoja, ethet e verdha, malaria dhe sëmundjet e tjera të transmetuara nga mushkonjat.

Shkalla e vdekshmërisë në qytet u rrit, dhe shumë fëmijët vdiqën. Qyteti dukej se po rrënohej”.  Në fillim të shekullit XIX-të, në qytet jetonin 100-200 mijë kuaj. Secili prej tyre prodhonte më shumë se 10 kg pleh organik dhe disa litra urinë në ditë. Kuajt, derrat, delet dhe bagëtitë, ishin të gjitha pjesë e jetës së përditshme me derrat që shëtisnin rregullisht në tufa.

Takat e dobishme

Në këtë fazë të historisë, në shumë qytete evropiane dhe amerikane mungonte jo vetëm pastërtia në rrugë, por nuk ishin marrë as masa të tjera minimale higjenike. Mbeturina, duke përfshirë edhe jashtëqitjet e njeriut hidheshin nga dritaret. Ironikisht kjo ndikoi në zhvillimin e modës.

Zotërinjtë vishnin këpucë me taka të larta, për të mbrojtur pantallonat e tyre të gjata nga pisllëku, dhe kapele me strehë të madhe për të mbrojtur kokat e tyre nga jashtëqitjet që fluturonin nga dritaret e katit të dytë.

Zonjat ecnin pranë godinave, dhe kishin më pak gjasa për të pasur ndonjë suprizë të pakëndshme. Sëmundje të tilla si murtaja bubonike, kolera dhe tifoja ata ishin aq të përhapura, saqë popujt evropianë u gjymtuan ndjeshëm (25-30 për qind e popullsisë vdiq).

Kutërbimi i madh

Në Londër, vitet 1858- 1859, kujtohen si ato të Kutërbimit te Madh. Edhe Parisi nuk ishte më mirë në menaxhimin e mbeturinave. Filozofi kanadez, Xhon Ralston Saul shkroi në librin “Bastardët e Volterit:Diktatura e arsyes në Perëndim”:”Sistemi i famshëm i kanalizimeve në Paris, u ndërtua gjatë një periudhe të gjatë kohore, në gjysmën e dytë të shekullit XIX.

Vonesat e mëdha, ishin kryesisht për shkak të kundërshtimit të fortë të pronarëve, të cilët nuk donin të paguanin për të instaluar tuba sanitare në shtëpitë e tyre. Prefekti i Parisit, zoti Pubel, arriti t’i detyrojë pronarët më 1887, vetëm pas një beteje të ashpër publike…

Më 1910, pak më shumë se gjysma e ndërtesave të qytetit, ishin përfshirë në sistemin e ujërave të zeza, dhe vetëm gjysma e qyteteve në Francë kishte një të tillë. Pastaj, kur shkencëtarët zbuluan lidhjen mes sëmundjes, ujit të ndotur dhe papastërtisë, kanalet e hapura u zhdukën, dhe u futën gradualisht sistemet moderne të kanalizimeve.

Pastruesit në aksion.

Por si dhe kur filloi pastrimi i rrugëve? Të dhënat e qytetit të Londrës më 1863, tregojnë një kërkesë publike për pastrues për të pastruar papastërtitë, dheun dhe pluhurin nga rrugët e qytetit. Të varfrit ishin të parët që u morën me këtë punë:të “armatosur” me një lopatë dhe një fshesë, ata ecnin lart e poshtë nëpër rrugë, duke pastruar sa të mundeshin.

Por nevoja për të pastruar, tani më shumë e ndjerë, në shekullin XIX i dha gjithashtu një shtytje të madhe zhvillimit të teknologjisë. Pastruesi i parë i mekanizuar i rrugëve, u patentua nga inxhinieri Xhozef Uituorth nga Mançesteri në në 1843:ai tërhiqej nga kuajt.

Në Shtetet e Bashkuara, pastruesi i parë mekanik i rrugëve u patentua më 1849 nga C.S Bishop.

Me pak fjalë, pastrimi i rrugëve në Perëndim, është një zhvillim i dekadave të fundit:një arritjeve e viteve 900, që  u zgjerua paralelisht me ndërgjegjësimin mjedisor të viteve 1970, kur qeveritë filluan të tregonin shqetësim për cilësinë e ujërave.

Focus – Bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *