Home»Histori»Gjykimi i piratëve u përdor si model, për sistemin e sotëm të drejtësisë ndërkombëtare

Gjykimi i piratëve u përdor si model, për sistemin e sotëm të drejtësisë ndërkombëtare

Nga Mark Çeduik

Gjyqet e Nurembergut dhe Tokios të ndodhura pas Luftës së Dytë Botërore, janë identifikuar zakonisht si fillimi i të drejtës moderne ndërkombëtare penale. Gjykimet e krimeve ndërkombëtare, ndodhin sot ose në gjykatat ndërkombëtare si Gjykata Penale Ndërkombëtare e përhershme në Hagë, ose gjithnjë e më shumë, në gjykatat e brendshme, sipas parimit të juridiksionit universal.

Sikurse e argumentoj në një libër të ri, ligji modern ndërkombëtar penal ka në fakt një origjinë shumë më të vjetër, dhe rrjedh nga gjykimi i piratëve, “armiku universal” origjinal. Piratët duket sikur kanë pak ngjashmëri me kriminelët e sotëm ndërkombëtarë, të ndjekur penalisht për gjenocide, krime kundër njerëzimit, krime lufte apo agresion.

Por historia flet ndryshe – dhe na jep një mësim se si praktikohet sot drejtësia ndërkombëtare. Piratët historikë, portretizohen shpesh si anti-heronj në filma, seriale televizive dhe libra. Ata frymëzojnë veshje ekstravagante, dhe aksente të çuditshme në të folur.

Por piratët sfiduan dikur ngritjen e shtetit territorial, që formon bazën e rendit ndërkombëtar të sotëm. Për shembull, piratët përbënin një kërcënim serioz për Republikën Romake, duke shkaktuar një ofensivë ushtarake të udhëhequr nga gjenerali Pompei.

Në shekujt XVII-XVIII, pirateria kërcënoi Evropën koloniale. Piratë si Eduard Tiç (injohur ndryshe si Mjekërziu), Çalrs Vein dhe Ana Bonej, përfaqësonin më shumë kaosin se sa një qytetërim me rregulla. Në fund të shekullit XVII dhe fillimin e shekullit XVIII-të, pirateria kërcënoi Evropën kolonialiste.

Sipas një shkrimi të juristit holandez Hugo Groci në vitin 1604:”Nuk ka arsye më të fortë për të theksuar neverinë tonë ndaj piratëve, sesa për faktin se ata rrethojnë dhe bëjnë të pasigurta rrugët e marrëdhënieve njerëzore”.

Shtetet evropiane u përballën me këtë sfidën, me një reagim inovativ. Në veçanti Anglia, filloi përdorimin e juridiksionit universal. Kjo ishte ideja, që çdo gjykatë mund të ndjekë penalisht çdo pirat, pavarësisht se nga ishte apo se ku kishte ndodhur krimi i tyre.

Në gjyqin e vitit 1696 ndaj ekuipazhit të piratit Henri Averi në Gjykatën Qendrore Penale në Londër, gjykata deklaroi se ishte brenda kompetencave të saj të ndëshkonte të gjitha aktet pirate që ndodhin në det, kudo në botë. Piratët, u denoncuan si armiq të vlerave ndërkombëtare ose universale.

Një arsyetim i njëjtë, përbën sot bazën për gjykimet e kriminelëve ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu mund të jenë subjekt i juridiksionit universal nga gjykatat vendase. Gjykimi i kohëve të fundit i ish-diktatorit të Çadit, Hisen Habre në Dhomat e Jashtëzakonshme Afrikane të sistemit gjyqësor vendas të Senegalit, ishte një rast i tillë.

Po ashtu të tilla kanë qenë përpjekjet nga ana e gjykatave evropiane, të udhëhequra nga Gjermania dhe Suedia, për të ndjekur disa kriminelë të luftës në Siri dhe Irak. Më 10 janar 2019, një ish-ushtar irakian u dënua për krime lufte nga Gjykatën e Rrethit të Helsinkit në Finlandë.

Piratët aventurierë, duket se nuk krahasohen me gjenocidsitët e sotëm apo kriminelët e luftës. Perceptimi ynë mbi piratët ka qenë i ndryshëm, pa dyshim për shkak të portretizimit romantik të piraterisë disa shekujt më parë.

Megjithatë, pirateria gjatë shekujve XVII-XVIII, përbënte një kërcënim të vërtetë ekzistencial për shoqërinë. Deri në shekullin XX-të, e drejta e shteteve për të përdorur juridiksionin universal në përgjigje të piratëve, u bë e mbrojtur në një traktat ndërkombëtar.

Shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut, nuk konsideroheshin në të njëjtën dritë, të paktën deri pak kohë më parë. Ajo çfarë qeveritë i bënin popullit të tyre, nuk konsiderohej një çështje ndërkombëtare. Qëndrimet nisën të ndryshonin vetëm pas mizorive të kryera nga regjimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me daljen e lëvizjes së të drejtave të njeriut, dhe punën e studiuesve si Rafael Lemkin, shqetësimi ndërkombëtar ktheu vëmendjen ndaj vuajtjeve të qytetarëve në duart e qeverive të tyre. Ky ndryshim në perspektivë frymëzoi Gjyqet e Nurembergut. Sekretari i parë i OKB-së, Trigve Lai, sugjeroi se “pirateria do të ishte paralelja e duhur (historike)” për gjykimin e nazistëve të mbijetuar.

Në gjyqin e vitit 1961 të Adolf Ajhmanit në Jeruzalem – i mbajtur nën juridiksionin universal – Gjykata e Lartë izraelite i konsideroi gjyqet ndaj piratëve si një precedent të natyrshëm për ndjekjen penale të nazistëve. Procesi gjatë së cilit krimet bëhen “ndërkombëtare”, është dinamik.

Studimi i piraterisë, tregon se bashkësia ndërkombëtare, veçon veprimet që beson se përbëjnë dëmin më të madh për njerëzimin, dhe i ngre ato në statusin e “krimit ndërkombëtar”.

Vala tjetër e shkeljeve ndërkombëtare mundet me kalimin e kohës, të mbulojë shqetësime të tilla të ngutshme si terrorizmi, krime të bazuara tek gjinia ose krime mjedisore. Këto pastaj mund të ndiqen penalisht në gjykatat ndërkombëtare, ose në gjykatat e brendshme nën parimin e juridiksionit universal.

Studimi i piraterisë, tregon gjithashtu se ekziston një linje e lashtë për përdorimin e juridiksionit universal. Sot, gjykatat anembanë botës e përdorin këtë parim, për të nxjerrë para drejtësisë autorët e veprave të urryera. Ndonëse ky parim është sulmuar shpesh, gjykatat po bëjnë realisht që ata kanë bërë gjithmonë për të mbrojtur vlerat universale, të cilësuara nga njerëzimi si një e tërë.

The Conversation – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *