Home»Horizonti.al»Efektet e mahnitshme të dietave të agjërimit tek shëndeti i njeriut

Efektet e mahnitshme të dietave të agjërimit tek shëndeti i njeriut

Nga Julia Belluz

Kur Xhon Kejn po i afrohej të 50-ave, ai vuri re se pesha e tij ishte rritur në 124 kg. Me një gjatësi trupore 188 cm, dhe obez sipas klasifikimeve mjekësore, ai u rikthye në palestër për të rënë në peshë, duke kreu për 5 javë stërvitje aerobike.

Por seancat stërvitore u bënë të lodhshme pas disa ditësh, dhe kur Kejn e ndali stërvitjen, rifitoi të gjithë peshën e mëparshme. Kjo vazhdoi deri kur ai vendosi të eksperimentonte me diçka tjetër:agjërimin. Agjërimet e Kejn, evoluan vazhdimisht gjatë një viti e gjysmë.

Por për një periudhë ai po hante vetëm një vakt në ditë në 6 ditë të javës, dhe nuk hante fare çdo të premte. Disa javë më herët, ai kishte provur “agjërimin e përditshëm alternativ” – hante çdo gjë që dëshironte një ditë po dhe një ditë jo.

Brenda 7 muajve nga eksperimenti i tij me agjërimin, shoferi i autobuzit nga Medison, Uiskonsin, humbi 30 kilogramë, ose më shumë se 10 përqind të peshës së tij trupore, duke arritur peshën më të ulët në 15 vjet. Agjërimi, thotë ai, e bën atë të ndihet jo vetëm më i lehtë, por edhe më të mprehtë mendërisht, dhe më i lumtur.

Gjatë dy dekadave të fundit në SHBA, dhjetëra dieta dhe skema të menaxhimit të peshës kanë dalë gradualisht jashtë modës, dhe agjërimi ka fituar vazhdimisht popullaritet. Ndërkaq, ekziston një literaturë shkencore gjithnjë në rritje mbi këtë temë. Shkenca pas këtyre dietave, është ende shumë e re dhe eksploruese.

Së pari, duhet të dimë se ka disa llojeve të ndryshme agjërimi. Në përgjithësi, agjërimi përfshin të ngrënit pak ose shumë pak ushqim dhe pije kalorike, për periudha që shkojnë nga 12 orë në 3 javë. Këto agjërime, mund të marrin një numër formash.

Agjërimet e ndërprera, përfshijnë ngrënien e ushqimit vetëm me ndërprerje (si dieta shumë e popullarizuar 5:2). Ushqimi i kufizuar në kohë, përfshin konsumimin e kalorive vetëm për një hapësirë kohore prej 4-6 orë çdo ditë (për shembull, duke lënë mënjanë mëngjesin dhe duke ngrenë vetëm drekë dhe darkë herët në mbrëmje).

Agjërimet periodike dhe më ekstreme, zgjasin zakonisht disa ditë ose më gjatë. Këto dieta përfshijnë  konsumimin vetëm të lëngjeve pa kalori, ose shumë pak kalori për periudha të gjata kohore, për të përgatitur plotësisht trupin për agjërim.

Disa mbështetës të dietës së agjërimit, argumentojnë se trupat tanë janë projektuar për të qenë në gjendje për konsumojnë pak ose aspak ushqim, për disa javë apo edhe muaj rresht. Tek e fundit, ne njerëzit nuk kishim qasje në një furnizim të qëndrueshëm ushqimor deri në zhvillimin e bujqësisë, dhe vetëm pas revolucionit në epokën e neolitit, njerëzit adoptuan një model më të rregullt të vakteve ushqimore.

“Ciklet e agjërimit, mund të ripërtërijnë trupin e njeriut”- thotë Valter Longo, drejtor i Institutit të Jetëgjatësisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore, dhe një nga studiuesit kryesorë të agjërimit. Periudhat pa ushqim, tha ai, e ndihmojnë trupin të eliminojë dhe zëvendësojë qelizat e dëmtuara me të reja, përmes një procesi të quajtur autofagi (studimi i së cilit fitoi Çmimin Nobel).

Avokatët e agjërimit, do të vënë gjithashtu në dukje se ekziston një traditë të gjatë e agjërimit fetar, edhe pse fokusi në atë rast ka prirjen të jetë më shumë shpirtëror, sesa i orientuar drejt shëndetit.

“Shumë grupime fetare, i përfshijnë periudhat e agjërimit në ritualet e tyre, përfshirë myslimanët që agjërojnë deri në mbrëmje gjatë muajit të Ramazanit, dhe të krishterët, hebrenjtë, budistët dhe hindusët që tradicionalisht agjërojnë në ditë të caktuara të javës apo vitit kalendarik”- thuhet në artikullin studimor.

Por këtu vlen të theksohet ajo që dimë nga shkenca në lidhje me agjërimin:Ndonëse interesi i shumë njerëzve është tek rënia në peshë, shumë nga studuesit kryesorë të agjërimit, nuk janë duke u fokusuar fare atje. Në fakt, shumë nga studimet e agjërimit vijnë nga Institutet e Plakjes, si studimi të cilit po i referohemi, dhe studiuesit fokusohen aktualisht në jetëgjatësinë dhe parandalimin e sëmundjeve.

Hulumtuesit kanë mësuar ndër dekada, se kur minjve në laborator iu kufizohet ushqimi, mund t’u zgjatet jeta. Tek njerëzit, agjërimi duket se rrit aftësinë për të luftuar procesin e sëmundjes. “Shumë organe, fillojnë të tkurren me një përshpejtim periodik”- shpjegon Longo.

“Shumë qeliza fillojnë të vdesin, dhe ne kemi të dhëna se shumë qeliza të vdekura nga ky process, janë qeliza të këqija. Pastaj qelizat burimore aktivizohen, dhe ne shohim fillimin e rigjenerimit të vetes. Për më tepër, kur kafshët dhe njerëzit agjërojnë, disa faktorë që nxisin tumorin duket se zbehen”-shtoi ai.

Në 2017, Longo ishte një bashkëautor i studimit të parë, nëse agjërimi mund të zvogëlojë faktorët e rrezikut për sëmundje si diabeti, kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare. Hulumtuesit angazhuan 100 njerëz të ndarë në 2 grupe për 3 muaj.

Grupi i parë hëngri çdo gjë që donte, ndërsa i dyti agjëronte për 5 ditë rresht çdo muaj. Pas 3 muajsh, grupi i parë kaloinë grupin e agjërimit, në mënyrë që kërkuesit mund të mblidhnin edhe më shumë të dhëna për agjërimin. Gjetjet ishin të qarta:Agjërimi vetëm 5 ditë në muaj, kishte përmirësuar rezultatin e shëndetit të njerëzve.

Grupi që agjëronte kishte humbur mesatarisht rreth 7 kilogramë, pra disa yndyra trupore, kishte pësuar ulje të presionit të gjakut dhe të IGF-1 së tyre, shënuesi gjenetik për sëmundje të tilla si kanceri. (Kolesteroli i përgjithshëm i tyre, glukoza dhe trigliceridet në gjak, nuk kishin pësuar ndryshime).

Studimi ishte sërish afatshkurtër. Pra, nuk është e qartë se çfarë efektesh mund të ketë mbi sëmundjen një agjërim afatgjatë, megjithëse ndryshimet në bio-shenjuesit, duken premtues.

Për më tepër, 25 përqind e njerëzve, që u caktuan në grupin e agjërimit në pjesën e parë të këtij studimi e braktisën eksperimentin, krahasuar me 10 përqind të atyre në grupin që ndiqte një dietë të rregullt.

Kjo sugjeron që agjërimi është i vështirë, dhe ndoshta jo për të gjithë – edhe kur jeni pjesë e një studimi. Megjithatë, hulumtuesit po studiojnë nëse agjërimi mund të ndihmojë në luftimin e kancerit, ose të ndihmojë pacientët me kancer që të tolerojnë kimioterapinë.

Dhe ata po mendojnë seriozisht, nëse agjërimi ka një rol në trajtimin dhe parandalimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe sklerozës së shumëfishtë. Gjithsesi, komuniteti shkencor është ende shumë i pasigurt, në lidhje me kohën dhe frekuencën më të mirë të ngrënies në raport me shëndetin.

Marrë me shkurtime nga Vox – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *