Home»Analiza»Ç’duhet të mësojmë nga 40 vjet ndërhyrje të SHBA-së në Lindjen e Mesme?

Ç’duhet të mësojmë nga 40 vjet ndërhyrje të SHBA-së në Lindjen e Mesme?

Nga Alireza Ahmadi

Me njoftimin befasues të tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, dhe në një masë më të vogël, shpalljen e një tërheqjeje të rreth 7.000 trupave amerikane nga Afganistani, shumë kritikë intervecionistë që kishin toleruar sulmet e paefektshme të Donald Trumpit kundër Asadit dhe bisedimet e paqes me talebanët, u tërbuan nga inati.

Por edhe pasi Trump e mbrojti pozicionin e tij, dhe tha se Irani “mund të bëjë atë që dëshiron” në Siri, Sekretari i Shtetit Majk Pompeo dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton, e kanë nënvlerësuar qartësinë e asaj që dukej si një dekret presidencial që kërkonte një tërheqje.

Politika e administratës së Trump në Siri, duket se është rikthyer në gjendjen normale të paqartësisë politike dhe strategjike. Ndërsa SHBA ka filluar njëfarë tërheqje nga Siria veriore, Bolton u tha zyrtarëve izraelitëve se një tërheqje e plotë do të ndodhë në bazë të kushteve, dhe Pompeo nënkuptoi se një tërheqje e tillë do të jetë e kushtëzuar nga mbajtja e një koalicioni të bashkuar kundër Iranit.

Vërshimi i kritikave kundër vendimit origjinal të transmetuar në media, dhe reagimet nga zyrtarët e Uashingtonit dhe establishmentit të politikës së jashtme të SHBA, e pasuar nga dorëheqja në formë proteste e Sekretarit të Mbrojtjes Xhejms Matis, duket se ka zbutur vendosmërinë e Trump për t’u tërhequr.

Shumë nga kritikët, pretenduan se tërheqja nga Siria do të ishte një hap i gabuar, pasi ajo do ta bënte Iranin dhe Rusinë të lumtur, ose do t’u dhuronte atyre një përfitim taktik. “Mullahët në Teheran do të jenë të gëzuar, dhe do të shohin një tjetër shenjë dobësie të presidentit amerikan”- thuhej në një editorial të “The Ëall Street Journal”.

Pjesa më e madhe e këtyre argumenteve, duket e projektuar të provokojë një reagim emocional ndaj aventurizmit ushtarak, aty ku mungon një interes madhor për vendin. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara nuk mund të krijojnë një politikë të jashtme të bazuar në kushtëzimin e gatishmërisë së kundërshtarëve të saj.

Nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin vendosur të mos pushtonin Irakun, ky do të ishte edhe vendimi i duhur. Pjesa më e madhe e kritikave, përbën një lloj zije për atë që kritikët e konsiderojnë si leva e fuqishme amerikane, që do t’i mundësonte Amerikës një rol kuptimplotë në Sirinë e pas luftës dhe kufizimin, dhe në mos dëbimin e plotë të forcave të lidhura me Iranin.

Këto kritika, nuk arrijnë të vlerësojnë leksionet që dalin nga 40 vitet e veprimeve ushtarake amerikane, në rajonin më të madh të Lindjes së Mesme.

Prania e ushtrisë amerikane, nuk mund ta formësojë domosdoshmërisht orientimin politik dhe strukturën e shoqërive në rajon. Iraku dhe Afganistani, janë shembuj më të qartë. Fuqia e pakrahasueshme ushtarake amerikane, ka dështuaar ndërkohë të konturojë vendimet e aktorëve të tjerë në këtë teatër.

Shtetet e Bashkuara, nuk arritën të ndikojnë mjaftueshëm në sjelljen e aktorëve sektarë në Liban gjatë ekspeditës së saj atje. SHBA-ja nuk ia doli të ndryshojnë politikën e jashtme iraniane, edhe pas dekadave të rrethimit ushtarak.

Edhe pasi korrën ndoshta fitoren më poshtëruese dhe vendimtare ushtarake në historinë moderne, ushtarët amerikanë shikonin përtej kufirit, teksa Sadami e sfidonte Uashingtonin dhe shtypte me egërsi në kryengritjet kurde dhe shiite në vend.

Koncepti se SHBA-ja mund të përdorë kontrollin e saj në veri, për të formësuar shtetin sirian të pasluftës, dhe për të dëbuar prej andej Iranin, ka qenë gjithmonë teorik, dhe pa një rrugë të qartë për t’u vënë në zbatim. Në fakt, shumë nga forcat që cilësohen si të mbështetura nga Irani, përbëhen nga qytetarë sirianë.

Ku do të dëboheshin këta? Më shumë gjasa, Damasku dhe aleatët e saj do të punojnë për të siguruar pjesën tjetër të vendit, duke pritur largimin e Amerikës. Fakti i thjeshtë që ka qenë përcaktues për pjesën më të madhe të konfliktit, është se vendet si Irani dhe Rusia, kanë interesa më jetike në Siri se sa një superfuqi e largët.

Të tjerë argumentuan se “strategjia e tërheqjes” nga Siria, siç u shpreh Dejvid Sanger i “The Neë York Times”, do të rezultojë në kaos dhe terrorizëm, ashtu siç ndodhi me tërheqjen e SHBA-së nga Iraku. Duke përmendur pjesë të strategjisë së administratës Bush, Sanger pohoi se “forcat e dislokuara në rajon, janë thelbësore për të penguar terroristët të arrijnë brigjet amerikane”.

Gjenerali në pension, Xhon Alen, president i Institutit Brukings, argumentoi se “udhëheqja globale e SHBA-së dhe aty ku është e nevojshme, forcat e saj, janë të nevojshme në territoret e ndikuara nga ISIS-i në Azi dhe Afrikë, “deri kur të jetë e mundur ideja e kalifatit”.

ISIS-i u mposht shpejt, sepse iluzioni mesianik i shtet-ndërtimit, e ka privuar atë nga fleksibiliteti strategjik. Duke qene të detyruara të mbronin pozicione fikse, forcat e saj nuk mund të përqendroheshin në llojin e strategjive asimetrike, që ishin aq efektive për aktorët jo-shtetërorë në rajon.

Ajo që mbetet nga ISIS-it, e ka bërë tashmë të qartë se nuk do të bëjë më të njëjtin gabim. Por pushtimi ushtarak amerikan, i pacaktuar në kohë, i Lindjes së Mesme nuk është një antidot i thjeshtë ndaj aksionit militant anti-SHBA apo kaosit. Në fakt, indet lidhëse mes shumë aktorëve jo-shtetërorë, janë një opozitë agresive ndaj ndikimit ose pranisë ushtarake direkte ose indirekte të Shteteve të Bashkuara, apo aleatëve të saj kryesorë.

Një grupim i ndryshëm aktorësh jo shtetërorë, përfshirë Hezbollahun, talebanët dhe Al-Kaedën në Irak janë forcuar, ose janë rithemeluar edhe nën hundën e ushtarëve dhe marinsave amerikanë. Në fakt, arabët sunitë të Sirisë së veriut, po vuajnë nën sundimin e ashpër kurd nën grancinë e Amerikës, madje edhe një “spastrim etnik”. Dhe vazhdimi afatgjatë i këtij trendi, do të sjellë probleme.

Një nga kritikat e cituara, ishte se ishte një tradhëti ndaj grupimit kurd. “Perëndimi u ka atyre një borxh, për koston që kanë paguar”- thuhet ndër të tjera në një opinion në “Ëall Street Journal” . Por marrëdhënia sponsor-klient është në thelb me dy kahe; ajo formohet për shkak të përputhjes së interesave.

Kurdët luftuan kundër ISIS-it, pasi ai përbënte një kërcënim ekzistencial për komunitetet e tyre, dhe jo si shprehje e besnikërisë ndaj Amerikës. ISIS dikur i zboi kurdët sirianë deri në kufirin turk, dhe në Irak ata ishin shumë pranë pushtimit së Erbilit.

Por kurdët po bisedojnë tashmë me Damaskun për riintegrim, dhe kanë shmangur përleshjen me forcat siriane gjatë gjithë konfliktit, duke e ditur se opsioni i tyre i vetëm i mundshëm do të ishte një ‘modus vivendi’ me qeverinë. Amerika ruan ende një prani të madhe ushtarake në të gjithë rajonin, dhe mund t’i ndihmojë ata që do të luftojnë ISIS-in, në një mënyrë më pak ndërhyrëse.

Nëse lihen mënjanë pretendimet specifike, lodhja me pushtimet tokësore në Azi, është e pranishme në të gjithë spektrin politik amerikan, dhe në fakt është disi më i fortë jashtë bazës së votuesve republikanë. Për më tepër, pse opinioni publik të mos jetë një faktor në vendimmarrjen ushtarake amerikane?

Për shkak të një sërë arsyesh, siç është aftësia e saj ushtarake dhe vendndodhja gjeografike providenciale, Amerika përballet me pak kërcënime ekzistenciale, dhe prandaj mund të zgjedhë midis një spektri alternativash, se si të adresohen interesat dhe sfidat e sigurisë.

Një pushtim de fakto i një të tretës së territorit sirian, nuk ka qenë kurrë i vetmi kurs i qartë veprimi. Një linjë kritike më e arsyeshme, e përqëndruar në planet fillestare të tërheqjes, ishte shumë e nxituar, dhe nuk kishte udhëzime strategjike. Kritikët argumentojnë, se tërheqja duhet të jetë më graduale, në mënyrë që të lehtësojë përshtatjen e aleatëve dhe planifikimin e aksioneve anti-terrorizëm.

Është e vështirë të thuhet se cila do të jetë politika e Amerikës në Siri dhe kur, nëse do të ndodhë ndonjëherë, do të largohen forcat amerikane. Por, çdo politikë ka të ngjarë të jetë jo-optimale, nëse nuk mësohet leksionet e historisë së ndërhyrjes ushtarake amerikane në rajon.

Shënim: Alireza Ahmadi është studiues dhe analist i fokusuar në politikën e jashtme të SHBA-së ndaj Lindjes së Mesme.

National Interest – Bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *