Home»Magazine»Sonda kineze në anën e pasme të Hënës. A do kemi një garë të re hapësinore?

Sonda kineze në anën e pasme të Hënës. A do kemi një garë të re hapësinore?

Nga Uendi Uitman Kob

Kina u bë vendi i tretë në botë, që lëshoi një sondë drejt Hënës më 2 janar të këtij viti. Por, më e rëndësishmja, ajo u bë e para që e bëri këtë në anën e pasme të satelitit të Tokës, shpesh e quajtur si ‘ana e errët’. Aftësia për të dalë në anën e pasme të Hënës, është një arritje teknike e pa mbërritur deri tani as nga Rusia, dhe as nga Shtetet e Bashkuara.

Sonda “Chang’e 4”, është simbol i rritjes së programit hapësinor kinez, dhe aftësive të rëndësishme  që ajo ka grumbulluar si për vetë vendin, ashtu edhe për marrëdhëniet midis fuqive të mëdha në të gjithë botën. Pasojat shtrihen tek Shtetet e Bashkuara, pasi administrata Trump e konsideron si diçka serioze konkurrencën globale në hapësirë, ashtu edhe tek e ardhmja e eksplorimit të hapësirës.

Një nga nxitësit kryesorë të politikës hapësinore të SHBA-së, ka qenë historikisht konkurrenca me Rusinë, veçanërisht në kontekstin e Luftës së Ftohtë. Nëse sukseset e Kinës vazhdojnë me rritme të tilla, a mund të gjenden Shtetet e Bashkuara të angazhuara në një garë të re hapësinore?

Ashtu si SHBA-ja dhe Rusia, Republika Popullore e Kinës, u angazhua fillimisht në aktivitetet hapësinore, gjatë zhvillimit të raketave balistike në vitet 1950. Ndërsa po merrte njëfare ndihme nga Bashkimi Sovjetik, Kina zhvilloi në masë të madhe vetë programin e saj hapësinor.

“Hopi i Madh” dhe Revolucioni Kulturor i Mao Ce Duinit, i ndërpreu këto programe të hershme.

Kinezët lëshuan satelitin e tyre të parë në hapësirë në vitin 1970. Pas kësaj, një program i hershëm për të dërguar një njeri në hapësirë u la në pritje, për t’u përqëndruar tek programet satelitore komerciale. Në vitin 1978, Ten Hsiao Pin, shpalli politikën e Kinës në lidhje me hapësirën, duke vënë në dukje se si një vend në zhvillim, Kina nuk do të merrte pjesë në një garë hapësinore.

Në vend të kësaj, përpjekjet e Pekinit u fokusuan në lëshimin e sondave dhe satelitëve për qëllime më praktike, duke përfshirë komunikimin dhe meteorologjinë. Por kjo nuk do të thotë, që kinezët qënë të shqetësuar mbi efektet e garës globale hapësinore.

Në vitin 1992, kinezët arritën në përfundimin se të paturit e një stacioni hapësinor, do të ishte një simbol i madh dhe burim i prestigjit në shekullin XXI-të. Si i tillë, rifilloi program human i hapësirës, ​​i cili çoi në zhvillimin e anijen kozmike Shenzhou.

Astronauti i parë kinez, ose taikonauti Jang Liuei, u dërgua në hapësirë në vitin 2003. Në total, 6 misione Shenzhou kanë transportuar 12 taikonauta në orbitën e Tokës, duke përfshirë dy në stacionin e parë hapësinor kinez, Tiangong-1.

Përveç kësaj, kinezët kanë ndërmarrë gjithashtu misione shkencore si “Chang’e 4”. Misioni i parë hënor, “Chang’e 1”, orbitoi Hënën në tetorin e vitit 2007, dhe një sondë u ul në Hënë në vitin 2013. Planet e ardhshme të Kinës, përfshijnë një stacion të ri hapësinor, ​​një bazë në Hënë, dhe misione të mundshme në planetin Mars.

Tipari më i spikatur i programit hapësinor kinez, veçanërisht në krahasim me programet e hershme amerikane dhe ruse, është ritmi i tij i ngadalshëm dhe i qëndrueshëm. Për shkak të sekretit që rrethon shumë aspekte të programit hapësinor kinez, aftësitë e tij të sakta janë të panjohura.

Megjithatë, programi ka të ngjarë që të jetë aty-aty me homologët e tij. Sa i përket përdorimit ushtarak, Kina ka demonstruar gjithashtu aftësi të rëndësishme. Në vitin 2007, ajo kreu një test anti-satelitor, duke lëshuar një raketë nga toka për të shkatërruar një satelit metereologjik, që kishte dalë jashtë funksionit.

Edhe pse ishte i suksesshëm, testi krijoi një re mbeturinash që vazhdojnë të kërcënojnë satelitët e tjerë. Filmi “Gravity”, ilustroi rreziqet që paraqesin mbeturinat e hapësirës si për satelitët, ashtu edhe njerëzit. Në raportin e vitit 2018 mbi ushtrinë kineze, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, raportoi se programi hapësinor ushtarak i Kinës “vazhdon të zhvillohet me shpejtësi”.

Përkundër aftësive të saj, SHBA-të, ndryshe nga vendet e tjera, nuk janë angazhuar në ndonjë bashkëpunim thelbësor me Kinën, për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Në fakt, një ligj i vitit 2011 ndalon kontaktet zyrtare me zyrtarët kinezë të hapësirës. A flet kjo për një garë të re hapësinore midis SHBA dhe Kinës?

Si studiuese e politikave hapësinore, mund të them se përgjigjja është po dhe jo. Disa zyrtarë amerikanë, përfshirë Skot Pejs, sekretari ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Hapësirës, ​​janë optimistë për një potencial për bashkëpunim, dhe nuk shohin fillimin e një gare të re hapësinore. Administratori i NASA-s Xhim Brindenstin u takua kohët e fundit me kreun e programit hapësinor kinez në Konferencën Ndërkombëtare Astronautike në Gjermani, dhe diskutoi fushat ku Kina dhe SHBA-ja mund të punojnë së bashku.

Sidoqoftë, rritja e pranisë ushtarake në hapësirë, ​​mund të shkaktojë një rritje të konkurrencës. Administrata e Trump, e ka përdorur kërcënimin e paraqitur nga Kina dhe Rusia, për të mbështetur argumentin e saj për një degë të re ushtarake të pavarur, një forcë hapësinore.

Pavarësisht këtyre, aftësitë e Kinës në hapësirë ​​po rriten në masën që reflektohet në kulturën popullore. Në romanin “Marsiani” të Endi Ueir dhe në versionin e tij të mëvonshëm kinematografik, NASA kthehet në Kinë për të ndihmuar në shpëtimin e astronautit të bllokuar në hapësirë.

Ndërkohë që konkurrenca mund të sjellë përparime në teknologji, siç u pa në garën e parë hapësinore, një kapacitet më i madh global për eksplorimin e hapësirës, mund të jetë gjithashtu i dobishëm jo vetëm për shpëtimin e astronautëve të bllokuar, por edhe për rritjen e njohurive rreth universit ku jetojmë ne të gjithë. Edhe nëse lëshimi i sondës kineze, shpall një garë të re hapësinore, jo të gjitha pasojat do të jenë negative.

The Conversation – Bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *