Home»Analiza»Lufta midis shkencës dhe fesë, nuk është e pashmangshme

Lufta midis shkencës dhe fesë, nuk është e pashmangshme

Nga Linsly-Chittenden Hall & David N Livingstone

Në librin e tij “Besimi kundër faktit”, biologu dhe polemisti Xherri Kojn, ndërmori një nga sulmet e shumta të tij mbi fenë në emër të shkencës:Shkenca dhe feja, shkroi ai, janë “të papajtueshme në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kuptim, si racionaliteti që është i papajtueshëm me irracionalitetin”.

Këto lloj përgjithësimesh, kanë qenë mjaft të zakonshme gjatë viteve, shpesh të përforcuara nga referimet për dënimin e Galileo Galilelit nga Kisha Katolike Romake në vitin 1633, apo nga debate i ashpër në Oksford në vitin 1860 ndërmjet TH.Hakslit dhe peshkopit Samuel Uillbrfourc mbi evolucionin.

Këto lloj deklaratash, mund të kenë ndërkohë pasoja në jetën publike. Më 16 shtator 2008, profesori Majkëll Reis, një biolog evolucionar, dha dorëheqjen si drejtor i arsimit për Shoqërinë Mbretërore. Ajo që solli largimin e tij, qenë vërejtjet që ai kishte bërë në shkollë, rreth asaj se si shkencëtarët duhet të trajtojnë çështjen e origjinës së botës.

Ai raportohet të ketë thënë:”Kreacionizmi, shihet mirë nga shkencëtarët jo si një ide e gabuar, por si pikëpamje botërore”. Pak para se Reis të jepte dorëheqjen, fituesi i çmimit Nobel Sër Riçard Roberts i kishte shkruar presidentit të Shoqërisë Mbretërore, Martin Ris që “profesor Reis të largohej, ose ai vetë do të jepte dorëheqjen. “Ne po e cilësojmë profesor Reis si një klerik, çkia në vetvete është shumë shqetësuese”- vazhdoi letra.

“Kush mund ta mendonte, se do të ishte pikërisht një drejtor i arsimit, që mund t’i përgjigjej në një mënyrë shkencore dhe të arsyetuar pyetjeve rreth dallimeve midis shkencës dhe fesë?”. Duke komentuar gjithë këtë ngjarje në “Neë Sciencist”, Sër Harold Kroto, një tjetër fitues i çmimit Nobel, vërejti:Nuk ka asnjë mënyrë që një zyrtar, për të cilin dogma e paverifikuar duhet të përfaqësojë një shtyllë kryesore në jetën e tij – mund të paraqesë një filozofi shkencore të lirë dhe të bazuar në dyshime, me ndershmëri ose pa interes.

Ndërlikimet

Thelbësore në këto pohime, është supozimi se shkenca dhe feja janë pashmangshmërisht në luftë. E megjithatë, duhet të pyesim nëse ky supozim mund të jetë i drejtë, përballë diversitetit të madh të mënyrave në të cilat janë kuptuar marrëdhëniet midis shkencës dhe fesë.

Ka shumë shkenca, shumë fe. Një risi shkencore, problematike për një traditë fetare, mund të jetë e parëndësishme për një tjetër. Një shkencë, mund të përbëjë një kërcënim për besimet fetare, kurse shkencat e tjera jo. Mbrojtja e një konflikti thelbësor mes shkencës dhe fesë dështon, sepse siç ka shkruar filozofi Xhon Grej , terma të tillë si “feja” dhe “ateizmi” nuk kanë asnjë thelb. Megjithatë, shkencat nganjëherë mund të japin përgjigje për pyetjet e bëra dikur në traditat e besimit – por ato gjithashtu lënë hapësirë ​​për hetim dhe përkushtim fetar.

Si i prioritizojmë projektet konkurruese të kërkimit shkencor? Me burime të kufizuara, ne duhet të pyesim se çfarë është më e rëndësishme për njerëzimin. Por këto nuk janë pyetje shkencore – siç pohon historiani Noah Juval Harari në librin e tij best-sellet “Sapiens”, vetëm fetë dhe ideologjitë synojnë t’u përgjigjen atyre:”Kërkimi shkencor, mund të lulëzojë vetëm në aleancë me ndonjë fe apo ideologji”. Për shkak se shkenca dhe feja mund të plotësojnë njëri-tjetrin, teksa janë njëherazi në konflikt mes tytre, historia e ndërlidhjeve të tyre është komplekse.

Momentet e konfliktit, dhe zonat e shkëmbimit

Duke u kthyer pas në histori, ne me siguri gjejmë shumë raste kur shkenca dhe feja kanë qenë në konflikt. Quajini këto momentet e konfliktit. Midis tyre është refuzimi i mrekullive, nga ata të bindur se natyra lidhet me ligje natyrore të pathyeshme. Ose mohimi i lirisë njerëzore, nga ata që e shohin mendjen njerëzore si asgjë më shumë se veprimet e kimisë së trurit.

Në fillim të shekullit XVII-të, disa katolikë i cilësuan shqetësuese disa teori të reja të materies, për shkak të sfidave që ato paraqisnin mbi kuptimin e tyre të Eukaristisë. Për disa hebrenj, ndalimi i astrologjisë midis viteve 200-500 mbylli hetimin astronomik. Për literalistët biblikë, evolucioni Darvinian provokon vazhdimisht një qëndrim opozitar.

Nga ana tjetër, ne mund të identifikojmë shumë pika pajtimi dhe pasurimi. Mendojini këto si zona të shkëmbimit. Merrni idenë biblike, se gjithë i njerëzimi është pasardhës nga një burim i vetëm. Ky besim, frymëzoi kërkimin për fillimet e gjuhës njerëzore, dhe për rrugët me të cilat njerëzit e hershëm shpërndaheshin anembanë globit.

Në shekullin XVII-të, instrumentet shkencore si teleskopi dhe mikroskopi, u konceptuan si mënyra për të përmbysur efektet e rënies së Adamit nga hiri i Perëndisë. Metodat shkencore dhe instrumentet, u krijuan si një mjet për përmirësimin e dëmtimit të fuqive njohëse njerëzore dhe aparatit ndijor, që besohet të jetë shkaktuar nga mëkati njerëzor.

Ose merrni çështjen e projektimit në botë. Kjo ide, ishte thelbësore për zhvillimin e shkencës së ekologjisë. Veprat kryesore të hershme të historisë natyrore, që theksuan lidhjet intime mes organizmave dhe mjediseve të tyre, ishin të motivuara në një pjesë të mirë të tyre, nga besimi se Zoti i ka pajisur kafshët dhe bimët me regjime mjedisore në të cilat ato janë vendosur.

Në ditët tona, mund të ketë përfitime që mund të rrjedhin nga një dialog ndërmjet antropologjisë teologjike, dhe atyre që përkrahin trans-humanizmin. Mundësitë e reja teknologjike, po ngrenë pikëpyetje të reja rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh njerëzor, një temë mbi të cilën teologët kanë pasur shumë për të thënë. Më së paku, teologjia mund të jetë një partner i dobishëm bisedor, në artikulimin e vlerave me të cilat do të gjykohet në mesin e kapaciteteve njerëzore, dhe që mund të jenë prioritet për ekspansionin.

Mbijetesa e fesë

Me burimet e ndryshme të autoritetit të tyre, potenciali për tensione, divergjencë, madje armiqësi ndërmjet përfaqësuesve të bashkësive shkencore dhe fetare, do të jetë gjithmonë aty. Por tensioni, divergjenca, armiqësia – madje konflikti – nuk janë të njëjta si lufta e pashmangshme. Shumë njerëz fetarë, kanë qenë indiferentë ndaj shkencës. Shumë shkencëtarë, kanë përjetuar një distancim nga feja. Dyshimi i ndërsjelltë, nuk është diçka e pazakontë. Por, sërish indiferenca, distancimi dhe dyshimi, nuk janë të njëjta me luftën.

Vetë fjalët “shkencë” dhe “religjion”, kanë pësuar ndryshime të thella kuptimore. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, “shkenca” u bë një ombrellë e përshtatshme për të rrokur një gamë të zgjeruar të pyetjeve të specializuara empirike, me supozimin – kjo jo gjithmonë e vërtetë – e bashkimit me një metodë të përbashkët shkencore.

A mund të mbijetojnë fetë në shoqëritë teknologjike? Ato tashmë e kanë bërë këtë – dhe për një arsye të rëndësishme. Ato na japin identitetin, dhe synojnë të gjejnë kuptim në një ngjarje, të interpretojnë universin, dhe jo kryesisht vetëm ta shpjegojnë atë. / The Conversation – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *