Home»Analiza»Konflikti global, në një epokë të re të ekstremeve

Konflikti global, në një epokë të re të ekstremeve

Nga Shlomo Ben-Ami

Tel Aviv – Historiani i ndjerë Erik Hobsbaum, e përshkroi shekullin XX-të si “epoka e ekstremeve”, në të cilën socializmi shtetëror krijoi gulagët; kapitalizmi liberal e çoi në depresione ciklike; ndërsa nacionalizmi e zhyti në dy luftëra botërore.

Ai më pas parashikoi, se e ardhmja do të përbënte një zgjatim të së kaluarës dhe të tashmes, e karakterizuar nga “politika dhe ndryshime të dhunshme politike”, si dhe nga “shpërndarja sociale, dhe jo rritja ekonomike”. Historia mund të mos përsëritet, por ajo shpesh rimon.

Pretendimi i famshëm i kryeministres britanike Margaret Theçër se “nuk ekziston shoqëria”, por vetëm “burra dhe gra individualisht”, rimon me siguri me botëkuptimin përçarës dhe sjelljen vetë-shërbyese të demagogëve populiste të sotëm.

Sot, ashtu si në shekullin XX, nacionalizmi është duke përçarë më tej shoqëritë e ndara, duke ndarë aleatët e vjetër, duke nxitur antagonizmin ndaj “tjetrit”, dhe duke justifikuar barrierat proteksioniste fizike dhe ligjore. Fuqitë e mëdha të botës, kanë rimarrë qëndrimet e Luftës së Ftohtë, duke u përgatitur psikologjikisht, në mos ushtarakisht, për një konflikt të hapur.

Sikurse e parashikoi Hobsbaum, rritja e pabarazisë së të ardhurave, është shfaqur si një shkak kryesor i rritjes së nacionalizmit, ndjenjës anti-globalizëm, dhe madje edhe i zhvendosjes drejt autoritarizmit. Duke rikonfirmuar lidhjen mes ekonomisë së keqe dhe ekstremizmit politik – të theksuar nga Xhon Mejnard Kejnes pas Luftës së Parë Botërore – një dekadë masash shtrënguese në Evropë, i ka dobësuar themelet e shtetit social, dhe ka hedhur miliona votues në krahët e populistëve.

Ironikisht, arsyeja kryesore se përse politika e sotme, po i ngjason gjithnjë e më shumë me zhvillimeve të shekullit të XX-të, është frika e përsëritjes së Depresionit të Madh – një frikë që u shfaq pas krizës financiare të vitit 2008, dhe që u duk se po rimonte me rrëzimin e tregut të aksioneve në vitit 1929.

Për shembull Gjermania, u bë e fiksuar pas masave shtrënguese, në mënyrë që të sigurohej që inflacioni i madh të mos çonte në rënien e një vendi në diktaturë, siç kishte ndodhur në vitet 1920. Por masat shtrënguese shkuan aq larg, sa që i dhanë mundësi politikanëve anti-establishment të përfitojnë nga vështirësitë ekonomike, për të fituar mbështetje elektorale.

Në përpjekje për të vijuar të jenë konkurruese në zgjedhje, shumë parti të establishmetit u larguan nga qendra, duke bërë që e gjithë fusha politike të bëhej gjithnjë e më shumë e polarizuar.

Kjo prirje, mund të shihet në Shtetet e Bashkuara, ku nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, Partia Republikane ka mbetur praktikisht pa asnjë zë të moderuar. Kjo gjithashtu mund të shihet në Mbretërinë e Bashkuar, ku një Partisë Laburiste gjithnjë e më radikale nën udhëheqjen e Xheremi Korbin, po përballet me një Partisë Konservatore të mbajtur peng nga ekstremistët pro-Brexit.

Në Itali, Lëvizja populiste Pesë Yjet dhe Lidhja nacionaliste, janë bashkuar në një koalicion qeverisës, pas rënies që pësuan forcat politike kryesore të vendit në zgjedhjet e marsit.

Kur kryeministri italian, Xhuzepe Konte i tha Vladimir Putinit se Rusia është “partneri strategjik” i Italisë, u bë e qartë se Italia, një anëtare kryesore e BE-së dhe NATO, ishte shndërruar në një vend potencialisht destabilizues.

Në Spanjë, Partia Popullore, është bërë haptazi nacionaliste nën udhëheqjen e liderit të linjës së ashpër Pablo Kasado. Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle e kryeministrit Pedro Sançez, është imazhi pasqyrues i Partisë Popullore, duke e braktisur trashëgiminë centriste të Felipe Gonzalezit, në mënyrë që të konkurrojë me populistët e majtë të Podemos.

Në Gjermani, votuesit në Bavari dhe Hesen e braktisën Union Kristiandemokrat të qendrës së djathtë të kancelares gjermane Angela Merkel, dhe partinë e saj motër, Unionin Kristiansocial. Të Gjelbrit tërhoqën vota nga Partia Socialdemokrate më e moderuar, dhe Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë, fitoi goxha terren.

Me qendrën e rrudhur ndjeshëm, kapaciteti i Gjermanisë për të mbetur në pararojë të një Evrope të bashkuar, është në rrezik. Edhe koncepti që një udhëheqës radikal – madje neofashist – të mund të sundojë një ditë në Gjermani, nuk duket më i largët.

Ndërsa demokracitë e braktisin moderimin, po rriten shpërdorimet e pushtetit dhe tensionet shoqërore dhe politike. Në SHBA, Trump i demonizon vazhdimisht kundërshtarët, dhe de-humanizon grupet e margjinalizuara. Gjatë vitit të tij të parë në detyrë, vrasjet për motive politike, të kryera kryesisht nga supremacistët fanatikë të bardhë, u dyfishuan.

Rreziqet që dalin nga këto zhvillime, vështirë se kufizohen vetëm në vendet në fjalë. Ruajtja e paqes relative globale – ose të paktën shmangia e luftërave të mëdha ndërshtetërore – varet nga aleanca të forta, dhe ndërgjegjësimi i udhëheqësve për shkatërrimin e armëve të tyre.

Por, në një kohë kur figura radikale dhe të papërvoja po ngjiten në pushtet, të dy këto shtylla kundër luftës janë dobësuar. Në fakt, kuadri i paqes globale tashmë po vihet nën një presion në rritje. Për shkak të revanshizmit të pamëshirshëm të presidentit rus Vladimir Putin, kufijtë e Rusisë me NATO-n, janë shndërruar aktualisht në vendet e dislokimit më të madh ushtarak që nga Lufta e Ftohtë.

Si për t’i përkeqësuar gjërat më tej, Trump ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, duke hedhur në erë dekada të përparimit në kontrollin e armëve bërthamore. Ai duket se shpreson ta detyrojë Rusinë (dhe Kinën), për nënshkrimin e një marrëveshje të re, duke kërcënuar me “zhvillimin e armëve”.

Por ai nuk ka gjasa që të ketë sukses. Ndërsa Ronald Reagan, ishte duke negociuar me reformatorin Mikhail Gorbaçov, Trump do të përballet me Putinin e uritur për pushtet. Rreziqet me të cilat ballafaqohen bota, janë të komplikuara edhe nga teknologjitë e reja dhe jo të mirë-disiplinuara. Lufta kibernetike, është tashmë një realitet i përditshëm.

Në fakt, në çdo moment, një sulm kibernetik mund të nisë kundër një vendi të NATO-s, duke aktivizuar potencialisht garancinë e mbrojtjes së ndërsjellë të aleancës. Po kështu, Kombet

e Bashkuara, nuk kanë arritur deri më tani të kapërcejnë kundërshtimin ndaj rregullimit të përdorimit të armëve autonome vdekjeprurëse, bazuar në inteligjencën artificiale.

Rreziku i një konflikti të dhunshëm, do të vazhdojë të rritet, pasi të intensifikohen efektet e ndryshimeve klimatike. Ndër të tjera, shkretëtirizimi masiv në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, do të sillte zi buke, që do të linin në hije edhe zitë famëkeqe të bukës në shekullin XX-të. Emigracioni i njerëzve do të shtohet, dhe lufta për burimet natyroe do të përshkallëzohet.

Megjithë përpjekjet për të siguruar një bashkëpunim shumëpalësh, në botën e sotme Hobesiane, rrëshqitja drejt një klime kaotike duket e pandalshme.

Sfidat me të cilat ballafaqohet bota sot, do të ishin të paimagjinueshme në shekullin XX. Por dinamika politike themelore, është shumë e njohur. Është koha që të vlerësojmë, se cilat janë ato sjellje dinamike, dhe të marrim seriozisht parasysh leksionet që na ka mësuar historia.

Shënim: Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i Jashtëm i Izraelit. Aktualisht është zv/drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Paqes Toledo.

“Project Syndicate” – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *