Home»Magazine»Letersi»Fragment i veçantë nga romani “Pianistja” i Elfriede Jelinek. Ia vlen ta lexoni…

Fragment i veçantë nga romani “Pianistja” i Elfriede Jelinek. Ia vlen ta lexoni…

Kështu pret me padurim që vlera e saj si kampione e ardhshme e muzikës të rritet në bursën e jetës….
Pret e qetë, gjithmonë e më e qetë që dikush të vendosë për atë dhe atëherë, e lumtur, nga ana e saj të vendosë menjëherë për tjetrin. Ky dikush duhet të jetë një burrë i jashtëzakonshëm, një talent muzikor, veçse, pa asnjë hamendësi. 
Ai, në fakt, ka zgjedhur prej një copë here: lëndë në thelb angleze ose gjermane. Është krenare për veten e vet dhe ka arsye të jetë.
Jashtë e pret diçka në të cilën ajo vullnetarisht s’pranon të bëjë pjesë, për të mundur më vonë të nxjerrë përfitim nga mospjesëmarrja. Ëndërron të marrë medalje dhe pllakëza ku të jetë shkruajtur emri i saj për mospjesëmarrjen e kurorëzuar nga suksesi, pa qenë e detyruar të matet e peshohet prej dikujt. Kafshë që noton me mundim, membrana çpuar dhe kthetra majëthyer, lëviz me hope në ujërat e ngrohta mëmësore si një qenush, me kokën drejt prej frikës; ku vallë përfundoi bregu i shpëtimit? 
Kërcimi drejt tokës së ngurtë të mbështjellë prej mjegullës i tejkalon forcat e saj: mjaft herë rrëshqiti posht shpatinës së lëmuar.
Dëshiron një burrë që të njohë shumë gjëra dhe natyrisht të luajë mirë në violinë, por miklimi i saj do t’i mbërrijë vetëm pasi ajo ta ketë rrëzuar. Dhia e egër gati për t’ua dhënë këmbëve kacavirret tashmë gërmadhave edhe pse i mungon energjia e duhur për të shkuar në kërkim të feminilitetit të saj me shkëmbinj mbuluar. Është e bindjes se, te e fundit, një femër është femër. Pastaj jep një mendim të thekur mbi paqendrueshmërinë e seksit femëror dhe përfundon duke thirrur: ah femrat! Kur i BËN shenjën për të filluar të luajë, e shikon pa e pasur mendjen te prania e tij. Nuk merr vendime ndesh me ATË, më thjesht, e përjashton ATË.
AJO nuk bie kurrë me këmbët e saj në gjendje në të cilat mund të duket e dobët ose ndoshta e një shkalle të ulët, ndaj rri palëvizur aty ku është. Shkel rrugëve të njohura të kokuljes, pa shkuar në kërkim të territoreve të reja. 
Nëna kërkon nënshtrim. E pastaj, kush dëshiron rrezikun vdes prej tij, është një tjetër paralajmërim i mësuar. Kur në shtëpi s’ka njeri, vajza bën të prera në mishin e saj me paramendim. Gjithmonë pret me ankth çastin kur të grimcohet e pakëqyrur. Sapo shkrehet doreza e derës e gjithçka bie në heshtje, nxiton të marrë thikën e babait, talismani i saj. 
Ka njëfarë aftësie në përdorimin e tehut, është ajo që mendon të rruajë babanë, atë faqe të butë atërore posht ballit krejtësisht të boshatisur, tashmë jo më i ngrysur nga mendimet, as edhe i vrenjtur nga kotësitë. Ky teh është i paracaktuar për mishin e SAJ: një thikë e çeliktë me ngjyrë gati të kaltër, e hollë dhe elegante, e përthyeshme, e epëshme. 
Ajo qendron shalë çaplyer përpara pasqyrës zmadhuese që përdoret për të rrojtur dhe bën një prerje, përzgjat kështu të çarën e trupit të saj. Me kohë ka mësuar se një e prerë me thikë nuk bën keq: krahë, duar dhe këmbë kanë shërbyer shpesh si kavie. Hobby i saj i pëlqyer është pikërisht të thelmojë trupin.
Sikurse e hapura gojore, edhe kjo që shërben si hyrje-dalje e trupit të saj, s’mund të quhet e bukur, e nevojshme po. Ajo ndihet plotësisht e përkushtuar vetvetes, shumë më mirë se sa të jesh nën mëshirën e të tjerëve. Tashmë varet gjithçka prej duarve të saj. Edhe një dorë ka ndjenja, di me saktësi sa herë duhet të presë e në ç’thellësi. E hap vrimën me ndihmën e mbajtëses metalike të pasqyrës dhe përcakton pikën e duhur për të prekur. Me ngut, para se të mbërrijë dikush. 
Me njohuritë e saj të mangëta anatomike dhe po ashtu me pafatësinë e saj, mbështet çelikun e ftohtë tamam në pikën ku e gjykon të nevojëshme se duhet bërë e çara. Ja, u thelmua, e terrorizuar nga ky ndryshim i papritur, gjaku fillon të gufojë. Një shfaqje jo kaq e pazakontë, ky gjak, që ndërkaq nuk orvatet të përshtatet me rëndomësinë. Si gjithmonë nuk ndien dhimbje. AJO, sidoqoftë, përfundon duke u prerë në vend të gabuar dhe ndan atë çka Zoti Babë e Nëna Natyrë, në një harmoni të veçantë, kanë bashkuar…

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *