Home»Histori»Trashëgimia e vërtetë e Luftës së Parë Botërore

Trashëgimia e vërtetë e Luftës së Parë Botërore

Lufta e Madhe mori fund 100 vjet më parë. Si e formësoi ajo botën ku jetojmë sot?

Çfarë e shkaktoi Luftën e Madhe?

Në vitin 1914, fuqitë e mëdha të Evropës ishin të ngatërruara në një rrjet aleancash që ishin krijuar për dekada të tëra lojërash për dominim nga ana e perandorive koloniale. Vrasja e Dukës austro-hungarez Franz Ferdinand nga një aktivist boshnjak 19-vjeçar, nxiti një reaksion zinxhir që i futi këta vende në një luftë kataklizmike.

Austro-Hungaria, e cila kish qenë në kërkim të një mundësie për të projektuar forcën e saj në Ballkan, i shpalli luftë Serbisë, duke akuzuar qeverinë e saj se kishte orkestruar atentatin. Rusia u mobilizua për të mbrojtur aleatin e vet, Serbinë. Kjo shtyu Gjermaninë, e cila ishte aleate me Austro-Hungarinë, që t’i shpallte luftë Rusisë dhe aleatit të saj Francës, si dhe të pushtonte fqinjën e Francës, Belgjikën. Britania, që kishte premtuar të mbronte neutralitetin e Belgjikës, i shpalli luftë Gjermanisë, me të cilën kishi kohë që matej për supremacinë në dete. Në 4 vitet që pasuan, 9.7 milionë ushtarë dhe 10 milion civilë vdiqën në një konflikt kaq të frikshëm, saqë shumë të mbijetuar mbetën të torturuar mendërisht prej asaj që kishin parë.

Përse vdiqën kaq shumë njerëz?

Teknologjia. Futja e automatikëve, telave me gjemba, dhe rritjes së saktësisë së artilerisë e shndërroi përparimin në terren të hapur një recetë për vetëvrasje. Megjithëkëtë, udhëheqësit ushtarakë vazhduan t’u përmbahen taktikave të shekullit 19 për pjesën më të madhe të luftës, duke urdhëruar mësymje masive të këmbësorisë për të pushtuar pozicionet e amrikut. Por kur ushtarët linin llogoret dhe niseshin për sulm, ata vriteshin e mijëra. Industrializimi i luftës shkaktoi vdekje në një shkallë të paprecedentë; në Francë për shembull, 13.3 përqind e popullsisë meshkuj të moshës 15-19 vjeç vdiqën në luftë. Luftimet ofruan një ide të zbehtë të tmerreve që do të vinin, me përdorimin fillimisht të mjeteve luftarake ajrore, bombardimin e civilëve, armët kimike, dhe tanket. Lufta e Parë Botërore ishte katastrofa e parë e shekullit 20, ka shkruajtur historiani Fritz Stern. “Katastrofa nga e cila buruan gjithë katastrofat e tjera”.

Çfarë ndodhi pas luftës?

Fundi i luftës krijoi terrenin për një seri konfliktesh globale, disa prej të cilëve vazhdojnë edhe sot. Në Rusi, lodhja prej luftës çoi në kolapsin e dinastisë disa shekullore të Romanovëve, Revolucionin Rus të 1917 dhe ardhjen e sundimit komunist. Perandoria poliglote e Austro-Hungarisë së mundur u shpërbë në një seri shtetesh të pavarura, bazuar në identitetin etnik, përfshirë edhe ish Jugosllavinë, ku tensionet nacionaliste dhe sektare vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Kushtet e ashpra që fitimtarët imponuan në Traktatin e Versajës ishin shkaku i ngritjes së nacionalizmit në Gjermani, dhe më pas ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit dhe partisë së tij naziste. Disa historianë e shohin Luftën e Parë Botërore, si fillimin e një lufte të vazhdueshme për Evropën, e cila nuk mori fund deri në ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1989.

Po pjesa tjetër e botës?

Pas Luftës së Parë Botërore, aleatët i hoqën Gjermanisë kolonitë e veta në Azi dhe Afrikë. Por në vend që t’u jepej pavarësia, këto shtete të shtypura prej kohësh u përfshinë në perandoritë koloniale të fitimtarëve. Popujt e kolonizuar nuk duronin t’u mohohej e drejta për vetëvendosje kombëtare, siç po ndodhte me shtetet evropiane të çliruara rishtaz, si Polonia, duke ndezur kështu lëvizjet për pavarësi në Indi dhe disa shtete afrikane. Lufta e Parë Botërorë gjithashtu ribëri hartën e Lindjes së Mesme. Britanikët dhe francezët hartëzuan atë që mbetej prej Perandorisë Otomane, e cila kish hyrë në luftë në krah të Gjermanisë. Sipas marrëveshjes Sykes-Picot, Franca kërkoi Libanin dhe Sirinë në sferën e saj të influencës, ndërkohë që Britania mori kontrollin e atyre që do të bëheshin Iraku e Jordania, si dhe shteteve të Gjirit. Kufijtë e rinj u krijuan arbitrarisht, pa marrë fare parasysh identitetet e vjetra fetare dhe fisnore. Iraku, për shembull, u krijua duke bashkuar tre ish provinca otomane, të dominuara respektivisht nga shiitët, sunitët dhe kurdët. Kur ISIS u fut në Siri dhe Irak, udhëheqësi i saj, al Baghdadi shpalli qëllimin e tij për të eleminuar kufijtë e vjetër kolonialë. “Kjo aleancë e bekuar nuk do të ndalet, deri kur të kemi ngulur gozhdën e fundit në arkëmortin e komplotit Sykes-Picot”, tha ai.

Impakti në SHBA

Amerika hyri me hezitim në luftë në anën e aleatëve, në vitin 1917, por ndërhyrja e saj e vonë i fuqizoi aleatët e lodhur e pothuaj të falimentuar, duke i çuar në fitore. Lufta e bëri Amerikën kredidhënësin më të madh të botës, duke e zhvendosur qendrën e financës globale nga Londra në Nju Jork.

E paprekur në shtëpi nga lufta ndërkohë që Evropa ishte rrënuar, Amerika pa ekonominë të lulëzonte, duke kaluar edhe Perandorinë Britanike e duke u bërë më e madhja në botë. Presidenti Uilson shpresoi të bënte një rend të pasluftës me Ligën e Kombeve, e cila ishte projektuar për të shmangur luftërat e ardhshme. Por Senati refuzoi hyrjen në Ligë, teksa kundërshtarët e quajtën të papajtueshme me sovranitetin amerikan. Megjithëkëtë, deklarata e Uilsonit se “bota duhet të bëhet e sigurtë për demokracinë”, krijoi një precedent që ka zgjatur. “Ky ka qenë themeli i të gjithë politikës së jashtme amerikane për 100 vitet e fundit”, thotë historiani A. Scott Berg. “Je apo nuk je dakord”.

Burimi: The Week – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *