Home»Histori»Pse “ia vlejti” Lufta e Parë Botërore

Pse “ia vlejti” Lufta e Parë Botërore

Nga Simon Uinder

Një nga çuditë e shekullit XXI-të, është se ne mendojmë se ai nuk ka formë. Ndodhin ngjarje të rastësishme, lindin kërcënime, dhe qeveritë duken të paefektshme, ose u shmangen sfidave. Por kjo është thjesht jeta normale, siç përjetohet nga qeniet njerëzore për periudha të gjata kohore.

Dhe ndihet si e papërshtatshme nga ne, si rezultat i trashëgimisë së një sekuence të vetme të veçantë, një lloj drame madhështore në 5 akte:Lufta e Parë Botërore, Depresioni i Madh, ngritja e Hitlerit, Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë.

Natyrisht që ekzistojnë nën-tema brenda këtyre epikave të mëdha. Gjithsesi, ekziston një ndjenjë e kërcënimit fizik, një betejë për qartësi morale, dhe ngjarje të mëdha, shpesh të tmerrshme që çojnë nga njëri tek tjetri, për të krijuar një tërësi unifikuese.

Në thelb, që nga momenti kur shoferi i Franc Ferdinandit u kthye rastësish në të djathtë kur po vizitonin Sarajevën, tek Boris Jelcin, që iu hodh para një tanku përpara ndërtesës së parlamentit të Moskës, historia duket të ketë kuptim. Kaq bindëse është kjo narrativë, sa që na e bën të vështirë madje të përqendrohemi në periudhat më të vjetra:pjesa më e madhe e shekullit XIX duket e paqartë, pompoze dhe ironike për mungesën e vetëdijes për katastrofën e ardhshme në vitin 1914; dhe shekulli XVIII absurd me paruket e tij dhe mbrëmjet mondane.

E megjithatë ky është qartazi vetëm faji ynë. Emergjenca e secilit shekull, ka pasur pikërisht të njëjtën ndjenjë terrori, humbje kontrolli dhe mosmirënjohje si i yni – dhe disa në praktikë kanë qenë edhe më keq. Çdo luftë mendohet të jetë e shkurtër, por sapo fillon, del jashtë kontrollit.

Gjermania në Luftën e Parë, kishte rezerva të mëdha në fuqi punëtore dhe armatime.

Ndaj një mposhtje e dytë e shpejtë e Francës, dukej jo më pak e mundshme sesa herën e fundit, veçanërisht në aleancë me Austro-Hungarinë – e cila siguroi armët gjigante të artilerisë që shkatërruan fortesat e Belgjikës – dhe Italinë, që mund të kërcënonte juglindjen dhe pjesën mesdhetare të Francës.

Vendimi i Italisë për të tradhtuar fuqitë e tjera qendrore, dhe për të mbetur neutrale në vitin 1914 ishte strategjik, por me kombinimin e shkallës, shpejtësisë dhe elegancës së sulmit në Planin Shlifen, Gjermania ishte e sigurt se do ta mposhte Francën brenda 5-6 javësh.

Me dorëzimin e Francës dhe pjesës më të madhe të Belgjikës, supozohet se britanikët, me mbetjet e ushtrisë së tyre të vogël përballë ushtrive të mëdha gjermane, do të arrinin një lloj marrëveshjeje. Ndërkohë shumica e trupave gjermane, mund të transferoheshin në lindje për të shtypur rusët.

Me dështimin e luftës rrufe të Planit Shlifen, aventurës gjermane nisi t’i vinte fundi që në shtatorin e vitit shtator 1914. Por katastrofa që nisi të përfshijë Evropën, bëri që gjermanët ta kuptojnë se kishin humbur vetëm në nëntorin e vitit 1918.

Një nga arsyet se pse lufta vazhdoi aq gjatë, ishte një sulm katastrofik në ditët e tij të para nga marina britanike në Mesdhe. Të stacionuara në atë që është tani Kroacia, dy luftanije gjermane, Goeben  dhe Breslau, arritën me fat të kalonin nëpër pjesën më të madhe të Mesdheut, hynë në Dardanele dhe arritën në Stamboll.

Dobësia e komandantëve britanikë, të cilët duhet t’i kishin ndalur anijet armike, çoi në shkarkimin e tyre, por ky dështim shkaktoi dëme të jashtëzakonshme. Është e zakonshme të theksohet se sa e dobët ishte marina gjermane në luftë, por në këtë rast ajo shkaktoi një ndryshim të habitshëm dhe me ndikim të gjerë në raportin e forcave, pasojat e të cilës ndihen ende sot. Perandoria Osmane, deri atëherë neutrale vendosi të mbështesë Fuqitë Qendrore, me Rusinë dhe pastaj aleatët e saj që i shpallën luftë, pas një sulmi osman në Detin e Zi në fillim të nëntorit 1914.

Përveç çuarjes të perandorisë osmane drejt shkatërrimit, ky veprim bëri të mundur që konflikti

të quhej një “luftë botërore”. Sipas standardeve të mëparshme, lufta e viteve 1914-18 nuk ishte në fakt veçanërisht globale. Asetet gjermane jashtë Evropës u asgjësuan për disa javë, me gjithçka që ose ishte nën rrethim ose e fundosur nën det.

Shumica e oqeaneve dhe bregdetit, ishin krejtësisht të lira nga ndërhyrja e Fuqive Qendrore – përtej pjesëve të Atlantikut – dhe tregtia e aleatëve mbeti e papenguar. Kjo është në kontrast të fortë me Luftërat Napoleonike, ku britanikët për shembull, u bënë vërtet globalë, duke dërguar ekspedita në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Afrikën dhe Azinë.

Në fakt, Lufta e Parë Botërore ishte një konflikt realisht “botëror”, kur Aleatët tërhoqën të gjithë botën në konflikt, për të mposhtur kundërshtarët e tyre. Deri në vitin 1918, në Mesdhe kishte destrojerë japonezë, trupa braziliane në Francën lindore, mijëra punonjës kinezë në Kale, plus një roli të dukshëm dhe shumë të rëndësishëm të trupave imperialiste, qoftë nga Kanadaja, Senegali apo Vietnami. Dhe në mënyrë të paimagjinueshme, në vitin 1914 në Francë kishte rreth 2 milionë trupa amerikane.

Vendimi i osmanëve për të mbështetur Fuqitë Qendrore, padyshim që shmangu burimet e aleatëve, në mënyra që përndryshe do të forconin përparësitë e pakta, që ata kishin mbi gjermanët dhe austro-hungarezët. Por ky vendim, shkatërroi ndërkohë lëvizjen reformuese brenda perandorisë, çka mund të kishte lënë paprekur një shtet të vetëm kryesisht islamik, që shtrihej nga Deti i Zi në Oqeanin Indian.

Ndarja e asaj perandorie, është sot trashëgimia e drejtpërdrejtë më e madhe e Luftës së Parë Botërore. Ndoshta katastrofa kryesore e ushtrisë osmane, do të thoshte që Rusia do të zhvillonte një luftë mjaft të veçantë me aleatët perëndimorë. Deri në vitin 1917 Britania dhe Franca po dërgonin shuma tronditëse të ushqimeve, armëve dhe prodhimit industrial në mbarë botën, por Rusia nuk mundi të merrte pothuajse asnjë prej tyre.

Ishte një kombinim shansesh, aleancash, gjeografisë dhe linjave të frontit, ato që e izoluan Rusinë nga bota e jashtme:madje aleatët qenë të detyruar të dërgonin korrespondencën e tyre, nëpërmjet një zyre re vogël postare në kufirin Rusi-Suedi. Nëse rusët do të ishin pjesë e rrjedhës globale që ushqente aleatët e tjerë, të furnizuar anije pas anije, duke marrë gjithçka që u duhej regjimit carist në Detin e Zi, dhe nëse në vend të kësaj do të ishin angazhuar miliona trupa britanike dhe indiane në Lindjen e Mesme në Frontin Lindor, Lufta e Parë do të kishte edhe më e shkurtër, ndërsa nuk do të kishte pasur një Revolucion Rus.

Fundi i luftës erdhi si një surprizë. Ushtria amerikane sapo ishte angazhuar plotësisht në luftime, dhe aleatët nuk kishin mjete me të cilat mund të tregonin se çfarë po ndodhte përtej linjave të tyre të rrethimit. Pas dështimit të sulmeve gjermane në pranverën e vitit 1918, dhe fitoreve pasuese të aleatëve në të gjitha frontet, nuk kishte asnjë besim për fitoren përfundimtare. Supozimi ishte se luftimet do të vazhdonin ndoshta deri në vitin 1920.

Ndryshimi i madh ishte se askush tek Fuqitë Qendrore nuk besonte më tek fitorja, nga Ludendorfi deri tek ushtarët gjermanë në frontin italian, të cilët në fund refuzuan t’u bindeshin urdhrave të eprorëve. Lufta kishte zgjatur shumë, dhe popullatave të mbijetuara gjysmë të uritura, brenda ‘fortesës’ së madhe të formuar nga Evropa Qendrore, u kishte ardhur në majë të hundës me regjimet që kishin qenë kaq të paafta dhe mizore me jetët e tyre.

Një vend i mirë për t’i dhënë fund luftës, ishte qyteti jugor belg i Monsit, ku gjermanët kishin marrë vendimin e tyre të fundit shkatërrues, për të nisur ofensivën e tyre të vitit 1918. Mons u bë fokusi i takimit të parë midis ushtrive britanike dhe gjermane. Në një moment të luftimeve një grup vajzash belge, nisi të shëtisë midis dy fronteve.

Në vitin 1918, britanikët vendosën me vetëdije që përvoja e tyre ushtarake të përfundonte në Mons, aty ku ajo kishte filluar. Trupat kanadeze nxituan ta garantojnë këtë. Viktima e fundit e aleancës ishte Xhorxh Lorenc Prins, i vrarë nga një snajper gjerman jashtë Monsit, 2 minuta para se të hynte në fuqi armëpushimi.

Lufta e Parë Botërore, është trajtuar shumë shpesh thjesht si një prelud për fatkeqësitë e mëvonshme. Del Gol gati gjeti vdekjen në Dinant, Çërçilli në Antverp, Hitleri në Ipre, Truman dhe Paton në ofensivën Meuse-Argonne.

Është pa dyshim katastrofa e madhe, por është e gabuar ta shohësh atë vetëm nëpërmjet ironisë ose ankthit të asaj që pasoi. Në termat e vet, ajo luftë ishte larg nga nga të qënit “e kotë”, siç përshkruhet shpesh:ajo ndryshoi gjithë formën e botës – Britanisë dhe perandorisë së saj, si dhe kudo.

Marrë me shkurtime nga New Statesman – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *