Home»Histori»Perandorët romakë dhe të krishterët: e vërteta e një marrëdhënieje

Perandorët romakë dhe të krishterët: e vërteta e një marrëdhënieje

Ka shumë stereotipa rreth marrëdhënies konfliktuale midis Perandorisë Romake dhe të krishterëve, aq shumë saqë në imagjinatën kolektive shpesh mendojmë për një qëndrim persekutues deri kur erdhi perandori Konstandini, i cili e ndryshoi këtë gjendje. Në të vërtetë situata ishte shumë e ndryshme: nga dhjetë persekutimet që kujton nga historiografia e krishterë, disa prej tyre kanë rezultuar pa bazë historike; për të mos përmendur se kjo fe nuk do të mund të kishte hedhur rrënjë, nëse konteksti do të kish qenë plotësisht armiqësor.

Është e qartë se ideologjia e krishterë, për shkak të përmbajtjeve shumë novatore dhe egalitare, shihej me shqetësim dhe frikë nga qeveria romake, veçanërisht pasi nuk pranonte të nderonte imazhin e perandorit. Por përndjekjet kundër të krishterëve ishin rezultat i marrëdhënieve të tensionuara, të cilat u përkeqësuan mbi të gjitha me disa sundimtarë, të cilët më shumë se të tjerët shihnin tek krishtërimi një kërcënim serioz për autoritetin e tyre. Në të vërtetë Neroni ishte persekutuesi i parë i të krishterëve (kjo ishte një nga pasojat e zjarrit tragjik që goditi Romën ndërmjet 18 dhe 19 korrikut 64 pas Krishtit dhe që u përhap shpejt në të gjithë qytetin).

Perandori nuk kishte asnjë përgjegjësi për zjarrin, por për të hequr të gjitha dyshimet, ai filloi t’i akuzonte të krishterët se i kishin vënë zjarrin qytetit të përjetshëm, për t’i përndjekur dhe për t’i dërguar ata drejt vdekjes; në mesin e tyre u martirizua apostulli Pjetër, i cili u kryqëzua në kodrën e Vatikanit dhe Pali, të cilit i prenë kokën, si qytetar romak, jashtë mureve, ku më pas u ndërtua bazilika kushtuar tij. Ishte perandori Konstandin i cili në fund i dha fund persekutimit të të krishterëve. Sipas gojëdhënës, fitorja e rëndësishme e Konstandinit kundër Maxentiusit, që ishte vendimtare për shfaqjen e autoritetit të perandorit të ardhshëm, i kishte dalë në një ëndërr: Krishti, iu shfaq dhe e urdhëroi të shkonte në Chrismon, ose simboli i Jezu Krishtit në flamurin e tij perandorak.

Fitorja e Ponte Milvios, në 312 pas Krishtit, me të cilën Konstandini mposhti përfundimisht Maxentiusin, do të përcaktonte kthimin e perandorit dhe fillimin e një politike të re ndaj të krishterëve. Në fakt, në vitin 313 pas Krishtit, një vit pas betejës së Ponte Milvio, Konstandini (i cili mbretëroi nga 306 në 337), së bashku me aleatin e tij Licinius (perandor nga 308 në 324), nxori Ediktin e Milanos, i cili u dha zyrtarisht të krishterëve lirinë e fesë. Konstandini e kishte kuptuar se krishtërimi, me forcën e vet morale dhe praninë tashmë të vendosur në shoqëri, mund të krijonte një bazë të fortë mbi të cilën të rithemelohej autoriteti perandorak dhe uniteti shoqëror; në fakt, Perandoria Romake u karakterizua si e krishterë. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *