Home»Histori»Mistere të së shkuarës / Kush e zbuloi në të vërtetë Amerikën?

Mistere të së shkuarës / Kush e zbuloi në të vërtetë Amerikën?

Për shekuj me radhë është besuar se zbulimi i Botës së Re nga Perëndimorët i atribuohet Kristofor Kolombit, i cili më 12 tetor 1492 kishte zbritur në një nga ishujt Lucai, që menjëherë e pat pagëzuar San Salvador (sot Bahamas), për nder të Krishtit. Dëshmitë e shumta letrare dhe historike, si dhe dëshmi të ndryshme arkeologjike, megjithatë i kanë shtyrë studiuesit, që gradualisht të mbërrijnë në momentin kur evropianët u vendosën në kontinentin e ri. Pra, kush mbërriti i pari dhe kur?

Dimë se Vikingët kolonizuan shumë toka të paeksploruara në Mesjetë, si Islanda (pak para vitit njëmijë) dhe Grenlanda. Disa pasazhe të Sagës së Erikut të Kuq dhe rrëfimeve të tjera norvegjeze përmendin udhëtime të gjata, të bëra nga një tregtar me emrin Bjarni Herjólfsson, pastaj nga i biri i Erikut të Kuq, Leif: ky i fundit do të vendoset në një vend të quajtur Helluland (“toka e gurëve të sheshtë”), pastaj në Markland (“toka pyjore”) dhe më në fund në Vinland (“toka e verës” ose “e lëndinave”).

Në vitin 1004, vëllai i Leif, Thorvald, lundroi në Vinland dhe gjeti vdekjen gjatë një sulmi nga vendasit. Më në fund, në vitin 1009, Thorfinni ngarkoi tre anije me bagëti, burra dhe gra, dhe ai gjithashtu arriti në Botën e Re, duke shkëmbyer dhurata me banorët vendas, por më pas u përplas me ta. Nga të gjitha këto udhëtime ka pasur dëshmi të mjaftueshme letrare, por asnjë dëshmi historike. Deri në vitin 1960, zbuluesi norvegjez, Helge Ingstad dhe bashkëshortja e tij Anne Stine, arkeologë, zbuluan në Anse aux Meadoës, në pjesën më veriore të ishullit kanadez të Terranovës, mbetjet e një fshati të lashtë, që menjëherë dukej se ishte Viking. Gërmimet kanë treguar se ishte një vendbanim sezonal, i krijuar për të furnizuar me dru, salmon dhe mallra të tjera që të silleshin në Grenlandë, nga ku vinin vikingët.

Vendi u përdor për vetëm tre vjet dhe pastaj u braktis, ndoshta për shkak të marrëdhënieve të këqija me vendasit. Pra, ajo e Vikingëve nuk ishte një prani e përhershme, por kishte për qëllim krijimin e një porti tregtar, në përputhje me zakonet e tyre. Misteri se kush ka mbërritur për herë të parë në Botën e Re dukej i zgjidhur. Megjithatë, ka njerëz që kanë treguar se edhe murgjit irlandezë, të cilët në shekullin VI-VII lundruan në detet veriore për të gjetur manastire në ishuj të pabanuar, mund të kishin mbërritur në Amerikë.

Në vitin 1977, eksploruesi britanik, Tim Severin, ndërtoi një varkë lëkure të ngjashme me atë të përdorur nga murgjit e Irlandës në atë kohë dhe u drejtua për në Atlantik. Severini u mbështet në drejtimin e një vepre anonime të shekullit të nëntë, Lundrimi i San Brandanos, që përmbante një tregim për një udhëtim të ndërmarrë nga abati irlandez në shekullin e gjashtë, në kërkim të “Tokës së Premtuar të Shenjtorëve”.

Itinerari ishte përshkruar në mënyrë të përpiktë, saqë mund të ribëhej: “kolona e kristaltë” ishte një ajsberg, “peshki jaskon”, një balenë etj. Duke ndjekur udhëzimet, më 26 qershor 1977, Severini arriti në brigjet e Tokës së Re, Kanada. Sipërmarrja e tij, sigurisht nuk provon se Brandano dhe të tijtë në fakt kanë ardhur në Botën e Re (aventura e transmetuar në vepër është, në përgjithësi, interpretuar metaforikisht), por tregon se një udhëtim i tillë ishte teknikisht i mundur edhe para epokës së Vikingëve, madje edhe tetë shekuj përpara ekspeditës së ndërmarrë nga Kristofor Kolombi. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *