Home»Analiza»Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite

Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite

Mohammed Bin Salman, Princi Trashëgimtar i Arabisë Saudite, është një investitor i fuqishëm në industritë e Silicon Valley, që po integrohet në Saudi Giga Projects. Me një ndryshim kursi amerikan, linja e investimeve saudite, në vend që të drejtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, mund të drejtohet nga vende të tilla si Kina, Rusia dhe India

Në vitet gjatë të cilave Hillary Clinton ka qenë Sekretare Shteti, domethënë nga 2009 deri më 2013, sauditët kanë kontribuar me të paktën 10 milion dollarë për Clinton Foundation. Sidomos në momentet gjatë të cilave Clinton, si për ironi të fatit, mundësonte shitjen e armëve të përparuara Riadit. Sauditët kanë paguar edhe mbi 20% të fushatës elektorale të vetë zonjës Clinton, sipas thënies së vetë Mohammed Bin Salman, Princit Trashëgimtar, i intervistuar në 2016 nga agjencia jordaneze Petra. Por, në masë më të vogël, kanë subvencionuar edhe kandidatët e tjerë për president në Amerikë. Asnjë investitor i huaj në betejën politike për presidencën amerikane, ta thuash amerikançe, nuk i vë të gjitha vezët e tij në të njëjtin kosh. Për më tepër, edhe Mbretëria e al Saudëve, ashtu si Rusia dhe të tjerë, e ka mbështetur financiarisht, bile edhe fuqishëm, të dy kandidatët në presidencialet amerikane, gjithmonë.

Më pas, Trump ka teorizuar në fushatën elektorale ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara e turistëve dhe emigrantëve nga pjesa më e madhe e shteteve islamike, përfshi Arabinë Saudite. Ka marrë kritika nga Muhammad Bin Salman, por edhe nga multimiliarderi i famshëm saudit Al Walid bin Talal, titullar i Kingdon Holding Company në Riad, kolos botëror financiar, dhe me paketa aksionesh personale në Coca Cola, AOL, Amazon, Apple deri më 2005, Pepsi Cola, Fininvest, 5%  të kompanisë së lajmeve të Rupert Murdoch dhe shumë investime të tjera që është e kotë të përmenden këtu. Në fakt, pasi është zgjedhur President, edhe Trump ka kërkuar falje dhe e ka bërë në Riad udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, nga 20 deri më 22 maj 2017. Qe aty që përqafoi globin e çuditshëm të ndriçuar që të tregonte lindjen e Global Center for Combating Terrorism. I liruar më 27 janar nga burgu i tij në Ritz Carlton të Riadit, Al Walid bin Talal, nipi i Mbretit saudit Abdullah, i ka paguar fraksionit fitimtar të familjes mbretërore, i kryesuar pikërisht nga Mohammed Bin Salman, një gjobë prej 6 miliard dollarësh. Pasi e ka kuptuar më së fundi sesa ishte e rëndësishme mbretëria wahabite për ekonominë amerikane, edhe Trump është zbutur shumë ndaj al Saudëve. Në një intervistë me Fox News Night TV, e dhënë më 19 tetor, Presidenti amerikan ka pohuar se është i interesuar të dijë të gjithë të vërtetën lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi, që e kishte rezidencën në Shtetet e Bashkuara, e ndodhur kohët e fundit në konsullatën e vendit të tij në Stamboll. Për këtë arësye, Trump ka refuzuar që t’i bllokojë të gjithë shitjet e armëve në zhvillim sauditëve.

Në fund të majit 2017, gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit, pikërisht në Arabinë Saudite, veç të tjerash Donald J. Trump ka nënshkruar një kontratë për shitje armësh dhe për raporte të tjera ekonomike me Riadin, një marrëveshje me vlerë prej 110 miliard dollarësh dhe 350 miliard të tjera në 10 vitet e ardhshme, me objektivin politik e luftimit sidomos të Daesh – ISIS. Midis blerjeve, ka 18 miliard për sistemet C4 (Command, Control, Communications and Computers), pastaj 13,5 miliardi për 7 platforma Thaad, Terminal High Altitude Area Defense, armë teatri për mbrojtjen antiraketore, 6.65 miliard dollarë për sistemet e vjetra, gjithmonë antiraketore, të klasit Patriot, 25 miliard për rikapitalizimin e blerjes nga ana e Riadit e avionëve F-35, 5.8 miliard dollarë për 3 KC130J dhe 20 C130J, të dy avionë transportues, 6 miliard për 4 anije për luftim në bregdet, me 11.5 miliard të tjerë për anije të kërkuara nga sauditët në 2015 dhe të bllokuara nga Obama, pas presionit të fortë të Sekretarit të Shtetit të tij.

Pastaj, investimet e tjera të al Saudëve janë finalizuar tek avionët spiunë, elektronika e lartë, tek mjetet për lëvizjen e trupave dhe sulmeve nga toka, në blerjen e helikopterëve Apache, të autoblindave M1A2, si dhe për shumë programe stërvitore njerëzore dhe interaktive me kompjuterë, për të gjitha llojet e forcave të armatosura të Mbretërisë. Është e qartë se sauditët e kanë mbyllur një sy lidhur me azhurnimin teknologjik e sistemeve të armëve të prenotuara, shumë më i avancuar nga niveli i blerjeve aktuale, por në pritje të një lidhjeje të fortë të ardhshme me Shtetet e Bashkuara. Burime zyrtare të Riadit pohojnë veç të tjerash se Mbretëria, deri në majin e 2017, ka pësuar mbi 60 sulme terroriste nga Daesh-i dhe al Qaeda, me mbi 25 prej tyre vetëm në 2 vitet e fundit. Mbi 200 qytetarë sauditë, midis policëve dhe civilëve, janë vrarë nga terrorizmi islamist. Gjithmonë sipas dokumentave të Saudi Center For Combating Terrorism. E çuditshme që një shtet thellësisht islamik të quajë “xhihadin e shpatës” si “terrorizëm”, sikur të mos e dinte se cilët janë rregullat dhe teknikat e xhihadit. Terminologji të caktuara i përdorin vetëm shtetet perëndimore, nuk e kanë kuptuar ende mirë se çfarë po ndodh në universin fetar dhe politik islamik. Pastaj sauditët pohojnë se kanë organizuar të paktën 341 veprime ajrore kundër vendqëndrimeve të Kalifatit në Siri, ku rezultojnë fuqia e dytë antiterroriste pas Shteteve të Bashkuara në zonë. Por që nuk kanë të bëjnë aspak me veprimet ajrore të Federatës Ruse, që vetë shërbimet amerikane i kanë llogaritur në mijëra.

Duke u kthyer tek Mbretëria, regjimi wahabit ka nisur edhe kontrollin e donacioneve private për Kalifatin. Gjithmonë në 2015 është themeluar një Counter Isil Finance Group special dhe gjysmësekret midis sauditëve, Shteteve të Bashkuara dhe Italisë për të luftuar rrjetet financiare të të ashtuquajturit Kalifat. I vetëm, Riadi ka krijuar ede një Financial Intelligence Unit, që është anëtare e Egmont Group, një rrjet prej 159 Financial Intelligence Units midis Bashkimit Europian, vendeve të “rrezikshme” dhe rrjeteve nga Lindja e Mesme. Veç të tjerash, bamirësitë saudite nuk mund të operojnë më, edhe sikur të jenë të regjistruara në Mbretëri, përveçse nëpërmjet qendrës në Riad të Gjysmëhënës së Kuqe saudite dhe King Salman Humanitarian Aid, duke ndaluar çdo mbledhje të pavarur fondesh nëpërmjet xhamive dhe deri qendrave të thjeshta publike të bamirësisë. Ndalohen edhe money transfer pa liçencë (60% e totalit). Por nuk mungojnë edhe sanksionet ndaj Hizballahut. Natyrisht, dy zogj me një të shtënë. Deri më 30 shtator 2017, fundin e vitit të fundit fiskal, Shtetet e Bashkuara kanë shitur 55.6 miliard dollarë armë në të gjithë botën, më shumë se 33% më shumë se një vit më parë.

Siç e ka deklaruar hapur, Trump nuk do “që të ndërpresë një investim prej 110 miliardësh në Shtetet e Bashkuara”, një shifër që përfshin edhe 23 miliard e blerjeve të armëve nga ana e sauditëve, të dhëna tashmë nga administrata Obama. 1/5 e të gjitha shitjeve të jashtme të armëve nga ana e Shteteve të Bashkuara, të paktën nga 2012 deri më sot, shkon për sauditët. 1/3 e të gjitha shitjeve të armëve në botë e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara. Por gjysma e shitjeve amerikane i shkon të gjithë Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Midis sistemeve të armëve, kuota më e lartë e eksporteve amerikane është në sektorin aeronautik, më pas në atë raketor, në fund në sistemet e armëve tokësore dhe në mjetet e transportit. Sipas renditjes, vendet që blejnë më shumë armë nga Shtetet e Bashkuara janë: Sauditët, më pas Polonia, Japonia, Rumania, Bahreini, Australia, Mbretëria e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, Greqia dhe Singapori.

Duke u kthyer tek Riadi, një dekret mbretëror i 22 prillit 2017 ka emëruar Khalid bin Salman Al Saud, djali i Mbretit aktual dhe ish pilot avionësh bombardues, i dalluar për më tepër në misione të rrezikshme pikërisht kundër Kalifatit siriano – iraken, si ambasadorin e ri saudit në Shtetet e Bashkuara. Më pas, më 2 tetor 2018, Trump ka pohuar me mënyrën e tij të sinqertë se Mbretëria saudite do të rrëzohej brenda 2 javësh pa mbrojtjen amerikane. Është e vërtetë dhe Princi e lideri aktual i Riadit këtë e di. Nuk është akoma i sigurtë se zgjat vetëm dy javë pa mbështetjen amerikane, por e di. Dhe po e krijon sërish raportin e ri historik midis Shteteve të Bashkuara dhe sauditëve, pavarësisht incidentit të gazetarit Khashoggi, duke bërë që të peshojë fort rëndësinë e investimeve të mbretërisë wahabite në Shtetet e Bashkuara, tashmë të domosdoshme për këtë vend, dhe marrëdhënien bilaterale e strategjike më Uashingtonin, që al Saudët shpresojnë të bëhet edhe më e qëndrueshme. Pa Amerikën, sauditët janë të humbur; pa sauditët, Shtetet e Bashkuara do të bëheshin patjetër më të varfëra dhe këtë asnjë President nuk mund ta pranojë. Vlen edhe për përplajsen në Jemen, ku qysh nga 2015 Shtetet e Bashkuara stërvisin, armatosin dhe shkëmbejnë inteligjencë me sauditët. Kundër Houthive, luftëtarë shiitë të Imamit të 7-të, natyrisht të organizuar nga Irani. Dhe sikur sauditët të kishin frikë nga një gjë e vetme, domethënë nga revolta e shiitëve, të shumtë në numër në zonën e puseve të tyre kryesore të naftës? Qe pikërisht në vitin 2015, viti në të cilin Mbreti Salman hipën në fron dhe ia bën delegimet menjëherë djalit të tij Mohammed. Një shkëmbim i barabartë ushtarak midis Uashingtonit dhe Riadit? Le të shohim më mirë situatën petrolifere midis të dy vendeve, që në fund të fundit është ajo që ka vlerë, por do të flasim në vijim.

Por ndërkohë shikojmë sesi sauditët i shtrëngojnë në baze bizneset dhe ekonominë amerikane, përveçse me pjesëmarrjet aksionere më të njohura. Në momentin ku dilte jashtë vrasja e gazetarit Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, ka manifestuar mbështetjen ndaj Riadit Ministri i Jashtëm i Emirateve, Sheiku Abdullah Bin Zayed al Nayhan, që e ka bërë publike mbështetjen ndaj Arabisë Saudite. Deri edhe Omani, që sigurisht nuk ka qenë mbështetës i koalicionit antiiranian me drejtim saudit, ka mbështetur Mbretërinë në këtë periudhë të vështirë. Edhe Abdullatif Al Zayani, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, e ka mbështetur Riadin. Por edhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe ka manifestuar kohët e fundit mbështetjen e tij ndaj sauditëve. Në planin strategjik dhe ekonomik, ndëshkimi i ashpër i Mbretërisë për vrasjen, që zbulohet veç të tjerash se ka qenë e paramenduar dhe e tmerrshme, e gazetarit Khashoggi nuk lë asnjë mundësi për Muhammad bin Salman, përveç asaj të përdorimit të kundërmasave të zakonshme. Disa drejtues në Riad e kanë cituar haptazi “armën petrolifere”, që do të përdoret si një levë kundër konsumatorëve europianë të naftës dhe jo siç ndodhi pas luftës së Yom Kippur të 6 deri 25 tetorit të vitit 1973, ku dikush i shpëtoi darës së OPEC-it me drejtim saudit.

Nëqoftëse rritet çmimi i naftës, edhe ekonomia e Shteteve të Bashkuara do të pësonte presione inflacioniste mbi përqindjet e interesit do kjo do ta ngadalësonte ndjeshëm rritjen ekonomike të tyre, përveçse, akoma më rëndë, Bashkimin Europian. Europianët nuk besojnë që ta përdorin gazin dhe naftën ruse për ta përdorur si kundëraltar të rritjes saudite të çmimeve dhe të OPEC-it sunit. Moska është në marrëveshje të plotë me OPEC-in dhe nuk do të heqë dorë nga një rritje e përgjithshme e çmimit të naftës dhe gazit natyror. Sigurisht, rritja e kostos së fuçisë, që brenda vitit të ardhshëm duhet të arrijë në 90 dollarë, do të favorizonte shitjen e naftës dhe gazit natyror me origjinë nga shistet, një prodhim që në Shtetet e Bashkuara është dyfishuar, por me një cikël çmimesh më të shkurtër: çmimet më të larta gjenerojnë një ofertë më të mirë, që më pas çon pashmangshmërisht në një ulje pasuese të kostos së fuçisë. Më pak naftë iraniane në tregon, më i madh tensioni në rritjen e çmimeve, për të mos përmendur reduktimin e ofertës ruse, të OPEC-it dhe thuajse pushimin e nxjerrjes në Venezuelë për motivet e njohura të brendshme politike. Gjithçka ndodh teksa kërkesa për hidrokarbure rritet me shpejtësi dhe në të gjithë globin.

Duke kombinuar kufizimin e prodhimit të sauditëve dhe të OPEC-it sunit me rritjen e prodhimit amerikan, është e sigurtë se rritja e ofertës veriamerikane e ka reduktuar ndjeshëm fuqinë kushtëzuese të Riadit, që mund t’i rrisë çmimet vetëm në mënyrë që të mos stimulojë një rritje të mëtejshme të prodhimit të nxjerrë në Shtetet e Bashkuara. Kështu, “lufta e naftës” që ka në mendje Mohammed bin Salman, nëse do të duhej të fillonte, do shkaktonte një krizë energjitike, më të fortë në Europë sesa në Shtetet e Bashkuara, me përmasa goxha të konsiderueshme. Natyrisht, Bashkimi Europian i mefshtë dhe tashmë dement nuk ka thënë asgjë serioze në këtë periudhë. Nëqoftëse europianët mendojnë t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e Trump, gabohen rëndë. Presidenti amerikan nuk e do aspak Europën, do ta eliminojë shpejt sufiçitin tregëtar gjerman, mezi e duron NATO-n, por edhe Izraeli nuk ka kurrfarë vlerësimi për këtë Bashkim Europian dhe as Rusia nuk e merr shumë seriozisht. Në këtë kuadër izolimi, Europa nuk ndjek as interesat më imediate të saj. Merret çdo ditë vetëm me grindjet pseudo – ekonomike me Jugun e saj, që disa ekonomistë gjermanë do të donin që ta braktisnin në fatet e një euroje “jugore” për t’u ndarë nga euroja “veriore”. Do të shohim sesi do të strukturohet konkurrenca monetare midis dy “eurove”, që mund të jetë  shkatërrimtare për versionin veri dhe për atë të jugut të bashkimit monetar falimentar europian. Një monedhë që do të donte të ishte globale, por pa karakteristikat e lender of last resort të bën të gajasesh, por drejtuesit e Bashkimit Europian besojnë akoma. Ekonomia është e përbëra nga gjeopolitike dhe strategji globale, jo e kundërta.

Manualet neoklasike që lexohen në Strasburg dhe Bruksel janë tashmë vëllime të vjetëruara. Pastaj, nëse Shtetet e Bashkuara apo të tjerë do t’u vinin sanksione sauditëve, Mohammed Bin Salman, i cili ngutet ta braktisë ekonominë tepër oil-led që ka bërë edhe pasuritë e pafundme e vendit të tij, ka shumë karta të mira për të luajtur. Sigurisht, qysh nga viti 2015, sauditët kanë bilancet publike në të kuqe, kanë emetuar për herë të parë në historinë e tyre financiare tituj të borxhit publik, kanë pastaj edhe sipas çdo gjase ndonjë problem më ezaurimin e ngadaltë të disa puseve, përveç pasigurisë të gjeneruar nga fakti thelbësor që zona e nxjerrjes më të madhe së tyre ka një pakicë shumë të fortë shiite, mbi të cilën Irani vepron pareshtur. Nga Bahreini dhe nga Omani, që e mbyll një su. Fondi Sovran Saudit, PIF, operon kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Azi. Ky fond ka 5% të kompanisë Tesla, para të tjera në konkurrenten e drejtpërdrejtë të Tesla, Lucid Motors; 3.5 miliard në Uber, lideri global i taksive pa liçencë; 20 miliard të investuar në fakt në një fond për infrastrukturat amerikane të menaxhuar nga Blackstone; pastaj, PIF ka ndërtuar 3 qytete të rinj në brigjet e Detit të Kuq; ka hedhur 45 miliard dollarë në Soft Bank; pastaj Princi Trashëgimtar, që komandon drejtpërsëdrejti PIF-in, ka thënë se dëshiron të investojë 170 miliard dollarë të tjerë në 3 – 4 vitet e ardhshme.

Por armët gjeo – ekonomike në duart e sauditëve janë të tjera: në Shtetet e Bashkuara, PIF posedon 70% të Sabic dhe bëhet fjalë për një kompani të madhe që prodhon plastikë; pastaj është Saudi Telecom Company dhe Saudi Electricity, me pjesëmarrje të konsiderueshme sektori në Amerikën Veriore. Më pas kemi edhe fondin e Blackstone për infrastrukturat, tashmë i përmendur, 45% e National Commercial Bank, Saudi Arabian Mining Company, Entertainment Investment Company, Fund of Funds. Pastaj kemi investimet e PIF-it saudit në Europë: kryesoret janë në kompanitë Krups, Siemens, ArcelorMittal dhe në shumë sektorë e kompani të tjera. Edhe të vogla e të mesme.

Pastaj, PIF ka ende operacione në zhvillim, me përmasa të krahasueshme me ato të poseduara në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Pakistan, Rusi, Ukrainë, Filipine. Në Afrikën e Jugut, qeveria saudite po bën traktativa me fabrikën e armatimeve Denel për një bashkëpunim me industritë e mbrojtjes të Mbretërisë. Kështu, nëqoftëse u përmbahemi burimeve saudite të shtypit, ata do të kishin tashmë në mendje të paktën 30 operacione të mëdha përgjigjeje, të rëndë dhe të egër, ndaj sanksioneve eventuale të Shteteve të Bashkuara për rastin Khashoggi. Do të kishte edhe kundërsaksione kryesisht jopetrolifere, por financare, bankare, industriale. Është edhe në program Operacioni “Sanson”, me një reduktim të shpejtë e të fortë të prodhimit petrolifer, një reduktim i tillë sa ta bënte çmimin e një fuçie të kërcente deri në shifrën e pabesueshme të 400 dollarëve për fuçi. Veç kësaj, Mohammed Bin Salman mund të bllokojë blerjet e armëve tashmë të programuara në Shtetet e Bashkuara, për të na kujtuar pastaj se Mbretëria është importuesi i dytë i armëve në botë. Pastaj, Mohammed Bin Salman, Princi Trashëgimtar i Arabisë Saudite, është një investitor i fuqishëm në industritë e Silicon Valley, që po integrohet në Saudi Giga Projects. Me një ndryshim kursi amerikan, linja e investimeve saudite, në vend që të drejtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, mund të drejtohet nga vende të tilla si Kina, Rusia dhe India. Në këtë lojë do të merrte pjesë menjëherë edhe Egjipti, me pasoja sot të paparashikueshme në Magreb dhe sidomos në Libi, ku Kajro është mbështetësi më i madh i Khalifa Haftar, përveçse në Emiratet e Gjirit Persik.

Një kalim nga Perëndimi në Lindje që do të ishte ka mundësi guri i varrit i zhvillimit ekonomik e financiar i Perëndimit. Do të krijonte edhe një krizë financiare strukturore edhe në Shtetet e Bashkuara, që mund të forcohej pjesërisht duke shkaktuar një luftë tregëtare të egër pikërisht me Bashkimin Europian.

(Giancarlo Elia Valori është një ekonomist dhe biznesmen i shquar italian. Ai mban tituj dhe urdhëra kombëtare prestigjiozë. Aktualisht ai kryeson “La Centrale Finanziaria Generale Spa”, është President Nderi i Huawei Italy, Këshilltar Ekonomik i gjigandit kinez HNA Group dhe anëtar i Ayan – Holding Board. Në vitin 1992 është emëruar Officier de la Légion d’Honneur de la République Francaise, me këtë motivacion: “Një njeri që mund të shikojë ndërmjet kufijve për të kuptuar botën” dhe në 2002 mori titullin “Honorable” nga Académie des Sciences de l’Institut de France)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *