Home»Magazine»Magjia e përjetshme e udhëtimit me tren

Magjia e përjetshme e udhëtimit me tren

Orient Express, Ghan, Pride of Africa, janë disa prej trenave historikë që përshkojnë kontinente, duke përkëdhelur pasagjerët me lukse dhe rehati prej hotelesh me pesë yje. Ndonjëri është ende në shërbim, ndërkohë që të tjerë “kanë dalë në pension”, të parakaluar prej avionëve të shpejtë

Ka qenë një kohë midis Revolucionit të Dytë Industrial dhe Luftës së Parë Botërore, ku trenat përfaqësonin majën e teknologjisë perëndimore. Para se aeroplanët të përshkonin qiejt dhe shumë kohë përpara se linjat ajrore me kosto të ulët të bënin udhëtimin ajror vërtetë të përballueshëm për të gjithë, e vetmja mënyrë për të udhëtuar me shpejtësi ishte të merrje një tren. Vagonat hekurudhore që duhej të kalonin kontinente të tëra nuk ishin të projektuara për të nxënë sa më shumë pasagjerë në hapësirën më të vogël, por për të ofruar një përvojë të kënaqshme për disa të pasur, që mund të përballonin këto udhëtime të shtrenjta.

Trenat ishin si anijet transatlantike që në vend të udhëtimit nëpër dete, përshkonin të gjitha hapësirat e mëdha të Azisë, Amerikës, por edhe të Evropës dhe Australisë, duke transportuar udhëtarët e tyre si në një flluskë, pothuajse pa kontakt me botën ku udhëtonin – nëse nuk donin – dhe pastaj i “zbrisnin” butësisht në anën tjetër të udhëtimit të gjatë.

Sot kjo mënyrë udhëtimi është zhdukur prej aeroplanit, i cili jo rastësisht ka dekretuar vdekjen e transatlantikut si një mjet lëvizjeje: megjithatë, mbijetojnë rrugë dhe trena të veçantë që ju lejojnë të rishikoni të paktën njëfarë reflektimi të shkëlqimit të së kaluarës. Le të shohim së bashku trenat më të famshëm të pesë kontinenteve që mundësonin, dhe në disa raste mundësojnë ende, udhëtimin me këtë mjet fantastik.

ORIENT EXPRESS

I  pari i më të famshmëve të trenave, u nis nga stacioni në Paris në 4 tetor 1883 për në Stamboll. Në bord ishin 30 të ftuar, të zgjedhur për udhëtimin e parë nga Georges Nagelmackers, themeluesi i kompanisë UAGONS-Lits. Bir i bankierëve belgë, ai u impresionua në Shtetet e Bashkuara nga  Pullmanët e famshëm, 15 vjet më parë. Në fund ia kish dalë që të transferonte në Evropë intuitën, për të bërë njerëzit të udhëtojnë në luks të plotë: “Peshqirët dritë të pastër, dhe shamitë e palosura në mënyrë artistike dhe bashkë me pajisjet prej somelieri, gotat që shkëlqejnë, rubin dhe vera më e mirë, kana kristali dhe kapsula të argjendta e shishe shampanje, çdo gjë është verbuese”, shkruante Henri Opper i Blovitz, një nga gazetarët më të njohur të kohës. Por Orient Express i 4 tetorit, 1883 u ndal në Bukuresht, sepse hekurudha në Serbi dhe Bullgari nuk ishte ende e përfunduar: për të arritur në Stamboll ishte e nevojshme që të kalohej nga Deti i Zi, të hipnin në një avullore dhe kështu të arrinin në destinacion.

Vetëm në 1888 u përfunduan binarët e fundit, duke lejuar Orient Express që të mbulonte përafërsisht 3 mijë kilometra të udhëtimit në një kohë, për atë kohë të pabesueshme, prej 68 orësh. Pas Luftës së Madhe rruga u devijua për të shmangur Gjermaninë: treni kaloi nëpër Sempione dhe Itali, duke prekur Milanon dhe Venecian. Në vitin 1929, treni ngeci për pesë ditë në një stacion të vogël turk për shkak të një stuhie dëbore: në vitin 1934, ky fakt frymëzoi Agatha Cristhie për të shkruar një nga tregimet më të famshme të saj, Vrasje në Orient Express. Në realitet, një vrasje ka ndodhur me të vërtetë. Në vitin 1935 drejtori i shkollës së modës të Bukureshtit, Maria Farcasanu, u grabit dhe u hodh nga treni në Austri.

Vrasësi, një farë Karl Strassar, u identifikua falë një stoli argjendi të vjedhur që i përkiste të ndjerit dhe që po ia shiste një gruaje zvicerane. Gjatë Luftës së Ftohtë Orient Express ishte një nga lidhjet e pakta midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ishte sërish, skenë e një vdekjeje misterioze në vitin 1950, kur atasheu amerikan në Bukuresht, Eugene Simon Karpe, vdiq duke rënë nga treni, tek po përshkonte një tunel pranë Salzburgut. Episodi i dha Ian Fleming frymëzim për romanin “Nga Rusia me dashuri” për serinë e James Bond, që më pas u bë edhe film. Në vitet 60-70 konkurrenca e aeroplanit nxorri jashtë loje Orient Express: e fundit linjë direkte Paris-Stamboll u nis në vitin 1977 pa shërbimin e restorantit. Ky shërbim u rifillua në vitin 1982 me emrin Venecia-Simplon Orient Express dhe lidh Londrën me Venecian.

TRANSIBERIANA

“Vallëzimi mbi sedilje / një shami e bardhë / treni me erën e fortë / fluturon drejt Lindjes”: thotë një këngë nga vitet 1920 që përshkruan lamtumirën në stacionin e Moskës të një dashnori, i cili merr trenin Trans Siberian për të shkuar në pjesën tjetër të vendit, 9,228 km larg: kaq shumë kilometra që ndajnë Moskën dhe Vladivostokun, fundin e asaj që konsiderohet hekurudha më e gjatë në botë. Edhe sot ajo kërkon nëntë ditë udhëtim për të mbuluar të gjithën, duke kaluar shtatë zona kohore: një rekord për udhëtimet në kontinent. Para se të ndërtohej, megjithatë, mund të duheshin tre deri në katër muaj për të udhëtuar nga Moska në Pekin. Kjo vepër e madhe u fillua në vitin 1891 kur trashëgimtari i fronit rus Nicola zyrtarisht përuroi punimet në Vladivostok, gjatë udhëtimit të tij në mbarë botën.

Punimet u përmbyllën në vetëm 10 vjet, me një mesatare prej rreth 740 km në vit (më shumë se dy në ditë!), Megjithëse duhet të thuhet se inxhinierët rusë ishin duke ecur njëkohësisht nga të dy terminalet. Deri në 90,000 burra u punësuan në të njëjtën kohë për ndërtimin, shumica e tyre të dënuar: për shkak të kushteve të tmerrshme të punës, shumë humbën jetën. Momentet kyçe të ndërtimit ishin ndërtimi i urave të mëdha që anashkalojnë lumenjtë e Siberisë, si Ob, Lena dhe Amur. Në vitet e hershme linja nuk ishte në të vërtetë e vazhdueshme: binarët u ndërprenë pas qytetit Siberian të Irkutskut (5,152 km nga Moska, gati dhjetë herë distanca midis Romës dhe Milanos) në brigjet e liqenit të madh Baikal, në zemër të Siberisë. Vagonët ngarkoheshin në dy akullthyes (Bajkal dhe Angara), të cilat i transportonin në anën tjetër të liqenit në katër orë, ku udhëtimi rifillonte.

Vetëm në vitin 1905 u bë bashkimi i hekurudhave që vazhdonte rreth brigjeve jugore të liqenit dhe rruga mund të përshkohej tërësisht me tren. Më 17 mars 1938, në një tren Trans-Siberian, lindi pranë Irkutskut Rudolf Nureyev, ndoshta balerini më i madh i të gjitha kohërave. Babai i tij, me prejardhje Tartar, ishte duke shërbyer në Ushtrinë e Kuqe si komisar politik në Vladivostok.

Nëna Farida zgjodhi të bashkohej me vajzat e tjera, por dhimbjet e kapën befas pranë kryeqytetit të Siberisë. Hekurudha ka luajtur një rol strategjik në shumë raste, duke transformuar fytyrën e një kontinenti të tërë, të paktën katër milionë fshatarë kanë lëvizur në lindje, të tërhequr nga mirazh e tokës, ndërsa trenat që i transportonin drejt lindjes ndërroheshin në të vetmin shërbim hekurudhor (linja mbeti me një rrugë të vetme deri pas Luftës së Dytë Botërore dhe disa pjesë janë ende) me trena mallrash që transportonin grurë siberianë për në Rusi.

CALIFORNIA ZEPHIR

Shtetet e Bashkuara janë vendi i vërtetë i hekurudhave, që ishte mënyra më e mirë për të kaluar Amerikën e pafundme Veriore. Linja e parë transkontinentale u përfundua në fillim të vitit 1869 pas Luftës së Ndarjes dhe përfaqësoi një stimul të fuqishëm për rritjen e vendit. Për një kohë të gjatë, shpirti pionier vazhdonte të qëndronte në një nga trenat më të famshëm të Amerikës, Zephir në Kaliforni, që lidhte përditë Çikagon me San Franciskon: 3,900 kilometra në 51 orë, një nga rrugët më të gjata në botë. Treni filloi shërbimin më 20 mars 1949. Në udhëtimin e parë, stjuardesat në bord, të quajtura Zephirettes, ofruan një orkide havai për të gjitha zonjat. Fillimisht ishin gjashtë, nga dhjetë vagonë secili. Nga këto, pesë ishin “Vista Dome” e famshme, e pajisur me një observator të madh me xham të mbuluar nga të cilat udhëtarët mund të shihnin në të gjitha drejtimet. Ashtu si të gjitha trenat me distancë të largët, Kalifornia Zephir origjinal gjithashtu nuk konkurroi dot me avionin dhe ndali shërbimin në vitet 1960.

GHAN (AFGHAN EXPRESS)

Është një tren që kalon gjithë Australinë nga jugu në veri, nga Adelaide (në bregun jugor të kontinentit) deri në Darvin në bregun verior. Gjurmët mbulojnë gati 3 mijë kilometra, dhe binarët filluan të vendosen në vitin 1878. Linja u shtri ngadalë në shkretëtirë për në Alice Springs në vitin 1929, në qendrën gjeografike të Australisë, 1,200 kilometra nga oqeani më i afërt: vagoni i parë arriti në 4 gusht të atij viti. Ghan është një formë e shkurtuar e emrit origjinal “Afgan Express”, i quajtur për nder të pronarëve të deveve që vinin këtu nga Afganistani për të përfunduar fazën e fundit, përpara se hekurudha të mbaronte. Ata thirreshin kolektivisht afganë, pastaj u shkurtua në Ganët. Legjenda thotë se një nga udhëtarët e tij të parë ishte pikërisht një nga këta afganë, që duke qenë mysliman, u hodh jashtë trenit për lutjet e tij të mbrëmjes në Mekë. Dikush bëri ironi që, duke qenë se ishte njeriu i vetëm si pasagjer, treni meritonte emrin e Afghan Express dhe prej atij momenti pseudonimi i mbeti.

Gjurma fillestare ndalej në Alice Springs. Paradoksalisht ky rrugëtim, duke qenë në mes të shkretëtirës, ishte i ekspozuar ndaj përmbytjeve të shpeshta e të fuqishme, gjë që e bënte trenin të goditshëm. Në 1980 linja u zhvendos pjesërisht që të shmangeshin problemet dhe në 2001 rinisi ndërtimi i pjesës jugore e deri në qytetin e Darvinit, në veri. Trenat sot janë të gjatë 686 metra (më shumë se 6 fusha futbolli) por mund të kenë deri 149 vagonë e të arrijnë 1200 metra. E pësrshkojnë gjithë kontinentin në 48 orë. Sot Ghan është i vetmi tren që ka edhe makina lojërash fati, një detaj që mund të shpjegojë suksesin e tij.

KRENARIA E AFRIKES

Ai që është konsideruar si një nga trenat më luksozë në botë udhëton në Afrikën e Jugut. Eshtë Krenaria e Afrikës e Rovos Rail, që fillon nga Kejp Taun dhe takon qendrat më të rëndësishme të rajonit, të tilla si Durban, Pretoria dhe Johanesburg, duke shkuar, një herë në vit, deri në Tanzani. Mbart një maksimum prej 72 pasagjerësh të vendosur në 36 suita, të mobiluara në stilin klasik. Vagonat datojnë në vitet njëzetë dhe tridhjetë, dhe tërhiqen, në rrethana të veçanta, nga një lokomotivë origjinale me avull. Treni është i pajisur me një vagon-sallon (dritaret gjigande të të cilit mund të hapen për të lejuar pasagjerët të udhëtojnë në ajër të hapur) dhe një ose dy vagona restorant me dritare panoramike, të cilat janë të nevojshme për veshje mbrëmje për darkë e qirinjve. Duhanpirësit kanë një vagon të tërë të pajisur me klub.

Suitat janë të mobiluara plotësisht me mobilje prej druri dhe dekorime origjinale, ato ofrojnë luks të jashtëzakonshëm, të krahasueshëm me hotelet më të mira: dhomat e mëdha, Royal Suite, zënë secila gjysmë vagoni dhe përfshijnë ndër të tjera një banjo me vaskë dhe dush të veçantë. / Airone – Bota.al

Materiali nuk mund të kopjohet

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *