Home»Horizonti.al»Katër misteret më të mëdha detare

Katër misteret më të mëdha detare

Në vitin 2011, një grup zhytësish që po eksploronin fundin e Detit Baltik me sonar, u ndeshën me një objekt me një gjatësi 70 metra, që ndodhej 100 metra poshtë sipërfaqes së detit. Objekti, i quajtur Anomalia e Detit Baltik, ka ngjallur interes ndërkombëtar për shkak të formës dhe vendndodhjes së tij intriguese.

Objekti duket sikur ka qenë ndërtuar me dorë, dhe është bërë prej metali, ndërsa ka një ngjashmëri të çuditshme me Millennium Falcon nga filmi “Star Wars”, duke nxitur shumë teori konspirative rreth origjinës së tij. Disa kanë sugjeruar se objekti i çuditshëm është një UFO, ndërsa të tjerët kanë sugjeruar se ai është një formacion nga një qytet i fundosur nën det shumë kohë më parë.

Në vitin 2017, një ekip nga Universiteti i Stokholmit e studioi objektin, dhe zbuloi se ai është një depozitë formacioni akullnajor, ndoshta e mbetur aty që nga epoka e akullnajave. Volker Brykert, profesor i asociuar i gjeologjisë në Universitetin e Stokholmit thotë se “për shkak se rajoni i Balltikut Verior është shumë i ndikuar nga proceset e shkrirjes akullnajore, mostrat e shkëmbinjve ka të ngjarë të kenë formuar këtë objekt”.

Misteri i zhdukjes së ekuipazhit të anijes Mary Celeste

Më 7 dhjetor 1872, anija Mary Celeste u nis nga Nju Jorku për në Xhenova të Itali më 7 nëntor 1872 me një ngarkesë me alkool industrial, dhe me një ekuipazh prej 10 burrash. Por kur ekipet e shpëtimit u ngjitën në bord disa ditë më vonë, ata u befasuan kur panë se ekuipazhi ishte zhdukur, duke lënë pas ngarkesën, gjërat e tyre me vlerë, dhe një magazinë të mbushur plot me ushqime.

Varka e shpëtimit ishte zhdukur, dhe një nga dy pompat ishte çmontuar, ndërsa pjesa e poshtme e anijes ishte mbushur me mbi 1 metër ujë. Nga ekuipazhi nuk u gjet asgjë gjurmë, dhe misteri ka mbetur i pazgjidhur deri më sot. Teoritë shkojnë nga variantet më qesharake, tek përbindëshat gjigantë të detit, dhe tek ato më të besueshme, sipas të cilave moti i keq (ndoshta një dallgë e madhe që goditi anijen) dhe pajisjet e gabuara, e çuan kapitenin të llogariste në mënyrë të gabuar, ndaj e urdhëroi ekuipazhin të braktiste anijen.

Qyteti i fundosur i Pavlopetrit – Atlantida e Vërtetë?

Ky sit arkeologjik, është quajtur qyteti më i vjetër i fundosur në botë, dhe daton rreth 5.000 vjet më parë. Është vendbanimi më i vjetër i zhytur që është gjetur, si një qytet i planifikuar me ndërtesa, oborret, rrugët kryesore, varreza dhe godina fetare, duke treguar se qyteti ishte përdorur nga elitat e kohës.

Është qyteti i parë i fundosur që gjendet, dhe që daton para historisë që Platoni tregon për Atlantidën, dhe që mund të ketë qenë një frymëzim për të. Gjeologët detarë, spekulojnë se qyteti është fundosur nën ujë nga një kombinim i ndryshimeve në nivelin e detit, ndryshimet në terrenin gjeologjik të tokës, apo edhe një cunami.

Ku është Patanela? Misteri i përhershëm detar i Australisë

Kur anija Patanela u largua nga Frimantëll i Australisë më 16 tetor 1988, asnjë nga detarët në bord nuk mendonte se ai do të qe udhëtimi i tyre i fundit. Gjatë 3 javëve të udhëtimit të tyre nga Frimantëll në Eirli Biç në Kuinslend, Patanela bëri një seri thirrjesh në stacionin bregdetar të Sidnejit.

Thirrja e parë, tregoi se Patanela kishte mbetur pa karburant, dhe kishte nevojë të rikthehej në port të nesërmen. Komunikimi ishte për një raport mbi kushtet atmosferike. Pastaj për habi në të njëjtin komunikim me radio, kapiteni kërkoi udhëzime për të shkuar në Moruja në Nju Sauth Uells.

Komunikimi i tretë ishte i paqartë, dhe gjithçka që mund të dëgjohej ishte “300 km në jug? A është në jug? Është? Jugu …”. Kjo ishte hera e fundit që dikush dëgjoi për Patanelën dhe ekuipazhin e saj me 4 persona. Shtatë muaj më vonë, u gjetën disa mbetje të një anije.

Ndërsa në vitin 2008 u gjet një mesazh në një shishe, dhe brenda ndodhej një ftesë e vitit 1988 për t’u bashkuar me ekuipazhin për një udhëtim falas në Ishujt Uajtsandej, dhe një numër telefoni.

Shumë njerë spekulojnë se Patanela ishte viktimë e ndonjë sulmi nga piratët apo trafikantët e drogës, ndërsa të tjerë mendonin se ajo u godit nga një anije më e madhe, dhe u la të fundoset. Nuk ka dëshmi për të mbështetur asnjërën nga teoritë, dhe misteri vazhdon ende deri në ditët e sotme.

VintageNews – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *