Home»Histori»Historia e Trupit dhe femra si prodhuese e “Turpit”

Historia e Trupit dhe femra si prodhuese e “Turpit”

Jetojmë në një shoqëri ku “Feminizmi”, e ka kthyer femrën në viktimë të shpallur, ku kjo e fundit pranohet dhe vetëshpallet si e tillë. Shoqëria ndërton dhe prodhon femra të pafuqishme, femra që kanë nevojë për mbrojtje.  A mund të mbrohet femra duke u shpallur veçse si viktimë e dhunës psikologjike, fizike dhe seksuale? Përse shoqëria ka nevojë për viktima dhe JO për të krijuar një botëkuptim për dijen rreth asaj çfarë femra prodhon si turp, përsaqë trupi i saj është i syrgjynosur që në fillim?

Shoqëria demokratike është ajo që themeloi barazi të gjithanëshme, por jo mes femrës dhe mashkullit. Ky regjim i themeluar në Antikitet mendohet si një ndër regjimet që solli idenë e barazisë, por jo barazinë, idenë e lirisë por jo lirinë. Barazia nuk ekzistonte, sepse femra nuk përfshihet në trupin politik, por ishin vetëm meshkujt mbi 18 vjeç që kishin të drejtën për të ushtruar mendimin e lirë, votën, barazinë mes tyre, ndërkohë që femra ishte e rrënjosur në botën “individuale”, e përjashtuar tërësisht nga kolektivja.

Mashkulli i Antikitetit, kishte të drejtën të ushtronte seksualitetin e tij, në lirshmërinë maksimale, duke mbartur meshkuj dhe femra si prodhues të kënaqësisë, ndërkohë që femra me të cilën martohej, formonte martesën vetëm për të ruajtur kufijtë e identitetit të fëmijës dhe shtetit. (Martesa ishte qëndrueshmëri shtetërore, por seksualiteti nuk kontrollohej nga shteti, kjo i jepte lirinë mashkullit të krijonte lidhje jashtë martesore, me meshkuj apo me femra). Femra nuk mbarte një status social, veçse si një prodhuese e jetës, por jo prodhuese e turpit.

 Ndërkohë në fillimin e Mesjetës gjithçka ndryshon, në periudhën Viktoriane, femra mori një status, që kishte një çmim. Martesa në këtë periudhë, nuk ishte gjë tjetër veçse për të kontrolluar seksualitetin e shoqërisë dhe të ushtronte pushtet. (Sipas shumë autorëve, Marquez De Sade, George Batallie, Michel Foucault etj., martesa nuk ishte gjë tjetër veçse një shkelje e legjitimuar. Një ndër jehonat e historisë së mëkatit fetar është De Sade, i cili përdori femrën si kundër-institucionale, kjo është arsyeja se përse personazhet kryesor në veprat e tij janë femra, si Xhustina dhe Zhulieta. Prodhimi i një trupi hemafrodit, pra burrë-grua, ishte përdhosja jo vetëm e moralit të pamoralshëm fetar, por edhe kontradiktat fetare, të cilat e shpallën Sade-in një të çmendur të pamoralshëm). Një shkelje që kontrollohej nga funksionet shtetërore dhe i gjithë pushteti institucional ra mbi femrën si prodhuese e turpit, sepse kjo e fundit duhet t’i falte mashkullit atë kënaqësi fillestare, që një djalë i ri mund t’ia ofronte atij, virgjërinë. Tashmë femra e fiton statusin social, si pjesë e shoqërisë, me qëllim që trupi i saj të bëhej gjendra e “Turpit” dhe vetëm në këtë mënyrë institucioni fetar, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të përjetësonte shkeljen martesore përmes mëkateve të pafund. (Mëkati është një shkelje dhe përjetësim i fuqisë institucional fetare mbi njeriun, kryesisht femrën. Kjo gjë arrihej përmes ndëshkimeve trupore përpara popullit duke  u ndëshkuar me vdekje. Ndëshkimi trupor publik, ishte shembulli praktik i mëkatit). Gjurmët e saj të përhumbura në histori kanë lënë shenja të zbehta mbi të vërtetat e ngritjes së strukturave morale, të ndërtimit të moralitetit i cili prodhon përjetësimin e mëkatit mbi trupat mëkatar. Çfarë kuptimi kanë strukturat morale kur ato ngrihen për të sunduar dhe përjetësuar sundimin përmes mëkatit? Historia e trupit femëror, gdhendet në moralitetin e shoqërive perëndimore dhe tashmë e vetmja mënyrë për të mbrojtur akoma më shumë këtë moralitet janë organizatat feministe, të cilat viktimizojnë femrën si të tillë. Askush nuk do t’ia dijë për femrën si person, si identitet, por kauzat ngrihen në përgjithësime mbi femrën, askush nuk flet për gruan e dhunuar, por për fenomenin e dhunimit. Viktimizimi nuk është mbrotje, por përjetësimi i turpit. Femra, gruaja, nëna, vajza ka nevojë për dije, rreth formave të para të moralitetit të themeluar mbi trupat e tyre, pasi kjo është mbrojtja e vetme.

Femra është produkt i mëkatit fetar dhe trupi i saj duhet t’i përgjigjet vetëm martesës.  Ajo, për të krijuar esencën e vërtetë të familjes dhe martesës duhet të dijë të çlirohet nga mëkati fillestar që rëndor çdo ditë mbi të, shekuj të tërë sundimi.

Nëse në shoqërinë shqiptare ekziston mentaliteti dhe morali vrastar mbi femrën si të tillë, atëherë kjo e fundit duhet t’a çlirojë veten nga absurditetet moralë, të kuptojë fillesat e nisjes së këtij “Turpi” dhe jo të pranojë pasojat e saj. Nëse kjo nuk është e vërtetë, përse mashkulli nuk prodhon turp, ndërsa femra po?

Përgatiti: Dalina Doçi

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *