Home»Horizonti.al»Fjalët janë një terapi

Fjalët janë një terapi

Ajo që themi dhe shkruajmë mund të transformojë gjendjen tonë shpirtërore. Edhe për mirë. Pse duhet të përfitoni!

Fjalët që përdorim për të komunikuar me veten në dialogun tonë të brendshëm, si dhe ato nëpërmjet të cilave ua zbulojmë veten të tjerëve, kanë fuqi të madhe: ato mund të forcojnë, dëmtojnë ose transformojnë gjendjen tonë, të na japin gëzim ose dhembje. Në fakt, nëse i mendojmë thellë, i shqiptojmë ose i shkruajmë me mençuri dhe ndërgjegje, na ngushëllojnë, na sigurojnë, na motivojnë, sjellin besim dhe energji pozitive. Por nëse i përdorim ato pa kujdes, pa marrë parasysh efektet e tyre të mundshme negative, rrezikojnë të krijojnë një vorbull negativiteti në të cilën është e vështirë të mos biem.

Në mënyrë intuitive kuptojmë, për shembull, se ekziston një dallim mes fjalës “Këtë herë unë jam gabim”, “Herët a vonë do të kalojë” dhe fjalëve “Unë jam një dështim”, apo “Kjo situatë është e paqëndrueshme”. Por çfarë thotë psikologjia për këtë dhe, mbi të gjitha, çfarë sugjerimesh na jep për ta shfrytëzuar më së miri? Le t’i gjejmë së bashku.

U JAPIN FORME MENDIMEVE

“Nëse fjalët janë aq vendimtare në jetë, kjo ndodh për shkak se në sajë të tyre ne i japim formë dialogut të brendshëm, në të cilin përshkruajmë dhe komentojmë mbi përvojat tona, ndjenjat tona, si dhe pikëpamjet tona”, thotë psikologia dhe psikoterapistja Anna Merolle. “Me anë të përsëritjes së tyre, fjalët kristalizohen brenda nesh si të vërteta, prandaj ato ndikojnë në gjendjen tonë emocionale. Natyrisht, do të ishte një përforcim pozitiv nëse dialogu i brendshëm të ishte i kufizuar në mendime konstruktive. Në të vërtetë, në shumicën e rasteve është i mbushur me fjalë gjykimi, disfatiste: në të vërtetë është një pasqyrim i plagëve që mbartim brenda. Nuk është çudi, pra, që shpesh prodhon dobësim dhe pengesa (“Unë meritoj të më lërë”, “Askush nuk mund të më kuptojë”). Nëse, atëherë, këto shprehje “të zeza” dalin nga mendja dhe bëhen protagoniste të bisedave dhe marrëdhënieve, ndodh që fuqia e tyre demoralizuese të përforcohet”. Për fat të mirë, nuk jemi në mëshirën e fjalëve: ne kemi të drejtën që të ristrukturojmë ose të kufizojmë ato që na vendosin shkopinj në rrota, ose të shtojmë ato që na sjellin mirëqenie. Le të shohim se si.

KUR FLET

Sipas një sërë studimesh të kryer nga Mattheu D. Lieberman në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, është e mundur të zbusim ndikimin e emocioneve ose gjendjeve shpirtërore, që na bezdisin – ose na mërzisin – thjesht duke folur dhe duke i etiketuar ato. Në praktikë, është e nevojshme që ato të përcaktohen me saktësi, gojarisht ose me shkrim, por pa u përpjekur për t’i justifikuar. Disa shembuj: “Ndihem nën presion”, “Kam frikë dhe ndjej një ndjesi pafuqie “, “Jam e zemëruar dhe e zhgënjyer”. E njëjta vlen edhe për stimujt që prodhojnë emocionet / gjendjet e humorit: “Biri im qan”, “Ky person është i shqetësuar dhe ka një vështrim të keq”, “Projekti ka dështuar”. Kjo strategji, e quajtur etiketimi i ndikimit, është e dobishme, sepse vë një distancë të caktuar midis nesh dhe asaj që na shqetëson, dhe e zvogëlon forcën e saj.

Por kujdes: kjo nuk është vetëm një ndjenjë subjektive. Përmes testeve të tilla si Imazheria me rezonancë magnetike funksionale, Lieberman ka treguar se etiketimi redukton aktivitetin në amigdalë, një strukturë e trurit e lidhur me prodhimin e emocioneve, dhe rrit aktivitetin e rajoneve të caktuara paraballore që lidhen me mbikëqyrjen dhe diskriminimin. Por nuk është vetëm kjo. Sipas një studimi amerikan, kur ne kemi nevojë për të rifituar vetëkontrollin – ndoshta për shkak se jemi në rrethana të vështira, ose për shkak se na vërshojnë kujtime të dhimbshme apo shqetësuese – kjo është e dobishme për të kaluar në mes të një dialogu të brendshëm në vetë të parë apo të tretë, mundësisht duke përdorur emrin e pagëzimit (për shembull, “dua të largohem këtu” do të bëhej “Francesca dëshiron të largohet prej këtu”).

Arsyeja? Kur i drejtohemi me emër vetes krijojmë në mënyrë të pavetëdijshme ndjesinë se po flasim me një tjetër person. Dhe duke e konsideruar veten “së jashtmi”, me të njëjtën shkëputje me të cilën vëzhgojmë një fqinjë, rritet aftësia për të kontrolluar shqetësimet e brendshme në kontekste stresuese.

KUR SHKRUAN

“Edhe shkrimi i  fjalëve që mendojmë, është e mirë për shpirtin, sepse ju lejon të transformoni dhe riorganizoni modelet mendore që ju pengojnë ose dëmtojnë”, thotë Dr Anna Merolle. “Pra, kur dialogu i brendshëm të bëhet një melodramë që na mbyllur në vetvete, me frikën dhe plagët tona, mund të përpiqemi ta sjellim atë bardhë e zi në një mënyrë spontane, të pakontrolluar ose t’i japim një formë më të strukturuar dhe të artikuluar, për shembull atë të një historie autobiografike ose një ditari. Ky i fundit me siguri ka potencial të madh edhe në rastet e vuajtjeve ekstreme”. Në këtë drejtim, kujtojmë Ana Frankun dhe Ejt Hillesumin, viktima të Holokaustit: në faqet e tyre hodhën faktet e tmerrshme të momentit dhe elementet emocionale dhe personale. Duke u lidhur me traumën përmes shkrimit, ishin në gjendje të merreshin me të, ditë pas dite.

SI TE FILLOSH

Për fat të keq ka ende nga ata që hezitojnë të mbështeten në letër dhe stilolaps pasi besojnë se një talent i veçantë është i nevojshëm. Në realitet gabohen! Nëse e harrojmë kondicionimin skolastik dhe japim një shans për të shkruar, e kuptojmë se është çliruese, në disa raste edhe më shumë se komunikimi me gojë. “Një ide, për t’u njohur me këtë mjet, është të shkarkosh një aplikim diktimi në smartphone», kujton ekspertja. “Kur e ndiejmë nevojën, ne i diktojmë mendimet tona pajisjes. Më vonë, duke i dëgjuar ato me një mendje të ftohtë, mund të kemi të njëjtën ndjesi si kur marrim ditarët e adoleshencës: fjalët tona do të duken lehtësisht të ngarkuara, të ekzagjeruara, për pasojë do t’i japim një dimension të ri sikletit që i gjeneroi ato”.

Një tjetër ushtrim i dobishëm për t’iu qasur shkrimit është identifikimi i fjalëve apo mendimeve negative që na ngatërrojnë dhe i shkruajmë në qendër të një flete të bardhë të madhe. “Rreth çdo fjale / mendimi ne heqim shumë rrathë koncentrikë dhe i plotësojmë me terma / fraza që çlirojnë energjinë destruktive dhe çojnë në ndërtimin e pohimeve pozitive”, sugjeron psikoterapistja. Një paralajmërim përfundimtar i marrë nga James Pennebaker, krijues i teknikës së shkrimit ekspresiv dhe profesor emeritus i psikologjisë në Universitetin e Teksasit në Austin: menjëherë pasi kemi hedhur me shkrim diçka emocionale shqetësuese, është normale të ndjejmë trishtim, në përgjithësi për disa orë më e shumta.

Tamam si kur shohim një film prekës, që në fund ndihemi të përfshirë, por me kalimin e orëve edhe më të urtë, sepse kur shohim emocionet tona bardhë e zi, më pas na mundëson t’i vëmë më shumë në dritë. Krijohen kështu dobi jetëgjata, që zbusin konfuzionin mendor dhe emocional që shkakton ankth. Si të thuash: sa më shumë të shkruajmë për ne dhe ndjesitë tona, aq më të qetë jemi.

“Starbene – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *