Home»Histori»A ishte Xhon Kenedi, shkaktari kryesor i krizës së raketave kubane?

A ishte Xhon Kenedi, shkaktari kryesor i krizës së raketave kubane?

Nga Garry Wills

Nëse Kenedit nuk mësuan asgjë nga kriza e tyre e parë me Kubën, si reaguan ata në një mënyrë kaq të zgjuar në krizën e dytë kubane, kur duhej të largoheshin raketat ruse nga ishulli? Ortodoksia tradicionale, thotë se një mençuri e tillë, mund të jetë nxjerrë vetëm nga mësimet e gabimeve të mëparshme. Por ortodoksia supozon se kriza e raketave përfundoi në një triumf për Amerikën, dhe ky supozim ka nevojë për disa korrigjime.

Për publikun amerikan, pranimi nga Fidel Kastro i raketave ruse dukej diçka e paprovokuar, misteriozisht agresive dhe kërcënuese. Asokohe amerikanët nuk kishin nga ta dinin se protestat kubane se armët kishin një qëllim mbrojtës, kishin qenë të vërteta.

Ne nuk e dinim atë që dinte Kastro:që mijëra agjentë të CIA-s po komplotonin vdekjen e tij, shkatërrimin e ekonomisë së vendit së tij, sabotimin e minierave, dëmtimin e industrive të sheqerit dhe bakrit. Ne e kishim pushtuar njëherë Kubën; zyrtarët e lartë në Kongres dhe departamenti ekzekutiv menduan se ne duhet të kishim ndjekur të njëjtin skenar, për të rrëzuar Kastron. Ndaj presioni, për të ofruar atë lloj mbështetjeje për një “rebelim” të ri në ishull, ishte në rritje.

Në këtë lojë të pushtetit, përveç përkrahjes popullore, Kenedit dukeshin si rezistentë kurajozë ndaj agresionit, megjithëse ata ishin në fakt shkaku i tij. Në librin “Krijimi i një krizë raketore: Tetor 1962”, Herbert Dajnershtein pretendon, bazuar në studimin e arkivave ruse, se Bashkimi Sovjetik nuk e konsideronte Amerikën Latine të pjekur për ndikimin komunist, deri në dështimin e operacionit amerikan në Gjirin e Derrave.

Aktiviteti i vazhdueshëm amerikan kundër Kastros, u siguroi atyre një justifikim për të ndëhyrë në shkallë të gjerë në këtë hemisferë. Rusët po synonin ndikimin duke mbështetur “Davidin” kuban kundër një “Goliati” amerikan tejet frikacak për të sulmuar në dritën e diellit.

Amerikanët, të pavetëdijshëm për gjithë këtë, nuk u shqetësuan të shtrojnë pyetje të vështira për qëllimin e vërtetë të raketave në Kubë. Presidenti Xhon Kenedi, tha se raketat që po vendoseshin në ishull, mund të goditnin ndonjë qytet në Shtetet e Bashkuara (gjë që nuk ishte e vërtetë), dhe nënkuptonte se ky ishte qëllimi i tyre.

Po përse Kastro do të lëshonte raketa bërthamore kundër ndonjërit prej qyteteve tona, duke e ditur se ky do të qe një akt vetëvrasës? Vetëm një nga bombat tona bërthamore në Havanë, do

ta shkatërronte tërësisht kombin e tij. Pra nëse Kastro që nuk kishte raketa për të na pushtuar, do të ishte duke e shndërruar veten me dëshirë një peng të planeve të Moskës?

A do të shoqërohej lëshimi i raketave të tij, me një sulm më të madh rus, duke e ditur se ne mund ta shfarosnim ishullin e tij, si një goditje anësore të reagimit tonë ndaj Rusisë? Edhe nëse Kastro do të donte ta zhdukte popullin e tij në atë mënyrë, raketat e tij nuk do të kishin ndihmuar dot rusët.

Përkundrazi, mund të ishin më tepër një pengesë, për shkak të problemit të “sulmeve të ashpra”. Nëse raketat do të lëshoheshin njëkohësisht nga Rusia dhe Kuba, ato kubane, që do mbërrinin të parat, do të konfirmonin paralajmërimet mbi një sulm rus.

Ose në rast se raketat e Kubës do të lëshoheshin më vonë, paralajmërimi i radarëve për raketat e nisura ruse, do të lejonte shkatërrimin e raketave kubane që në qendrat e lëshimit.

Atëherë pse ndodheshin raketat atje? Për qëllime mbrojtëse, ashtu siç thanë kubanezët. Ne refuzuam ta pranojmë këtë shpjegim, pasi presidenti Kenedi i kishte përcaktuar arbitrarisht raketat tokësore në tokë si “sulmuese”, pasi tha se armë të tilla nuk do të toleroheshin. Megjithatë, ne vumë në gatishmëri raketat tokë-tokë në vijën mbrojtëse në kufirin e Turqisë me Bashkimin Sovjetik.

Presidenti Kenedi u përball me 2 situata të rrezikshme, me të cilat duhet të merrej në të njëjtën kohë:vendosjen e raketave, dhe panikun e amerikanëve mbi to. Robert Kenedi, i tha presidentit se duhej ti hiqte raketat nga Turqia, ose në të kundërt rrezikonte të shkarkohej nga Kongresi.

Me fjalë të tjera, presidenti ishte rob i emocioneve dhe panikut, që përshiu njerëzit e tij më të afërt.

Opsionet iu mohuan nga populli amerikan, dhe ai as që mund të mendonte t’i linte raketat aty.  Sidoqoftë, presidenti kishte nxitur ndjenjat që e kufizonin lirinë e veprimit të tij. Ai i kishte quajtur raketat sulmuese, dhe kishte e ekzagjeruar gamën e tyre.

Me një lloj simetrie djallëzore, manipulimi përbuzës i opinionit publik çoi në skllavërinë ndaj këtij të fundit. Kenedi mendonte se mund të zhvillonte një luftë jashtë vëmendjes së popullit amerikan, për të mirën e njerëzve; por kur kubanezët u përgjigjën në mënyrë të hapur, ai nuk mund të shpjegonte frustrimin e tyre, dhe u detyrua të nxiste valën e frikës publike.

Presidenti Kenedi, nuk u dha sovjetikëve mundësinë që “të shpëtonin fytyrën”. Në çështjen e raketave turke, ai i poshtëroi ata, ndonëse raketat nuk kishin ndonjë rëndësi ushtarake për ne, ndërkohë që ato kishin një lloj domëthënie simbolike për Bashkimit Sovjetik.

Humbja e Hrushovit kontribuoi, ose dukej të kontribuonte, në rënien e tij të mëvonshme, duke na privuar nga një udhëheqës që ishte më i lehtë për t’u marrë vesh në krahasim me pasardhësin Brezhnjev. Përveç kësaj, cili ishte për rusët leksioni nga kriza e raketave? Që ajo nuk duhet të shndërrohej në një justifikim për konfrontime të mëtejshme mbi atë ishull.

Ata që e lavdërojnë Kenedin për sjelljen e tij në krizën e raketave, arrijnë shpesh në përfundimin se ai mësoi të sillej në mënyrë paqësore në atë sukses “të përmbajtur”. Përkundrazi, ai duhet të kishte mësuar se popullariteti i tij dhe i partisë së tij u rritën, kur ai mundi të detyronte një kundërshtar t’i përulej, edhe nëse e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, ishte të rrezikonte sigurinë kombëtare.

Marrë me shkurtime nga “The Atlantic” – Në shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *