Home»Histori»Nën hijen e Stalinit

Nën hijen e Stalinit

Historiografia në Bashkimin Sovjetik. Një intervistë me Anton Vladimiroviç Antonov – Ovseenko

Anton Vladimiroviç, si u bëtë historian?

Kur isha 15 vjeç, tim eti ju desh të shkojë si Konsull i Përgjithshëm në Spanjë, në Katalonjë. Sapo kisha mbaruar klasën e 8-të: një ditë folëm për studimet që duhet të ndërmerrja dhe unë i thashë për herë të parë se do të kisha dashur të bëja karrierë teatrore. Im atë mbeti i shtangur nga kjo ide: ndoshta për shkak të miopisë time të fortë apo se thjesht i dukej një ide një çikë hapësinore, por më kërkoi që t’i jepja një opsion tjetër. Kur i thashë se në alternativë do të kisha dashur te merresha me histori, përgjigja e tij qe e menjëhershme: «Më larg nga politika!». Në atë kohë im atë ishte prokuror i RSFSR-së (Republikës Socialiste Federative Sovjetike të Rusisë) dhe punonte nën drejtimin e Vishinskijt, ideologut të terrorit të Stalinit, me të cilin ishte gjithmonë në konflikt: kështu që e kuptonte për mrekulli se të merreshe me histori mund të ishte e rrezikshme. Atëhere mori numëratorin telefonik dhe më lexoi të emrat e instituteve shkencore: Instituti i Gjeologjisë, i Mineralogjisë… unë do të isha edhe dakord, por isha vetëm një kalama dhe dijet e mia shkencore qenë mjaft të kufizuara: do të duhej të bëja kurse integrativë… Diploma e klasës së 8-të ishte në fakt e mjaftueshme për të hyrë një fakultet humanistike. Kështu, në vitin 1935 kam dhënë provimet e pranimit dhe kam hyrë në Fakultetin e Historisë e Universitetit të Moskës. Studimet universitare kanë qenë një humbje kohe: tek ne nuk mësohet shkenca historike, por gënjeshtra. Lëndët janë gjithmonë të njëjtat: Filozofi, Histori Partie, Marksizëm – Leninizëm… Nganjëherë ndryshonin emrin: për shembull «Historia e shekullit të XX-të» në një moment të caktuar është bërë «Themelet e marksizëm – leninizmit»: ishte e njëjta gënjeshtër, nën një emër ndryshe. Jam diplomuar më 1939 dhe një vit më pas kanë nisur persekutimet edhe ndaj meje. Im atë ishte arrestuar qysh në 1937 si armik i popullit dhe pushkatuar më 8 shkurt 1938. Kështu që qysh atëhere më është dashur të kujdesem për veten, edhe pse isha vetëm 17 vjeç. Gjeta punë si guidë në një muzeum, duke vazhduar njëkohësisht studimet. Kështu që u bëra historian prej nevojës, jo prej vokacionit.

 

Kur filluat të merreshit me histori politike?

Vetëm 20 vite më pas, kur jam liruar nga kampi i përqëndrimit, disa muaj pas vdekjes së Stalinit, më 1953. Kisha hyrë më 1940. Do të mund t’ju flisja gjatë për rrëfenjat e kësaj periudhe: Lubiankën, KGB-në, marrjet në pyetje. .. Tek ju mendohet se një person që del nga kampi i përqëndrimit është i lirë, por këtu nuk është aspak kështu: një njeri që lirohet pret gjithmonë që të burgoset nga çasti në çast. Prandaj, prej frikës nga një arrestim i ri, pasi jam liruar kam qëndruar shumë vite larg Moskës, në jug, ku vazhdoja të merresha me art. Kur jam kthyer në Moskë, në 1960 – 1961, kam nisur të shkruaj biografinë e tim eti. Për të gjithë revolucionarët, rehabilitimi nuk ka qenë as i menjëhershëm, as komplet. Për tim atë u fol qysh në Kongresin e XX-të të partisë, kur akoma akoma nuk ishte përmendur as edhe një emër i viktimave të Stalinit; unë jam rehabilituar në nëntorin e 1956. Por edhe pas këtij rehabilitimi fals, të gjithë kanë vazhduar të shpifin ndaj revolucionarëve të vrarë, duke i quajtur trockistë. «Trockist» dhe «kundërrevolucionare» janë fjalë aq të mbushura me «r», sa që në rusisht tingëllojnë akoma më shumë si një fyerje: shqiptohen me shije… Në ato vite ekzistonte një repertor me fjalë në «r» që përdoreshin si fyerje kundër viktimave të Stalinit. KRD dhe KRTD qenë refrenet e të gjitha rtikujve të gazetave të kohës. Por akoma sot, pavarësisht perestrojkës, këto fjalë magjike përdoren në të njëjtën mënyrë. Në fillim të janarit, e përditshmja «Moskovskie Novosti» ka botuar një intervistë me një gjeneral dhe akademik gjeorgjian, një farë Xhorxhadze, që themeluar «Shoqërinë Ndërkombëtare të Stalinit». Shpresoj që asnjë italian i ndershëm të mos jetë pjesë e kësaj shoqërie që ka si qëllim mbrojtjen e kujtimit të «babait të popujve». Pikërisht ky gjeneral përdor terminologjinë e viteve të terrorit, kur deklaron se «duhet studiuar vepra e komandantit të lavdishëm, pasi ai ka qenë një partizan i luftës kundër nazizmit dhe trockizmit». Pavarësisht të gjitha rehabilitimeve zyrtare, për kundërshtarët e Stalinit është shpifur gjithmonë dhe e njëjta ka ndodhur me tim atë. Për këtë arsye kam shkruar biografinë e tij, që ka dalë më 1965 në Moskë me titullin: Në emër të revolucionit. Më 1975 në Leningrad ka dalë një botim i ri, krejtësisht i ribërë dhe shumë më i zgjeruar, dhe në 1989 i fundit. Në vitet ’70, me mbarimin e botimit të parë të librit, kam nisur menjëherë të mbledh materiale për një biografi të Stalinit. Titullin Portret i tiranit nuk e kam zgjedhur për motive publicitare. Doja të kuptoja psikologjinë e këtij njeriu, më interesonte natyra kriminale e tij si i tillë. Sapo është bërë diktator, gjithçka që bënte e bënte më metoda kriminale: jo vetëm në politikë të brendshme e në ekonomi, por edhe në politikë të jashtme. Dhe nëse aktualisht shumë prej liderëve politike të huaj nuk na japin besim, arësyeja duhet kërkuar në politikën staliniane, në provokimet e tij, në terrorin që ai përdorte. Jashtë nuk është vrarë vetëm Trocki; ekzistonin banda terroriste në kuptimin e vërtetë të fjalës që kanë vepruar nën Stalinin, me Jagodën, Jezhovin dhe në fund Berian. Këta të tre kanë lënë në trashëgimi njëri pas tjetrit bandat terroriste. Gjatë viteve të kaluara në kamp dhe në burg kam fituar shumë përvojë të dobishme për punën time, pasi aty kam njohur shumë kriminelë, kam kuptuar idetë e tyre, mënyrën e të menduarit dhe për këtë arësye e kam pasur të lehtë ta kuptoj Stalinin. Duke parë në burg hajdutë, kriminelë dhe vrasës, kam mund të penetrojë më thellë në shpirtin e Stalinit. Libri për të është botuar në Neë York në rusisht më 1980. Nuk do ta kisha pritur kurrë që vetëm pak vite më pas do te lexohej kudo në Bashkimin Sovjetik. Pikërisht në vitet e terrorit të Brezhnjevit libri ka pasur një sukses mjaft të madh: kopjohej me dorë, me makinë shkrimi, çiklostilohej apo fotokopjohej. Kudo që kam shkuar kam gjetur njerëz që e kishin lexuar. Më pas është botuar, në një version të shkurtuar, në revistën «Çështje Historike», për 10 numra, dhe në gazeta e revista të tjera të ndryshme në qytete të ndryshme, deri në lindjen e largme e Bashkimit Sovjetik. Më duhet të pranoj se ky libër ndihmon perestrojkën e kuptimit, rindërtimin e kuptimit. Në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara më është thënë se është një prej librave shumë të pakët që shitet çdo ditë, ndoshta me 2 apo 3 kopje, por prej 10 vitesh është kështu. Është përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht e kroatisht. Më pas kam nisur të punoj për biografinë e Berias. Jo vetëm pse Beria është një lloj refleksi spekuluar, një «kopje» e Stalinit, por edhe pse mund të vazhdoja me të njëjtin argument të librave të mëparshëm, domethënë të vazhdoja studimin e epokës së Stalinit. Për këtë libër janë interesuar tashmë botues të ndryshëm në vende të ndryshme. Qysh nga shtatori i 1988 ka nisur të botohen në gazetën «Ylli i Leningradit» disa pjesë të këtij libri. Kam mbajtur konferenca të ndryshme, në Leningrad, Odesë, Gorkij, Kazan dhe disa intervista në radion dhe në televizion… mendoj se kanë pasur një lloj efekti. Midis autorëve që janë marrë me Stalinin jam ndoshta më kritiku. E demonstron fakti që revistat e Moskës dhe Leningradit kanë censuruar shumë pjesë të librit tim, të konsideruar të rrezikshëm, pavarësisht se jemi në kulm të glaznostit. Kam botuar tashmë dy pjesë të librit tim të ardhshëm, Teatri i Josif Stalinit, dhe po mbledh materiale për një libër tjetër, që do ta quaj Socializmi i tij. Kam në mendje edhe tregime për jetën në kampe.

 

Ju mendoni se Stalini ishte thjesht një diktator që është sjellë në mënyrë kriminale duke devijuar rrënjësisht nga idetë e marksizëm – leninizmit apo mendoni se ekzistojnë lidhje midis asaj që Stalini ka bërë dhe konceptit të marksizëm – leninizmit?

Stalini nuk kishte dhe nuk mund të kishte asnjë lloj teorie dhe mësimi. Ai vetëm ka përdorur si marksizmin, ashtu edhe leninizmin, si një bazë për ndërtimin e një diktature personale. Ishte një kriminel që ka shfrytëzuar terminologjinë e marksizëm – leninizmit për qëllimet e tij kriminake. Jo larg nga këtu jetonin vejusha e filozofit Sten dhe vejusha e Buharinit. Kishin bashkë në kamp përqëndrimi. Zonja Sten, duke treguar për bashkëshortin e saj, i vdekur në një kamp ku e kishte syrgjynosur Stalini, kujtonte se kur Sten kthehej në shtëpi nga Kremlni, ku i jepte leksione private filozofie Stalinit, kapte kokën me duar dhe thoshte: «Nuk kam takuar kurrë në jetën time nxënës më budalla». Stalini ishte një njeri primitiv, një sintezë, siç e ka thënë dikush, midis një prifti idiot dhe një ushtari idiot. Nuk është e mundur të flitet për ndonjë mendim filozofik apo ideologjik të Stalinit: ishte vetëm një komedian. Në konferencat e mia ka salla me 1500, 2000 njerëz. Gjithmonë më pyesin: «Është e mundur që në personin e Stalinit të ketë pasur ndonjë tipar pozitiv?». U përgjigjem: «Njihni ndonjë vrasës, ndonjë sadist? Nëqoftëse po, kërkoni tek ai ndonjë tipar pozitiv». Edhe në një pikë tjetër njerëzit gabohen. Mendojnë se dhuna e atyre viteve i detyrohet vetëm kolektivizimit të tokës, por në të vërtetë edhe industrializimi ka sjellë dhunë. Mund të vlerësohen në mënyra të ndryshme mësimet e Marksit dhe Leninit, por duhet mbajtur mirë në mendje se askush nuk do të kishte mund të bënte një çmenduri më të madha nga ajo që bëri Stalini. Krahasuar me të, Hitleri të duket si fëmijë. Edhe vdekja e Stalinit nuk ka ndodhur si ajo e dikujt që me ngadalë dhe në heshtje, siç themi në rusët, ka shkuar në botën tjetër, por si ajo e dikujt që ka përplasur portën, në mënyrë vrazhdë, jokorrekte dhe mizore.

Marksizëm – leninizmi ka pësuar kështu një ndërprerje në periudhën e Stalinit. Ju mendoni se ky mendim ka pasur një rigjallërim pas vdekjes së diktatorit?

Epoka e Hrushovit dhe e Brezhnjevit është karakterizuar nga inercia, si një gur që bie nga mali, dhe, sipas vendit ku kalon, ecën pakashumë me shpejtësi. Ky gur tashmë ka rënë deri në fund, nuk ka se ku të bjerë më: vetëm kontrabandistët e kalojnë kufirin me një valixhe me fund të dyfishtë. Kemi prekur fundin, të paktën me një këmbë.

Por pasi të keni mbështetur edhe të dytën, ndoshta mund ta ngjiteni sërish…

Do të ishte e mundur sikur të mos ishte forca e gravitetit.

Ju nuk besoni se ky vend do të arrijë që të zhvillojë kushte të jetës së lirë?

Unë jam shumë kritik dhe shikoj me habi, por edhe me sarkazëm atë që ndodh çdo ditë në Sovjetin Suprem, por edhe në organizmat e tjera dhe në shtyp. Nuk më pëlqejnë citimet dhe aq më pak ato të Leninit. Por tek ky i fundit ka një shprehje që thotë se duhet gjetur hallka e dobët për të prishur të gjithë zinxhirin. Është kjo hallka kryesore që flitet në ditët tona dhe është «faktori human». Nuk mjafton të pranosh se tek ne, në epokën e Stalinit dhe të Brezhnjevit, njeriu ka arritur në gjendjen e kafshës, ka pushuar së qëni njeri: duhen marrë menjëherë masa për të favorizuar rilindjen e njeriut në njeri. Vijmë kështu në problemin kryesor, që është ai i edukimit të fëmijës, i ndërtimit të njeriut. Parasëgjithash duhen gjetur edukatorë të vërtetë dhe ne nuk i kemi. As edukatoret, as mësueset e shkollave nuk janë të denjë për emrin e «edukuesit»; nuk janë profesionalë, nuk kanë kulturë, nuk kanë asgjë. Edhe në universitete, në 20 pedagogë mund të gjenden ndoshta 1 apo 2 të denjë për postin e tyre. Hallka e dobët e zinxhirit është mungesa e një trupe edukuesish. Është fakti që në një klasë me 30 apo 40 nxënës nuk gjendet një që të i aftë të punojë individualisht. Është si kazermë: të gjithë bashkë, të gjithë njëlloj. Gjatë trei gjeneratave ka ndodhur një proces shkatërrimi shpirtëror dhe konstruksioni fizik, devolucion shpirtëror dhe evolucion fizik. Do të ishte naive të pritej që Mikhail Gorbaçiovi, brenda 4, 5, 10 apo edhe 15 vjet, do të arrijë të rindërtojë vetëdijet e njerëzve: nuk është as magjistar, as fallxhor. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuan unë do të thoja këtë: po, jam optimist, por për një projekt afatgjatë, që mund të marrë rreth 75 vite, 3 gjenerata, të kuptohemi. Mungesa e metodës, e dashurisë për punën, e punktualitetit, e saktësisë, janë një mungesë kulture. Domethënë njerëzit janë të mësuar vetëm me atë që është kolektive. Pa dashurinë për punën dhe pa saktësi, asnjë perestrojkë nuk do të mund të ndihmojë.

 

A mund të konsiderohet ky projekt afatgjatë si një proces rindërtimi i vetëdijes? Dhe a ka njerëz të aftë për ta realizuar?

Duhet kuptuar se genocidi i projektuar dhe i realizuar nga Stalini kundër intelektualëve ka gjeneruar situatën aktuale, të mungesës pothuajse absolute të intelektualëve. Boll të shikohet midis deputetëve apo në Sovjetin Suprem: ka disa që kanë një diplomë apo edhe dy, si Gorbaçiovi, por të jesh intelektual është gjë tjetër, intelektualë ka shumë pak. Dhe pa një qendër intelektuale nuk është e mundur të dilet nga kjo situatë. Dhe fakti që Korjakini nuk ka vdekur pasi ka pësuar një infarkt dhe ka vdekur në fakt Sakharovi është një provë e faktit se në ditët tona intelektualët akoma persekutohen, asgjësohen.

Cilët janë historianët që kanë punuar pa ju nënshtruar presioniot falsifikues të partisë?

Ka, por vetëm tani kanë pmarrë lejen që të botojnë. Në Leningrad është Vitalj Starçev, ekspert për Leninin dhe Revolucionin e Tetorit, dhe Oleg Znaminskij. Në Moskë janë Vladimir Loginov, dy Polikarpovët, babë e bir, ekspertë për Luftën e Dytë Botërore dhe atdheun sovjetik. Mendoj për Jurij Afanasievin, Rektor i Institutit të Arkivave Historikë Sovjetikë; aty punon edhe Evgenij Luckij, historian i shkëlqyer. Deri pak kohë më parë në këtë institut ishin edhe pseudohistorianët stalinistë, që nuk kanë lënë gur pa luajtur që ta përzinin Afanasievin nga posti i tij. Kam qenë në Universitetin e Voronezhit dhe jam mrekulluar, pasi në postet më të rëndësishëm janë jo vetëm stalinistët, por njerëz krejtësisht të paaftë. Kjo vlen edhe për universitetet e Kazanit, Gorkijt dhe shumë të tjerë që kam vizituar kohët e fundit. Jam lodhur për të gjetur njerëz jo vetëm të aftë, por thjesht inteligjentë. Në asnjë vend civil nuk ka një shkujdesje të tillë, një disponueshmëri për të përcjellë çdo lloj ideje, edhe më idioten, vetëm prej karrierizmit. Edhe në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave është një si Miins, që është falsifikues i madh, ashtu si edhe zëvendësi i tij, Karablevi. Kurse Danilovi është një ekspert i mirë i historisë ekonomike, por ka jetuar gjithmonë në këtë institut i kryqëzuar si Krishti, duke ju dashur të mbrohej vazhdimisht. Është edhe Kretovi, stalinist dhe i paaftë, në gjendje që të bëjë veprime më të padenja. Në ndryshim nga periudha cariste, tek ne sot nuk vlerësohet aftësia pedagogjike dhe oratoria e mësuesve, por kudo mbizotëron tradita dhe stili i kancelarive, i ministrive, bile edhe në dizertacionet e në punët shkencore.

Anton Vladimiroviç, a jeni marksist?

Nëse më duhet të jem i sinqertë dhe i hapur deri në fund, nëse pyetem a besoj akoma tek marksizmi, do të thoja jo. Pas përvojës time jetësore, nuk besoj më as tek Marksi, as tek Lenini, as në asgjë tjetër. Ama do të më pëlqente që të besoja. Do të më pëlqente që marksizmi dhe leninizmi të kishin qenë doktrina më të hapura e më progresiste. Më duket se epoka aktuale, në të cilën njeriut i janë hapur dyert e kozmosit, do t’ia dalë që pas disa gjeneratash nuk do të ketë më asnjë lloj kuptimi të besojë në «izmat» e ndryshme: marksizëm, leninizëm, hegelizëm do të jenë një lojë fjalësh krejtësisht boshe. Ne do të duhet që ta humbasim kapjen pas «izmave» tona dhe perëndimorët pas të tyreve e të preokupohen seriozisht për shpëtimin e planetit tonë. Nuk kam asnjë dëshirë për të filozofuar. Thjesht ndoshta pse jam lodhur së jetuari. Sikur të ekzistonte një shkencë e së mirës, do të ishte shkenca e vetme për të cilën do t’ia vlente barra qiranë që ta monsakroje jetën tënde. Mendoj se njerëzimi – dhe populli sovjetik mbi të gjitha – është lodhur nga një gjë e vetme: është i lodhur nga e keqja.

(Anton Vladimiroviç Antonov – Ovseyenko (1920 – 2013) ishte një historian dhe shkrimtar rus. Djali i një ish lideri Bolshevik, u arrestua në vitin 1940 dhe kaloi 13 vite burg në kampet e punës)

(nga nuova umanita)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *