Home»Rretherrotull»Lamtumira e Stephen Hawking: Nuk kam qenë gjeni në shkollë, por kjo nuk më pengoi të kapërceja universin

Lamtumira e Stephen Hawking: Nuk kam qenë gjeni në shkollë, por kjo nuk më pengoi të kapërceja universin

Pjesë nga “Përgjigjet e mia për pyetjet më të mëdha” – Stephen Hawking

Për shekujsh, njerëzit kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre më të mëdha. Nga vijmë? Si ka lindur universi? Cila është skema, domethënia e thellë që qëndron pas gjithçkaje që ne njohim?

A është dikush tjetër atje lart? Rrëfimet për origjinën e botës që vijnë nga e kaluara, janë zëvendësuar nga një larmi bindjesh që mund t’i cilësojmë thjesht “bestytni”.

Shkenca mund të rezultojë edhe më e çuditshme se fantashkenca, madje edhe më argëtuese. Unë jam një shkencëtar me interest ë madh për fizikën, kozmologjinë, universin, të ardhmen e njerëzimit. Prindërit e mi më kanë mësuar të kultivoj një kuriozitet të jashtëzakonshëm dhë të përpiqem t’u përgjigjem, njësoj si im atë, pyetjeve të shumta që shkenca na nxjerr përpara.

E kam kaluar jetën duke udhëtuar në kozmos, pa dalë kurrë nga mendja ime. Përmes fizikës teorike, kam kërkuar përgjigje për pyetjet më të mëdha.

Në njëfarë pike, kam menduar se do të mund të shihja fundin e fizikës që ne njohim, por sot mendoj se, edhe pasi unë të mos jem më, njerëzit do të vijojnë për shumë kohë t’u gëzohen mrekullive të zbulimeve shkencore. Jemi shumë pranë disa prej këtyre përgjigjeve, por ende nuk kemi arritur te to.

Problemi është se shumë besojnë që shkenca është tepër e komplikuar dhe e vështirë për t’u arritur. Unë nuk mendoj kështu.  Për të drejtuar një studim për ligjet themelore që drejtojnë universin është e qartë që duhet shumë kohë, që shumica e njerëzve nuk e kanë: nëse të gjithë do t’i dedikoheshim fizikës teorike, bota do të ndalonte.

Megjithatë, pothuajse të gjithë arrijnë t’i kuptojnë dhe t’i vlerësojnë nocionet bazë që u shpjegohen në mënyrë të qartë dhe pa ekuacione, çka për mua është gjithnjë e mundur dhe jam përpjekur ta bëj gjithmonë.

Unë jetova epokën më të paharrueshme përsa u përket kërkimeve në fizikën teorike. Në 50 vitet e fundit, pikëpamjet tona për universin kanë ndryshuar shumë dhe do të isha i lumtur nëse kam dhënë edhe unë kontributin tim për këtë.

Një nga zbulimet e mëdha që na solli “epoka e hapësirës” është këndvështrimi i ri nga i cili njerëzimi ka mësuar të shikojë vetveten: kur e shohim Tokën nga hapësira, e shohim veten si një. Ne perceptojmë unitetin, jo ndarjet. Është një imazh që, në thjeshtësinë e tij të madhe, përcjell një mesazh shumë të fortë: një planet i vetëm, një racë e vetme njerëzore.

Unë dua ta bashkoj zërin tim me ata që kërkojnë veprim të menjëhershëm mbi sfidat kryesore që shqetësojnë komunitetin global. Shpresoj që në të ardhmen, edhe kur nuk do të jem më këtu, njerëzit që sundojnë botën do të jenë në gjendje të tregojnë kreativitet, guxim dhe lidership.

Unë shpresoj që ata tregojnë veten në lartësinë e sfidës që paraqesin objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe të veprojnë jo thjesht për interesin e tyre personal, por për të mirën e përbashkët. Unë jam plotësisht i vetëdijshëm se koha është e çmuar. Shfrytëzoni momentin. Veproni tani.

Unë kam lindur saktësisht tre shekuj pas vdekjes së Galileos, dhe preferoj të mendoj se kjo koincidencë ka shënuar një drejtim për zhvillimin që jeta ime ka pasur në fushën shkencore. Megjithatë, sipas llogaritjeve të mia, rreth 200 mijë fëmijë të tjerë mund të kenë lindur po atë ditë, dhe unë nuk e di se sa prej tyre kanë treguar ndonjë interes në astronomi.

Unë kurrë nuk kam qenë një nga studentët më të mirë – ishte një klasë me djem shumë inteligjentë dhe unë isha pak a shumë mesatar – por shokët e klasës më vunë nofkën “Ajnshtajni” gjithsesi; ndoshta sepse panë në mua shenjat e potencialit. Kur isha dymbëdhjetë vjeç, një nga shokët e mi vuri bast me një qese karamele që unë kurrë nuk do të bëhesha dikushi.

Kam kaluar një jetë të jashtëzakonshme në këtë planet, duke udhëtuar në të njëjtën kohë nëpër të gjithë universin me mendjen time dhe me ligjet e fizikës. Shkova në skajet e galaktikës, udhëtova në një vrimë të zezë dhe u ktheva në fillim të kohës.

Në Tokë, pashë ulje dhe ngritje, turbullirë dhe qetësi, sukses dhe vuajtje. Kam qenë i pasur dhe i varfër, fizikisht i aftë dhe me aftësi të kufizuara.

Më kanë vlerësuar dhe më kanë kritikuar, por asnjëherë nuk u injorova. Falë punës sime, kam pasur privilegjin e madh për të kontribuar në të kuptuarit e universit. Por universi do të ishte bosh nëse nuk do të ishin njerëzit që unë i dua dhe më duan: pa ta, në sytë e mi, të gjitha mrekullitë e botës do të humbnin kuptimin e tyre.

Shpresoj që një ditë do t’i gjejmë përgjigjet për të gjitha pyetjet tona. Si do të arrijmë të ushqejmë një popullsi botërore gjithnjë në rritje?

T’i ofrojmë ujë të pijshëm, të prodhojmë energji të rinovueshme, të parandalojmë dhe të shërojmë sëmundjet dhe të ngadalësojmë ndryshimet klimatike globale?

Shpresoj që shkenca dhe teknologjia të na japin përgjigjet për këto pyetje, por për të zbatuar zgjidhjet, ne nuk mund të bëjmë pa qeniet njerëzore, pa njohuritë dhe aftësinë e tyre për të kuptuar atë çka është reale.

Ne luftojmë që çdo grua dhe çdo njeri të mund të jetojnë jetë të shëndetshme dhe të sigurt, plot mundësi dhe dashuri. Ne jemi të gjithë udhëtarë të kohës, që ecin drejt së ardhmes, por duhet të punojmë së bashku për ta bërë atë të ardhme një vend të këndshëm për jetesë.

Bëhuni kurajozë, kuriozë dhe të vendosur, edhe kur kushtet janë kundër jush. Ju mund t’ia dilni! (TemA TV)

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *