Home»Lifestyle»Shendeti»Depresioni dhe ankthi mund të diagnostikohen me anë të testit të urinës

Depresioni dhe ankthi mund të diagnostikohen me anë të testit të urinës

Depresioni dhe ankthi, nuk janë gjithmonë të lehta për t’u zbuluar. Simptomat e dukshme si trishtimi apo shqetësimi i vazhdueshëm, mund të mos jenë të pranishme. Përkundrazi, një person mund të shfaqë simptoma të fshehta, si pavendosmëria kronike apo një përgjumje e tepruar. Diagnoza kërkon zakonisht një psikolog.

Përveç konsumit të kohës dhe papërshtatshmërisë, kriteret diagnostikuese janë shumë subjektive. Prandaj, do të ishte i preferuar një mekanizëm objektiv dhe lehtësisht i dallueshëm, për të identifikuar depresionin dhe ankthin. Tani, një ekip studiuesish kinezë besojnë se e kanë zbuluar një të tillë, duke përdorur testin e urinës.

Rezultatet e tyre, u raportuan në revistën “Translational Psychiatry”. Studiuesit nisën mbledhjen e mostrave të urinës nga 32 pacientë që vuanin nga depresioni dhe ankthi,  dhe nga 32 persona të shëndetshëm, të cilët më pas u krahasuan sipas moshës, gjinisë dhe indeksit të masës trupore. Urina u analizua duke përdorur teknikat standarde të kimisë, për të përcaktuar nëse ndryshimet në përqendrimet e metabolitëve të ndryshëm, mund të përdoren për të dalluar njerëzit e shëndetshëm nga pacientët me depresion/ankth.

Dhe në fakt të dhënat dëshmuan se kjo është e mundur. Hapi i ardhshëm, ishte vërtetimi i modelit të tyre me më shumë mostra. Kështu, autorët mblodhën urinën e 16 njerëzve të tjerë të shëndetshëm, dhe 16 pacientëve me depresion/ankth, i analizuan dhe i krahasuan ato sërish.

Sërish u konfirmua aftësia e testit për të dalluar njerëzit e shëndetshëm nga pacientët me depresion/ankth – duke përdorur vetëm metabolitët e zbuluar në mostrat e urinës. Të 16 pacientët me depresion/ankth u identifikuan në mënyrë korrekte, ndërsa 13 nga 16 testet e njerëzve të shëndetshëm, u identifikuan si duhet.

Nëse rezultatet e këtij studimi vazhdojnë të konfirmohen, hapi tjetër do të jetë komercializimi. Një test i shpejtë i urinës nga mjekët, për të shqyrtuar pacientët që dyshohet se vuajnë nga depresioni dhe ankthi, mund të jenë një ndihmë e jashtëzakonshme për shëndetin publik. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *