Home»Magazine»Letersi»“Një natë në Lisbonë” fragment nga një ndër romanet më të trishtë të Remark…

“Një natë në Lisbonë” fragment nga një ndër romanet më të trishtë të Remark…

“Asgjë s’duhet, mendova unë. Kisha akoma dhe një orë, pastaj bota do të përmbysej. Si nuk e kisha ndier më parë? Po, e kisha ndier, po pse nuk e kisha thyer murin prej qelqi midis meje dhe ndjenjës sime? Nëse kthimi im ishte marrëzi, atëherë kjo kishte qenë një tjetër marrëzi, edhe më e madhe. Duhej të merrja me vete diçka nga Helena për në atë zbrazëtirën e përhimtë ku do të kthehesha po të më ndihte fati, të merrja diçka më tepër sesa kujtimin e shqetësimit të përhershëm e të bashkimit të fundit midis një gjumi e një tjetri. Duhej ta kisha Helenën me të tëra shqisat, me trurin, me sytë, me mendimet e saj, të tërën, jo vetëm si një kafshë midis natës e mëngjesit. Ajo vazhdonte të kundërshtonte. Pëshpëriste se mund të kthehej Georgi, dhe nuk e di a e besonte vërtet diçka të tillë. Unë vetë kisha qenë shpesh në rrezik dhe nuk mund ta harroja menjëherë sapo kishte kaluar; tani doja vetëm një gjë në atë dhomë me parfumin dhe rrobat e Helenës, me shtratin e me mugëtirën: ta zoteroja me gjithçka që kisha, me gjithçka që isha i aftë, dhe e vetmja gjë që më lëndonte dhe ma cingëriste vuajtjen e heshtur të humbjes, ishte paaftësia për ta zotëruar më shumë e më thellë nga ç’jepte mundësi natyra. Doja të shpalosesha si një mbulesë sipër saj, doja të kisha një mijë duar e një mijë gojë, të isha një formë konkave e përsosur e saj, për ta ndier kudo, pa ndonjë zbrazëtirë ndërmjet, të ngjitur mish me mish, e prapësëprapë me dhimbjen e lashtë e të përhershme se njeriu mund të ngjitet mish me mish e jo gjak me gjak, se vetëm mund të rrijë pranë atij që do, pa mundur të shkrihet e të bëhet një me të”.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *