Home»Histori»Historia e Urdhërit të Kalorësve Teutonikë: Murgjit e akullit në Kryqëzatat e Veriut

Historia e Urdhërit të Kalorësve Teutonikë: Murgjit e akullit në Kryqëzatat e Veriut

Ishin kryqëzatat e Veriut. Të pamëshirshëm dhe shumë të fuqishëm, ishin ata “Njerëzite  zinj”, terrori i fëmijëve rusë dhe komanë. Kalorësit teutonikë paraqisnin megjithatë dallime nga urdhërat e tjerë. Më i dukshmi ishte tek simbolet: shqiponjat (simbol profan) dhe kryqët e zinj (jo të kuq apo të bardhë) ishin një ekskluzivitet i tyri. Një dallim i dytë, më thelbësor, ishte tek kriteret e rekrutimit: ndërkohë që kalorësit e tjerë ishin ndëretnikë, teutonikët ishin gjithmonë të gjithë gjermanisht-folës, aq sa më vonë urdhëri i tyre do të quhej Deutsche Orden. Prej këtu buroi një nacionalizëm i fortë, i cili ndihmonte e ndonjëherë edhe kapërcente integralizmin fetar

Përse “të zinj”? Në të vërtetë, lëkura e tyre ishte shumë e bardhë; po kështu edhe mantelët e tyre, që binin menjëherë në sy. Por, çdo gjë tjetër ishte e zezë: tunikat, puplat mbi përkrenare, kryqet dhe shqiponjat e lyera mbi mburoja. Në një linjë me pamjen ishte ideja që ata fansa të Xhoshuas (pushtuesi biblik i Tokës së premtuar, pasardhës i Moisut) kishin për jetën: një përzierje dyngjyrëshe e të mirës dhe të keqes, pa nuanca të ndërmjetme. E keqja ishin të gjithë jo të krishterët: islamikë, hebrenj, paganë. Të mirën e sillnin ata, me tehun e shpatës

Përgjegjësi kryesor i luftës së dytë botërore ishte gjerman, pushtoi Poloninë, më pas hyri në Rusi; por nuk quhej Adolf, por Hermann, nuk kishte mustaqe të zeza por një mjekërr të gjatë ngjyrë të kuqe, dhe kryqet mbi flamujt e tij nuk ishin të thyer por me krahët të zgjatur deri në skaje. Mbiemrin e kishte von Salza, ishte një kadet fisnik i Tyringenit, bashkëkohës i Shën Françeskut, dhe nuk e mësoi asnjëherë që kishte provokuar një konflikt botëror, për arsye se vdiq shtatë shekuj para se ky konflikt të shpërthente.

NJERËZ TË ZINJ

E mësipërmja duket ide e elaboruar nga një i dehur, por në fakt është absolutisht e  demonstrueshme. Për momentin mjafton të thuhet që, nëse Hermann von Salza do të kish mbetur në Tyringen, akush nuk do ta kujtonte. Në fakt, nënat balltike dhe ruse e përmendin edhe sot, netëve, për t’u thënë fëmijëve: “Po nuk fjete, do të thërras njeriun e zi!” Kështu do të bënin edhe nënat komane, nëse këta do të ekzistonin ende; por ai popull i stepave nuk ekziston më, i dëbuar prej historisë pikërisht nga “njeriu i zi”, në vitet 1211-1225.

Atëherë, “njerëzit e zinj” nuk ishin vetëm makthe fëmijërorë që përdoreshin nga prindër të stresuar, por ishin tmerri i shumë të rriturve. Jetonin në kështjella fajkonjsh, flisnin gjuhën gjermane dhe i bindeshin verbërisht një hochmeisteri (“Zoti i madh”). Mbrëmjeve darkonin së bashku, duke lexuar me zë të lartë vargjet më luftëdashës të Biblës, që nga luftërat e Xhoshuas, tek ato të Makabejve. Gjatë ditës galoponin të armatosur, nën thirrjen “Gott mit uns” (“Perëndia është me ne”), duke u përpjekur të imponojnë kryqin e krishterë tek njerëz që nuk donin t’ia dinin. Emri i tyre i vërtetë ishte Kalorësit Teutonikë.

Po përse “të zinj”? Në të vërtetë, lëkura e tyre ishte shumë e bardhë; po kështu edhe mantelët e tyre, që binin menjëherë në sy. Por, çdo gjë tjetër ishte e zezë: tunikat, puplat mbi përkrenare, kryqet dhe shqiponjat e lyera mbi mburoja. Në një linjë me pamjen ishte ideja që ata fansa të Xhoshuas (pushtuesi biblik i Tokës së premtuar, pasardhës i Moisut) kishin për jetën: një përzierje dyngjyrëshe e të mirës dhe të keqes, pa nuanca të ndërmjetme. E keqja ishin të gjithë jo të krishterët: islamikë, hebrenj, paganë. Të mirën e sillnin ata, me tehun e shpatës.

TË FORTË DHE TË LIRË

Urdhëri Teutonik, tek i cili von Salza ishte hochmeister-i i katërt, lindi në kohën e kryqëzatave: zyrtarisht në vitin 1191, pak muaj pas vekjes së Barbarossas, i vrarë në Salef, teksa marshonte me shumë siguri drejt Palestinës. Pas vdekjes së perandorit, në Lindjen e Mesme mbetën shumë gjermanë pjesëtarë të kryqëzatave, të çorientuar dhe pa një njeri në krye. Kështu, dy papë (Klementi III dhe Innocenzo III) i ricikluan në murgj të armatosur, duke imituar kështu Kalorësit Spitalorë dhe me të njëjtat detyra: të shoqëronin pelegrinët dhe të menaxhonin spitalet.

Në realitet, e thënë kështu, historia e origjinës është pak e thjeshtësuar: si për faktin që, qysh përpara 1191 në Tokën e Premtuar kishte grupe të organizuar ushtarakësh dhe mjekësh gjermanë; por edhe për faktin që më pas “jetimët” e Barbarossës ishin më shumë luftëtarë, se sa infermierë. Por pak rëndësi ka, sepse në Lindjen e Mesme, Teutonikët patën një peshë të vogël: në vitin 1197 përgatitën një tjetër kryqëzatë, e cila dështoi për shkak të vdekjes së perandorit të ri (Henriku VI); dhe në vitin 1210 ishin kthyer pothuajse të gjithë në Europë, ku për njerëz të fortë dhe të pastër si ata, tregu ofronte shumë mundësi.

Që Kalorësit Teutonikë ishin shumë të fortë dhe të pastër, nuk ka asnjë dyshim. Rregulli i tyre (“i Shën Agustinit”) ishte i njëjti i Kalorësve Spitalorë dhe i ngjashëm me atë të Templarëve (“i Shën Bernardit”). Parashikonte një dietë të përbërë nga rrush, qumësht, llapá dhe ujë. Të shumta ishin ditët e agjërimit apo heqjes dorë nga mishi. Shumë të pakët zotërimet personalë: dy këmisha, disa palë çorape, dy palë çizme, tunika, një mbulesë, një libër lutjesh dhe një thikë.

TË ZYMTË

Duke lënë mënjanë kursimin, kalorësit teutonikë paraqisnin megjithatë dallime nga urdhërat e tjerë. Më i dukshmi ishte tek simbolet: shqiponjat (simbol profan) dhe kryqët e zinj (jo të kuq apo të bardhë) ishin një ekskluzivitet i tyri. Një dallim i dytë, më thelbësor, ishte tek kriteret e rekrutimit: ndërkohë që kalorësit e tjerë ishin ndëretnikë, teutonikët ishin gjithmonë të gjithë gjermanisht-folës, aq sa më vonë urdhëri i tyre do të quhej Deutsche Orden. Prej këtu buroi një nacionalizëm i fortë, i cili ndihmonte e ndonjëherë edhe kapërcente integralizmin fetar.

Dallimi i tretë: Në vend të një padroni, teutonikët kishin një padrone: Sancta Maria Teutonicorum, versioni gjerman i Madonës. Ndërkohë që kalorësit e tjerë nuk pranonin në kështjellat e tyre asgjë femërore, as mushkë apo pula, Teutonikët patën shumë shpejt reparte ndihmës të schwestern (“motrave”). Sigurisht, “kalorëset” nuk shkonin e merrnin detyra në vijën e parë: ishin vetëm infermiere. Por është fakt që Deutsche Orden është një prej të parave ushtri që kishte femra në gjirin e vet.

PUSHTUES

Në Evropë, Madona e Teutonikëve u solli fat atyre që mbronte. Të cilët u morën menjëherë me Transilvaninë, rajoni atëherë hungarez, sot rumun, ku nomadët komanë krijonin probleme. Teutonikët i detyruan ata paganë që shkaktonin jo pak bezdira, që të bëheshin të krishterë dhe magjarë. Domethënë, të zhdukeshin si etni në vetvete. Ia dolën mbanë kaq mirë, saqë kalorësit e kryqit të zi u rikthyen në Gjermani që përpara se të përmbyllej operacioni: ishin shumë efiçentë dhe mbreti i Hungarisë, Andrea II ua kish frikën.

Fundi i historisë? Jo, është vetëm fillimi. Në fakt, aventura magjare kish bërë të dilte në pah von Salza për të cilin thuhej se, nga viti 1229 e tutje i nisi Teutonikët drejt sipërmarrjes, që do i bënte ata legjendarë: pushtimi i Prusisë dhe vendeve balltike. “Herë njeri i luftës e herë diplomat”, thotë për të Henry Bogdan, docent në universitetin parizien të Marnela-Vallee, ekspert i historisë së Evropës Lindore “brenda pak vitesh e transformoi një Urdhër ende të vogël në një fuqi politike dhe fetare në plan të parë në Europë, në gjendje të negocionte si të barabartë si me Papën, ashtu edhe me perandorin”.

Kështu, ushtria e kryqëzinjve, e lindur në shkretëtirën e Judesë, përfundoi në brigjet e mjegullt balltikë, të mbuluar nga mështekna dhe shqopa, të banuar nga njerëz paganë dhe “të egër”: lituanezë, vendë, letonezë, estonezë, dhe mbi të gjitha borusë.

Në Gjermani, të rinjve u mësojnë që ajo epope, e destinuar të zgjaste dy shekuj, filloi me vetëm 5 kalorës dhe 100 ndihmësa, që siguronin bregun e majtë të Vistolas, një lumë pa ura, kufiri i botës civile, me një kështjellë me emër poetik (Vogelsang, “Kënga e zogjve”), e destinuar të shndërrohej në bazë për pushtimin.

Gjithçka e vërtetë: ashtu si është e vërtetë që Garibaldi e bëri Italinë me një mijë këmishëkuqë. Por në të dy rastet ka edhe një tjetër të vërtetë: pikërisht ashtu si Njëmijtë, ata 5 murgj-luftëtarë i kishin krahët të mbuluara mirë. Mbi të gjitha ishin prirë përtej Vistolas nga të tjerë kalorës, Shpatëmbajtësit, të cilët mbijetuan mes shumë vështirësive në Letoninë e sotme. Veç kësaj kishin mbështetjen e feudalëve polakë të kufirit, të cilëve u kish ardhur në majë të hundës me grindjet e vazhdueshme me borusët fqinjë. Po kështu, von Salza ishte mik i perandorit Frederiku II dhe kishte miratimin e Papës Onorio III, alias Cencio Savelli.

DREJT VERIUT!

Romano ‘dde Roma, Cencio ishte një Papë luftëdashës: kishte frymëzuar tashmë një sulm ndaj Egjiptit (kryqëzata e pestë), që megjithatë kish përfunduar keq. Kështu, ndryshoi plane: nëse bota e krishterë nuk arrinte të zgjerohej në jug, mund ta bënte në Balltik. Një pretekst për pushtimin ishte gati: “Ajo tokë, që nuk ka kush ta kultivojë”, kishte shkruajtur për Europën Lindore që nga 1224, “do të popullohet me shpejtësi dhe numri i banorëve të saj do të rritet, duke u shkaktuar frikë paganëve për të mirën e besimtarëve”.

Kështu, për të stimuluar bujqësinë, në fundin e dimrit 1231, Teutonikët e parë kaluan Vistolan duke rendur nëpër sipërfaqen e ngrirë të lumit. I udhëhiqte Hermann Balk, zëvendës i von Salzas, i cili në 6 muaj pushtoi njëri pas tjetrit rajone që sot janë polake (Culmerland, Pomesania, Pogesania) që atëherë banoheshin nga paganët borusë; por pastaj, përparimi rifilloi. Në vitin 1251 Teutonikët morën Lituaninë, në 1255 Sambian (sot në Rusi), në fund të shekullit kontrollonin edhe Livonian (sot mes Estonisë dhe Letonisë).

TË PAMËSHIRSHËM

Për t’u theksuar është që marshimi i teutonikëve ishte i njëjtë me atë që ndoqën trupat e Hitlerit në 1939-1941. Dhe të ngjashmit me nazistët ishin edhe abuzues në dëm të popullsive lokale, “mundësia e zgjedhjes e të cilëve”, nënvizon Bogdan, “kufizohej shpesh tek pagëzimi, ose vdekja”. Kronika të kohës rrëfejnë për sulme ndaj civilëve dhe shamanë borusë që rriheshin në vendet e tyre të shenjtë. Pastaj, në Sambia, një pyll që konsiderohej i shenjtë (Tvanste), u pre i tëri për t’i bërë vend një qyteti të banuar nga gjermanë: Koenigsberg, vendlindja e ardhshme e filozofit Kant.

Mes teutonikëve dhe Vermahtit pati megjithatë një dallim të rëndësishëm. Ndërkohë që i dyti la pas vetëm shkatërrim, të parët ngritën kështjella, themeluan qytete dhe i populluan me njerëz të ardhur nga Gjermania, që ndonjëherë komandonin mbi të mundurit, ndonjëherë i zëvendësonin krejt. Shembull i llojit të parë: Letonia, ku një komunitet gjerman mbeti deri në mesin e viteve ‘900. Shembull i të dytit: toka e borusëve, që u shndërrua në një rajon gjerman dhe pa emrin e vet të gjymtohet në Prusia.

Po ta vëresh mirë, një dallim mes dy ushtrive pati edhe në itinerar. Në fakt, kur Hitleri pushtoi Poloninë, synoi menjëherë Gdanskun, një qytet i pasur. Ndërsa teutonikët mbërritën në “kryeqendrën e Balltikut” vetëm në fund të pushtimeve të tyre, në vitin 1308, kur kishin tashmë një shtet solid më në lindje (Ordensstaat). Pikërisht atëherë, luftëtarët e kryqit të zi, duke mos patur më paganë për të konvertuar, hynë në konflikt me të krishterët polakë. Dhe shpata e tyre nuk vrau më në emër të kryqit, por në emër të shqiponjës.

GODITJE

Ndoshta Sancta Maria Teutonicorumit, ky ndryshim nuk i pëlqeu shumë, pasi që atëherë rruga e murgjve-luftëtarë pësoi një ndryshim për keq. Përplasja me polakët zgjati deri në 1410, kur kalorësit morën goditjen më të madhe të historisë së tyre, e njohur si beteja e Tannenbergut. Që atëherë, nisi rënia e Ordensstaat, për të pushuar së ekzistuari në 1525. Megjithatë, Deutsche Orden mbijetoi: i shpërndarë dy herë dhe i ringjallur po dy herë, vazhdon të ekzistojë, ndonëse si hija e vetvetes.

Atëherë, histori e mbyllur? Ende jo, sepse kolonizimi teutonik krijoi efekte afatgjatë. Në fakt e mbushi Europën Lindore me komunitete gjermanike, të izoluar nga atdheu, të shpërndarë në vende të ndryshëm nga pikëpamja etnike. “Ishujt” më të qëndrueshëm ishin Gdansku dhe Prusia Lindore; por trashëgimia teutonike mbetet e gjallë edhe në Transilvani, ku shumë qytete kanë ende një emër tregjuhësh (rumun, magjar, gjerman), duke përfshirë kryeqendrën Cluj-Napoca, që quhet edhe Kolozsvar dhe Klausenburg.

Dhe ja pra rikthehemi tek ideja e përmendur në fillim, sipas të cilës përgjegjësi kryesor i luftës botërore ishte Hermann von Salza, një murg-luftëtar i Dyqindës. Në fakt pa pushtimet e tij, pa kolonizimin antik gjerman të Balltikut dhe pa grumbujt etnikë që erdhën si pasojë, në vitin 1939 Hitleri nuk do të kishte pretekstin për të kërkuar Gdanskun dhe sulmuar Poloninë…

Burimi: Focus Storia

Në shqip nga bota.al

Materiali nuk mund të ribotohet pa vendosur linkun e plotë:

http://www.bota.al/2018/09/historia-e-urdhe…qezatat-e-veriut/

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *