Home»Analiza»A do e shkaktojë Turqia, krizën e ardhshme botërore?

A do e shkaktojë Turqia, krizën e ardhshme botërore?

Nga Vijay Prashad, Ertuğrul Ahmet Tonak

Të gjithë prozhektorët janë kthyer nga lira turke. Rënia e saj ishte e shpejtë: këtë vit ajo humbi më shumë se dyzet përqind të vlerës, kundrejt dollarit amerikan. Kjo ka pasoja të tmerrshme, duke pasur parasysh se Turqia është i mbështetur në huatë e dhëna nga operatorët e huaj. Një borxh gjigant publik, së bashku me sulmin amerikan, e shtyu në prag të humnerës.

A do të marrë me vete, rënia e Turqisë, edhe Evropën, bashkë me vende të tjera me një nivel mesatar pasurie? A janë këto shenja të një krize të re financiare globale, e cila do të ishte shumë më e rrezikshme, se sa ajo që filloi ndërmjet viteve 2007 dhe 2008?

Ajo krizë nuk është se ka marrë fund. Problemet që lindën nga rënia e tregut të pasurive të patundshme në SHBA dhe problemet e mëvonshme që lidhen me borxhin në sistemin bankar botëror, nuk janë zgjidhur. Rekomandimet e Komitetit të Bazelit për të forcuar mbikëqyrjen bankare, ato të Organizatës Ndërkombëtare të Autoriteteve Mbikëqyrëse të Tregut Financiar dhe ato të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve, në thelb janë injoruar. Në vend të një reforme reale të sektorit financiar, qeveria amerikane ka mbajtur normat e interesit afër zeros, duke përmbytur sistemin me dollarë. Zgjidhja e flluskës së pasurive të paluajtshme të SHBA ishte të krijonte një borxh të rëndë, në vendet me një nivel mesatar të pasurisë.

Borxhe në dollarë

Kohët e fundit, në ato vende si Turqia, kompanitë private kanë filluar të marrin hua në dollarë tek institucionet ndërkombëtare, për të financuar operacionet e tyre, por edhe për të bërë investime spekulative. Një lumë dollarësh ka vërshuar në vende si Turqia. Spekulantët e huaj i përdorën për të investuar në letrat e tyre me vlerë (duke përfshirë obligacionet e qeverisë turke).

Instituti i Ndërkombëtar i Financës ka treguar se ky trend është rritur në vitet e fundit. Në fund të vitit 2011, tridhjetë tregje të mëdha në zhvillim, kishin një borxh të barabartë me 163 për qind të PBB-së. Në tremujorin e parë të këtij viti, përqindja u rrit, duke arritur në 211. Dalja nga kriza financiare e 2007-2008, erdhi falë rritjes ekonomike të financuar prej borxhit.

Borxhi botëror vlerësohet në rreth 247 trilion dollarë. Ky është një vlerësim që duhet të na bëjë të reflektojmë. Për më tepër, shumica e këtij borxhi shërbeu për të financuar zgjerimin e sektorit financiar, dhe për të mos investuar në sektorë produktivë, që prodhojnë përfitime për të gjithë. Është një model i rritjes ekonomike që kërkon më shumë borxhe për të financuar veten. Dhe ky model i paqëndrueshëm u adoptua edhe diku tjetër. Në muajt e ardhshëm flluska mund të shpërthejë, kur vende si Argjentina, Brazili, Afrika e Jugut dhe Turqia do të duhet të përballen me borxhet me vlerë një trilion dollarë. A do të jenë në gjendje të zëvendësojnë kreditë ekzistuese me kredi të reja? Kush do të vihet në radhë, për t’u dhënë para hua, vendeve që duket se janë në buzë të greminës?

Stuhitë financiare nuk janë të reja në Turqi. Kriza serioze e goditi këtë vend në prill të vitit 1994 dhe shkurt të vitit 2001. Në të dyja rastet, ajo humbi një pjesë të rëndësishme të PBB-së dhe rezervave valutore, ndërkohë që normat e interesit u rritën: në vitin 1994, interesat kërcyen për një kohë të shkurtër nga 75 në 700 për qind; ndërsa në vitin 2001, nga 40 në 4.000 për qind.

Rimëkëmbja erdhi falë instrumentave të ndryshme, në veçanti një programi “kalimi në një ekonomi të fortë”, të sponsorizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Programi i FMN-së e shtyu Turqinë drejt një “liberalizimi të llogarive kapitale”, një mënyrë elegante për të thënë se bankat e saj u inkurajuan të huazonin në dollarë në tregjet ndërkombëtare, dhe t’u jepnin hua investitorëve turq, në lira turke. E gjithë ekonomia është ristrukturuar për paga më të ulëta dhe për të nxitur eksportet, edhe falë huave afatshkurtra.

Ndërkohë që këto para mbërrinin në Turqi, qeveria aktuale e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) i përdori për të financuar projekte ekstravagante dhe joproduktive. Nuk kishte mundësi që Turqia të eksportonte mjaftueshëm për të financuar borxhin e saj të jashtëm. Vendet me deficite të rënda tregtare janë më të ndjeshme, kur varen nga kreditë e huaja afatshkurtra, të cilat me të drejtë quhen “para të nxehta”.

Çfarë ka ndryshuar

Në vitin 2011, gjithçka dukej e menaxhueshme. Turqia ishte pranë hyrjes në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin shumë të mira dhe biznesmenët turq panë prodhimet e tyre, të rriteshin në tregj, duke filluar nga Libani në Siri, nga Gjiri Persik në Afrikën e Veriut. Lufta në Siri shkaktoi kaos të mëtejshëm. Eksportet në vendet arabe kanë rënë, kriza e refugjatëve ka ushtruar presion mbi Turqinë dhe stabiliteti i saj i brendshëm ka marrë fund, kur qeveria ka shpallur edhe një herë luftën ndaj kurdëve. Ambiciet në Siri janë ezauruar. Qeveria e AKP është përpjekur të rimarrë në duar situatën me një seri spastrimesh të pamëshirshme, kundër të gjithë disidentëve. Preferencat politike kanë bërë që njerëzit e paaftë të zëvendësojnë, ata që janë larguar ose arrestuar. E gjithë kjo ka rritur presionin mbi ekonominë turke.

Dhe pastaj erdhi Trumpi. Politika amerikane e tarifave, veçanërisht ato për çelikun dhe aluminin turk, ka nxitur shqetësim mes bankierëve që i kishin dhënë para hua Turqisë. Rritja e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara e ka bërë atë më të volitshme rifutjen e dollarëve përsëri në vend, ku “ato vlejnë sa ari”. E gjithë kjo e goditi fort lirën turke.

Nuk ka ndihmuar as fakti që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë në mesin e një krize politike, të lindur për shkak të arrestimit në Turqi të pastorit amerikan Andreu Brunson; dhe për Fethullah Gylenin, një mysliman turk që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që Ankaraja pretendon të jetë frymëzuesi i tentativës së grushtit të shtetit, në vitin 2016. Që atëherë, ka pasur tension midis dy vendeve. Tani administrata amerikane ka sqaruar se edhe lirimi i pastorit nuk do të jetë i mjaftueshëm. “Tarifat në fuqi për çelikun nuk do të hiqen me lirimin e Pastor Brunson,” tha zëdhënësja e Trump, Sarah Sanders. “Tarifat janë çështje e sigurisë kombëtare,” tha ajo, edhe pse nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo frazë.

Për Trumpin, është një avantazh që bankat më të ekspozuara me lirën turke janë të gjitha evropiane: BNP Paribas francez, Unicredit italiane dhe Bbva spanjolle. Banka Qendrore Evropiane tashmë ka shprehur shqetësimin e saj, edhe përkundër faktit që institucionet deklarojnë se janë të përgatitura për skenarin më të keq. Shumat nuk janë të vogla. Debitorët turq u detyrohen bankave spanjolle më shumë se 82 miliardë dollarë, atyre franceze 38.4 dhe atyre italiane 17.

Borxhi i sektorit privat në Turqi është i konsiderueshëm: brenda një viti do të duhet të paguajë 220 miliardë dollarë për të shlyer këto borxhe. Paaftësia për ta bërë këtë, përveç rënies së mëtejshme të lirës, mund të shkaktojë një krizë në Evropë, e cila do të kishte ndikim në tregjet financiare globale. Turqia mund të jetë këto kohë, ajo që kriza në tregun e pasurive të patundshme ishte në SHBA, në vitin 2007.

Opsionet

Ministri turk i financave Berat Albajrak, i cili është dhëndër i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, tha se vendi i tij ka hapur negociatat me FMN. Ai premtoi të mos kufizojë lëvizjet e kapitalit, por kjo mund të jetë mënyra e vetme për ta mbrojtur Turqinë nga kolapsi. Partia AKP është kundër çdo zgjidhjeje radikale. Ka të ngjarë që ajo të përshtatet me politikat e FMN-së pa bërë një marrëveshje zyrtare, për të ruajtur qëndrimin e Erdoğanit: AKP-ja dominohet nga retorika anti-perëndimore, por nga politikat pro-perëndimore.

Më 15 gusht, qeveria turke iu drejtua me një ankese zyrtare Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) mbi politikat doganore të SHBA. Dokumenti thekson se tarifat e SHBA janë kundër Marrëveshjes së Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (GATT) të vitit 1994 – kuadri kryesor i referencës për OBT-në dhe se, edhe legjislacioni amerikan (sidomos zgjerimi tregtar i vitit 1963) e shkel atë. Pesë ditë më vonë, OBT-ja i ndau këto shqetësime me anëtarët e tij, me të cilët do të diskutojë seriozisht ankesën.

Ndërkohë, përtej kufirit turk, edhe Irani ka vuajtur rikthimin e sanksioneve amerikane. Kina i ka ofruar vendit ndihmë afatshkurtër. A do t’i jepte gjithashtu Turqisë? Kur Boeing doli nga marrëveshja e saj, e cila përfshinte shitjen e avionëve Iranit, kompania ruse Sukhoi ofroi të zërë vendin e saj. A do të ofrojë Rusia koncesione të ngjashme ndaj Turqisë? A do të ketë një zgjidhje aziatike për krizën turke? A mundet Kina dhe Rusia të jenë të ekspozuara ndaj trazirave financiare globale, përveç këtyre vendeve?

Kemi nevojë për zgjidhje të tjera, më radikale.

Burimi: Alternet

Në shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *