Home»Rretherrotull»Jeta më bëri feministe të flaktë, sepse askush s’ka të drejtë t’i ulë femrat!

Jeta më bëri feministe të flaktë, sepse askush s’ka të drejtë t’i ulë femrat!

Unë isha 15 vjeçe në atë kohë. Vëllai im ishte 16 vjeç dhe motra 21 vjeçe. Isha duke pirë një gotë qumësht, përpara se të shkoja në shkollë atë ditë. Mami po bënte gati faturat e dritat, ujit dhe telefonit për t’i paguar, kur thyen diçka në kuzhinë. Shkojmë të tre atje dhe shohim që ajo kishte rrëzuar tre gota në dysheme dhe qelqet e tyre ishin shpërndarë gjithandej. Me lotë në sy, na thotë : “I kërkova babait tuaj të largohej nga kjo shtëpi. Ai dashuron një femër tjetër prej kohës. Problemi nuk është ajo. Problemi është babai juaj që nuk dinte të vlerësonte familjen që kishte”.

Pashë që vëllai dhe motra bënë një fytyrë si të habitur, ndërkohë që mua më tronditi shumë ai lajm. Kisha një marrëdhënie shumë të ngushtë me të dy prindërit, por me babin pak më tepër. Ai më çonte në çdo vend. Kudo ku shkonte, mua më merrte me vete. Ndërkohë që mendoja disa prej momenteve më të bukura me të, mami vazhdoi sërish e përlotur : “Nëse dikush ju pyet se çfarë ka ndodhur, unë nuk dua ta gënjeni. Thoni të vërtetën që ne jemi ndarë dhe le të mendojnë çfarë të duan të tjerët”.

Në atë kohë, mendimet e të tjerëve ishin gjëja e fundit që më kalonin në mendje. Doja të qaja me të madhe, por e dija që kjo do e lëndonte akoma më tepër mamin tim. Shkova në dhomën time dhe telefonova babin. Ai më tha që të mos i mbaja aspak inat mamit dhe se faji ishte i tij, por që sërish neve na donte shumë dhe do të kujdesej në çdo moment që të mos na mungonte gjë, ashtu siç e kishte bërë deri më tani…

Ditët pas divorcit të tyre nuk dua as t’i kujtoj. Ishin pjesa më e vështirë e jetës sime. Ndihesha si e humbur. Sikur të mos mjaftonte vetëm ai problem, profesori i ri i edukimit fizik më shprehu pëlqimin e tij. Nuk  e dija që diçka të tillë e kishte bërë edhe me shoqet e mia, por që gjithsesi e refuzova. Ai ndoshta e kishte dëgjuar situatën e rënduar në familjen time dhe në bisedën tonë, arriti të më propozonte edhe diçka tepër të pështirë që kurrsesi nuk më shkonte në mendje. E ofendova, më pas i thashë që nëse më ngacmonte sërish, do ta bëja problem akoma edhe më të madh, dhe u largova nga palestra.

Ndërkohë isha e lidhur edhe me një djalë maturant atë vit. E doja dhe më donte, por që ndryshoi shumë, kur mësoi se prindërit e mi do të divorcoheshin. U bë një person krejt tjetër. Më tha edhe ai të shkonim bashkë dhe për këtë arsye e prisha lidhjen me të. Ia kisha thënë edhe më parë që diçka të tillë nuk e bëja me dikë që s’kisha asgjë të sigurt, e aq më tepër në moshën që isha. Pas asaj ngjarjeje, ai nuk më shqetësoi më dhe për këtë gjë u ndjeva mirë.

VItet kaluan. Unë u diplomova në degën e mësuesisë, por gjatë gjithë kohës e kisha atë ndjenjën e madhështisë dhe feminizmit. Edhe të tjerët e dallonin tek unë. Nuk e lejoja kurrsesi një mashkull të tallej apo të ulte moralisht një femër. Mendoja dhe vazhdoj të mendoj se një femër duhet vlerësuar maksimalisht. Ajo kërkon vëmendje, përkujdesje dhe asnjëherë tradhëti. Këtë e kisha mësuar nga mami im. E shihja se sa shumë punonte ajo për t’ia dalë mbanë. Motra falë Zotit gjeti punë sapo u diplomua dhe na ndihmoi edhe mua me vëllanë me shpenzimet në shkollë të lartë. Babi vërtet na premtoi që do kujdesej, por dy vite pas divorcit ai u largua nga Shqipëria dhe nuk e dimë se çfarë bëhet me jetën e tij. Nuk e dimë as ku po jeton, as si është, as nëse na mendon ndonjëherë. Unë s’dua t’ia di për këtë pjesë. Përderisa ai e ka bërë zemrën gur dhe nuk është bërë i gjallë për në, fëmijët e tij, as ne nuk duam t’ia dimë më për të. Prindi nuk duhet thjesht të të lindë, por edhe të të rritë që ta meritojë fjalën “baba” apo “mama”

Ai e la mamanë tonë në moshën tonë më delikate. Nuk deshi t’ia dinte për ne. Nuk u interesua për ne. Pas tij, unë ju rrëfeva edhe përuljet e meshkujve ndaj meje, vetëm sepse mësuan që nuk kishte kush të më dilte në mbrojtje. Më thoni, nëse mund t’i shmangesha dot ndjesive të feminizmit. Në një shoqëri kaq maskiliste sa kjo e jona, e sidomos në situatat në të cilat kam kaluar unë dhe familja ime, ajo ishte zgjedhja e vetme.

Unë tani jam e martuar dhe kam një vajzë 5 vjeçe. Njerëzit përreth më thoshin se kurrë nuk do gjeja dikë që të më respektonte në maksimum dhe të më jepte vendin që më takonte në familje, por ja që e gjeta. Kam një familje ku zëri dhe mendimi im, vlejnë po aq sa zëri dhe mendimi i bashkëshortit tim. Ky është parimi im bazë, barazia gjinore. Asnjë mashkull nuk duhet të tallet me një femër dhe aq më pak të mos mbajë përgjegjësitë që i takojnë përpara saj. E di se ashtu siç im atë tradhëtoi time më, ashtu siç shumë meshkuj i dhunojnë gratë e tyre, ashtu siç ekziston maskilizmi në këtë shoqëri, ashtu ka për të ekzistuar me kohë, por di edhe që ndryshimi nis nga vetja dhe një ditë gjërat do ndryshojnë për mirë. Unë besoj!

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *