Home»Analiza»Gjërat nuk do të jenë në rregull, kriza varet mbi kokat tona

Gjërat nuk do të jenë në rregull, kriza varet mbi kokat tona

Nga Robert Kagan

“The Washington Post”

Qeniet njerëzore, zgjedhin shpesh vetë-mashtrimin mbi realitetin e dhimbshëm, Kësisoj, në ditët dhe javët që vijnë, ne do të dëgjojmë deklarata siguruese se aleanca e NATO-s është në gjendje të mirë. Tek e fundit, ka pasur kriza edhe në të kaluarën – ajo e Suezit e vitit 1956, Vietnami në vitet 1960-19’70, vendosja e raketave në Europë gjatë presidencës Regan, dhe natyrisht Iraku. Presidentët amerikanë, janë ankuar për dekada të tëra, për mungesën e shpenzimeve të duhura për mbrojtjen nga ana e aleatëve europianë.

Presidenti Trump, nuk bën gabim që kritikon marrëveshjen mes Gjermanisë me Rusinë, për ndërtimin e një gazsjellësi të ri. Përsa i përket samitit të tensionuar të kësaj jave, ne jemi të nxitur të përqendrohemi tek thelbi dhe jo tek retorika.

Forcat amerikane në Europë, janë forcuar gjatë viteve të fundit, dhe ka plane të reja për t’i rezistuar agresionit rus. Në terren, aleanca funksionon ende. Të gjitha janë të vërteta, por mjerisht përtej problematikës.

Vendosjet e vogla të trupave dhe rritja e masave mbrojtëse, nuk ka shumë domethënie kur themelet e aleancës po shkatërrohen – siç është duke ndodhur prej njëfarë kohe. Dhe duke

treguar dallimet e mëparshme, shpërfillet fakti se sa kanë ndryshuar rrethanat politike dhe ndërkombëtare, gjatë dekadës së kaluar.

Europa përballet me probleme të reja, por dhe me rigjallërimin e disa prej problemeve të vjetra, që në të kaluarën çuan drejt katastrofës. Dhe amerikanët, kanë një qëndrim shumë të ndryshëm ndaj botës, sesa gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo nuk është thjesht një zënkë në familje.

Komuniteti transatlantik, ishte në vështirësi edhe para se Trump të merrte detyrën. Europa paqësore, demokratike që ne e kishim marrë për të mirëqenë në dekadat e fundit, është tronditur në thelb nga lëvizjet nacionaliste populiste, në kundërpërgjigje të fluksit të madh të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, një parti e krahut të djathtë zotëron një pjesë

të konsiderueshme të vendeve në Bundestagun gjerman. Autoritarizmi ka zëvendësuar ose kërcënon të zëvendësojë demokracinë, në shtete të mëdha evropiane si Hungaria dhe Polonia, dhe praktikat demokratike dhe vlerat liberale, janë nën sulm në Republikën Çeke dhe Sllovaki.

Franca mbetet një zgjedhje larg nga një udhëheqje nacionaliste të krahut të djathtë, dhe Italia e ka hedhur tashmë një hap të madh në atë drejtim. Ndërkohë, Britania, e cila luajti një rol kyç në Europë gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë, është zhdukur nga skena, dhe është bërë globalisht një hije e zbehtë e ish-vetes.

Mundësia që Europa të mund të kthehet pas në të kaluarën e saj të errët, është më e madhe sot se sa në çdo kohë gjatë Luftës së Ftohtë. Një pjesë e kësaj, ka të bëjë me qëndrimin e ndryshuar të Shteteve të Bashkuara vitet e fundit. Nuk është një sekret që presidenti Barak Obama nuk kishte interes të madh ndaj Europës.

Obama, ashtu si Trump shpërfilli aelatët europianë, dhe e përqëndroi vëmendjen e tij në Azi. Ai tronditi Europën Lindore në vitet e para të presidencës së tij, kur vendosi të anulojë ndërtimin e sistemit mbrojtës anti-raketor në Poloni dhe Republikën Çeke, si një nxitje që Vladimir Putin të përqafonte një ”rivendosje” të marrëdhënieve.

Më vonë, ai tronditi Europën Perëndimore kur nuk zbatoi vijat e tij të famshme “të kuqe” në Siri. Të dyja këto masa, ngritën dyshime mbi besueshmërinë amerikane, dhe refuzimi i administratës së Obamës për të ndërmarrë veprime në Siri dhe frenuar rrjedhën e refugjatëve, kontribuan shumë në tendosjen aktuale.

Obama po bënte vetëm atë që ai mendonte se donte populli amerikan. Luftërat në Irak dhe Afganistan, së bashku me krizën financiare të vitit 2008, i lanë amerikanët të zhgënjyer me angazhimin global, dhe të hapur ndaj argumenteve, se aleancat dhe institucionet që ata mbështetën për të gjitha ato vite, nuk u shërbenin interesave të tyre.

Administrata e Obamës u përpoq të ridimensionte rolin amerikan, pa e braktisur rendin e botës liberale, duke shpresuar që ai të ishte më i vetëdijshëm, se sa rezuloi të ishte në realitet. Por ishte hapur rruga për një politikan, të gatshëm të shfrytëzonte zhgënjimin e amerikanëve, gjë që është pikërisht ajo që bëri Trump në vitin 2016.

NATO nuk ka qenë kurrë një makinë vetë-operative, që ecën vetë përpara për aq kohë sa lihet rehat. Ashtu si rendi botëror liberal që është bërthama e saj, aleanca kërkon një mbështetje të vazhdueshme, mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara.

Dhe për shkak se është një aleancë vullnetare e popujve demokratikë, ajo mbijeton vetëm mbi themelet e mbështetjes publike. Ky bazament është plasaritur vitet e fundit. Kjo javë ishte një mundësi për ta mbrojtur atë. Në vend të kësaj, Trump përdori varenë për ta rrënuar atë më tej.

Ai këmbënguli se 2 përqind e shpenzimeve në raport me PBB, duhen të arrihet jo më në vitin 2024, siç është rënë dakord nga aleanca (duke përfshirë Shtetet e Bashkuara), por që në janar të vitit të ardhshëm- diçka që ai e di është e pamundur. Pastaj ai shkoi më tej, duke këmbëngulur që aleatët të shpenzojnë 4 për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje, një normë më e lartë edhe se buxheti i tij i mbrojtjes.

Këto nuk janë taktika negociuese. Ato janë taktikat e dikujt që nuk e dëshiron një marrëveshje. Në takimin më dyer të mbullura, Trump thuhet se ka paralajmëruar aleatët, se nëse nuk do të përmbushnin standardin prej 2 për qind të PBB për mbrojtjen që në janar 2019, Shtetet e Bashkuara do të dalin nga aleanca.

Në postimet e tij në Tëitter ai pyeti:”E çfarë të mirë na sjell NATO, nëse Gjermania po paguan Rusinë për gaz? Pse duhet që Shtetet e Bashkuara të paguajnë miliarda për të “subvencionuar Europën”, ndërkohë që po humbasin në tregtinë me të”? Këto komente nuk synonin Europën. Ato u bënë për të diskredituar aleancën, në sytë e turmës së tij besnike në shtëpi.

Por edhe Trump, duhet ta dijë përgjigjen e mundshme nga Europa. Fyerjet dhe poshtërimet që ai i ka shkaktuar udhëheqësve aleatë, nuk do të harrohen apo falen. Ato do ta bëjnë të pamundur, që udhëheqësit evropianë të fitojnë mbështetjen e publikut të tyre, për shpenzimet shtesë që pretendon Trump.

Pas një gjuhe të tillë, cili udhëheqës gjerman mund të pranojë ofertën e Trump, dhe të shpresojë njëherazi të mbijetojë politikisht? Çdo student i historisë, e di se janë momente të tilla si ky samit, ato që vënë në lëvizje zinxhirët e ngjarjeve, që janë të vështira për t’u ndalur. Aleanca demokratike, që ka qenë themeli i rendit botëror liberal të udhëhequr nga amerikanët, po shpërbëhet.

Në një moment, dhe ndoshta më shpejt se sa prisnim, paqja globale, që ajo aleancë dhe ai rend farkëtoi, do të marrë fund. Pavarësisht nga dëshira jonë njerëzore për të shpresuar për më mirë, gjërat nuk do të jenë aspak në rregull. Kriza botërore varet tashmë mbi kokat tona.

Shënim:Robert Kagan, është një anëtar i Institutit Brookings, dhe një kolumnist i “The Washington Post”. Ai është autori i librit të ardhshëm “Rrikthimi i xhunglës:Amerika dhe bota jonë e rrezikuar”.

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *