Home»Histori»Ernesto “Che” Guevara: Komandanti i luftërave të humbura

Ernesto “Che” Guevara: Komandanti i luftërave të humbura

Duke hequr dorë nga funksionet e tij në Kubë, Che-ja kishte qëllim që të ndizte “dy, tri Vietname” në Botën e Tretë. Aventura kongoloze ju shndërrua në makth, ajo në Bolivi përfundoi me vdekjen e tij

Më 14 mars 1965, Ernesto Guevara, i mbiquajtur Che, zbriti nga avioni që e sjell në Kubë nga Praga, pas një misioni të gjatë diplomatik nëpër botë, i mbyllur me një bisedë me Fidel Castro për rreth 40 orë në Cojimar, në afërsitë e Havanës. Qysh nga ai moment Che-ja nuk do të shihet më në publik. Fillojnë të qarkullojnë zëra të çuditshëm. Është arratisur? Është eliminuar? Është shtruar në një spital për të padëshiruarit? Grindjet e tij me burokratët kubanezë janë të shpeshta: thekson se një ekonomi socialiste duhet të jetë e privuar nga kritere përfitimi. Veç të tjerash, diskutimi që ka mbajtur në Algjer më 24 shkurt është një akuzë e vërtetë ndaj sovjetikëve, të cilët i akuzon se po «tregëtojnë mbështetjen e tyre ndaj revolucioneve popullore në favor të një politike të jashtme egoiste, larg nga objektivat e mëdha të klasës punëtore». Vetëm dy vite më pas do të hidhet dritë mbi zhdukjen e tij. Në fakt, Fidel nuk e ka shtypur fizikisht compañero e tij, thjesht i ka besuar, do të thotë vite më pas, «misione të tjera që duhej të pasuronin përvojën e tij guerrilase». Por Che Guevara është nisur vullnetarisht apo është sakrifikuar për motive politike? Po sikur të ketë qenë viktimë armiqësishë personale? Askush nuk ushqen dyshime lidhur me faktin se prania e tij e bezdis aq shumë Fidel Castron, sa që nga viti 1959 e ka bërë ambasadorin e tij në të gjithë kontinentet. Letra e Che-së, e lexuar në public në tetorin e 1965, e liron aq shumë lider maximo nga çdo përgjegjësi sa që disa nuk hezitojnë të mendojnë akoma se tërheqja brutale e Guevara nga jeta politike kubaneze ka ardhur pikërisht nga Fidel.

Fakti është Che-ja, admirues i madh i Maos dhe i të ndjerit Stalin («Ai që nuk ka lexuar 14 vëllimet e shkruara nga Stalini nuk mund ta deklarojë veten krejtësisht komunist», deklaron ai), nuk është kënaqur me teorinë e “bashkëekzistencës paqësore”. Disa vite më parë kishte botuar një traktat, Lufta guerrilase, në të cilën premtonte të eksportonte përvojën e revolucionit kubanez si metotë të marrjes së pushtetit në Botën e Tretë. Ai uronte krijimin e ushtrive popullore në çdo pikë të nxehtë të globit, me qëllim që të shumëfishoheshin frontet për mundjen e imperializmit yankee dhe «të ndizeshin, dy, tre, disa Vietnamë». Njeri i aksionit më shumë se pushtetit (një “luftëtar i vogël”, siç ka qejf ta quajnë), padyshim që e ka kapur fluturimthi rastin që i është ofruar. E gjitha kjo për t’u hedhur në një aventurë që i mundëson të vërë në praktikë teoritë e tij për luftën e armatosur dhe në të njëjtën kohë t’i bëjë një shërbim Fidel Castro, duke e zgjeruar influencën e Kubës në Botën e Tretë. Më 22 maj 1965, Guevara ndahet nga bashkëpunëtorët e tij të Ministrisë së Industrisë. Në fillim të prillit, me mjekrrën e rruar, i trukuar nga shërbimet sekrete kubaneze, imbarkohet inkonjito për Dar es Salaam, në Tanzani. Objektivi i tij është që t’i bashkangjitet Ushtrisë. Çlirimtare të Kongos për të përmbysur pushtetin “imperialist” që dominon vendin. Më 11 dhjetor të 1964, në një diskutim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kishte deklaruar se «të gjithë njerëzit e lirë të botës duhet të përgatiten të hakmerren për krimin e Kongos», domethënë vrasjen e Kryeministrit Patrice Lumumba në janarin e 1961. Sipas Allen Dulles, Drejtorit të Përgjithshëm të CIA-s, Lumumba ishte «një Castro tjetër».

E pavarur nga qershori i 1960, Kongoja po kalonte një periudhë jashtëzakonisht të trazuar. Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, kryeministri i ri Moisè Ciombé donte ta shtypte rebelimin, që i frymëzuar nga lëvizje progresiste dhe komuniste, kishte ndezur vendin. Che-ja mendonte për një Sierra Maestra të re që duke filluar nga Kongo të arrinte të ndizte zjarr të gjithë Afrikën. Në vend ju bashkua një grup luftëtarësh kubanezë: të gjithë me lëkurë të errët, për të sensibilizuar popullsinë ndaj kauzës. Besnik ndaj parimeve të tij, Guevara zgjodhi që të përzihej në mjedisin lokal. I armatosur me një fjalor të gjuhës sëahili, mori emrin Tatu, që do të thotë “tre” (për faktin se ai është numri 3 I hierarkisë pas dy zezakëve). Një grup i vogël i parë, në të cilin bën pjesë Tatu, lë Dar es Salaam drejt Kongos. Më 22 prill arrin në Kigoma, afër liqenit Tanganica, të cilin e kalojnë me një farë vështrësie për të arritur Kibamba, vend i zgjedhur si bazë. Më pas vijnë edhe nja 100 guerrilas kubanezë. Guevara ndeshet menjëherë me realitetin kongolez. Ushqimi është i pakët, moçalishtet dhe sëmundjet veneriane, të marra në shtëpitë e mbyllura të Kigoma, u shkaktojnë jo pak probleme njerëzve të tij. Goditja më e rëndë është e natyrës kulturore: animizmi, poligamia, supersticionet janë pjesë e kulturës së këtyre popullsive. Atëhere kur kupton se kongolezët pijnë daëa, një “pije magjike” e konsideruar në gjendje që të bëjë të paprekshëm ndaj plumbave dhe se ushtarët refuzojnë prej supersticionit që të futen në llogore, Guevara mëson se vizioni i tij për botën është shumë larg nga ai i vendasve.

Ai zbulon se ekzistojnë edhe kontraste të shumta midis guerrilasve. Midis ruandezëve dhe kongolezëve në radhë të parë, fakt që e bën të vështirë luftën e përbashkët: rivalitetet etnike maskojnë raportet e forcës. Ekzistojnë shumë mosmarrëveshje midis luftëtarëve kongolezë të frontit dhe drejtuesve të tyre që qëndrojnë prapa. Për më tepër, mosmarrëveshjet në gjirin e shtabit të përgjithshëm të rebelimit kongolez bëhen çdo ditë e më të qarta. Pas një muaji e gjysmë, Che-ja e quan ushtrinë çlirimtare një «ushtri parazitësh», e pamundur për t’u stërvitur dhe e paaftë që të punojë. Mungesa e disiplinës është totale. Luftimet e rralla rezultojnë në fund në mossuksese të bujshme. Guevara dhe komandanti ruandez Mundandi studiojnë një plan sulmi kundër hidrocentralit të Bendera, i ndodhur në lumin Kimbi. Bilanci: 22 të vdekur, prej të cilëve 4 kubanezë, të vrarë në një breshëri artilerie. Sulmi i parashikuar në të njëjtën kohë kundër kazermës së Katenga përfundon me një dështim. Disa kubanezë të demoralizuar tentojnë që të dezertojnë. Një sjellje që nuk ndihmon të hiqet dyshimi i ushqyer nga kongolezët për ta. Kësaj i shtohet edhe fati i keq: shefi i shtabit të përgjithshëm, Mitudidi, sapo ka arritur që ta riorganizojë kampin kryesor për të vazhduar aksionin kur mbytet duke kaluar liqenin. Më 7 korrik, pas disa lavësh nëdyshjeje, Laurent Desiré Kabila, një prej krerëve të guerriljes, në atë kohë 27 vjeçar, i shoqëruar nga Masengho, mbrrin në Kibamba dhe takohet me Che-në. Ky i shpreh dëshirën për ta çuar në front, gjë që nuk i është lejuar akoma nga kongolezët. Por Kabila niset 5 ditë më vonë për Tanzani pa një vendim dhe baza e Che-së gjendet sërish në një gjendje gjysmë letargjie. Tashmë Tatu është i lodhur. Ndjehet «më shumë në rolin e një student që ka fituar një bursë studimi sesa si luftëtar». Aksioni i vetëm i rëndësishëm ndodh më 11 shtator, kur merr pjesë me një automatic në dorë në sulmin kundër një karvani kundërshtar. Ama, edhe kësaj radhe, një ruandez nuk i respekton urdhërat e marra dhe nga kjo lind një rrëmujë e cila përfundon në dështim.

3 muajt e fundit të qëndrimit përfundojnë në një rënie të ngadaltë. Në shtator, Presidenti tanzanian Julius Nyerere, pavarësisht se aleat i Kubës, e braktis Che-në, duke i pezulluar autorizimin për të kaluar armët nëpër vendin e tij. Nga fundi i muajit, qeveria kongoleze nis një kundërofensivë, duke u premtuar faljen e jetës të gjithë atyre guerrilasve që i dorëzohen asaj. Pasi Moisè Ciombé është dorëhequr nga funksionet e tij, për shumë kongolezë mungojnë arësyet që justifikonin luftën. Shpërbërja e Ushtrisë Çlirimtare të Kongos ka filluar. Guevara e sheh veten të detyruar që të nisë evakuimin e kubanezëve, të cilët nisen mëngjesin e 21 nëntorit për Kigoma. Është «një spektakël i dhimbshëm, i dhimbshëm dhe pa lavdi», shkruan ai. Importimi i modelit Sierra Maestra në Kongo ka qenë një gabim tragjik. Che Guevara kalon 4 muaj fshehurazi në Dar es Salaam, në ambasadën e Kubës. Tenton që të kuptojë dështimin e tij: «Kam kërkuar që t’u imponoj njerëzve të mi të njëjtën pikëpamje personale të situatës dhe kam dështuar». Përpara se të kthehet fshehurazi në Kubë, në korrikun e 1966 kalon 4 muaj në Pragë. Dhe është pikërisht në kryeqytetin çekosllovak që nis të ëndërrojë Bolivinë. Dëshiron të krijojë një qendër formimi guerrilasish. Pse Bolivinë? Padyshim pse është limitrofe ndaj 5 “fuçishë baruti” të mira, të trazuara nga lëvizje të ndryshme revolucionare: Perù, Kili, Paraguaj, Brazil dhe Argjentinë. Për më tepër, situate në Bolivi, në drejtimin e së cilës ndodhet junta e Gjeneralit Barrientos (demokratikisht e zgjedhur), është e shënuar nga pabarazi të mëdha shoqërore: shtresa të mëdha të popullsisë jetojnë në varfëri. Së fundi, Bolivia numëron 5 milion banorë të grupuar në 1/10 e territorit të vendit. Teorikisht, pika ideale për të tronditur kontinentin latinoamerikan.

Praktikisht, edhe në këtë rast, asgjë nuk do të shkojë sipas planifikimit. Tullac, i rruar dhe me një palë syze të mëdha, Guevara, alias Ramon Benitez, e lë Havanën drejt Moskës më 23 tetor 1966. Në Pragë merr një tren për Vjenë, kalon më pas në Paris, përpara se të imbarkohet për Brazil. Arrin në La Paz, kryeqyteti i Bolivisë, më 3 nëntor me një pashaportë uruguajane në emër të Adolfo Mena Gonzales. Kështu ribëhet “Ramon”. Në një fermë të humbur në brigjet e Rio Nancahuazù, në juglindje të vendit, ngre kampingun stërvitor. Me të janë 17 kubanezë, të shtuar pak e nga pak nga një grusht bolivianësh e peruanësh: gjithsej 50 njerëz. Si gjithmonë, një optimizëm i madh e kapllon grupin, edhe pse Che-ja vlerëson se do t’u duhen jo më pak se «10 vjet përpara se të përfundojë faza rebeluese». Por problemet nuk mungojnë. Duhet përballuar klima e xhunglës boliviane, i duhet përshtatur një gjeografie armiqësore, të përballohen sëmundje dhe insekte. Grupi i vogël nuk është përshtatur me këto kushte ekstreme. Por Che-së i duhet të përballet me probleme politike. Për shkak të një reforme agrare të kohëve të fundit, fshatarët janë më pak të prirur që të ngrihen për shkak të guerrilasve. Mosbesues ndaj të huajve, në pjesën më të madhe të rasteve fshatarët qëndrojnë indiferentë. Duhet shtuar edhe se rajoni i zgjedhur është pak i banuar, fakt që e bën të vështirë çdo mbështetje popullore.

Midis “aleatëve”, e njëjta muzikë. Guevara përfiton fillimisht mbështetjen e Mario Monje, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Boliviane (PCB), që i premton furnizime dhe ndihma. Por, gjithçka përmbyset. Më 31 dhjetor, pas një takimi të zjarrtë me Che-në, Monje i jep fund bashkëpunimit dhe kërkon që të pushtohet lufta. Mbështetja më e rëndësishme i kthen krahët! Praktikisht, Moska nuk ka nevojë për revolucion në Amerikën Latine. Internacionalizmi proletar nuk është më ai i dikurshmi. Kur Jorge Kolle, Sekretar i Dytë i PCB-së, dhe Simon Reyes, drejtues i minatorëve, kthehen nga Havana të gatshëm që të diskutojnë me Che-në për kushtet e luftës në Bolivi, guerrilja rurale tashmë është e shkëputur nga çdo lidhje me qytetin; nisja e luftimeve e bën të pamundur takimin. Përfundimisht, duhet bërë revolucioni pa ilaçe (Che-ja është azmatik), pa furnizime (guerrilasit janë detyruar të ushqehen me kafshët e tyre të transportit), pa harta të sakta dhe pa komunikacion, pasi radioja është e paaftë që të dërgojë çdo lloj mesazhi. Komunikatat e guerriljes nuk kanë kështu asnjë lloj efekti: Che-ja është i detyruar që t’u drejtohet fshatarëve të rastit.

Aksionet e para në terren nisin në fillimet e 1967. Në shkurt nja 20 njerëz nisen për rikonjicion në rajonin veriore, drejt Rio Grande. Aty qëndrojnë dyfishin e kohës së parashikuar, domethënë 48 ditë, duke shkaktuar dyshime dhe lodhje në grup. Mosè Guevara, pa asnjë lidhje me Che-në, ish anëtar i PCB-së, ka arritur guerriljen me 8 rekrutë, por gjërat në vend që të përmirësohen, do të keqësohen. Më 11 mars dy njerëz dezertojnë dhe njëri prej tyre, i burgosur, “shet” shokët e tij. Një i tretë do të ndjekë të njëjtën rrugë dhe do t’i konfirmojë të gjitha informacionet. Më 23 mars, luftimi i parë i vërtetë me një patrullë ushtarake shkakton 7 të vdekur dhe 14 të burgosur në radhët e ushtrisë boliviane. Por gëzimi i Che-së është jetëshkurtër. Ardhja e një grupi prej tri “internacionalistësh”, i përbërë nga intelektuali francez Regis Debray, alias Danton, nga argjentinasi Ciro Bustos dhe nga gjermano – argjentinsja Tamara Bunke, alias Tania, do ta komplikojë më tej detyrën e tij. xhipsi i gruas zbulohet me dokumenta kompromentuese. Pastaj nevojiten të evakuohen Regis Debray – që, prej vetë pranimit të tij, nuk ndjehet «i gatshëm për vdekjen» – dhe Ciro Bustos. Rezultati: guerrilja ndahet në dy grupe: atë të Joaquin (i identifikuar nga disa si Juan Vitalo Acuna) dhe atë të Che-së, që nuk do ta takohen më kurrë. Debray dhe Bustos arrestohen në shoqërinë e gazetares angleze Roth, e cila kërkon të bëjë scoop. Ndërsa Debray burgoset, Bustos jep emrat e guerrilasve, duke denoncuar praninë e Che-së. Ushtria boliviane pushton kampingun qendror. Edhe pse humbet disa njerëz gjatë pritave, guerrillas të ndryshëm vriten gjatë luftimeve, në mënyrë të veçantë Eliseo Reyes, «njeriu më i mirë i guerriljes», sipas Ramon. Për të luftuar guerriljen, ushtria boliviane ka mbledhur 5000 njerëz. Përkrah Che-së – që tani quhet Fernando – kanë mbetur 25 njerëz. Tashmë të shpartalluar, guerrilasit spostohen midis maleve në të gjitha drejtimet, në kërkim të ujit të furnizimeve. Do të përshkojnë rreth 600 kilometra në 6 muaj!

Për një moment duket se po hapet një front i ri: distriktet minerare pagëzohen “Territore të Lira” nga punëtorët, por është thjesht një flakë kashte. Ndërsa punëtprët vendosin që ta mbështesin guerriljen, ushtria pushton istalimet. Më 7 qershor, qeveria boliviane dekreton gjendjen e jashtëzakonshme. Më 24 ndodh “Masakra e San Giovanni”: dhjetëra minatorë vriten, 200 dërgohen në kampe pune. Në fillim të korrikut, Ushtria Çlirimtare e Bolivisë (ky është emri i trupës rebele) pushton lokalitetin Samapaita (1700 banorë) dhe momentalisht fiton energji. Por është çështje vetëm e pak ditëve: një dezertor e çon ushtrinë e rregullt në një vendstrehim dhe shumë njerëz vriten në luftime. Më 31 gusht, gjatë një prite në vaun e Puerto Mauricio, kolona Joaquin asgjësohet. Në shtator, qeveria boliviane paraqet foto të gjetura në Nancahuazù, midis të cilave pashaportat false uruguajane të Che-së. autoritetet e dinë tani se është ai që drejton operacionet. Guevara mëson nga radio për masakrën e Joaquin. Të shkatërruar, njerëzit e tij janë katandisur deri në atë pikë sat ë pijnë urinën e tyre. të gjithë sëmuren. Che-ja vendos të niset drejt veriut, ku përkëdhel idenë e hapjes së një “fronti të dytë”. Në fund të shtatorit, pararoja bie në një pritë, që i shkakton 9 viktim. Revolucionari ka tashmë intuitën se fundi është i afërt. Më 8 tetor, si për ironi të fatit, guerrilasit denoncohen nga një fshatar, Pedro Pena, që është frikësuar kur i ka parë. Të ndjekur në kanionin Churo, rrethohen nga 300 ushtarë, të inkuadruar nga “këshilltarë” amerikanë.

Guevara shënon: «Nëqoftëse luftimi ndodh pas orës 15 00 dhe në interesin tona sa më vonë të jetë e mundur, shanset mund të jenë të mëdha pasi nata është aleati natyral i guerrilasve». Por luftimi nis në orën 13 00. Për t’u shpëtuar rejnxhërsve të Regjimentit “Manchego”, Che-ja ndan grupin. Plagoset dhe merr malin i mbështetur nga një prej shokëve të tij, “Ëilly”. Të dy bien në duart e ushtrisë dhe dërgohen në La Higuera, nhë fshat dy kilometra larg, ku mbyllen në një shkollë. Më 9 tetor, nga mesdita, Guevara vritet me një breshëri automatiku të qëlluar nga ushtari Mario Teran. Trupi i tij, në të cilin identifikohen 9 shenja plumbash, ekspozohet në dhomën mortore e improvizuar në Vallegrande.

Kësaj radhe Che-ja nuk ka mundësi që të invetigojë lidhur me humbjen e re. përgatitjet e guerriljes boliviane qenë akoma edhe më të ngutura se ato të aventurës afrikane; pavarësisht një stërvitjeje të ethshme në provincën Pinar, në të cilën Castro kishte asistuar personalisht, nuk ishte zhvilluar asnjë rrjet lidhjesh dhe asnjë verifikim serioz nuk ishte bërë në vend. Che-ja i kishte besuar intutitës së tij, ndonjë lidhjeve në vend dhe njerëzve të zakonshëm që e rrethonin. Takticien i mirë, por strateg i keq, ai kishte anashkaluar situatën ndërkombëtare, duke besuar se ndoshta Moska do ta mbështeste, ndërkohë që e kishte braktisur tashmë një herë në Kongo. Pastaj, kishte gjykuar keq situatën lokale, duke mos arritur t’i sensibilizojë banorët. Rebelët nuk kishin arritur të mishëronin pritshmëritë e popullsisë rurale (qenë minatorët dhe jo fshatarët ata që u simpatizuan më shumë me rebelët) dhe ta transformonin guerriljen në luftë massive. Sipas terminologjisë marksiste – leniniste, nuk ekzistonin kushtet për “shpërthimin e revolucionit”. Entuziast dhe i paduruar deri sa të kundërshtonte disa prej vetë thënieve të tij, Guevara kishte besuar se një vatër rebelimi mund të shkaktonte revolucioni, në ngjashmëri me sa kishte ndodhur në Kubë (me Castro), në Kinë (me Maon) dhe në Vietnam (me Gjeneralin Giap). Por as në Kongo, as në Bolivi ai nuk arriti që të qeverisë as zonën më minimale rurale, nga ku të nisej pastaj për të pushtuar qytetet.

Mbetet për t’u kuptuar nëse Guevara synonte që t’i “fitonte” vërtet këto luftëra apo ambicia maksimale e tij ishte thjesht vetëm në bërjen e tyre. Ideologjia e tij personale e kishte shtyrë që të hipotezonte lindjen e “një njeriu të ri” i aftë që të sakrifikohej për kauzën dhe tërheqja pakashumë e detyruar nga çështjet kubaneze sigurisht që e kishte çuar ta pranonte idenë e vdekjes. Arratia përpara në vitet e fundit mund të shtyjë që të mendohet për një lloj vetëvrasjeje të vetëdijshme. Një vetëvrasje që do t’i përgjigjej dëshirës për të shkatërruar shoqërinë kapitaliste deri në themele. Praktikisht, në mesazhin e tij të fundit të prillit 1967, luftëtari shkruan: «Duhet bërë lufta deri ku e bën armiku: në shtëpinë e tij, në vendet e dëfrimit; duhet bërë totalisht». Fjalë që në ditët e sotme rezultojnë mallkueshmërisht aktuale midis fanatikëve të terrorizmit islamik.

Përgatiti: ARMIN TIRANA / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *