Home»Horizonti.al»Shkence»“Urtësia e turmave”. Legjenda dhe realiteti

“Urtësia e turmave”. Legjenda dhe realiteti

A janë të shumtët më të mençur se të paktët? Provat më të fundit se çfarë mund t’i bëjë më të mençur grupet e njerëzve – por që mund t’i çojnë edhe në rrugë krejt të gabuara

Phil Ball

Urtwsia e turmaveA është “Lord of the rings” vepra më e madhe e letërsisë së shekullit 20? A është “Shawshank Redemption” filmi më i bukur që është realizuar ndonjëherë? Të dy e kanë marrë këtë titull prej votave të publikut. Nuk ka nevojë të jesh një snob i letërsisë apo filmave, për të vrarë mendjen në lidhje me të ashtuquajturën “mençuria e turmave”.

Në një epokë që përgjithësisht konsiderohet individualiste dhe egoiste, është e habitshme që vazhdojmë të kemi shumë besim tek urtësia e turmave, sidomos kur është dukshëm larg shënjestrës. Megjithatë, ka një farë të vërtete në idenë që masat mund të bëjnë gjykime kolektivë më të saktë, se sa individët ekspertë. Atëherë, përse turma ndonjëherë ka të drejtë dhe ndonjëherë është thellësisht gabim?

Ideja që gjykimi i një grupi mund të jetë çuditërisht i mirë u justifikua në librin e James Surovieckit “Mençuria e turmave”. I pari që ka punuar me idenë ka qenë kushëriri i Charles Darvinit, Francis Galton në vitin 1907. Galtoni vërejti se mesatarja e një konkursi me temë “gjej peshën e demit”, në panairet e fshatrave ishte çuditërisht e saktë – duke lënë pas jo vetëm shumicën e hamendësimeve të individëve, por edhe ekspertëve të bagëtive. Ky është thelbi i mençurisë së turmave: mesatarja e gjykimit të tyre të çon në zgjidhjen e drejtë.

Të meta

Megjithatë, Suroviecki shkruante se turma nuk është aspak e pagabueshme. Ai shpjegonte se një kërkesë për një gjykim të mirë të turmës është që vendimet e njerëzve të janë të pavarur nga njëri-tjetri. Nëse të gjithë do të lejonin të ndikoheshin prej hamendësimeve të tjetrit, atëherë shanset janë që këta hamendësime në fund do të anojnë drejt një zgjidhjeje të gabuar. Efekti dëmtues i influencës sociale u demonstrua në vitin 2011 nga një ekip në Institutin Federal të Teknologjisë në Zvicër. Ata pyetën grupe pjesëmarrësish që të vlerësonin sasi të caktuara në gjeografi ose krim, për të cilat asnjëri prej tyre nuk pritej që të kishte njohuri të përsosura, por të gjithë mund të guxonin të hamendësonin – gjatësia e kufirit Zvicër-Itali, për shembull, apo numri i vrasjeve në një vit në Zvicër. Pjesëmarësve iu ofruan shpërblime financiarë modestë për hamendësime të saktë në grup, për t’u siguruar që do e merrnin seriozisht këtë sfië. Studiuesit zbuluan që, teksa sasia e informacionit që u jepej pjesëmarrësve për hamendësimet e njëri-tjetrit rritej, hendeku mes hamendësimeve të tyre sa vine e ngushtohej dhe qendra e këtij hendeku zhvendosej gjithjnë e më larg vlerës reale. Me fjalë të tjera, grupi kish një prirje drejt konsensusit, por në dëm të saktësisë.

Ky zbulim vë në pikëpyetje një pikëvështrim të zakonshëm në menaxhim dhe në politikë, se është më mirë të kërkosh konsensus në vendim-marrjen në grup. Por, e vërteta është që mund të përfundosh drejt një pozicioni arbitrar. Se sa arbitrar, kjo varet nga lloji i grupit të opinioneve me të cilin e fillon. Studiuesit thonë se nëse grupi ka përgjithësisht një gjykim të mirë fillestar, atëherë influenca sociale e përmirëson dhe nuk e degradon vendimin e tyre kolektiv.

Kriza financiare

Askush nuk duhet të ketë nevojë për një paralajmërim një grup vendim-marrësish të informuar keq: sjellja kopjuese është konsideruar gjerësisht si një prej faktorëve kryesorë të krizës financiare, e në fakt për të gjithë krizat financiare në të kaluarën. Ekipi i shkencëtarëve zviceranë komentoi se ky efekt i vogël ka gjasa të zmadhohet në rastet kur kemi të bëjmë me probleme për të cilët nuk ekziston një përgjigje e saktë objektive, gjë që ndoshta shpjegon se si në vendet demokratikë ndonjëherë zgjidhen udhëheqës kaq të paaftë.

Ka edhe një tjetër faktor kyç që e bën turmën të saktë, ose jo. Eshtë argumentuar prej kohësh se turmat më të mençura janë ato që kanë diversitet më të madh. Ky është një konkluzion i arritur në një studim të vitit 2002 nga Scott Page i Universitetit të Michiganit, dhe Lu Hong i Loyola University në Chicago. Ata treguan që, në një model teorik vendim-marrjeje në grup, një grup me diversitet të lartë bën një hamendësim kolektiv më të mirë se sa grupi i zgjidhësve më të mirë të problemeve. Me fjalë të tjera, mendjet e ndryshme bëjnë më mirë, kur mesatarizohen vendimet e tyre, se sa mendjet e ekspertëve.

Në fakt, ka një situatë ku pak njohuri mund të jetë gjë e rrezikshme. Një studim i vitit 2011 i një ekipi të udhëhequr nga Joseph Simmons i Shkollës së Menaxhimit në Yale zbuloi se parashikimet në grup për rezultatet e ndeshjeve të futbollit amerikan ishin larg rezultateve realë, për shkak të vetëbesimit të tepruar të tifozëve. Të gjithë këta zbulime sugjerojnë që, të dish kush është në turmë, dhe sa të ndryshëm janë ata, është jetike.

A mund të ketë mënyra për ta bërë më të mençur një turmë ekzistuese? Muajin që kaloi, Clintin Davis-Stober i Universitetit të Missourit dhe bashkëpunëtorët e tij paraqitën përllogaritjet në një konferencë për Inteligjencën Kolektive, të cilat ofruan disa përgjigje. Ata fillimisht ripunuan definicionin se çfarë do të thotë që një turmë të jetë e mençur – kur, me saktësi, mesatarja e gjykimeve të një turme mund të quhet më e mirë se sa ajo e individëve të përzgjedhur. Ky definicion i lejonte studiuesit për të zhvilluar udhërrëfyes për përmirësimin e mençurisë në grup. Në punët ë mëparshme ishte thënë se duhet të shtosh individë të zakonshëm, vendimet e të cilëve nuk kanë lidhje me ato të anëtarëve ekzistues të grupit. Kjo mund të jetë gjë e mirë, por është edhe më mirë të shtosh individë që nuk janë thjeshtë të pavarur në mendimin e tyre, por që mendimet e tyre kanë një “korrelacion negativ” – sa më i ndryshëm të jetë e mundur – nga anëtarët ekzistues. Me fjalë të tjera, diversiteti më i fortë se pavarësia.

Nëse do saktësi, atëherë duhet të shtosh ata individë që kundërshtojnë fort grupin tënd. Si mendoni, a ka shanse që menacxheët dhe politikanët do të përzgjedhin kandidatë të tillë? Harrojeni… /BBC/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *