Home»Sport»Murinjo flet për Mesin dhe De Gean

Murinjo flet për Mesin dhe De Gean

“Besoj se ishte një rezultat i drejtë, e se Islanda luajti në limitet e saj. E përsëris, kur një skuadër luan në limite, nuk mund t’i kërkosh më shumë. Nëse do më duhej të zgjidhja një fjalë për të përshkuar Islandën, do ishte ‘kompakte’. Kam në mendje një imazh të minutës së 69-të: nëntë lojtarë, plus portieri, të gjithë së bashku në zonë… minuta e 87-të, 10 lojtarë plus portieri: u treguan një ekip kompakt.

Askush nuk mundet t’i gjykojë, megjithatë. Kundër Mesit nuk mund të përdorësh markimin ‘një për një’, thjesht duhet të jesh kompakt. Islandezët u reduktuan hapësirat argjentinasve përgjatë gjithë 90 minutave, duke mos e ndalur kurrë presingun, krijuan dendësi si në gjerësi po ashtu edhe në gjatësi të fushës: s’kishte hapësira pas mbrojtësit të fundit. Më pas, patën një shans dhe shënuan… Normalisht, Argjentina pati topin më shumë nën kontroll dhe krijoi më shpesh raste, por Mesin e shihje të lëvizte vetëm jashtë zonës: përpiqej të gjente rrugën drejt portës, driblonte vazhdimisht, godiste portën me rregullsi. Por pashë një përkushtim fantastik, shpirt luftarak, e forcë te kombëtarja e Islandës.

Më befasuan në kuptimin pozitiv të fjalës. Lojtarët islandezë duhet të kenë ngrënë shumë mish në mëngjes që kur ishin foshnjë: ishin shumë të fortë dhe në formë. Futbolli i tyre përshtatet me mënyrën se si jetojnë. Penalltia e humbur nga Mesi? Kur humbet një 11- metërsh në një Kupë Bote, në një moment kur skuadrës i nevojitet një gol, kjo ndikon negativisht te lojtari. Leo u përpoq në të gjitha mënyrat: vetëm kundër një mbrojtësi, vetëm kundër dy mbrojtësve, vetëm kundër tre… e pati shumë të vështirë, ndaj edhe e tentoi shumë pak herë portën. Edhe lojtarët më të mëdhenj, që ju (gazetarët) i quani “Supermen”-ë, janë njerëz, kanë ndjenja dhe mendoj se penalltia e humbur e ka prekur”.

DE GEA – “De Gean mos e prekni. Më dhemb ta them, por edhe ai e di që ishte një gabim shumë, shumë i madh. Nuk është një gabim që e bën me ne, te Junajtid, ku u shpall lojtari i sezonit dhe bën gjithmonë paraqitje fantastike. Por, u ndodh edhe më të mirëve. Dhe më të mëdhenjtë kanë një ‘virtyt’: në ndeshjen e radhës e shohin kundërshtarin në sy, pa frikë. Janë gjëra që ndodhin, është një gabim. Tani duhet të veshë dorezat e të zbresë në fushë, duke e ditur vështirësinë e rolit që ka: portierët, e këtë duhet ta dini, kanë ndoshta detyrën më të vështirë prej lojtarëve në fushë.

Besoj se trajneri dhe shokët e skuadrës do e ndihmojnë ta kalojë këtë moment. Unë do qëndroja i qetë. Episodi? Ishte një goditje e ‘hidhur’: nëse e shikoni me vëmendje, edhe nëse Davidi do hidhej në atë krah, topi ishte shumë lart. Shanset për të pritur atë goditje janë thuajse zero. Megjithatë, (e këtu trajneri i Junajtid ndërron temë për një moment), mendoj se pati një ndeshje me Diego Kostën dhe një ndeshje pa Diego Kostën: ai ndryshoi gjithçka (sulmuesi u zëvendësua në pjesën e dytë). nuk mendoj se ishte një “ndeshje perfekte”, asnjëra nga skuadrat nuk dominoi për 90 minuta. / Panorama Sport

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *