Home»Magazine»Letersi»Erih Maria Remark: “Ego te absolvo!” (Unë të liroj nga mëkatet)

Erih Maria Remark: “Ego te absolvo!” (Unë të liroj nga mëkatet)

“Të falësh vërtet, do të thotë, ta marrësh e ta pranosh tjetrin ashtu siç është- por jo t’i kërkosh pendesë dhe besnikëri të verbër dhe nënshtrim, përpara se të denjosh t’i thuash: Ego te absolvo!(Unë të liroj nga mëkatet)”-Obelisku i Zi

Erih Maria Remark është shkrimtari më i dashur i brezit të humbur që u lind dhe u rrit në një qytet të vogël gjerman gjatë krizës së madhe të viteve 1920, para, pas dhe përgjatë luftrave botërore.

Tematika e luftës ka qenë shoqëruesja kryesore e çdo vepre të Remarkut, por te Obelisku, ngjarjet e të cilit zhvillohen gjatë “armpushimit” të akullt midis Luftës së parë e të Dytë Botërore, veprimet kanë një stad më të lartë tragjizmi. Gjermanët janë viktimat kriminelë. Ata jetonin midis mbetjeve nga shkatërrimi i parë dhe parandjenjës se lufta e dytë nuk do të vononte.

Humori i dhimbshur, sakrifica midis shokëve, dashuria e sinqertë, mospajtimi në ideologji me asnjë lloj lufte por ndërkohë dhe besimi verbërisht në profecinë e të ardhmes së përgjakur, e bëjnë këtë vepër të papërsëritshme, janë karakteristikat tipike  të një brezi të humbur e një rinie të vonur që po bëhej gati të vdiste për të dytën herë.

Robert Shvarc, përkthyesi i shumicës së librave të Remarkut, komenton mbi veprën në fjalë: “Ëndrrat rinore lulëzojnë dhe jetojnë në kohën e tyre-por kurrsesi më vonë! Më vonë është tepër vonë. Të kërkosh të jetosh një rini të vonuar, është diçka tragjike, thuajse  e papërballueshme për shpirtin e njeriut, në qoftë vërtetë njeri. Sepse:Dhembja të bën të ditur dhe, kush di shumë, atij i dhemb më tepër e vërteta e hidhur- që pema e njohjes nuk është pemë e jetës!”

Remarku “qan” për 17 vjeçarët që u detyruan të lënë kënaqësinë e të jetuarit pa filluar mirë akoma. Edhe nëse dikush do të kishte fatin të mbijetonte nga llogoret e frontit të perëndimit, ai gjithmonë do të mbetej i pafati që pa nga afër shokët e tij të vdisnin në format më makabre, që vetëm dora njerëzore mundi të krijojë, ndoshta pa ndonjë këmbë a ndonjë krah. Por gjymtimi me sa duket nuk ishte vetëm fizik. Ata edhe nga truri duhet të ishin të mangët që mendonin për hakmarrje pas gjithë asaj që përjetuan. E po të gjykosh nga presioni që  ushtohej çdo ditë nga inflacioni ekonomik, nuk mund tu vësh as faj.

Bota nuk mundi t’i fali gjermanët. Bota e nënvlerësoi mençurinë e kishës, të vetmen diktaturë që nuk u përmbys dot gjatë dy mijë vjetësh. Bota nuk i tha “Ego te absolvo” Gjermanisë, dhe kështu Zoti krijoi nazistët./Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *